Ti je ketu: Ballina > Intervista >

 Në kujtim të profesorit dhe artistit Shyqri Nimani 

Jeta unikale e kaligrafistit të Deklaratës së Pavarësisë...

Nga djaloshi i lindur në Shkodër (1941) nga një familje fisnike nga Gjakova, deri te kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës (2008). Një jetë unikale, e mbushur plot rrëfime interesante, krijime me vlera të rralla, dizajne dhe vepra artistike që magjepsin dhe që e bëjnë atë një artist unik në fushën e arteve krijuese. Me pak fjalë, ky është përshkrimi më i shkurtër për njeriun e sukseseve kulmore në fushën e dizajnit grafik dhe arteve të tjera të bukura, profesorin Shyqri Nimani, i cili me bashkëshorten e tij, Samilen, rrëfejnë për Revistën "Teuta" episode të jetës së tyre të përbashkët plot dashuri, respekt dhe suksese.

Bisedoi Faik Hoti
Foto Ridvan Slivova
 

Profesor Shyqriu është i lindur në maj të vitin 1941 në Shkodër. Atje, ku babai i tij, Ramiz Shyqri Nimani, që kishte shërbyer në ushtrinë shqiptare dhe që i takonte një familjeje patriotike shqiptare, ishte vendosur për të jetuar me nënën e tij, Hatmane Batushën, pas largimit nga Gjakova për shkak të rrethanave të vështira të asaj kohe në Kosovë, për t`u kthyer pas disa vjetëve, së pari në Prizren, e pastaj edhe në Gjakovë e Pejë, pa harruar një kohë qëndrimin e familjes në Kukës, ku ishte lindur edhe i vëllai i Shyqriut, Genci. Ajo i kishte rritur ata me shumë sakrificë, pas vdekjes së hershme të bashkëshortit të saj, Ramizit, në moshën 36 vjeçe.

Trinomi i suksesit: Atdheu-familja-krijimtaria
Duke kujtuar pjesë nga kjo histori e vështirë familjare, profesor Shyqriu thotë të ndihet krenar për pedigrenë e familjes së tij, të cilën ai do të mundohet ta respektojë gjatë tërë jetës, duke filluar nga shkolla fillore, për të vazhduar pastaj me Shkollën e Mesme të Arteve të Aplikuara në Pejë, e në veçanti gjatë dhe pas studimeve në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd, ku më 1967 i kishte përfunduar studimet diplomike, për t`i vazhduar dhe përfunduar me sukses për dy vite të tjera edhe studimet postdiplomike (magjistraturën), gjithashtu në Beograd. Në këtë rrugëtim impresiv të asaj kohe, profesor Shyqriu tregon që ishin tri gjëra apo një trinom mbi të cilin duhet bazuar suksesi i çdo njeriu: "Atdheu, familja dhe krijimtaria. Ky është trinomi i suksesit në jetë. Njeriu që e ka devotshmërinë ndaj atdheut, familjes dhe krijimtarisë së tij, e ka plotësuar misionin e vet", thotë ai. I shoqëruar nga bashkëshortja, znj. Samile, profesor Shyqriu, me një saktësi dhe elokuencë të rrallë, tregon për karrierën dhe jetën e tij e të familjes së ngushtë, të cilën e përbëjnë edhe dy djemtë: Albani e Agoni dhe vajzat Adriana e Nora, si dhe pesë nipër e mbesa. Ai, në shenjë respekti, edhe Autobiografinë e tij: "Nëpër gjemba drejt yjeve" (2016) ia ka dedikuar bashkëshor-tes. "Për fisnikërinë bashkëshortore dhe për dashurinë amënore", ka shkruar profesor Shyqriu në dedikimin e tij në hyrje të kësaj autobiografie, në të cilën ai përshkruan jetën e tij dhe të familjes së tij që prej fëmijërisë.

Ndërkaq, zonja Samile, një grua që reflekton qetësi dhe fisnikëri, tregon se me profesor Shyqriun kanë bërë 41 vjet së bashku. "U njohëm kur isha në vitin e II-të të Shkollës së Lartë Komerciale në Pejë dhe prej atëherë, gjithmonë së bashku. Na kishte njohur daja im, arkitekti Agush Beqiri, që ishte shok i Shyqriut", tregon ajo, e lumtur që fëmijët e tyre kanë trashëguar virtyte të larta nga bashkëshorti i saj dhe tradita familjare e gjithashtu edhe nga profesioni, pasi që djemtë, Albani dhe Agoni, merren me dizajn, derisa vajzat, Adriana punon në medie, ndërsa Nora është profesoreshë e anglishtes. Ajo vetë, ndërkaq, kishte preferuar që t`i përkushtohej familjes, me gjithë shkollimin që kishte dhe për këtë kishte një arsye: "Meqë Shyqriu fitonte mjaftueshëm, sa të mos kishim problem anën financiare, unë preferova të jem më afër fëmijëve, marrë parasysh edhe sakrificën e Shqyriut, i cili gjatë tërë kohës së studimeve, nuk e kishte mundësinë ta kishte afër familjen", tregon ajo. Megjithatë, flet me pietet për bashkëshortin, për të cilin shpreh respektin më të madh. Si me shaka, tregon edhe për nipin e saj, që sa herë që e sheh profesor Shyqriun në ekranin televiziv, i drejtohet asaj me fjalët: "Gjyshe, a je edhe ti e lumtur që e ke gjyshin burrë?!" Nga ana e tij, profesor Shyqriu vlerëson lart atë që bashkëshortja e tij ka bërë për të dhe fëmijët dhe thotë që është munduar të jetë bashkëshort i mirë për një grua me shumë vlera. Në veçanti, duke qenë së bashku aty ku ka pasur mundësi gjatë vizitave të ndryshme, si në Greqi, Egjipt, Francë, Spanjë, Angli, Rusi, Meksiko, Itali, Indi, Skandinavi, SHBA dhe shumë vende të tjera, të cilat profesor Shqyriu i ka vizituar për punë apo edhe për pushime të ndryshme...

Nga Beogradi në Japoni - një karrierë plot suksese
Për njeriun e sukseseve, siç është profesor Shyqriu, vendet e largëta kanë ditur të jenë afër. Një nga to për të ishte edhe Japonia, ku kishte qëndruar për hulumtime rreth arteve figurative në periudhën 1976-1978, në Osaka dhe në Tokio. Gjatë qëndrimit në Japoni ai pati hapur edhe një ekspozitë të quajtur: "Japonia e bukur dhe unë", e ndarë në dy cikle, në atë japonez dhe kosovar. Por, si kishte shkuar profesori në Japoni?
"Derisa studioja në Beograd, ishte shpallur një konkurs në nivel të gjithë Jugosllavisë, ku Qeveria japoneze jepte një bursë dyvjeçare për artet figurative. Nuk kisha njohuri për këtë, por historiani ynë i madh, i ndjeri Ali Hadri, më tha që të konkurroja, sepse deri atëherë kishin konkurruar dy kosovarë, por nuk e kishin marrë bursën. Unë konkurrova dhe e fitova. `Kjo për mua ishte diçka e vlefshme, sepse kultura japoneze është jashtëzakonshme. Më pëlqente historia, piktura dhe grafika japoneze dhe sidomos Haiku japonez (poezia japoneze). Haikun japonez e kisha njohur edhe më parë, edhe para se të shkoja në Japoni, por atje u njoha shumë mirë, meqë i vizitova piktorët kryesorë të Japonisë së shekullit XVI, XVII dhe XVIII... "100 Haiku", të cilin profesor Shyqriu e kishte përkthyer, do ta bëjë edhe më të njohur atë, meqë gjatë viteve ‘80, në Kroaci do të botohet përkthimi i kësaj poezie të njohur, që menjëherë shitet në mijëra kopje.
Shkuarja në Japoni, në fakt, për të ishte një arritje tjetër, meqë paraprakisht, ai kishte bërë emër në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, në Beograd. Pasi kishte mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Aplikuara, gjatë studimeve postdiplomike kishte punuar në Teatrin Popullor të Beogradit si dizajnues, ku kishte krijuar skica të ndryshme për programin e operës, dramës dhe baletit. Një sukses tjetër i madh për profesor Nimanin ishte në vitin 1970, kur shtëpia e madhe botuese e Beogradit "Rad", i ofroi atij të ilustronte dhe formësonte kompletin prej gjashtë veprave të poetit të njohur rus Sergej Jesenin, punë me të cilën në Panairin e Librit në Beograd fitoi shpërblimin - Botimi më i mirë i vitit. "Ishte një arritje e madhe, sepse të ilustrosh dhe formësosh kompletin e veprave të një autori botëror, për përkthimin e të cilit në ish-Jugosllavi ishin angazhuar 6 përkthyesit më të mirë të vendit, ishte diçka e madhe, për më tepër që krejt ilustrimi dhe dizajnimi u bë ashtu siç propozova", tregon Shyqriu. Krejt përvojat e marra dhe ngritjen akademike, Shyqriu do ta përdorë për të mirën e vendit të tij.
Pas studimeve në Beograd, ai vendos të kthehet në Prishtinë, për të dhënë kontributin e tij dhe bashkë me kolegë të tjerë themelojnë Universitetin e Prishtinës, në vitin 1970. Po ashtu, do ta themelojë Katedrën e Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më vonë do të jetë edhe drejtor i Galerisë Nacionale të Arteve të Kosovës. "Ç`është e vërteta, kur u vendosa në Prishtinë si pedagog në Fakultetin e Arteve, që atëherë quhej Akademia e Arteve, unë fillova veprimtarinë time artistike shumë intensive dhe është një koincidencë që në konkursin mbarëjugosllav, unë e fitova shpërblimin e parë për logon e Universitetit të Prishtinës, pastaj në konkurset e tjera gjithashtu i bëra logot për Kosova Filmin, për Hotelin Grand në Prishtinë dhe shumë e shumë të tjera...", tregon profesori. Ai dhe bashkëshortja e tij e kujtojnë se "Shyqriu nga Beogradi ishte kthyer me vetëm një valixhe me libra dhe asgjë tjetër". Kjo tregon, në fakt, se çfarë i interesonte Shqyriut, thotë bashkëshortja e tij, znj. Samile. Por, vitet në vijim, do të shpalosin sukseset e radhës së profesorit, që nuk ishte i kufizuar me vetëm një fushë. Ai vazhdonte të shkruante ese dhe libra për artet pamore. Merrej me përkthime gjithashtu, ku ka përkthyer poetët botërorë si Karl Sombergun, e ka ilustruar edhe Garsia Lorkën, e ka përkthyer Rabindranat Tagorën, pastaj Zhak Preverin e të tjerë... "Poezia më pëlqen shumë. Për një artist figurativ është shumë me rëndësi poezia, sepse ne inspirohemi nga tekstet e bukura, të cilat janë filozofike dhe kanë metafora të bukura, që mund të transformohen e transliterohen nga verbalja në vizuale".
Por, përveç dizajnit, profesor Shyqriun disa gjenerata më të vjetra e kujtojnë edhe si kantautor dhe fitues të shumë çmimeve në Akordet e Kosovës. "Kur isha në studime në Beograd, kishin filluar të mbahen Akordet e Kosovës. Më 1963, me melodinë të cilën e kompozova, shkrova tekstin dhe e këndova vetë, fitova vendin e parë të publikut... Bëhet fjalë për këngën: Studenti dhe dashuria. Dhe, pas kësaj, me radhë punova, kompozova dhe incizova për nja 20 vjet, por ka mbi 30 vjet që nuk merrem më me muzikë", tregon profesori.

Deklarata e Pavarësisë dhe abetaret
Gjatë jetës së tij shumë interesante, profesor Shyqriut i kishte rënë fati që t`i ilustrojë edhe tri abetare, duke bërë edhe thyerjen grafike si dhe kaligrafinë... "Është një gjë shumë unikale dhe jam i lumtur që fëmijët kanë mësuar prej tyre", thotë ai.
Profesor Shyqriu vazhdon të krijojë edhe sot. Ka realizuar dhjetëra dokumentarë, vazhdon punën me studentë të Universitetit AAB dhe me një fjalë ka mbushur jetën e tij krijuese me plot vepra e arritje. Megjithatë, në jetën e tij ka një ngjarje të rrallë, historike dhe unike. Bukurshkrimi prej tij i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, së 17 shkurtit 2008, që i ishte besuar nga Qeveria e Kosovës. "Them se fati kishte dashur që unë të jem artisti që do ta kaligrafojë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në pergamenë, rast ky që njeriut mund t`i jepet vetëm një herë në jetë", fillon ta rrëfejë këtë ngjarje profesor Shyqriu. "Vetëm një javë para shpalljes së Pavarësisë, më njoftuan se unë do ta bukurshkruaja me dorë këtë deklaratë. Ç`është e vërteta mendoja se teksti do të ishte në një faqe A4 dhe do të më duheshin së paku 5-7 ditë për ta shkruar, ashtu siç dëshiroja. Por, ndodhi ndryshe, kur arrita në ndërtesën e Qeverisë, ku më kishin ftuar nga Qeveria (në mbrëmjen e 16 shkurtit 2016) më dhanë tekstin e deklaratës që, për befasinë time ishte në 3 faqe A4... Sipas kërkesës së kryeministrit, unë i solla nga studioja ime veglat, ngjyrat dhe 2 pergamenat (lëkurë viçi, nga 80x50 cm) të sjella nga Muzeu i Londrës dhe fillova bukurshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë nga ora 9 e mbrëmjes së 16 shkurtit, deri në orën 14:45 minuta të datës 17 shkurt". Gjatë kësaj kohe, profesori tregon se, për ta parë procesin kishin qenë aty kohë pas kohe Kryeministri, asokohe Thaçi, me bashkëpunëtorët Hajredin Kuçi, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj..., ndërkohë që djali i tij, Agoni, fotografonte gjatë tërë kohës, ndërsa me profesorin ishte në të shumtën e kohës edhe Arbër Hadri... Në përfundim të deklaratës, me ekipin e kryeministrit ishte aty edhe gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu. Për ta shkruar Deklaratën, tregon profesori, ai kishte zgjedhur fontin italic, me të cilin ishte shkruar edhe "Formula e Pagëzimit", derisa ishte dashur që gjatë kësaj kohe të luftonte me kohën e shkurtër në dispozicion dhe brenda dy pergamenave të kompononte tekstin, por edhe të linte hapësirën edhe për nënshkrimin e 120 deputetëve, sa kishte Kuvendi. E tëra kishte përfunduar pas një pune 16-orëshe, gjatë së cilës, profesori tregon se inkurajohej nga Agoni se mund t’ia dilte, në momente presioni nga koha e shkurtër. Nga e sotmja, ai thotë të jetë i lumtur për këtë mundësi, ndërkohë që i kujtohet se si Deklarata bëri jehonë në mbarë botën, ndërsa për profesorin si kaligrafues i saj dhe vetë deklaratën kishte shkruar, ndër të tjera, edhe gazeta e përditshme japoneze "Asahi Shimbun", që ka qarkullimin më të madh në botë, prej 8 milionë kopjesh në ditë. ­Tetë vjet pas kësaj ngjarjeje unike, profesor Shyqriu dhe bashkëshortja e tij, Samilja, ndihen të lumtur për fatin që kanë pasur dhe ato që u ka dhuruar jeta. Ata jetojnë në Kodrën e Diellit në Prishtinë më fëmijët e tyre, bëjnë një jetë të organizuar dhe krijuese, ndërkohë që kohën e lirë e kalojnë duke vizituar vende të ndryshme, u pëlqen filmi, sidomos ai amerikan, që për ta është "i patejkalueshëm", sporti (boksi e pingpongu) dhe mbi të gjitha e duan familjen dhe jetën kreative. Janë të bindur se kanë ditur të nxjerrin më të mirën nga ajo. Sepse, thotë për fund të bisedës profesor Shyqriu, duke cituar me respekt të madh fjalët e Nënës Tereze: "Ti jeton vetëm një herë. Por, në qoftë se jeton siç duhet... një herë është e mjaftueshme...!"

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version