Vitet e pandemisë ndikuan jo vetëm në ndërrimin e kohëve por edhe në mënyrën e jetesës… Një ndër to ishte edhe ndalja e medieve të shkruara, gjë e cila la boshllëk të paparë të vendit, si askund në botën e qytetëruar! Mediet e shkruara janë të pazëvëndësueshme, janë art, janë stil letrar, që sot po na mungojnë e po na varfërojnë aq shumë. Le të shpresojmë se pas këtyre 4-5 vitesh, një ditë do të ristartojnë njerëzishëm!
Në botën e medieve TEUTA është një mike e besueshme dhe një avokate e të drejtave të grave. Dashuron familjen, edukimin dhe ngritjen e grave në çdo pikëpamje. Dhe përgjatë këtyre 30 vjetëve, është rritur dhe është shndërruar në një ikonë me lidhje të veçantë emocionale mes gjeneratave e familjeve jo vetëm kosovare. Prandaj, feston rrugën e kaluar prej tri dekadash, të cilën e lëmë pas.
Edicioni i parë i revistës TEUTA është publikuar në maj të vitit 1994. Revista shpejt u shndërrua në një hit dhe u bë e njohur ndër lexues. Gjatë edicioneve ndër vite, revista shënoi edhe vlerësime nga personalitete të shquara. Ia vlen, mbase, me këtë rast, t’i veçojmë disa syresh:
Që me daljen e numrit të parë të revistës, njëra nga gratë e ngritura, Nermin Vlora, do të shkruante: “Kur për herë të parë botohet një revistë për gruan shqiptare, ajo paraqet një ngjarje me rëndësi të madhe. Kjo dëshmon jo vetëm emancipimin e gruas, e cila, pas zaptimit të Ilirisë nga Romakët më 168 p.k.s. e deri në ditët tona, ishte e shtypur dhe e robëruar’. Ndërsa ish- kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, revistën TEUTA e vlerëson si më cilësoren në gjithë hapësirën shqiptare! Karyn Posner Mullen, ndërkaq, ish-drejtoreshë e seksionit për marrëdhënie publike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, shkruante: Revista TEUTA është VOGUE kosovare, shumë prestigjioze! Ky vlerësim nga ana e tyre, natyrisht, nuk është pak!
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.