Sellma Kasumoviq
Pastrimi i lëkurës si dhe përdorimi i kremrave është një rutinë e 24-orëshit tim
Arti i grimit është profesioni dhe pasioni im, ndaj kurrë nuk kam pasur ndonjë dilemë lidhur me punën time. Veç pamjes së të tjerëve, rëndësi i kushtoj edhe pamjes sime. Kështu, për flokët kujdesem shumë, gjithmonë mundohem të përdor produktet, të cilat i përshtaten flokut tim. Po ashtu, edhe me ngjyrat eksperimentoj, pasi që ndryshimet në flokë i kam pasion. Përveç flokut, lëkurës i kushtoj kujdes dhe kohë të mjaftueshme. Edhe pse kam një jetë tejet dinamike, gjithmonë gjej kohë për dukjen time, sidomos për lëkurën. Zakonisht përdor maska piling dhe antiakne. Pastrimi i lëkurës si dhe përdorimi i kremrave është një rutinë e 24-orëshit tim. Ka kohë që u besoj disa produkteve, të cilat deri më tani nuk më kanë zhgënjyer, siç janë maskat e markës Kleanthous nga Eclat-Institut de Beaute në Prishtinë, të cilat më kanë ndihmuar ta zgjidh problemin e akneve deri në shërim të plotë, po ashtu edhe La Prairie dhe Swiss. Kam një punë mjaft intensive dhe në anën tjetër edhe obligime të tjera familjare, aktualisht kjo më kufizon të merrem me ndonjë aktivitet fizik, sepse gjithë kohën në punë jam e angazhuar rreth klienteve, ndërsa pjesën tjetër ndaj familjes sime. Po ashtu, i kushtoj rëndësi grimit personal, përveç ndonjë ditë kur unë vendos ta lë fytyrën tërësisht të qetë, kjo ndodh zakonisht ditëve të pushimit, ndërkaq ditëve të tjera rëndom grimohem në shtëpi, ndonëse ka raste kur grimohem edhe në studio. Madje, grimi i cili nuk do të doja të mungonte në fytyrën time është një krem pudër, maskara, rregullimi i vetullave dhe pak buzëkuq.
Rezarta Galica
Flokët janë primare për dukjen dhe personalitetin e njeriut
Zakonisht, çdo ditë imja fillon shumë herët, për shkak të profesionit, dhe aktiviteti i parë që bëj janë punët e shtëpisë që më bëjnë të ndihem mirë. Meqenëse nuk shkoj në ndonjë palestër, kjo është e mjaftueshme për të pasur një kondicion edhe gjatë orarit të punës. Flokët janë primare për dukjen dhe personalitetin e njeriut dhe gjithmonë mundohem të gjej kohë për t’u kujdesur për ta. Ngjyrosjen e tyre zakonisht e bëj çdo tre muaj, kurse prerjen çdo muaj, në mënyrë që flokët t’i mbaj të freskët dhe në formë. Po ashtu, kujdesem për tenin tim, ndonëse jo në masë të duhur, por mundohem t’i kushtoj kujdes lëkurës në përgjithësi. Zakonisht përdor vaj kokosi për pastrimin e trupit dhe të fytyrës. Ndërkaq, për sa u përket maskave për fytyrë, nuk i aplikoj vetë por kohë pas kohe e vizitoj kozmetikologen Leonora Ahmetin. Prandaj, edhe kremrat që i përdor për fytyrë i marr me rekomandim nga ajo, kështu që gjatë ditës përdor kremin ushqyes nga brendi Dr. Kleanthous, i cili bën balancimin e lëkurës, ndërsa për natën përdor kremin nga e njëjta markë që ndihmon në rigjenerimin dhe ushqimin e lëkurës, si dhe ka efekt kundër rrudhave. Grimi është art dhe, siç dihet, arti është qetësim i shpirtit, kështu që puna që bëj nuk më mërzitet, edhe pse nganjëherë bëhet monotone, por, për ta thyer monotoninë, eksperimentoj dhe bëj ndonjë gjë kreative. Për këtë arsye punën që e bëj e konsideroj më shumë si pasion dhe jo biznes. Personalisht, zakonisht gjatë ditës, nuk grimohem shumë – por vetëm në mbrëmje dhe nuk preferoj grim të rëndë. E rëndësishme është që teni të duket pastër, ndërkaq më së shumti e preferoj maskarën, theksimin e qerpikëve, linjat e fytyrës me kontura të lehta.
Njomza Martinaj
Rregullisht bëj piling
Edhe pse jam grimere dhe floktare plot 16 vjet, kjo punë nuk më është mërzitur asnjëherë. Ndodh në fund të ditës nganjëherë të më mund lodhja, por të nesërmen jam plotësisht në formë për ta vazhduar punën, ngase kultivimi i pamjes së gruas më pëlqen jashtëzakonisht. Mirëpo, po kaq rëndësi i kushtoj edhe pamjes sime: merrem me kultivimin dhe mirëmbajtjen e flokut, përherë aplikoj maska të ndryshme. Ndonëse më parë kam ndryshuar jashtëzakonisht shpesh ngjyrën e tyre, madje ndodhte çdo dy javë, tani ngjyra e hapur mendoj se më shkon shumë, prandaj po e mbaj këtë. Veçse, nuk jam një person që e mbaj përherë krehjen e njëjtë të flokut, kjo ndryshon, varësisht nga dëshira ime. Po ashtu, i kushtoj rëndësi mirëmbajtjes së fytyrës sime. E pastroj çdo mbrëmje dhe e aplikoj kremin tim të preferuar nga brendi Shiseido, çdoherë, tash e 7 vjet, i cili i dedikohet lëkurës së kombinuar. Besoj në efektet e kremrave të shtrenjta, ngase duke i përdorur për një kohë të gjatë rezultati është i dukshëm. Po kështu, përherë përdor krem rreth syve nga Vichy. Natyrisht, edhe përdorimi i maskave dhe pilingut për fytyrë është me shumë rëndësi. E kam një piling të preferuar, që e përgatis vetë, i cili është për pastrimin dhe regjenerimin e lëkurës: Merrni një të bardhë të vesë dhe i hidhni një lugë sodë bikarbone, e përzieni dhe masën e homogjenizuar e vendosni në fytyrë, e mbani disa minuta dhe më pas e pastroni. Për sa i përket grimit, asnjëherë nuk dal nga shtëpia pa të, e kultivoj pamjen time, ngase mendoj se pa u dukur bukur vetë, nuk mund ta rregullosh dikë tjetër. Çdo mëngjes bëj një dush, vishem dhe zbres në sallon, ngase ai është në objektin e shtëpisë sime. Ditën e nis me një kafe, fillimisht grimohem për vete, dhe në orën 8 jam e gatshme, me shumë energji, për të nisur ditën e re.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.