Ti je ketu: Ballina > Intervista > Neurokirurgu spinal që la Suedinë për Kosovën
Dr.Armend Agolli
Neurokirurgu spinal që la Suedinë për Kosovën
Në kohën kur altruizmi dhe etika mjekësore po vijnë duke u harruar gjithnjë e më shumë nga një numër profesionistësh shëndetësorë, shembulli i disa të tjerëve argumenton se mjekësia si shkencë, megjithatë, i ka heronjtë e vet. Nuk është pa të tillë as mjekësia kosovare, ndërsa neurokirugu spinal, Dr. Armend Agolli, është njëri prej tyre. Ai la pagën e rregullt në Suedi, së paku dhjetë herë më të madhe se ajo që morri në QKUK, për t’u kthyer në Kosovë, me synimin që t’i ndihmojë mjekësisë kosovare.

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

 

Dr. Agolli, a mund të shpalosni një letër- njoftim të shkurtër tuajin për lexuesit e revistës sonë?
Jam lindur në vitin 1966 në Mitrovicë. Në vitin 1990 kam diplomuar në Mjekësi në Prishtinë. Gjatë periudhës 1992-1993 kam punuar si mjek në Turqi, ku më pas e fillova specializimin në neurokirurgji, të cilin e vazhdova në Shqipëri dhe e përfundova më 1999. Gjatë këtij viti, që ishte vit lufte në Kosovë, kam shërbyer si mjek në Koshare, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kisha ardhur nga Suedia ku pata shkuar më 1998. Pas luftës kam shkuar sërish në Suedi, ku kam bërë kompletimin e specializimeve me kryerjen e një subspecializimi në Kirurgjinë spinale, që ka zgjatur katër vjet. Pas mbarimit të kësaj pjese, kam punuar në spitale të ndryshme universitare të Suedisë, në spitalet private më eminente, siç është “Stockholm Spine Centre” etj. Në shtator të vitit 2008 jam kthyer në Kosovë dhe diku në periudhën mars-maj 2009 jam punësuar në QKUK. Më kujtohet që operacionin e parë nga kirurgjia spinale në QKUK e kam kryer më 6 maj 2009.
E përmendët Suedinë, keni qenë atje dhe jeni kthyer. Pse?
Në Suedi janë një pjesë e familjes sime. Atje kam shkuar më 1998, ku e kam dërguar familjen kur nisi lufta në Kosovë, ndërsa vetë u ktheva në luftë, në Koshare. Familjen e dërgova tek vëllai im dhe pas marrjes së subspecializimit u ktheva në Koshare, ku gjatë luftës kemi bërë punë të shkëlqyeshme. 
Cili ishte motivi që ju shtyri të ktheheshit?
Kanë qenë dy motive: I pari - kthimi i familjes, i fëmijëve, për shkak të rrezikut të asimilimit duke jetuar jashtë, sepse kam dashur që ata ta njohin shtetin e vet, historinë, traditën dhe kulturën e vendit të tyre; dhe motivi i dytë - krijimi i Qendrës Spinale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pra, kanë qenë arsyet familjare dhe ato profesionale.
Kur flisni për arsyet profesionale, e kishit parasysh se kushtet këtu nuk janë si në Suedi?
Unë kam qenë i vetëdijshëm se në çfarë kushtesh po kthehesha. Por, i thashë vetes se ne jemi vetë ata që duhet t’i krijojmë kushtet. Kur u ktheva në Kosovë, jam ballafaquar me lloj-lloj sabotimesh nga një numër kolegësh, xhelozi të pakuptueshme, bllokada të ndryshme, por asnjëherë prej institucioneve. Nuk them se institucionet na i kanë krijuar kushtet e duhura, por së paku nuk na kanë penguar, përjashtuar disa procedura burokratike që me rastin e kthimit kishin të bënin me nostrifikimin e dokumenteve të shkollimit dhe ngritjes profesionale. Kjo nuk më ka pëlqyer, sepse kudo në botë, ekspertëve u krijohen lehtësime kur ata shprehin gatishmëri për t’u kthyer. Megjithatë, kam vazhduar dhe mund të them se nga kolegët në Ortopedi (QKUK) jam pritur shumë mirë dhe u jam mirënjohës. Me disa nga kolegët në Neurokirurgji nuk kam mundur të merrem vesh për disa aspekte për çka më vjen keq, pasi që Kosova ka edhe neurokirurgë shumë të mirë, por nuk u është dhënë mundësia e zhvillimit në tërësi, sidomos në neurokirurgjinë vaskulare. Sa i përket ortopedisë, prej se jam këtu, kemi kryer shumë operacione, që në mënyrë sporadike janë punuar në Neurokirurgji më parë, por jo në vëllimin dhe mënyrën si kryhen tani, kur po bëhet te lëndimet spinale stabilizimi i kolonës (shtyllës kurrizore) etj., me që për këto punë duhet edukim i vazhduar profesional, së paku 4-vjeçar.

“SHËNDETËSIA ËSHTË VETË SHTETI”

Sigurisht këto vjet janë të mjaftueshëm që të krijohet një pasqyrë për shëndetësinë këtu?
Shëndetësia duhet trajtuar me prioritet. Prej saj fillon shteti. Sot, pa shëndetësi nuk ka as ekonomi të mirë, as arsim, as siguri, as shtet. Më kujtohet kur shkuam në Koshare (gjatë luftës), dhe u takuam me Anton Çunin. Kur na pa ne, ekipin mjekësor, aq u ndie i sigurt, sa tha: “Tash mund të shkojmë deri në Beograd”!. Pra, shëndetësia është vetë siguria dhe kështu duhet të jetë edhe në paqe.
Si një profesionist që ka pasur rastin të punojë në një vend me disiplinë shumë të lartë mjekësore, a nuk ju duket që në Kosovë janë zbehur ai altruizmi mjekësor dhe etika profesionale në radhët e profesionistëve...?
Fatkeqësisht, komercializimi e ka bërë të veten edhe në mjekësi. Shumë njerëz janë ngritur në tituj profesorësh dhe tituj të tjerë këtu pa i merituar dhe kanë ndodhur edhe gjëra që nuk janë të denja për mjekësinë tonë. Kjo ka bërë që t’i ulet autoriteti edhe profesionistit dhe punës së mjekut. 
A ka vend për ndonjë lloj krahasimi midis mjekësisë në Suedi dhe mjekësisë këtu?
Sa u përket krahasimeve, ne nuk mund të krahasohemi me Suedinë. Një shëndetësi siç është atje, mund ta kemi vetëm ëndërr, por me punë mund të krahasohemi dhe t’i arrijmë edhe vendet e rajonit dhe Turqinë. Do të ishim më fat nëse e arrijmë këtë. Pse po e them këtë? Sepse, e para, buxheti për shëndetësinë në Kosovë është i vogël. Merreni me mend, një spital ku kam punuar në Suedi ka buxhet afërsisht të njëjtë sa krejt buxheti që Ministria e Shëndetësisë ka për nivelin terciar dhe sekondar të shëndetësisë në Kosovë! Duhet shumë të investohet në shëndetësi, e në këtë drejtim, unë jam shumë i interesuar dhe mendoj se duhet të investohet shumë, sidomos në kirurgjinë spinale. Sepse, nëse ne nuk kemi ekipe të përbëra nga profesionistët që shkojnë në vendin e ngjarjes kur kemi të bëjmë me lëndime të rënda të kësaj natyre dhe nëse kur pacienti vjen në Qendrën Emergjente s’e kemi profesionistin që e pret, po t’i kemi edhe paratë e botës nuk do të mjaftojnë. Duhet të investohet shumë në këtë fushë, sepse mbajtja e një individi në karrocën e invalidit, përveç dhimbjes që i shkakton atij, i shkakton barrë ekonomike dhe sociale familjes dhe shtetit. Prandaj, po insistoj për investime dhe zhvillim të kësaj fushe.

TË KTHEHET BESIMI MJEK-PACIENT

Çfarë duhet bërë së pari, sipas jush?
Tek ne duhet punuar shumë në kthimin e besimit mjek-pacient. Ky është prioriteti i parë. Duhet t’u kushtohet rëndësi gjërave të thjeshta, duke nisur nga anamneza, kur i merret pacientit. Mjekët duhet të kenë durimin që t’i dëgjojnë më shumë pacientët dhe t’u kushtohen më shumë atyre. Nuk është e mundur që të ketë vizita të suksesshme nëse numri i tyre për një mjek brenda një gjysmë dite është 40-50. Sot, ka shumë mundësi që vizitat të planifikohen dhe duhet filluar me krijimin e “listave të pritjes”, planifikimit të vizitave, duhet shfrytëzuar posta që pacientëve t’u dërgohen thirrjet dhe informatat e nevojshme, diçka që shfrytëzohet e bëhet në vendet e tjera dhe duhet riorganizuar puna, sidomos rreth shërbimit të ambulancave specialistike që janë në kuadër të QKUK-së.
Thatë më parë se motivi i dytë i kthimit tuaj ishte krijimi i Qendrës Spinale?
Po. Jemi në rrugë të mirë për ta bërë këtë. Ne kemi krijuar Njësinë Spinale në Ortopedi (QKUK). Që të bëhet qendër komplete duhet edhe Njësia për trajtimin dhe bartjen e pacientëve nga vendi i lëndimit deri në Qendrën spinale dhe Njësia e rehabilitimit. Ajo që dua të them është se mjekët në QKUK janë shumë të mirë, e mund të them se edhe aparatura në QKUK është më e mirë se e spitaleve private në Kosovë. Kjo dihet botërisht. Janë disa aparatura në Ortopedi dhe Anesteziologji që do të donin t’i kishin edhe spitalet e tjera, po ashtu 7-8 kuadro në ortopedi që më bëjnë të them se ekipi këtu është më i mirë se në Suedi. Kemi një CT shumë të mirë për diagnostikë, radiologun Hakif Thaçi, që do të donte ta kishte edhe Suedia, pastaj edhe radiolog të tjerë të mirë, si Bujar Gjikolli etj. Nuk na mungojnë kaudrot. Ajo që më bën të lumtur tash është se, përveç meje, Kosova i ka edhe dy kirurgë spinalë, që janë Dr. Xhavit Gashi dhe Dr. Nexhmedin Duriqi, kështu që, edhe nëse do të kthehesha në Suedi, do të thosha që këtu e kam arritur qëllimin, sepse tash janë edhe dy Armenda të tjerë në këtë fushë dhe sigurisht do të ketë edhe të tjerë...
Nga këndi i një profesionisti që ka parë sisteme të suksesshme, ka apo nuk ka perspektivë mjekësia dhe shëndetësia kosovare?
Unë mendoj se ka. Madje u bëj thirrje profesionistëve tanë që janë jashtë vendit që të kthehen në Kosovë, sepse edhe këtu mund të punohet mirë dhe të fitohet po ashtu. Në Kosovë ka shumë potenciale të cilat duhet eksploruar, prandaj me ndryshimin e sistemit që pritet të ndodh, do të jetë më mirë sigurisht. Besoj se duhet bërë shumë më tepër dhe duhet dhënë shumë hapësirë trajnimit dhe riedukimit profesional të mjekëve, e para së gjithash të stafit të mesëm, sepse në këtë aspekt jemi shumë prapa. Duhen organizuar kurse sidomos për stafin e mesëm dhe, krahas edukimit profesional, edhe kurse për mësimin e gjuhës angleze, sepse komunikimi në mjekësi është i domosdoshëm. 
Folëm më shumë për aspektet profesionale, por çfarë bën Dr. Agolli jashtë uniformës së mjekut, gjatë kohës së lirë...?
E dua shumë teatrin. Kam qenë aktor amator i Teatrit Akademik “Ramiz Sadiku” në periudhën prej vitit 1984 deri në vitin 1990-1991. Ka pasur më shumë vlera më parë teatri. Mundohem, po ashtu, që gjatë kohës së lirë të dal sa më shpesh në Gërmi, të eci. E dua po ashtu edhe muzikën. Gëzohem shumë që një këngëtare si kosovarja Rita Ora ka arritur kaq shumë suksese, duke na befasuar për të mirë të gjithë neve. Ajo është një krenari kombëtare dhe do të doja që të kemi edhe shembuj të tjerë të këtij niveli...
Për fund të bisedës, a mund të na përshkruani momentin si ndiheni si mjek kur te ndonjë pacient ndodh, pas ndërhyrjes kirurgjike, gati e pamundura, arrihet suksesi?
Janë momente prekëse. Gëzohemi për pacientin në ato raste si për fëmijën që fillon të ecë së pari. Në fakt, suksesi i tyre është “feedback”-u im. Mjafton nëse kthimi im nga Suedia në Kosovë i ka ndihmuar edhe një personi të vetëm që t’i kthehet jetës. Ky është qëllimi. Prandaj, këtu do të doja të citoja një ajet kuranor që thotë: “Nëse ke shpëtuar një jetë, sikur ke shpëtuar tërë botën, nëse ke vrarë një njeri, sikur ke vrarë tërë botën”.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version