Ti je ketu: Ballina > Intervista > Superylli kosovar, zbulon krejtësisht një Leonorë të re
INTERVISTË EKSKLUZIVE
Superylli kosovar, zbulon krejtësisht një Leonorë të re
Ikona e skenës dhe e fustaneve glamuroze, rrëfen për të vërtetat e jetës private, dhe çka ka ndryshuar te vetja e saj. Diva e këngës shqiptare di se çka është e nevojshme për të pasur sukses në karrierë. Ndaj, mbajtjen e raporteve korrekte me njerëzit, kombinimet e modës dhe aktivitet muzikore i ka planifikuar me kujdes dhe me thjeshtësi të përkryer.

Shkruan Blerina Gashi
Foto Fadil Berisha

Leonora është e qetë, korrekte dhe tejet komunikative. Kështu ishte ditën kur po bënim përgatitjet për realizimin e fotove ekskluzive, nga Fadil Berisha. Çdo gjë filloi kur në holin e hotelit Emerald, në periferi të Prishtinës, u shfaq një nga këngëtaret më të famshme, figura e së cilës nuk e lë askënd indiferent. E veshur sport, me këmishën xhins, pantallona ngjyrë të errët, shoqëruar me këpucë të sheshta, dhe mbi të gjitha e buzëqeshur, e krehur dhe e grimuar me shumë delikatesë (nga Sellma dhe Kaci). Efekti është thjeshtësia vetë. Glamuri i saj magjepsës është jashtë çdo diskutimi. Ajo shndërrohet në një damë të vërtetë në momentin e paraqitjes në fustanin e disenjatorit Valdrin Sahiti, dhe përpiqet me përpikëri të jetë objekt i suksesshëm në fokusin e Berishës, si dhe të nderojë atë duke e komplimentuar për magjinë që u jep fotove puna e tij. Është e vështirë ta imagjinosh se ku do të ishte Leonora sot, pa kapacitetin e dashurisë dhe respektin e ndërsjellë për njerëzit që e rrethojnë dhe të gjithë ata të cilët i takon në rrugë dhe që dëshirojnë ta përshëndesin. Ajo tanimë është adaptuar me vëzhgimin e syve kureshtarë, ndaj dhe mirësinë e treguar ndaj saj përherë mundohet ta kthejë në mënyrë reciproke, me edukatë dhe stil të komunikimit. 

Fëmijëria e qetë dhe e lumtur
E rritur në një familje të ndershme drenicase, nga i ati inxhinier i gjeodezisë, i shkolluar mes Zagrebit dhe Beogradit, dhe nëna dikur në staf mjekësor, bashkë me vëllanë dhe motrën më të vogël, ajo bëri fëmijëri të qetë dhe të lumtur. Që me daljen e parë në skenë, në moshën 14 vjeç, i bën të pranishmit kureshtarë me zërin dhe pamjen e saj, ndërkaq me shpejtësinë e paimagjinuar arrin të bëhet e njohur në vend. Shprehitë e punës i ka mësuar nga babi, i cili te Leonora ka pasur ndikim të madh. Fatkeqësisht, ai humb jetën në moshën 42-vjeçare, në një aksident trafiku, në periudhën e luftës së Kosovës, diku në Tropojë të Shqipërisë. Humbja e babait i kishte krijuar zbrazëti në shpirt. Për Leonorën, të ëmën, vëllanë Adnanin dhe motrën Blertën, jeta kishte ndryshuar pakthyeshëm, ndaj, krahas nënës, ajo merr timonin për të mbajtur dhe për të drejtuar familjen. Edhe sot, sa herë kujton të atin, emocionohet, rikujton me nostalgji momentet me të, lidhjen e fortë të cilën kishin krijuar të dy bashkë, dhuratat dhe dëshirat e plotësuara përherë nga ai. Me të ëmën, ndërkaq, ka një relacion të papërshkrueshëm, ajo është shtytësja, mikja dhe personi më i dashur. Kuptohen me sy edhe atëherë kur mungojnë fjalët. Ajo është shumë mirënjohëse që ka një nënë të tillë, me të cilën ka një ngjashmëri të theksuar fizike.

Projekti i radhës – një këngë e bukur
Koha e pasluftës konsiderohet si një ndër periudhat më të suksesshme në karrierë. Ajo i rreket punës me disiplinën dhe karakteristikat e saj. Realizon këngë, mban koncerte, ditët i kalon duke udhëtuar me aeroplan nga një shtet në tjetrin, duke u munduar që përherë të ketë shkëlqimin dhe suksesin në piedestalin më të lartë. Kudo që shkon, mirëpritet nga mijëra adhurues, duartrokitet dhe rikthehet disa herë në skenë. Pa dyshim dashuria që ka për muzikën e tërhoqi dhe e mbajti në botën artistike. Edhe pse nuk incizon shpesh videoklipe, ajo vazhdon të jetë e pranishme në koncertet që ftohet, por me një temp të ngadalësuar. Konsideron se veprimtaria muzikore ka pësuar kolaps në Kosovë dhe është periudhë e zymtë nëpër të cilën po kalon bota muzikore, ndaj ishte e domosdoshme një pauzë e qëllimshme. Shijet për muzikë janë ngatërruar, sikur ka humbur sensi për cilësinë, mungon delikatesa që do ta përmirësonte realitetin. Megjithatë, ajo premton se projekti i radhës do të jetë një këngë e bukur e nivelit të lartë artistik dhe do të jetë një ndër gjërat më të bukura që do të na e dhurojë.
Ndërkaq, një koncert solistik mbetet sfidë. Gjatë gjithë viteve të saj formuese ajo është treguar e zgjuar, e guximshme dhe këmbëngulëse. U përpoq që në çdo projekt të saj të jetë kreative dhe ia doli mbanë me shumë sukses. E megjithatë, edhe pse e adhuron profesionin e saj, nuk mendon se në të ardhmen do të vazhdojë me ritëm të njëjtë. Ajo aspiron më shumë se kaq. Në jetën e saj dëshiron të hapë një faqe të re, ndaj dhe pret të bëhet një nënë e bashkëshorte po kaq e mirë sa është sot në muzikë.

Investimet kapitale
Kënga i solli famën, ndërkaq fama të mirat materiale, të cilat i shndërroi në patundshmëri. Apartamenti në Prishtinë, shtëpia dykatëshe mes Durrësit dhe Kavajës, e ndodhur në pjesën e Qerretit, në linjën e parë përballë plazhit të bukur, vila të cilën kohë më parë ia dhuroi së ëmës në Brezovicë, janë investime kapitale të cilat ajo i krijoi me punën dhe mundin e saj. Ajo edhe më tej mbetet fort e lidhur me familjen, ndaj, sa herë që nuk ka angazhime, Leonorën e gjeni në mesin familjar, ngase ajo adhuron aktivitetet me ta. Shpesh viziton dajën, duke e vënë në theks dashurinë e madhe që ka për tezen e saj. I gëzohet arritjeve të vëllait, i cili ka studiuar juridikun në Tiranë, ndërkaq me Blertën, ndonëse shpeshherë nuk kuptohen, mbase për shkak të diferencës në moshë, por edhe natyrës së kundërt, ajo mbetet ndër personat më të rëndësishëm në jetën e saj.
E adhuron bregdetin dhe ndihet shkëlqyeshëm në plazhet e Shqipërisë, ndaj dhe periudhën e verës preferon ta kalojë atje. Atmosfera në shtëpinë verore i sjell qetësinë shpirtërore, momentet për të reflektuar dhe për t’u rikthyer sërish tek projektet e mbetura në Prishtinë. Edhe pse lë përshtypjen e një personaliteti të fortë, ajo nuk e fsheh faktin se është shqetësuar dhe jo rrallë i kanë shkaktuar kokëçarje thashethemet dhe spekulimet lidhur me jetën private. Është shumë delikate në pikëpamje emocionale, të pavërtetat e lëndojnë dhe e bëjnë të qajë, ndonëse ajo është këmbëngulëse që kokëlartë të vazhdojë tutje, duke u treguar indiferente dhe duke i injoruar tërësisht ato. Të qenit në qendër të vëmendjes dhe fama që ia dha profesioni, nuk e kanë tjetërsuar, ajo vazhdon të jetë korrekte dhe e saktë për të gjithë. Ani që pesha trupore është një subjekt i rëndësishëm në jetën e çdokujt, ajo nuk mban dietë dhe nuk preferon ushtrimet, ndërkaq sekreti i pamjes fantastike thotë se fshihet në gjenetikën familjare. Nuk gatuan, ngase pëlqen ushqimet që i gatit e ëma, ndërkaq brumërat mbeten ndër gatesat më të preferuara në menynë e saj të cilat i konsumon me shumë kënaqësi..
Edhe pse ka një pasion të theksuar për fustanet glam, ajo nuk di saktë se sa të tillë ka në dollapin e saj. Moda evoluon në vazhdimësi, por ajo arrin të jetë atraktive përherë. Ndonëse është kritikuesja më e madhe e pamjes së saj në fotografi dhe në incizimet televizive, Leonora Jakupi mbetet e adhuruar e shumë brezave, e cila frymëzon, magjeps dhe lë përherë kuriozë fansat e saj, të cilët presin me padurim risitë nga bota e saj artistike në përgjithësi, dhe jeta private, në veçanti.

Pas realizimit të fotografive dhe bisedës së përbashkët disaorëshe, nën rrezet e diellit në perëndim, ndonëse akoma po ndriçonte me shkëlqim, ndahemi përpara hotelit gjigant. Destinacionet e çdonjërit anëtar të ekipit që punuam së bashku atë ditë ishin të ndryshme. Leonora niset drejt Prishtinës me veturën e saj ngjyrë të zezë, të cilën e drejton vetë, me shumë krenari, mu si jetën e saj. Përshëndetemi me divën e mahnitshme, rruga e së cilës, e bërë me shumë guxim e vendosmëri, është inspirim për të gjithë ne.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version