Blerina Gashi
Foto Ridvan Slivova
Aktualisht numri i përgjithshëm i avokatëve vendorë është 710, prej të cilëve 103 janë gra. Ndonëse ka ende punë për të bërë në drejtim të krijimit të një fushe ku numri i burrave dhe i grave të cilët synojnë të mbrojnë ligjin të jetë i barabartë, suksesi i zonjave në këtë fushë është mahnitës. Me sa duket, për disa gra vështirësitë janë inekzistente, ngase zonjat triumfuese, të cilat kanë prekur majat e suksesit në fushën e avokaturës, është e vështirë t’i ndalojnë sfidat me të cilat ballafaqohen. Por, cilat janë problemet me të cilat ndeshen në punën e tyre dhe luftojnë për drejtësi zonjat e ligjit në seancat gjyqësore, aty ku është arena e tyre e vërtetë? Në vazhdim jua zbulojmë çështjet për të cilat kemi diskutuar me disa nga avokatet e suksesshme: Sadije Mjekiqi, Fehmije Gashi Bytyqi dhe Iliriana Osmani Serreqi, të cilat zbulojnë çelësin e suksesit, i cili i mban ato lart.
E gjithë përvoja e saj profesionale është zhvilluar në fushën e drejtësisë. Zonja Sadije Mjekiqi, e cila guximshëm sfidon problemet mbi tabanin e ligjit e karrierës së saj të gjatë, është motivuese e denjë e barazisë gjinore, të cilën e shpreh hapur dhe kurajën që të respektohen të dy gjinitë. Si avokate punon nga viti 2000, ndërsa para luftës ka punuar gjyqtare në gjykatë komunale, po ashtu në Gjykatën Supreme ka qenë bashkëpunëtore profesionale.
Gjatë karrierës suaj, keni pasur raste kur keni mbrojtur gratë në proceset e divorcit. Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen këto gra?
Gjithmonë kam punuar vetëm në sistemin e drejtësisë. Kam pasur lëndë të karaktereve të ndryshme penale, ngase kam punuar si gjyqtare në penale, ndërsa edhe sot i marr më me qejf çështjet penale.
Gjithmonë penalja vjen si pasojë e raporteve civile juridike, raste kur njerëzit nuk pajtohen mes vete, qoftë për tokë, qoftë te gratë, qoftë te burrat, kemi raste të ndryshme. Edhe rastet civile, shkurorëzimet, janë të ndjeshme, por nuk janë të rënda për t’u zgjidhur. Nuk kam statistika nëse gratë ose burrat i iniciojnë më shumë rastet e divorcit, por ka raste nga të dy anët. Në fakt, te shumica e rasteve burrat më marrin për t’i përfaqësuar në divorc. Mbase njerëzit e kanë kuptuar që nuk jam e njëanshme, aspak nuk jam feministe dhe nuk dua të jem feministe, dua të jem objektive, reale. Tekefundit, si burri si gruaja - është njeri.
Ndërkaq, shqetësimi i grave gjatë procesit të divorcit lidhet posaçërisht rreth strehimit, veçanërisht kur kanë fëmijë. Përveç kësaj, problemi i dytë, që është hiç më pak i rëndësishëm, është ana financiare, sidomos për gratë, të cilat nuk kanë të ardhura personale, që nuk punojnë. Ky është problem më vete, edhe pse me ligj, gjykata vendos gjithmonë që alimentacionin ta paguajë pala e cila ka të ardhura financiare. Porse problemi qëndron te realizimi praktik, ngase aktgjykimi ndodh të mos realizohet, për shkak që ndodh bashkëshorti të mos jetë i ndërgjegjshëm dhe nuk i përmbush obligimet e veta, nuk e bën pagesën.
Është shumë interesant edhe kur janë intelektualë, të shkolluar, dhe fort mirë e dinë çka do të thotë ligji, gjykata, aktgjykimi, prapë e sfidojnë bashkë-shorten, kemi raste kur nuk duan të paguajnë, heshtin, largohen, kalojnë afatin, e injorojnë. Ka raste më të pakta, kur me vetëdëshirë e paguajnë alimentacionin. Dënim klasik me ndonjë burg nuk ka, por nëse nuk e paguan, ka të drejtë bashkëshortja me aktgjykimin e formës së prerë ta iniciojë procedurën e përmbarimit.
Këto janë probleme të një mentaliteti, i cili akoma është konservator te ne, si traditë konsideroj se ende jemi mbrapa dhe duhet në këtë drejtim të bëhet një vetëdijesim i ngritur. Mirëpo, vetëdijesimi mund të bëhet gjithmonë përmes fushatave të ndryshme, ku dëgjues të atyre ligjëratave gjithmonë njëkohësisht duhet të jenë edhe burrat, jo vetëm gratë. Sepse konsideroj se është një praktikë e gabuar, kur nganjëherë organizohen ligjërata, trajnime të ndryshme dhe vetëm bota femërore i dëgjon. Ta shohin bashkërisht se jeta është e përbërë edhe nga burrat edhe nga gratë dhe të dy palët kanë obligime, kanë detyra dhe të drejta.
Cilat janë ngjarjet më të vështira që i keni kaluar brenda seancës gjyqësore, të cilat akoma i kujtoni? Seanca, pas të cilave jeni ndier e lodhur nga profesioni i avokates?
Unë po ju tregoj që secili shkurorëzim i ka specifikat e veta. Kam pasur raste t’i mbroj palët kur ka pasur vrasje, kam pasur raste për t’i mbrojtur palët e dëmtuara, që kanë një të humbur në familje, kemi raste të dhunimeve, raste të grabitjeve, plaçkitjeve, lloj-lloj. Sikur që është komplekse vetë jeta, ashtu janë komplekse edhe veprat e ndryshme penale. Mirëpo, nëse i kthehemi përsëri botës femërore, unë konsideroj se femrat janë ato që më vështirë i realizojnë të drejtat e veta. Shteti ynë, institucionet tona, kanë arritur të nxjerrin akte të ndryshme juridike, për ta barazuar gruan me burrin, duke filluar nga Kushtetuta, ligji për çështje gjinore dhe ligje të tjera, të cilat e përkrahin në fusha të ndryshme femrën. Por, në anën tjetër, në praktikë, është vështirë të realizohen si duhet. Shumë vështirë. Këtu konsideroj se një pjesë të përgjegjësisë duhet ta marrin vetë femrat për mënyrën e realizimit të të drejtave të veta. Si mund të realizohen? Të jenë më këmbëngulëse, më të guximshme, të veprojnë të pavarura në rastet kur e dinë se nuk e cenojnë interesin e tjetrit, e kam fjalën, nuk mundesh ti të kërkosh të drejtën tënde në qoftë se nuk je punëtore ose nuk do të punosh, nuk do të sakrifikosh, por të të mbajë dikush. Vetë janë pak neglizhente, konsideroj. Sikur duan prioritet, për shkak se janë femra. Unë për vete konsideroj se nuk kemi nevojë për prioritet, nuk kemi nevojë të kërkojmë përparësi, ne duhet të kërkojmë barazi. Përparësi të ka dhënë vetë krijuesi, jemi më të dobëta ndoshta në aspektin biologjik, por në aspektin intelektual femra nuk ka asnjë arsye të mbetet mbrapa mashkullit pse është grua. Ky është diskriminimi i karakterit të gruas, kur i thuhet - po ti je femër, ose femrat janë ndryshe! Kur e pyet pse femrat janë ndryshe, ai nuk mund të të shpjegojë! Se sa janë femrat të zonjat dhe mund ta arrijnë kulmin e suksesit në çdo profesion, ka dëshmuar praktika, se ato janë të zonjat në çdo aspekt, por sfidat, pengesat e ndryshme, nuk do të thotë se janë gjithmonë të otës mashkullore...
Keni përjetuar përshtypjen e diskrminimit në sallën e gjyqit?
Nuk jam ndier asnjëherë e diskriminuar si femër! Ndoshta natyra e punës sime gjithmonë në sistemin e drejtësisë më ka bërë që unë kur të jem në sallë të gjykimit, të harroj se jam femër, harroj që unë duhet të mendoj se e kam një mashkull përpara. Unë mendoj se e kam një kundërshtar dhe ashtu ndihem. Mbase jam më rigoroze dhe më dinamike, mundohem që në asnjë çast të mos e lë palën tjetër të më shikojë mua si femër, por do të më shohë mua si avokate dhe asgjë tjetër. Dhe ia dal. Nga natyra jam person i guximshëm, plus përvoja e ka bërë të veten dhe dua që përmes punës sime të promovohet fuqia e femrës intelektuale në profesionin që e ka ajo.
Kurrë nuk duhet të hezitosh, pyetja kryesore do të ishte, sipas mendimit tim, çka të bëjmë ne si shoqëri që të ndërgjegjësojmë botën mashkullore, por edhe ta vetëdijesojmë, ta ngremë vetëdijen e botës femërore, që secili ta gjejë vendin e vet në familje, në shoqëri, në shtet? Dhe asnjëri - tjetrit të mos i hyjnë në hak, t’i realizojnë të drejtat e veta me këmbime të ndërsjella dhe që çifti të reflektojë si një familje e mirë, e shëndetshme, intelektuale dhe t’u japin shembull edhe të tjerëve, e jo të merren për të keq.
Te rastet e divorcit, a ka raste kur familja e gruas nuk e pranon vajzën të kthehet në shtëpi?
Nga klientela ime nuk kam pasur rast kur familja nuk e ka pranuar të bijën, mirëpo kam pasur rast kur janë munduar ta bindin të durojë, të mos shkurorëzohet. Sikur duan t’i ikin barrës ekonomike për ta mbajtur edhe një herë vajzën e tyre në shtëpi, duke i thënë - kështu ka qenë tradita, ti je grua, duhet ta dëgjosh burrin, ndoshta edhe ti ke një pjesë të fajit, mos u ngut, për hir të fëmijëve... E kam fjalën edhe kur kemi dhunë në familje, që nganjëherë, edhe pse ushtrohet dhunë, pajtohen. Por, kemi raste kur, për shkak të dhunës, ndodh shkurorëzimi.
Kosovarët, si shoqëri patriarkale, shpeshherë gjininë femërore e shohin me hezitim në poste udhëheqëse, por në fushën e jurisprudencës duket sikur gjërat qëndrojnë ndryshe... Në vazhdim zonja Fehmije Gashi Bytyqi, e cila në 95% të rasteve, gjatë karrierës së saj dhjetëvjeçare, ka mbrojtur palën e pandehur, zbulon fakte interesante.
Avokati është e drejtë ligjore e secilit person të akuzuar. Si ndiheni, kur mbroni dikë që ka kryer vepra kriminale?
Kodi i procedurës penale e përcakton se në cilat raste është avokati i detyruar dhe në ato raste pala duhet të ketë avokat. Mirëpo, edhe në rastet kur personi i akuzuar nuk ka avokat, është gjykata në të gjitha shtetet, edhe në Kosovë, që kujdeset zyrtarisht t’ia caktojë një avokat, sipas detyrës zyrtare, për t’i mbrojtur interesat e tij. Avokati është e drejtë ligjore e çdo personi dhe këtë të drejtë duhet ta shfrytëzojë çdo njeri, edhe pse shpeshherë mendojmë se i dimë të gjitha, madje ndonjëherë edhe juristi ka nevojë për avokat, sepse përvoja në gjykatë është mbret i dijes, prandaj kombinimi me praktikën gjyqësore dhe zbatimi i Kodit të Procedurës Penale, bëjnë që avokati të jetë shumë i rëndësishëm në çdo procedurë.
Ligji, si tërësi, mbulon çdo sferë të jetës. Gjithçka që na rrethon, mbrohet me ligj, do të thotë çdo gjë që prekim është ligj, andaj duhet të kihet kujdes lidhur me sjelljet tona, në mënyrë që të mos cenojmë tjetrin në asnjë sferë të jetës, qoftë edhe sferën shoqërore, sepse, në të kundërtën, ballafaqohemi me ligjin.
Konsideroj se në Kosovë, megjithatë, është një mentalitet që njerëzit ende të mos e kuptojnë rëndësinë e aplikimit të ligjit. Edhe pse Republika e Kosovës nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, nga infrastruktura ligjore, është në harmoni me ligjet që aplikojnë shtetet në Bashkimin Evropian, madje as shtetet e rajonit, të cilat kanë asocu që të jenë pjesë e plotë e Bashkimit Evropian, ende nuk e kanë arritur harmonizimin e plotë të ligjeve, siç e kemi ne.
Ndërsa, sa i përket pyetjes se si ndihem kur mbroj një individ i cili ka kryer një vepër kriminale, do ta lidh me përvojën time në polici. Kur kam filluar punën si police, më është dukur shumë e rëndë ndjenja e mbajtjes së armës. Sapo kanë ndodhur shkrepjet e para në shtator të vitit 1999 (meqenëse isha pjesë e gjeneratës së parë të policisë së Kosovës), kur ne kemi ushtruar me revole, unë e kam kapërcyer këtë frikë, madje më është dukur njëjtë, si të gjuaj një fishek si njëqind.
Edhe në avokati, kur kam filluar ta ushtroj profesionin, në shkurt të vitit 2007, seancën e parë, edhe pse nuk kam pasur përvojë atëherë si avokate, kam qenë përfaqësuese e palës së dëmtuar, më është dukur shumë e rëndë puna e avokatit, i cili mbronte palën e akuzuar e që do të thotë ishte palë e kundërt me mua.
Mirëpo, më pas, pjesën dërrmuese të klientelës sime, 95%, kam mbrojtur palën e pandehur - palën e akuzuar. Në veten time e kam kuptuar se unë po jap vetëm një kontribut në favor të drejtësisë. Avokati nuk duhet t’i shtrembërojë faktet, por duhet të bëjë përpjekje maksimale që faktet të jenë në anën e klientit të tij, nuk duhet t’i fabrikojë faktet, sepse përndryshe do të jetë një avokat manipulant. Porse, puna e avokatit ka një mision, e ajo është që ta vërë drejtësinë në vend. Avokati duhet ta mbrojë klientin në kuadër të infrastrukturës ligjore, të ofrojë prova, sepse praktika gjyqësore, prej kur ekziston njerëzimi, në të gjitha shtetet e botës, edhe në Amerikë edhe në Evropë, ka treguar se shpeshherë është vënë drejtësia e gabuar, andaj edhe parim i procedurës penale është se “çdo person është i pafajshëm, derisa aktgjykimi ta marrë formën e prerë”. Pikërisht për këtë arsye, me dispozitat ligjore, edhe në të gjitha konventat ndërkombëtare, si parim themelor ekziston “pezumimi i pafajësisë”, që nënkupton se çdo person konsiderohet i pafajshëm, derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë. Prandaj, aspirata për të ndihmuar së pari klientin, por, në anën tjetër, për t’ia pastruar rrugën gjykatës, që të marrë një vendim të drejtë, mendoj se është ndjenjë e mirë, sepse, falë kontributit tënd profesional, vihet në zbatim drejtësia. Kam pasur shumë raste kur klientët e mi janë shpallur të pafajshëm, sigurisht me shtrimin e problemit dhe provave para trupit gjykues dhe natyrisht kjo situatë më gëzon pa masë, sepse, thjesht, është një sukses profesional dhe njerëzor (madje ka ndodhur që klienti që e kam mbrojtur për veprën penale të vrasjes është shpallur i pafajshëm, por edhe për vepra penale të tjera dhe ky satisfaksion profesional e moral besoj që nuk matet me asgjë), aq më tepër kur mendon që para Zotit dhe ligjit ke dhënë më të mirën. Kam shumë raste që kam pasur sukses si avokate. Në një rast mund të them se ndoshta kam realizuar kryeveprën e punës sime, të angazhimit tim si avokate, në momentin kur e kam nxjerrë një femër me një dënim minimal, vetëm dy vjet burg, ngase ajo kishte vepruar në vetëmbrojtje. Në rrethanat e vetëmbrojtjes, në të cilat ishte ndodhur kjo grua, ka qenë situatë e dhembshme, sepse, për të shpëtuar jetën e saj, ka privuar nga jeta personin tjetër .Gjykata e shkallës së dytë e ka shpallur fajtore, por e ka dënuar me një dënim minimal. Kjo nuk do të thotë se unë po justifikoj që të ndodhin raste vrasjeje, vepra penale, ngase e mira e të gjitha të mirave është që gjithmonë në jetë të shmangim problemet, madje dhe në takime vazhdimisht mundohem t’u tregoj njerëzve për pasojat që mund t’i sjellë ndeshja me ligjin në çdo pikëpamje.
Jurisprudenca është një botë e cila ju ballafaqon me probleme të llojllojshme. Mund të na e tregoni ndonjë rast, kur keni mbetur e befasuar nga ajo çka keni dëgjuar në sallën e gjyqit?
Shumë raste. Të jesh në sallën e gjyqit, përveç që është sfidë, ndonjëherë është kënaqësi, është një profesion i cili gjithmonë të sjell risi. Nëse ti fiton, triumfon, nuk ka rëndësi se sa paguhesh, nuk ka rëndësi sa do të shpërblehesh, është me rëndësi që ti profesionalisht të shkëlqesh, është me rëndësi ty të të shohë trupi gjykues se je profesionale, është me rëndësi që ti, me propozimet e tua, me përgatitjen tënde profesionale, të kontribuosh në ndarjen e drejtësisë. Nganjëherë më duket vetja sikur jam në një film dhe unë jam personazh, që nuk e di si përfundon filmi. Kjo punë sjell situata shumë interesante, shumë raste të cilat kanë ndodhur të sjellin huti, mbetesh, çohesh në këmbë, krijohen shpeshherë skena qesharake, shpeshherë skena të dhembshme, shpeshherë skena trishtuese: për shembull, unë ende jam në proces të mbrojtjes së një vrasjeje, ku është vrarë një djalë i ri. Në rastet kur si avokate mbrojmë palën e akuzuar, kur vjen anëtari i familjes, si nëna ose babai, motra apo vëllai, bashkëshortja, fëmija dhe sqarojnë se si ka ndodhur që të mbeten pa të dashurin e zemrës, unë ul kokën dhe më shkojnë lotët nën tavolinë. Kjo dëshmon se unë jam qenie njerëzore dhe ndiej dhembje edhe për palën e dëmtuar edhe për palën që do ta ndëshkojë ligji me dënim dhe rezultati del që të dy palët janë humbëse, sepse ndëshkimi i ligjit me privim lirie nënkupton ngecje në rrjedhat e jetës. Privimi i lirisë ndodh në shumë raste, si në: dhunime, krime të ndryshme, trafikime të qenieve njerëzore, shërbime seksuale vajzave nën moshën 16 vjeçe e shumë e shumë vepra të tjera penale etj . Në gjykata shpesh ndodhin befasi, ka momente të rënda. Të rënda janë sidomos konfliktet ndërfamiljare. Unë rezervohem dhe me dëshirë nuk i marr rastet kur janë konfliktet ndërfamiljare mes vëllezërve, veçanërisht tani me këto ndërtimet shumëkatëshe, janë krijuar shumë përplasje në familje, edhe shumë cenim të të drejtave të femrës. E kam një rast që një nënë, e cila i ka katër vajza dhe një djalë, kur nga ndërtimi i banesës - djali i ka fituar disa banesa, ndërsa motrat asnjë. Nëna, e cila ka kërkuar që vetëm njërës vajzë, e cila ka mbetur me katër jetimë, t’i jepet një banesë, djali e ka larguar edhe nënën nga shtëpia! Ose, ka gra, të cilat i rrahin fëmijët, ndonëse duhet të kenë kujdes që të mos ushtrojnë dhunë, në praktikën gjyqësore ka rast kur nëna nga goditja në shpinë të fëmijës, ka shkaktuar vdekjen e tij dhe natyrisht gjykata e ka ndëshkuar me një dënim të rëndë dhe asaj shteti ia ka marrë edhe të drejtën e amësisë dhe ky rast më ka shkaktuar dhembje të madhe edhe mua si avokate, sepse ajo ishte nënë dhe u shkatërrua edhe shpirtërisht edhe fizikisht. Andaj, ua rikujtoj që të jenë të kujdesshme në goditjet ndaj fëmijëve, kushdo që të jenë, sepse pasojat janë të mëdha.
Kur keni vendosur të bëheni avokate, a e keni marrë me mend se ky profesion do t’ju ballafaqojë me kaq shumë probleme, që njerëzit jashtë këtij profesioni as nuk mund t’i imagjinojnë?
Nuk kam menduar as nuk e kam pasur idenë. Ky profesion është si një oqean, ku vala të bart sa në atë anë, sa në këtë anë. Është një profesion që të rrëmben 24 orë. Edhe pse mundohem të largohem, të paktën kur shkoj në pushim, apo kur shkoj jashtë shtetit, është e pamundur.
A respektohet profesioni i avokates në Kosovë? Sa kanë besim njerëzit tek avokatet gra?
Edhe pse në opinion konsiderohet se kosovarët nuk ia falin besimin gruas, në praktikën time dhjetëvjeçare ka ndodhur e kundërta. Në asnjë mënyrë nuk jam ndier e diskriminuar, por përherë kam parë besim te njerëzit. Shpeshherë i bëj pyetjen vetes dhe them, kam menduar se, duke qenë femër, për të mbrojtur një vrasje, duhet të kesh një fuqi të katërfishtë profesionale e të gjitha të tjerat më shumë se një mashkull. Mirëpo, jo, shumë mirë funksionoj me ata që më japin autorizimin, edhe pse unë mendoj, megjithatë, se ata binden kur ti angazhohesh me të gjitha forcat. Avokati duhet të jetë i kujdesshëm, të mos premtojë, se epilogun e gjykimit nuk e di askush, sepse aty vendosin provat, aty është peshorja e drejtësisë e cila vendos. Matematikë në drejtësi nuk ka. Personalisht kam pasur mirëkuptim dhe shpeshherë befasohem kur burrat nga fshati, ku ka ndodhur vrasja, vijnë dhe më besojnë, ndajnë fjalën. Përgjegjësia para ligjit është individuale, ai i cili bën vepër penale, vetë dënohet, por në Kosovë ndodh shpesh që, përveç ndëshkimit ligjor, familja e dëmtuar vepron edhe sipas traditës zakonore. Kjo është më e shprehur në viset rurale dhe ato malore, andaj të gjithë duhet të kuptojnë që, edhe pse përgjegjësia është individuale, ka raste kur, sipas traditës, vihet në pah edhe përgjegjësia kolektive, kur i gjithë fisi izolohet, për shkak se kanë rënë në bela, dhe këto situata jo vetëm që godasin personin, por godasin gjithë familjen. Unë, nga përvoja ime me klientë, e gjej një shprehje që thotë: “një njeri në spital, gjithë familja në spital, një njeri në burg, gjithë familja të burgosur,” ndaj shfrytëzoj rastin që, përmes revistës suaj prestigjioze, t’u bëj apel njerëzve që të kenë kujdes dhe të mos shkaktojnë probleme. Po kalojmë shumë sfida të mëdha në këtë periudhë kohore, pas luftës, dhe mezi po jetohet pa bela, e lëre më me probleme.
Avokatet e shkathëta janë me interes për çdokënd, ngase këshillat e tyre na udhëheqin drejt arritjes së zgjidhjes së problemit. Zonja Iliriana Osmani Serreqi, e cila veçohet për rastet civile, avokate e cila ka fuqinë dhe guximin për të triumfuar në seancat gjyqësore, aty ku thotë se është arena e saj, zbulon ngjarje interesante nga bota e jurisprudencës.
Bazuar në përvojën tuaj konsideroni se kosovarët i besojnë avokates grua?
Në vitet ’90, kur njerëzit tanë u larguan nga institucionet, nga gjyqësori, nga prokuroria, atëherë një numër i konsiderueshëm i juristeve femra (gjyqtare, prokurore) u drejtuan në profesionin e avokatisë. Po e përmend këtë për faktin se në atë kohë ka pasur zhvillime mjaft dramatike, që kanë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve në Kosovë dhe kanë qenë, mes të tjerash, avokatët (pa dallim gjinie) që kanë mbrojtur të drejtat e popullatës, me theks në procedurat gjyqësore, të ndjeshme për kohën, qoftë kontestet e punës, banesore, mbrojtje në procedurat penale. Popullata i ka njohur dhe i ka respektuar për shërbimet prej të cilave ka përfituar, përfshirë këtu edhe nga avokatet femra. Më ka rastisur të dëgjoj, nga përvoja kolegesh, që vende-vende, në firma të mëdha të avokatëve, roli i avokateve femra mund të jetë pak i margjinalizuar. Nuk mund të mohoj që perceptimet gjinore në kultura të ndryshme, përfshirë edhe tonën, e bëjnë të veten. Jo vetëm për profesionin e avokates, dhe jo vetëm te ne. Edhe unë, në ndonjë moment, gjatë ushtrimit të profesionit, sidomos në fillet, në sallë gjykimi apo edhe nga ndonjë klient në fillim të marrjes së përfaqësimit, kam përjetuar një dozë diskriminimi apo ndier një dozë dyshimi ndaj meje, mbi bazë gjinie apo moshe. Ka edhe situata humori, madje edhe me klientë të huaj, nga vendet perëndimore, në përshtypjet e para me rastin e takimit fizik, pas një komunikimi më të gjatë profesional përmes e-mail-eve apo telefonit. Kjo bën të kuptosh që këto perceptimet gjinore nuk janë çështje vetëm e kulturës sonë, por edhe në vende me përvojë më të gjatë të ushtrimit të profesionit nga avokatet femra. Dhe kur them që perceptimet gjinore e bëjnë të veten, mendoj se na imponohet angazhim edhe më i madh për të dëshmuar punën dhe profesionalizmin që kemi. Por, nëse ekziston ndokund ndonjë mit se profesioni i avokatit nuk është i përshtatshëm për gjininë femërore, atëherë mund të them se kjo është thyer që në fillim të përhapjes së këtij profesioni te ne. Dhe aq më tepër sot, kur edhe në anën tjetër të gjykatores ka mjaft femra. Përfundimisht, mund të them se as nuk e konsideroj si çështje që do të duhej të dekurajonte ndonjë juriste femër që t’i bashkohej këtij profesion.
Jeni avokate e cila trajton më shumë çështjet civile, penale... Nga përvoja juaj, jeni befasuar nga keqpërdorimet pronësore që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë?
Unë personalisht merrem më shumë me çështje civile dhe komerciale. Por, merrem edhe me çështje penale. Ndërkaq, profesionin e avokates e ushtroj nga viti 2005. Tek çështjet pronësore, unë si femër dhe si avokate njëkohësisht, do të përmend një brengë tjetër. Statusin pronësor jo të mbrojtur sa duhet të grave në raportet martesore, që manifestohet sidomos në rastin e shkurorëzimeve. Jo vetëm që proceset gjyqësore të ndarjes së pasurisë së bashkëshortëve zgjasin për shumë vjet, por as zgjidhja ligjore konsideroj që nuk është mjaft adekuate. Përderisa instituti i pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve për pasurinë e fituar gjatë martesës është një dispozitë parimore, në anën tjetër, kur kontestohet kjo nga njëra palë dhe i mbetet gjykatës të vlerësojë kontributin në krijimin e pasurisë së përbashkët të të dy bashkëshortëve, atëherë siguria pronësore, pothuajse në të gjitha rastet e gruas, është mjaft e cenuar dhe sidomos nëse kontributi i saj në krijimin e pasurisë nuk ka qenë në formë monetare apo është edhe jokonkurrues me kontributin monetar të bashkëshortit. Konsideroj se duhet të gjendet një zgjidhje më adekuate juridike, që ofron një siguri më të madhe juridike, për femrat posaçërisht, duke përcaktuar një pjesë ideale të pjesëmarrjes në këtë pasuri, për t’ia siguruar kështu një mirëqenie të dinjitetshme pas shkurorëzimit, nëse ka pasur një pasuri të përbashkët të bashkëshortëve.
Cila është arsyeja e sistemit të brishtë të drejtësisë në Kosovë: Mungesa e ligjeve, moszbatimi i tyre, stërzgjatja e trajtimit të lëndëve?
Brishtësia e sistemit të drejtësisë, së pari ka burimin në faktin se ne vetë kemi qenë të përjashtuar nga puna në institucione, në shtetndërtim, për një kohë të gjatë. Nuk ka pasur vazhdimësi në pritje/përcjellje të gjeneratave të profesionistëve, në të gjithë lëmenjtë pothuaj, dhe me këtë edhe përcjellje të përvojave profesionale. Dhe kjo na ka kushtuar shumë. Edhe në drejtësi. E drejtësia është një prej shtyllave më të rëndësishme për një shoqëri të shëndoshë.
Mbi të gjitha dhe që nuk ka një justifikim, ajo që e bën të brishtë sistemin e drejtësisë është ecuria e ngadaltë e caktimit të proceseve gjyqësore në shkallë të parë dhe më pas e trajtimit të tyre nga instancat më të larta, pas marrjes së një vendimi të shkallës së parë. Kjo në veçanti shprehet në lëndën e lëmit civil. Me vite pritet për caktimin e lëndës, nën pretekstin e përfundimit të lëndëve të vjetra, të grumbulluara. Dhe kjo normalisht reflekton edhe në interesimin e qytetarëve për të zgjidhur një herë e përgjithmonë ndonjë kontest apo situatë të pazgjidhur, reflekton në mundësitë tona si avokatë të jemi në shërbim të duhur të klientëve dhe reflekton në besimin që një situatë juridike mund zgjidhet në mënyrë efikase në gjykatë.
Avokatët mund të humbin rastin, mund ta fitojnë atë: Si ndiheni kur hyni në sallën e gjyqit?
Rastet fitohen, rastet humben, dhe me këtë ballafaqohemi në vazhdimësi gjatë ushtrimit të këtij profesioni. Por, ka diçka edhe në mes. Jo gjithmonë rasti është për t’u fituar. Ndonjëherë edhe zvogëlohet dëmi, apo parandalohet ndonjë dëm edhe më i madh. Ndonjëherë arrihet edhe një vetëdijesim përballë një interesi të palës për të fituar. Zaten salla e gjyqit është arena jonë. Meqë jam e këtij profesioni, përjetoj një kënaqësi kur prezantoj, kur argumentoj për rastin të cilin e përfaqësoj. Normalisht që edhe emocionet e përziera janë të pranishme. Ndonjë shqetësim para apo pas seancës. Por kënaqësia është jona, e avokatëve. Veçanërisht kur has dëgjim të vëmendshëm, udhëheqje të mirë të procedurës nga gjyqtarët dhe kundërshtarë me të cilët argumentoni / kundërargumentoni në përmbajtje.
Pra, edhe roli i avokatit nuk është vetëm sanues, por edhe parandalues.
Në rrethana në të cilat po jetojmë, çka ju motivon për ta ndjekur ligjin? Cila është porosia juaj për kosovarë?
Nëse më pyetni për ushtrimin e profesionit, personalisht mund të them se duket që e kam të mbjellë në vete shumë herët, meqë edhe prindërit i kam pasur të të njëjtit profesion. E kam zgjedhur vetë, e dua dhe me kënaqësi e ushtroj. Nuk e mohoj se ka edhe momente zhgënjimi. Por një gjë e them me bindje të plotë: Nuk duhet pasur motiv, por duhet ndier obligim për të ndjekur ligjin. Secili prej nesh.
Besoj që kemi obligim, ndaj vetes, së pari, po dhe ndaj gjeneratave të reja, që të jemi një shoqëri më aktive në kërkim të drejtësisë, për veten, por dhe për të tjerët.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.