Ti je ketu: Ballina > Intervista > Në familjen e doktorëve Emine e Muharrem Gashi
Në familjen e doktorëve Emine e Muharrem Gashi
Në një bisedë të realizuar në shtëpinë e tyre në fshatin ndërkombëtar në Veternik të Prishtinës, doktoresha Emine dhe dr. Muharremi, bashkë edhe me djalin e tyre, kirurgun e njohur vaskular, dr. Valbonin dhe renë e tyre, gjinekologen, dr. Albana, për revistën "Teuta" rrëfejnë fragmente nga jeta e tyre, në të cilën, pa dyshim, kryefjalë është mjekësia dhe ngjarjet e lidhura me të.

Një familje me 7 mjek!

 

Bisedoi Faik Hoti
Foto Ridvan Slivova

Ndërhyrje të shumta kirurgjike për të shpëtuar jetë njerëzish në nevojë të moshave të ndryshme përmes duarve të dr. Muahrremit dhe mijëra fëmijë të ardhur në jetë përmes duarve të vyera të doktoreshës Emine, i kanë bërë ata të jenë të lumtur për karrierën e tyre profesionale. E mbi të gjitha, të jenë të dashur e të vlerësuar brenda familjes, komunitetit mjekësor, shoqërisë kosovare dhe të gjithë atyre që u janë gjetur në momente delikate të jetës, duke i dhënë emër dhe kuptim profesionit të mjekut dhe mjekësisë kosovare që në zanafillën e saj. Të gjitha këto përmes një vetëmohimi nëpër dekada e vite, prej tyre kërkoi sakrificë, durim dhe mbi të gjitha humanizëm e dashuri për profesionin. "Gjatë gjithë viteve të punës sonë profesionale, ishim të mishëruar me punën që bënim...", thotë doktoresha Emine.

Njohja në Sarajevë
Historia e doktorëve Gashi, së bashku, nis të formësohet aty rreth viteve gjashtëdhjetë. Në kohën kur ata po bënin hapat vendimtarë drejt arritjes së profesionit të mjekut, diçka që asokohe ishte ëndërr për shumëkënd. Në fakt, doktor Muharremi, ndonëse familja e tij ishte me origjinë nga Novobërda, ishte i lindur në Tërrnoc të Kosovës Lindore. Shkollën fillore dhe një pjesë të shkollës së mesme e kishte mbaruar në Preshevë, ndërsa shkollën e mesme për mjekësi në Nish, pasi kishte punuar paraprakisht edhe si laborant në Bujanoc. Kurse, studimet për Mjekësi në Shkup, prej nga, pas diplomimit më 1963, ishte kthyer të punojë në Bujanoc.
Ndërkohë, në një cep tjetër të trojeve shqiptare, në Prizren, doktoresha Emine, asokohe shkollare e dalluar, pas suksesit të treguar në shkollimin fillor dhe të mesëm në këtë qytet, kishte arritur që të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë më 1958, për ta mbaruar suksesshëm në afat rekord, në vitin 1963.
E gjatë kësaj kohe, siç tregon doktoresha Emine, i vëllai i dr. Muharremit, që merrej me politikë dhe udhëtonte në Beograd e Kosovë, kishte dëgjuar përmes miqve të tij se si një studente e dalluar nga Prizreni ia kishte dalë të regjistrohej në Mjekësi në Sarajevë (e dyta femër nga Kosova në Mjekësi) dhe kishte menduar që ta vinte në kontakt me të vëllanë, gjithashtu doktor, duke vendosur kontakt për interesimin edhe me vëllanë e doktoreshës Emine.
"Pasi pata përfunduar mjekësinë në Sarajevë, unë punoja në Prizren dhe gjithashtu mbaja edhe ambulancën në Ferizaj... Pastaj shkova për një stazh 3- mujor në Sarajevë dhe njohja me Muharremin ndodhi gjatë kësaj kohe. Muharremi kishte gjetur kontaktin dhe sa isha në Sarajevë mora një telegram në të cilin ai shprehte interesimin për t`u takuar dhe për t`u njohur me mua", tregon dr. Emine. Ajo kishte vendosur që t`ia kthente telegramin, duke pranuar që ta takonte, e nxitur edhe nga i vëllai dhe të afërm të tjerë të cilët e kishin mirëpritur interesimin. "Pasi ia ktheva telegramin, për rreth dy javë nuk pata ndonjë përgjigje, por më pas më erdhi tjetri telegram, përmes të cilit Muharremi tregonte se në cilën ditë do të vinte të më takonte në Sarajevë. Erdhi ditën që kishte paralajmëruar në telegram të më takonte në konviktin ku banoja. Dolëm në qytet, u njohëm dhe në fund të ditës më shoqëroi deri te Konvikti, ku ishim përshëndetur pas bisedës që kishim pasuar. E kishte lajmëruar edhe vëllanë tim që ishim takuar dhe, meqë e kishim pëlqyer njëri-tjetrin në muhabet, me pajtimin edhe të familjeve, kishim vendosur, pas një kohe, për njëri-tjetrin", tregon dr. Emine, duke pohuar se nuk e kishte pasur aq lehtë që ta bindte nënën e saj, mbase edhe për shkak të largësisë pak a shumë, por që në fund edhe ajo ishte pajtuar.
Pas praktikës në Sarajevë, ajo ishte kthyer në Prizren, ndërsa dr. Muharremi ndërkohë ishte kthyer në Bujanoc, e më pastaj për një kohë kishte punuar në Gjilan e për disa muaj edhe në Prizren, duke nisur kështu që të dy një cikël tjetër të zhvillimit të tyre profesional. Doktoresha Emine, tregon se ajo ishte orientuar për t`u bërë "mjeke e nënave", siç shprehet, duke filluar asokohe specializimin në Gjinekologji në Beograd, ndërkohë që dr. Muharremi, ndonëse e donte Mjekësinë Interne, ishte detyruar megjithatë që për specializim ta merrte Kirurgjinë e përgjithshme dhe torakale në Beograd, nën mbikëqyrjen e profesorit të njohur hebre Isidor Papo.

Hapja e Universitetit të Prishtinës dhe kontributi për mjekësinë kosovare
Një moment shumë i rëndësishëm në karrierën profesionale të doktor Muharremit dhe doktoreshës Emine ishte hapja e Universitetit të Prishtinës më 1970. "Me hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Mjekësisë, meqë numri i mjekëve shqiptarë në Kosovë ishte simbolik, na thirrën që të punonim në Prishtinë. Ishte ky një moment i rëndësishëm në jetën tonë dhe për mjekësinë kosovare. Ne iu përgjigjëm kësaj kërkese prej ditës së parë, dhe pavarësisht nga telashet e fillimit, që nuk është se ishte krejt pa to, ne nisëm të mishëroheshim me punën tonë", tregon me nostalgji doktoresha Emine.
Doktor Muharremi, ndërkaq, ndjek me kujdes rrëfimin e së shoqes, duke konfirmuar ecurinë e atyre ngjarjeve, që kanë lënë gjurmë në jetën e tyre. Ndonëse ka disa vjet që ata kanë dalë në pension, duke mbyllur karrierën aktive profesionale, një jetë e tërë e kaluar në profesionin më fisnik, ka lënë gjurmë të pashlyera, e gjithashtu momente e kujtime të pafundme. "Dashuria për punën, dashuria për të ndihmuar shumë nëna për të sjellë në jetë fëmijët e tyre, është diçka madhështore për një gjinekologe dhe për mamitë", thotë dr. Emine. Ajo tregon se jeta e tyre profesionale ishte plot angazhime, punë të drejtpërdrejtë me pacientë, konferenca, seminare, edukim i vazhduar dhe, gjithashtu, plot sfida, disa prej të cilave, kur shikohen nga e sotmja, e detyrojnë njeriun të pyesë: A ka qenë e mundur? Doktoresha Emine tregon një rast për të dëshmuar se një mjek i kohës së saj, duhej të ishte më shumë se vetëm një ushtrues i profesionit.
"Kur isha në specializim, një ditë në repart ishim të gjitha femra. Një burrë kishte sjellë në lindje gruan e tij, me të cilën kishte 7 vajza dhe vetëm 1 djalë. Ai i kishte thënë bashkëshortes që, nëse i lind prapë vajzë, të mos kthehej më tek ai. Dhe, ajo lindi prapë vajzë. Tash çështja ishte si t`i komunikohej kjo burrit që e kishte kërcënuar. E mora unë këtë përgjegjësi. A jeni ju filani? - i thashë? Po, - m`u përgjigj. Atëherë, hajde lart se ke një djalë, - i thashë, porse është një problem i madh, djali ka lindur pa të dy duart! Oh, të kish qenë vajzë, veç t`i kishte pasur duart dhe të kishte qenë shëndoshë, - tha ai. Atëherë i zbulova që fëmija është vajzë dhe ai s’e bëri fare problem më gjininë, por u ndie shumë i liruar që fëmija ishte i shëndoshë", tregon dr. Emine për këtë rast, për të treguar sa ka ndryshuar shoqëria dhe se disa probleme që i kanë pasur gjenerata e saj, më nuk diskutohen fare, si gjinia e fëmijëve, për shembull.
Dhe, derisa shpalos edhe shumë tregime të tjera interesante, i shtyrë nga i biri, dr. Valboni, duke bërë një rekapitullim të përafërt matematikor, ajo vlerëson se me duart e saj ka ndihmuar të vijnë në jetë sigurisht mbi dhjetë mijë fëmijë kosovarë! Diçka që për djalin e saj, dr. Valbonin dhe renë, gjithashtu gjinekologe, dr. Valbona, është admiruese dhe madhështore.
Doktoresha Emine dhe dr. Muharremi janë treguar të kujdesshëm edhe me fëmijët e tyre, të cilëve, mbase duke qenë fëmijë të dy prindërve mjekë, u është "imponuar" të zgjedhin profesionin e prindërve. Dr. Valboni, si fëmija i parë, është kirurg vaskular, derisa vajza, Nora, e cila jeton në SHBA me dy fëmijët e saj, ka gjithashtu vite që punon në "White Plains Hospital" në Nju-Jork.
Dr. Valboni është i martuar me doktoreshën Albana, me të cilën kanë dy fëmijë: Dritin, që është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë "Cerrah Pasa" në Stamboll dhe vajzën, Vesa, që ndjek studimet në vitin IV të Mjekësisë në Prishtinë. Dr. Valboni thotë se udhërrëfyes të jetës dhe karrierës së tij kanë qenë pikërisht prindërit dhe se ka mësuar shumë nga përvoja e tyre. Ai tregon se, falë babait të tij, dr. Muharremit, kishte qëndruar për një kohë edhe në SHBA (derisa babai po ndiqte një subspecializim në Dukes University) dhe se gjatë kohës sa kishte qenë në SHBA, në vitin e fundit (të katërtin) të shkollës së mesme (sepse tri vitet e tjera i kishte përfunduar në Prishtinë), në “Charles E Jordan” në Durham (N.C., SHBA) ishte njëri nga studentët më të mirë, i shpërblyer nga White House (Shtëpia e Bardhë) me “Academic achievement award”, e nënshkruar nga ish-Presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan (1984).
Dr. Valboni gjithashtu tregon një histori interesante. Pasi kishte mbarur shërbimin ushtarak, pasi ishte kthyer nga SHBA-të dhe kishte filluar studimet në Mjekësi në UP, për shkak të rrethanave të asaj kohe në Kosovë, ai kishte shkuar për t`i vazhduar studimet e Mjekësisë në Sarajevë dhe, meqë në të njëjtin fakultet kishte studiuar edhe nëna e tij, dr. Emine, ditën që kishte dalë në provimin përfundimtar, administrata e fakultetit ishin kujdesur që atij t`ia bëjnë një befasi.
"Meqë e kishin kuptuar se edhe nëna e kishte kryer fakultetin po aty, administrata ishin kujdesur që të gjenin dosjen e nënës dhe në provimin përfundimtar komisionit vlerësues t`ia gjenin pyetjet që i kishte pasur nëna në provimin përfundimtar, duke m’i parashtruar edhe mua po ato. Ka qenë diçka interesante për mua dhe që do ta kujtoj përherë", tregon dr. Valboni.
Pas mbarimit të mjekësisë në Sarajevë, ai ka vazhduar karrierën e tij profesionale, duke u specializuar për kirurgji vaskulare dhe endovaskulare, përmes programeve e studimeve në universitete me renome në Francë, Indi e vende të tjera, ndërkohë që tani udhëheq Ordinancën specialistike të kirurgjisë vaskulare dhe gjinekologjisë me obstetrikë "Venomed Plus" në Prishtinë, ku punon edhe bashkëshortja e tij, dr. Albana.

Të dekoruar nga Presidentja për merita jetësore
Ndonëse janë një familje komplet e profesionistëve shëndetësorë, kur ata janë së bashku në shtëpi, nuk preferojnë që mjekësia të jetë tema kryesore, edhe pse debati profesional për raste të ndryshme është i pashmangshëm. Dr. Valboni thotë se preferojnë të flasin më shumë për tema të tjera, të komentojnë ngjarje të ndryshme. "Na pëlqen të mblidhemi së bashku, të kemi drekë të përbashkët, të diskutojmë për gjëra të ndryshme. E adhurojmë edhe filmin e muzikën dhe thjesht dëshirojmë të kalojmë sa më mirë fundjavën dhe kohën së bashku, edhe me kuzhinën tradicionale që bën Albana", thotë dr. Valboni. Për të dhe fëmijët e tij, që gjithashtu po ndjekin hapat e gjyshërve dhe prindërve, përvoja e prindërve do të jetë mësuesi më i mirë i jetës. E për dr. Muharremin dhe dr. Eminen, satisfaksioni më i madh i jetës së tyre ishte mundësia që t`i shërbejnë me shumë përkushtim, profesionalizëm, etikë dhe dashuri pacientit dhe profesionit të tyre. "Dekorata për Merita Jetësore për edukim të shumë brezave dhe gjeneratave të mjekëve", me të cilën këta dy emra eminentë të mjekësisë kosovare
u nderuan nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në 2016, është një prej shumë dëshmive që flasin se me punën e tyre, përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë për profesionin e mjekut, ata i kanë bërë vetes një vend nderi në mesin e atyre që mjekësisë kosovare i kanë dhënë jetë e emër.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version