Ti je ketu: Ballina > Intervista > Si i rritëm djemtë pa baba
Rrëfime nënash:
Si i rritëm djemtë pa baba
Ato janë nëna heroina, kanë rritur fëmijët pa përkrahje të ish-burrave dhe ia kanë dalë që kësaj shoqërie t’i sjellin njerëz me vlera, të arsimuar e të zot të vetes. Rrëfimet e tyre janë rrëqethëse, por njëkohësisht edhe frymëzuese për çdo nënë me fatin e njëjtë sot. Se si ia dolën t’i rrisin fëmijët edhe në kohë lufte e okupimi, flasin Shenida Bilalli, nënë e tre djemve; Nazmije Kaçi, nënë e dy djemve dhe Vlora Dumoshi, nënë e dy djemve.

Bisedoi Antigona Uka

 

Nëse do të jepeshin medalje për dashurinë, sakrificat, kontributin e përkushtimin e nënave, me gjasë, ajo do t’i fitonte të gjitha! Shenida Bilalli është gruaja, me profesion regjisore dhe gazetare, e cila ka rritur tre djem e vetme, duke i bërë ballë edhe luftës në Kroaci, edhe neglizhencës së ish-bashkëshortit, edhe intrigave të njerëzve të ulët e të mos flasim për telashet e tjera gjatë rritjes së fëmijëve, si viruse e temperatura të larta, aksidente në sportet e zgjedhura e të tjera.

Sot, kur djemtë janë rritur e janë bërë secili më i suksesshëm se tjetri, Shenida vazhdon të krijojë vepra arti, duke u frymëzuar edhe nga drama e saj jetësore. Sapo ka mbaruar filmin dokumentar “Mallkim për kokën nga gramori”, dhe është në përfundim të një tjetër projekti për emërtimin e bibliotekës në Dubrovnik me emrin e astronomit të konsullit të parë shqiptar, Gjon Gazulli, shekulli XV.
Duke përshkruar një ditë të stërngarkuar pune, Shenida Bilalli thekson se momentet më të lumtura janë ato kur kthehet në shtëpi, në atmosferën e ngrohtë me fëmijët. “Ajo më plotëson më tepër se xhirimi, ekipi, promocionet, të cilat duken më atraktive. Profesioni më mundëson të dëgjoj rrëfime të ndryshme të jetës, dhe më bën të respektoj familjen pa masë. Po tash djemtë e mi kanë gjetur fatin me familjet e tyre. Edhe pse jam vetëm, unë e mbaj ende atmosferën e ngrohtë”, shprehet ajo.
Po si i rriti znj. Bilalli tre djemtë vetëm?!
“Në fillim ishim familje e lumtur. Fëmijët u rritën me të gjitha të mirat, me një standard të lartë, me ndihmën e prindërve të mi. Ne të dy ishim studentë në Zagreb. Unë prishtinase, regjisore me perspektivë, ai inxhinier. Kemi pasur jetë të bukur në Prishtinë. Por, për shkak të situatës së vështirë në Kosovë, vitet ‘90, kur isha e angazhuar si regjisore në RTK, ku kisha xhiruar në minierat e Trepçës, kisha zbritur te minatorët më 1989, pastaj kisha xhiruar fëmijët e helmuar më 1990 e shumë ngjarje të tjera, ndërruan fatin tim dhe të familjes. Udhëtova për në Zagreb.
Nuk di, as nuk mund ta shpjegoj ku e kam marrë forcën për të mbijetuar e për të rritur fëmijët e vetme. Nuk kam pasur kohë të mendoj, të frikohem ose të kërkoj ndihmë nga dikush. Para vetes kam pasur tre djem të vegjël, Kujtimin - 9 vjeç, Korabin - 6 dhe Batonin - 3 vjeç dhe luftën në Kroaci, punën jo të sigurt, banesën me qira. Pa askënd. Vetëm në botën e huaj, me tre fëmijë. Në Kosovë nuk kam pasur të drejtë të kthehem, si shumë shqiptarë, isha në listën e zezë”, rrëfen ajo.
Ndonëse atmosferë lufte në Kroaci, atë e angazhuan në TV Kroacia, në një program informativ, dokumentar për çështje më aktuale, të kroatëve, e pastaj edhe të shqiptarëve. “Ish-burri nuk më ndihmonte, as nuk dëshironte të gjente punë. E vetmja unë fitoja dhe ushqeja familjen. Kështu zgjati një vit. Ai shkonte shpesh në Kosovë duke i lënë fëmijët vetëm. Shumë herë përjetoja shok, kur kthehesha nga puna e i gjeja fëmijët vetëm në banesë. Aty jam dëshpëruar në atë si njeri”, thekson Shenida. Por, këtu nuk përfundon historia. “A besoni që para disa ditësh jam ndarë zyrtarisht, pas martesës 26-vjeçare, me letër. Jam duke e kthyer mbiemrin e vajzërisë, Bilalli, edhe pse kështu jam prezantuar konstant, por zyrtarisht, mbiemri ishte i ish-burrit, i cili më bënte shumë probleme në jetë, duke më privuar nga statusi im personal, ndihma e shtetit si nënë - vetushqyese, fitimi i banesës, ndihma materiale etj.”. Duke figuruar në dokumente si e martuar, Shenida nuk kishte arritur t’i gëzonte të drejtat që i takonin me ligj. Ndonëse nga gjykata e Zagrebit ishte vulosur ndarja para 22 vjetësh, në gjykatën e Gjakovës, divorci ndodhi tek para dy vjetësh, ndërkaq vitin e kaluar, vendimi u bë i plotfuqishëm.


“Ndarja e vërtetë ndodhi në vitin 1991. Pas 10 vjetëve martesë, i vura kusht: të kujdeset për fëmijët ose ai, ose unë, e tjetri të punonte, në të kundërtën ndahemi. Ai tha se e pret puna në Gjakovë, në kohën kur në Kosovë mijëra njerëz kishin mbetur pa punë”. Unë vazhdova jetën vetëm me fëmijë, midis luftës... Pas pesë vjetësh heshtjeje, ish-bashkëshorti nga Kosova, fillon t’i telefonojë duke kërkuar pajtim. “Thoshte se po fshihej nga policia, se është duke ndërtuar shtëpi për ne me kredi që kemi dërguar bashkë”. Por, për Shenidën nuk kishte kthim prapa, pavarësisht se çdo ditë përjetonte provokime të ndryshme, të tilla si gjoja ai ishte lënduar, kishte vdekur, ndërkohë njerëzit flisnin se “ai pinte alkool e kalonte kohën me dashnore, midis Gjakovës”. Ajo tregon se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përmes ambasadave, kishte kërkuar varrin e ish-bashkëshortit, në mënyrë që djemtë të mund ta vizitonin, mirëpo ndërkohë kishte kuptuar se ai nuk kishte vdekur, por ishte gjallë dhe duke jetuar me dashnoren. Ndaj, vendimi i saj ishte i prerë: njeriu që nuk kujdeset për fëmijët e vet, sidomos në kohë lufte, nuk meriton të jetë afër nesh! “Besoni, kur një grua 30-vjeçare, me tre fëmijë, në tokë të huaj, pa rrogë të sigurt dhe banesë, vendos të ndahet, është sikleti shumë i madh, sidomos nëse i takon shoqërisë shqiptare”, thekson regjisorja e njohur.
Se si ishte jeta e Shenidës pas ndarjes, ajo rrëfen: “Pas ndarjes jozyrtare, filloi lufta. Ishte viti 1991. Zagrebi granatohej, në çdo hap kishte snajperë. I mbyllja fëmijët në bodrum me njerëz të ndërtesës ku fshiheshin për shkak të sigurisë. Çdo ditë shkoja në vijën e parë të luftës më të rrezikshme. Kurrë nuk dihej a do të kthehesha! Po kisha vetëm një dëshirë, të ushqeja fëmijët dhe të mos i lija të vuajnë. Lufta u zhvillua me të madhe, ndaj djalin e tretë, Batonin, e mori mami im në Kosovë. Për fat të keq, në Kroaci shpejt u mbyllën kufijtë. Batoni mbeti në Kosovë, e unë me dy djem në Kroaci. Me vite nuk kemi pasur komunikim. Kroacia, për shkak të luftës, ndërpreu të gjitha lidhjet, edhe ato telefonike me Serbinë, ndërkohë që Kosova konsiderohej territor i saj. Atë dhimbje nuk do ta harroj kurrë. Plot pesë vjet e gjysmë nuk e kam parë Batonin. U rrit te prindërit e mi. Ishte 3 vjeç e gjysmë, u kthye në Zagreb 9 vjeç e gjysmë. Po babai i tij, kurrë për pesë vjet nuk e kishte vizituar djalin në Prishtinë, edhe pse ka jetuar në Gjakovë”.
Vuajtja për Batonin e kishte frymëzuar të realizonte filma me tematikë të ngjashme me fatin e saj, duke e bërë një emër të njohur në Kroaci, si regjisore e shumë filmave. “E dija dhimbjen e prindërve dhe i kam ndihmuar në kërkim të fëmijëve të zhdukur. Në festivalin e Cannes, filmi im “Muri i Dhimbjes“ fitoi një famë të madhe. Por, rrallëkush e dinte se pas filmit ishte dhimbja ime për Batonin, krahas dhimbjes së prindërve të 2.767 të zhdukurve të luftës”.
Ndonëse nënë e vetme e në vend të huaj, Shenida kishte sakrifikuar shumë që djemtë e saj të bëheshin të suksesshëm. Veç vijimit të mësimit të rregullt, ajo ishte kujdesur edhe për zhvillimin e talenteve të tyre, për kurset në gjuhën angleze, trajningjet, shkollat e muzikës. “Zagrebi është qytet i madh, i shtrenjtë e me standarde të larta dhe me relacione të gjata, kur fëmijët shkonin në trajningje”.

Ndonëse përballimi i jetës ishte i vështirë për të, Shenida nuk reflektonte e tillë. “Kam pasur një qëndrim plot optimizëm. Kurrë nuk bëja problem për asgjë. U jepja kurajë fëmijëve. Flisja me ta si të isha motra e tyre, e jo nëna me autoritet nga e cila frikohen. Për një gjë kam luftuar shumë, që të jem në shtëpi, kur djemtë ktheheshin nga shkolla, me një drekë të ngrohtë dhe t’i pres me përqafime të forta. Nuk i kam lënë fëmijët nëpër rrugë, menjëherë i kam regjistruar në klube profesionale të futbollit. Falë profesionit tim fleksibil, orarin e rregulloja si më përshtatej. Terminet e bisedave dhe xhirimin i bëja derisa fëmijët ishin në shkollë. Për montazhin e filmit merrja termine natën. Derisa fëmijët flinin, punoja natën e vija n,ë shtëpi para se të zgjoheshin për t’i përcjellë në shkollë. Tash po e shoh sa ishte rëndë, por atëbotë isha e re, 36 vjeçe”, thekson ajo. “Kurrë nuk kam lejuar që fëmijët të kuptojnë që kemi krizë. Çdo fitim e kam investuar tek ata. Me vite kam qenë me qira, me harxhime të mëdha, po jam ekonomiste dhe e njoh kuzhinën mirë. Kemi banuar në qendër të Zagrebit, ishte një shtëpi e vogël me dy oborre. Në oborrin para shtëpisë kam bërë lule, të cilat më gëzonin, e pas shtëpisë kisha bahçen, ku mbillja të gjitha perimet. Kështu kurseja shumë. Bëja shpesh specialitete me brumë, si pite, bukë shtëpie. Kështu krijoja një atmosferë të ngrohtë në shtëpinë e vogël, me perde me pika rozë. Shpesh fëmijët thonë: Mami, ato ditë i kemi pasur më të lumturat dhe më të bukurat në jetë”. Vetëm kështu Shenida arrinte t’ua kompensonte mungesën e babait në jetën e tyre, të tre djemve të saj. “Fëmijët e mi kurrë nuk e kanë pasur babanë afër: as kur ishin të frikësuar nga bombat, kur ishin të lënduar e as kur ishin të suksesshëm, kur të gjithë baballarë ishin me djemtë e tyre duke festuar. E sot babai i tyre, me të madhe lëvdohet se ka djem të suksesshëm, edhe pse djemtë nuk duan të kontaktojnë me të”, shprehet ajo.
E kur bëhet fjalë për përballjen e paragjykimeve të shoqërisë, si nënë e vetme, Shenida thekson se nuk mund t’i falë dot lotët që ka derdhur para fëmijëve për shkak të një grupi shqiptar nga Kroacia, në krye me Diana Rexhepin, e cila, sipas saj, prezantohet si gazetare “e nuk dihet për kë dhe ku punon. “Ata më penguan në çdo hap të jetës, posaçërisht në karrierë. Pas shumë vjetësh kuptova puna ishte te xhelozia e madhe e femrave, për shkak të dukjes sime, refuzimit të meshkujve dhe suksesit si regjisore e gazetare. Pas ndarjes sime, ky grup lancuan propagandën që jam ­karrieriste, grua e paburrë, e unë isha thjesht një nënë që luftonte për fëmijët e nuk shoqërohej me njeri”, potencon ajo.
Për fat të mirë, këto sakrifica, që vetëm një femër me emrin nënë mund t’i bëjë, iu shpërblyen Shenida Bilallit, pasi djemtë u bënë të zot e të mbarë. “Janë sportistë të njohur nga fëmijëria, por për shkak të lëndimeve të rënda sportive, janë larguar nga arena e madhe. Ata nuk u dorëzuan, por arenën e vogël e bënë të madhe. Korabi është yll i futbollit të vogël në Kroaci. Disa herë është shpallur si lojtari më i mirë. Ai ka një biznes nga fusha e sportit, dhe së bashku me Kujtimin kanë hapur Akademinë e parë për futboll të vogël në Kroaci. Kujtimi ka kryer gazetarinë, punon si gazetar dhe më ndihmon për revistën “Iliria” si dhe është trajner kryesor i “Nacionalit”. Batoni filloi me vëllezër në sport. Kreu dy fakultete – gazetarinë dhe fakultetin e sportit për trajner, në futboll të madh, por shkoi për specializim në Gjermani. I kam mësuar të jenë të ndershëm, solidarë, punëtorë dhe modestë. Këto vlera u kanë ndihmuar të jenë sot ata që janë. Zoti më ka shpërblyer me suksesin e tyre”, përfundon rrëfimin e saj znj. Shenida Bilalli, regjisorja e njohur në Kroaci dhe jashtë kufijve të saj.
 

 

 

Lotët e brishtësia nuk kanë vend në portretin e një nëne që ka lënë prapa një martesë të dështuar, por që ka vendosur t’i rrisë e vetme fëmijët, pavarësisht nga sfidat e kohës.

Një nënë e urtë dhe e thjeshtë, deri në madhështi, është edhe znj. Nazmije Kaçi, e cila ka rritur e vetme dy djem, Donatin dhe Benetin. Sot, si nënë dhe gjyshe e dy mbesave, vajzave të Donatit, dhe një nipi, djalit të Benetit, ajo e bën gjumin rehat, pasi misioni i saj prej nëne është realizuar me sukses. Djemtë janë bërë të zot të vetes, kanë kryer shkollim të lartë dhe punojnë me nder. E znj. Nazmije, nuk e ka problem që merr vetëm 75 euro pension, pasi është mësuar si nënë, që gjithmonë veten ta lërë në plan të dytë. Tani janë djemtë ata që ia kthejnë kujdesin ndër vite së ëmës. Kurse, në cilësinë e gjyshes, ajo ngarend sa te njëri, sa te tjetri djalë, sa herë që ata kanë nevojë për ndihmën e saj. Po si i rriti dy djemtë, znj. Nazmije tregon: “Ishte një periudhë shumë e vështirë, jo vetëm për mua, por për gjithë popullin shqiptar të Kosovës. Ishte koha kur na larguan me automatë nga laboratori i minierave në Kishnicë e Artanë me Flotacion. Në atë kohë, unë, si kimiste e diplomuar, isha udhëheqëse e sektorit të analizave gjeologjike dhe speciale. Nga ai moment, çdo gjë ndryshoi për të keq, sepse të mbetesh e vetme me dy fëmijë e pa të ardhura nuk ishte e lehtë”. Si rrjedhim, znj. Nazmije kishte zgjedhur që krahas dashurisë, përkushtimit e kujdesit ndaj djemve, të ndante kohë edhe për lexim. “Kam lexuar shumë libra psikologjikë, edukativë dhe romane me tema të ndryshme. Nga ata kam mësuar shumë gjera të mira, të cilat i kam praktikuar tek fëmijët e mi”.
Donati ishte 12 vjeç e Beneti ende nuk i kishte mbushur 11, kur prindërit kishin vendosur për ndarjen. “T’i rrisësh dy fëmijë, pas viteve nëntëdhjetë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ishte situatë lufte, e papunë, fëmijët mësonin nëpër shtëpi, e Donati dhe Beneti ishin të vegjël për t’u kujdesur për veten. Përveç të tjerash, duhej të kujdesesha edhe për ardhje - vajtjet e tyre në shkollë”, kujton znj. Nazmije, duke bërë me dije se shpeshherë bisedonte me djemtë si të ishin të rritur. “Ata më dëgjonin me kureshtje dhe më bënin pyetje të ndryshme. Kur komunikoja me ta, kisha një ndjenjë se po flisja me të rritur, e besa edhe merrja mendimin e tyre, kuptohet, kur kishin të drejtë”, shprehet ajo duke theksuar se lidhja e fortë me djemtë vazhdon akoma.


Atëbotë, duke qenë e papunë, për shkak të rrethanave politike, znj. Nazmije, nuk i mungoi ndihma e familjarëve të saj. “Falë prindërve, dy vëllezërve dhe dy motrave të mia, të cilët më përkrahën moralisht dhe ekonomikisht, jam ndier më lehtë dhe më mirë. Çdoherë e kisha mbështetjen e tyre, e cila më bënte të fortë dhe krenare”, pohon ajo.
Sa ishin te vegjël, Donati dhe Beneti kishin kontakte të pakta me babanë, ndërsa, kur u rritën, e ëma i la të vendosnin vetë rreth kësaj çështjeje.
E pyetur se si e ka tejkaluar procesin e ndarjes, ditët e para, ballafaqimin me rrethin dhe paragjykimet, znj. Nazmije përgjigjet - “unë jam rritur në një familje me shumë dashuri dhe në kushte të mira. Prandaj, familja ime dhe rrethi ku jam sjellë nuk kanë pasur aspak paragjykime. Pastaj, vetë sjellja ime më ka bërë që të jem e nderuar dhe e respektuar, si në familje, në punë, në shoqëri, si dhe nga fqinjët. Në jetë ndodhin gjëra, të cilat të lëndojnë dhe nuk ke dëshirë të bisedosh për to, por me punë dhe kujdesin ndaj fëmijëve të mi, i kam tejkaluar me sukses të gjitha sfidat dhe ballafaqimet me gjëra të ndryshme”.

Tejkalimi i secilës situatë e ka bërë çdoherë e më të fortë. “Dua t’ju tregoj një gjë që nuk e harroj. Më 28 nëntor 1991, në orët e hershme të mëngjesit, një togë policësh erdhën dhe forcërisht hyn në shtëpi. Fëmijët ishin shumë të vegjël dhe të brishtë. Policia nuk la gjë pa nxjerrë prej vendit, duke i gjuajtur nëpër dhomë. E kisha listën e djemve shqiptarë të vrarë nga ushtria jugosllave si dhe listat e kontribuuesve për shkolla. Fatmirësisht nuk i gjetën”, tregon ajo duke bërë me dije se ka qenë anëtare e LDK-së, në pozitën e kryetares së degës - Qendra në Prishtinë. “Me anëtaret e kësaj kryesie, gjatë viteve 92/98 kemi kryer shumë punë: kemi furnizuar spitalet me mjete sterilizuese, me ushqim, me mjete sanitare dhe me veshmbathje. Gjate viteve 98/99, të gjitha gratë e kësaj kryesie, familja ime dhe individë të tjerë, kanë ndihmuar me mjete të ndryshme. Por, dua të përmend edhe restorantin “Rozafa”, ku vëllai im Abdullahu (Dulla) ishte menaxher dhe na ndihmoi në forma të ndryshme. Aty bëhej grumbullimi i të gjitha të mirave materiale, e sidomos ilaçeve që i sillnin pronarët e barnatoreve dhe kamionët me ushqime që i sillnin disa tregtarë. Gjatë këtyre veprimeve, shpesh i kam lënë fëmijët vetëm në banesë. Me të vëllanë kishte punuar në restorantin “Rozafa”, ndërkaq, pas luftës, fillimisht ishte angazhuar në OJQ-në amerikane IMC, pastaj ishte kthyer në laborator, ku ishte emëruar shefe e laboratorit.
Gjatë rritjes së fëmijëve, ishte përpjekur t’ua mësonte parimet familjare, që krahas edukimit në mënyrën e duhur, ata të mësojnë, të dinë ta dallojnë të mirën prej të keqes, të jenë altruist, të respektueshëm, punëtorë, të kujdesshëm, të kulturuar, të jenë të vendosur e të përgjegjshëm. Përkundër obligimeve të shumta rreth rritës së tyre, Donatit e Benetit, asnjëherë nuk u ka munguar dashuria e nënës. “Vetë fakti që djemtë e mi kanë mbaruar shkollat superiore, janë martuar me vajza të shkëlqyeshme, kanë krijuar familje të mrekullueshme, është pasqyrë e obligimeve dhe dashurisë sime si nënë, që u kam falur dhe kushtuar atyre”.

Sot, nënë Nazmija ndihet shumë e lumtur, “sepse dy djemtë janë te suksesshëm dhe janë të lumtur me familjet e tyre. “Donati është i martuar me Albanën dhe i ka dy goca, Nitën e Luanën, ndërsa Beneti është i martuar me Amiren dhe ka një djalë, Mateon. Ata për mua janë vetë mrekullia e botës. Atyre u dëshiroj fat dhe lumturi sa i gjithë universi”.

 


  

Pavarësisht nga sfidat, Rroni e Rrapi kanë qenë gjithnjë prioriteti, synimi dhe dashuria absolute e saj. Vlora Dumoshi, është një nga nënat që ka rritur e vetme fëmijët, duke mos u përkulur përballë asnjë sfide.

Pesë ditë të javës i nis me angazhime zyrtare, të cilat zgjasin deri në orët e vona të pasdites. Por ky orar i stërngarkuar nuk përbën më problem për znj. Dumoshi, pasi tanimë djemtë janë rritur e madje e kanë gjetur veten në ShBA, prej nga i kumtojnë vetëm suksese së ëmës. 
Duke u kthyer me kujtime në të kaluarën, Vlora rrëfen për rritën e djemve, pas ndarjes me bashkëshortin. “Nëse dëshirojmë t’u shmangemi momenteve të veçanta dhe inserteve të ndara, në parim, mund të them se nuk dëshiroj ta përshkruajë si të vështirë rritjen e dy djemve të mi, Rronit dhe Rrapit. Që kur i kam lindur, e kam përgatitur veten dhe kam qenë plotësisht e përgjegjshme për sfidat me të cilat mund të të ballafaqojë jeta, sidomos në rrethanat tona të viteve të paraluftës. Andaj, me shumë përgjegjësi e them se nuk ka qenë kohë e vështirë, por ka qenë periudhë e përgjegjësisë maksimale, e dashurisë së pakufi dhe e përkushtimit maksimal, që ata të kenë një jetë sa më të mirë”, thekson ajo.


Për fat të mirë, Vlora nuk është përballur me vështirësi financiare gjatë rritjes së fëmijëve. “Nuk mund të ankohem për vështirësi të theksuara financiare. Kjo falë përkushtimit paraprak të familjes sime, e cila me kohë ka sakrifikuar shumë për shkollimin dhe përgatitjen time, në mënyrë që të më krijojnë kushtet që unë të jem një kuadër i cili i siguron vetë të ardhurat e saj. Pra, deri më tani, kam arritur që, falë punës time, të siguroj financiarisht rritjen e fëmijëve dhe mirëqenien time”.
Se si e ka tejkaluar procesin e ndarjes, ditët e para, ballafaqimin me rrethin, paragjykimet, Vlora përgjigjet: “Çështjen e ndarjes unë e konsideroj si një proces që ndodh dhe i cili është pjesë e jetës bashkëkohore. Të fortë në jetë të bën trashëgimia, edukata familjare, karakteri, vlerat dhe virtytet me të cilat rritesh, synimet e qarta dhe fisnike dhe një përkushtim i jashtëzakonshëm për realizimin e objektivave të mbara”. Për nënën e Rronit e Rrapit, një burim i pashtershëm fuqie kanë qenë familja, sidomos dy bijtë e saj.
“Jeta bashkëkohore është shumëdimensionale dhe çdo njeri, për të arritur sukses duhet të ketë shumë cilësi, virtyte e aftësi”, pohon ajo, kur e pyesim se çka është përpjekur t’i mësojë djemtë, gjatë rritjes së tyre, dhe shton “sa i takon një prindi, unë gjithnjë jam përpjekur që dy djemtë e mi t’i mësoj që t’u përmbahen pa kompromis parimeve morale dhe etike që lidhen me jetën e virtytshme. Jam përpjekur maksimalisht që t’i mësoj të mos ndihen inferiorë, por të shfaqin cilësitë e tyre në të gjitha fushat e jetës. Po ashtu, jam përpjekur që t’u krijoj kushte dhe t’i orientoj në drejtime të duhura që lidhen me përgatitjen edukative e profesionale, pra me ato që lidhen me edukimin, mësimin dhe studimin”.


Për nënë Vlorën prioritet absolut, para çdo gjëje tjetër, janë djemtë e saj dhe dashuria permanente për ta. “Pa marrë parasysh sfidat, ata kanë qenë gjithnjë prioritet, synimi dhe dashuria absolute imja”.
Tani që djemtë janë rritur, e ëma ndihet e realizuar falë sukseseve të tyre. “Rroni është 27 vjeç, ndërkaq Rrapi 25 vjeç. Jam e kënaqur me formimin e tyre njerëzor, kulturën dhe edukatën e tyre, por edhe arritjet e tyre akademike dhe perspektivën intelektuale që i kanë hapur vetes. Të dy jetojnë jashtë vendit dhe kanë hyrë në një fazë të zhvillimit intelektual e profesional, që më bën shumë krenare, por edhe optimiste për një të ardhme të ndritur të tyre”.
Se a pritet të bëhet vjehërr, në një të ardhme të afërt, Vlora, duke qeshur, tregon se “përveç Rrapit dhe Rronit, në gjirin tonë e kemi pranuar edhe të fejuarën e Rronit, Lyrën, e cila bashkëjeton me të në SHBA”.
Si përfundim, ajo thekson se ndihet e përmbushur në aspektin e synimeve dhe realizimit të qëllimeve që ka pasur.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version