Shkruan Antigona Qena
Kur kam filluar të punoj në Radio Prishtinë, ende pa i mbushur 17 vjet, mbaj në mend mosbesimin e gjeneratave më të vjetra, për ne krijuesit e rinj, që vinim thuajse nga "rruga", por për fat të mirë, kishim mësuesit e jashtëzakonshëm, një Gjakush Çapari, zëri më i bukur i shqiptarisë dhe me një të folme aq të pastër, sa që të vinte turp të bëzash pranë tij, natyrisht edhe të gjithë të tjerë, në Radio e Televizionin e Prishtinës.
Por ky shkrim nuk është për ta, është për faktin se çdo popull krenohet me të kaluarën dhe krijuesit e tij, ka popuj që edhe e shpikin historinë, vetëm e vetëm për të dëshmuar se kanë kulturë e qytetërim të lashtë, kurse tek ne, vazhdimisht dëgjoj shprehjen, hera e parë, e para, i pari, gjersa çdo kund në botë vlerësohet lashtësia e një kulture dhe tradite, por ne çuditërisht, në vend që të mburremi se kishim vërtetë krijime artistike, që u vlerësuan nga kritikët më eminent të kohës, e që janë dëshmi e të qenurit në këto anë, me vepra, të cilat ende i bëjnë ballë kohës dhe që pëlqehen edhe nga gjeneratat e reja. Por ja që disa i ikin në mënyra perfide, së paku t’i përmendin emrat e krijuesve tanë.
Që të mos harrohen këta krijues tanë, mendoj, se një pjesë të hises e kam dhanë. Në RTK kam mbi 160 emisione kushtuar mu këtyre krijuesve, për t’i njohur dhe mburrur me ta gjeneratat e reja, po edhe ata në kolltukët e vendimmarrjes, e bindur se nëse nuk di të nderosh njeriun tënd, as të tjerët nuk të nderojnë ty. Prandaj as që kisha për të reaguar për atë që pashë, më saktësisht, që nuk pashë në këtë festival, sikur të mos e takoja në rrugë, njërin nga kompozitorët tanë më të vjetër dhe me më së shumti krijime e çmime, mu në "Akordet e Kosovës’’, festivalin e këngës, të filluar më 1963-1995, aty ku lindën këngët tona më të bukura shqipe, nga kompozitorët tanë, të këtij vendi dhe u kënduan aq bukur nga këngëtarët tanë.
Ja pra, ky kompozitor i moshuar, me shpirt të lënduar më tha, disi i turpëruar, se ishte në sallën e re, sa për të parë, nga kureshtja, se si po shkojnë provat e festivalit të parë "historik" dhe se e kishte pëlqyer shumë sallën, skenën dhe gjithë atë angazhim të të rinjve, në një numër të madh, për të bërë një punë sa më të mirë, por... më tha duke buzëqeshur hidhët: Nuk më njohu e foli askush, dhe nuk mora ndonjë thirrje, që ta ndjek festivalin në njërën nga mbrëmjet.
Kompozitori im i harruar, e din ti, e di edhe unë, se në gjithë botën kur fillojnë festivalet e reja, bëhet një retrospektivë e këngëve të mëparshme, të krijuara në atë vend përkatës, këngëve fituese e që mbetën të paharruara, duke përmendur edhe kompozitorët e këngëtarët e parë, besoj shumë se kishte për ta madhëruar festivalin, prania e kompozitorëve e këngëtarëve tanë, që janë ende në mesin tonë.
Në ato tri netët e këngëve të përsëritura, t’i kushtoheshin disa minuta atyre krijuesve , që bënë të pamundurën për ta mbajtur gjallë këngën shqipe në këto anë, në një festival shembullor të këngës, më shumë se 3 dekada. Krijuesin tënd duhet çmuar, ashtu e lartëson veten dhe i jep vlerë edhe punës sate, ngase bëhesh një vazhdimësi e traditës, kulturës e qytetërimit.
Mu për këtë, në këtë shkrim dua t’i përmend, me respekt e falënderim dhe me shumë keqardhje, nëse e kam harruar dikën, ngase lista është e gjatë, sa edhe frymëmarrja e popullit tonë në këtë vend, e atyre që ishin nismëtar dhe i dhanë vulë muzikës, melosit e kulturës tonë.
Po filloj nga nismëtarët e më të shquarit dhe të cilët nuk janë më në mesin tonë: Lorenc Antoni e Rexhë Mulliqi nga "Baresha" e tij, si dhe Nexhmije Pagarusha, fituesja e numrit më të madh të çmimeve në "Akordet e Kosovës", pastaj me drejtorin e festivalit, me vite të tëra, kompozitorin Severin Kajtazin, pastaj kompozitorët e këngëve të bukura si Krist Lekaj, Fahri Beqiri, Vinqenc Gjini, Mark Kaçinari, Esat Rizvanolli, Bahri Qela, Isak Muqolli, Qazim Oruqi, Hysen Badivuku, Gazmend Zajmi, Mehdi Bajri, Musa Piperku,(Pranvera në Prishtinë), Gjergj Kaçinari, (Arabella), Riza Dolaku, e të tjerë. Pastaj këngëtarët: Qamili i vogël, Ismet Peja, Esat Bicurri, Mazllum Muezini, Xhejlane Broçi, dueti Hoxha- Aqifi, Gonxhe Gashi, Shahindere Bërlajolli, Nazmije Hoxha, Ismet Bogujevci, Liliana Çavolli, Jusuf Gervalla, Gani Myftari, Fitim Domi, Qazim Dushku, Luan Hajra, Antoneta Delhysa, Ermina Delhysa Lekaj, Shyqri Nimani, Haki Misini, Fatmir Bajraktari, Violeta Rexhepagiqi, dhe vërtetë lista është e gjatë, por pasurimin dhe respektin në festival të këngës, do ta kishin shtuar, po të ftoheshin krijuesit, të cilët janë ende këtu, në këtë kohë e hapësirë, duke shijuar dhuratën e jetës: Kompozitorët Rashit Krasniqi (O vendi im), Zeqirija Ballata, Akil Koci, Rauf Dhomi, Sevime Gjinali, (kompozitorja jonë e parë e shkollua), Reshat Randobrava, krijuesi i këngëve më të bukura të Akordeve dhe Sabri Fejzullahu që i këndoi këngët e tij fituese, Tomor Berisha, njeri ndër kompozitorët e orkestruesit më të shquar, Selim Ballata, kantautori më modern i kohës, poashtu kompozitori Bashkim Shehu, Nexhat Macula, Xhevdet Gashi, Ilir Berani, pastaj Pranvera Badivuku - kompozitorja jonë më e shpërblyer, Rafet Rudi, Selvete Krasniqi e të tjerë, si dhe këngëtarët: Ismet Koshutova, Semahate Kuçani, Valbona Nimani, Shpresa Gashi, Vera Oruqaj, Gazmend Pallaska, Bashkm Paçuku, Bernardina Mjeda, Antonio e Zora Gashi, Përparim Dushi, Naim Krasniqi, Shaban Kelmendi, Bedri Islami, Besnik Krajku, Edmond Islami, Sebahate Bërlajolli, Ymrije Beqaj, Lidije Pasoma, Shaban Gjekaj, Shpresa Berisha, Nezafete Shala, Ramadan Krasniqi, Valentina Saraqini, Qazim Mengjiqi, Armend Rexhepagiqi, Aida, Gili... dhe natyrisht se ka shumë të tjerë, të gjeneratës më të re, që me krijimet e tyre shënuan Akordet e viteve, para e mbas mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës, që krijojnë edhe sot e kësaj dite. Krijimtaria e tyre, kompozimet, këngët me vlerë, interpretimet e bukura, vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e zaptuar nga mosmirënjohësit, me shpresë se do të rikthehen të vlersuara.
Vazhdimësia e krijimtarisë, në Kosovën tonë, na u ndërpre nga armiku, prandaj ishte dashtë që ne, më shumë se çdo kush tjetër, këtë plagë ta shërojmë me ndjesi, e jo ta rëndojmë me neglizhencë e harresë. Sido që të jetë, duke uruar që ky festival i sapo filluar, të ketë jetëgjatësi e suksese, përkujtoj në një thënie, që më sillet nëpër mendje, sa herë të bie pluhuri i harresës në margaritarët e çmuar. Çdo popull mbanë shpirtin e vet në traditën e historinë e tij, po ja tjetërsove dhe harrove të kaluarën, e ke vrarë edhe shpirtin e atij populli.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.