Ti je ketu: Ballina > Aktuale > PURGATORI I LIBRAVE TË SANIJE GASHIT
Botime të reja
PURGATORI I LIBRAVE TË SANIJE GASHIT

Shkruan Prof. mr. sci. Shefki Stublla


Lexues i nderuar, më 12 mars 2024, pasdite, nga celulari nr. 044/919-024 më thirri personi që m’i solli librat:
- Alo, më duhet Shefki Stublla.
- Unë jam.
- Keni një paketë me libra nga Sanije Gashi. A jeni në shtëpi?
- Po. Mirë se vjen!
Nuk vonoi shumë dhe erdhi paketa, me stil të lartë paketimi europian. Papritmas e hap dhe e gjej Librin “Prishtina, në kujtime” të autores Sanije Gashi dhe dy librat e tjerë të Blerina Gashit: “Sportistët që lanë gjurmë në sportin kosovar” dhe librin “25 themeltarë të kulturës, personalitete që ndryshuan historinë e artit kosovar”, libra këta të nxjerrë nga purgatori i librave të autoreve të nderuara.
Ishte kjo një pasdite e këndshme për mua, kur mora në dorë librat, thesar i krijimtarisë origjinale në gjuhën shqipe. Tre libra, secili më i bukur dhe më i mirë se tjetri. Thënë shkurt, ishte ky takim si një puhi e freskët, që ma kënaqi shpirtin dhe ma normalizoi ritmin e zemrës, kur shfletoja një lloj enciklopedie, që secili ruante identitetin historik të Prishtinës, si qytet i vjetër dhe historinë e gjurmëve të sportit e të krijimtarisë kulturore të 25 krijuesve që ndryshuan historinë e artit në gjuhën shqipe në Kosovë.

Për autoren Sanije Gashi, e kam thënë e po e përsëris, është një dëshmitare aktive, enciklopedi, e cila shquhet për krijimtarinë e saj publicistike dhe si doajene e gazetarisë, autore e 15 librave, me vlerë shumëdimensionale, me përkushtim të lartë.
Për autoren Blerina Gashi, të bijën e saj, para se t’i shfaq disa mendime për librat e saj, po vë në dritë të vërtetën e proverbit të urtisë popullore shqiptare, “Molla pik nën mollë”. Autorja Blerina Gashi në dy librat e saj, “Sportistët që lanë gjurmë në sportin kosovar” dhe “25 themeltarë të kulturës – personalitete që ndryshuan historinë e artit kosovar”, janë një monument shqiptar, që u konkurron librave të tillë, në çfarëdo panairi të librit, kudo në Europë. Sa do të dëshiroja që këta libra të përktheheshin dhe të publikoheshin edhe në gjuhën angleze, frënge dhe gjermane, që presidentja, kryeministri dhe ministri i kulturës, në takime me burrështetas të huaj të mos lodheshin dhe, në vend të tyre, të flisnin librat e prezantuar, duke dëshmuar artin origjinal modern në gjuhën shqipe, si një lloj mbrojtësi, dëshmitari, që paraqet identitetin kombëtar, trashëgimor, ku hijeshia dhe përmbajtja e çdo fjale të bën për vete. Çdo libër është nur i rrallë, në aspektin teknik, përmbajtjesor për energji pozitive. Çdo libër i këtyre autoreve është nurbardhë.
Kam përshtypjen që zonjat që kanë emrin Sanije (Sanije, arabisht: Bukurie, zanë; greqisht, Artemidë apo Dianë romake). Pra, autoret, ëmë e bijë, me shkrimet e tyre janë rojtare të trashëgimisë familjare, urbane, kombëtare. Pra, Qyteti i Prishtinës ka Zanën e vet, zonjën Sanije Gashi, të guximshme, urtare, aleate e shpresës dhe durimit. Çdo libër i saj është një mësonjëtore, nga e cila arsimohesh, edukohesh, dhe mëson antropologjinë, gjeografinë dhe etikën kombit tënd.
Të shoqërohesh me librat e këtyre dy autoreve, zonjës Sanije dhe Blerina Gashit, do të thotë ke gjetur tre shokë të urtë, nga të cilët fiton dije, edukatë dhe atdhedashuri.

Mendimet e shfaqura në këta libra marrin kuptimin e vendit dhe të personaliteteve me porosi shembullore, kuptimplote. Shkrimet e tyre, si metodë e argumentimit dhe të bindurit, lidhen me aktivitetin e caktuar kulturor. Tematika e këtyre veprave, si fushë nga e cila merret lënda, ka karakter individual dhe universal.
Autoret prishtinase, Sanija dhe e bija Blerina, u bënë me veprat e tyre mikateshat më të dashura për lexueset dhe lexuesit e tyre. Personazhet e librave janë emra realë biografikë. Këto personalitete, si esencë, kanë prekur të gjitha shtresat e krijimtarisë letrare, artistike dhe sportive, me emra të përveçëm. Me emrat e këtyre personaliteteve mund të bëhet një regjistër tematik i aktivitetit të përdegëzuar kulturor e sportiv. Veprat kanë një parabazë që mund të quhet si kujtim e porosi e historisë së caktuar të krijimtarisë dhe aktivitetit gjegjës..
Historia është pjesë e pandashme e këtyre veprave, për të njohur të tashmen nëpërmjet së kaluarës. Pamjen sociokarakteristike, autoret e ngjallin përmes fotografive, me legjenda të sakta, me super teknologji botimi dhe me paraqitje moderne të fotografisë dhe ilustrimit.
Porosia e këtyre veprave dëshmohet me ndajfoljet: Këtu, Dje, Sot dhe Nesër.
Identitetin thelbësor, në këta libra, e gjejmë te rrugët, shtëpitë, çezmat, njerëzit e profesioneve të ndryshme dhe objektet trashëgimore.
Autorja Sanije Gashi, vë në pah mungesën e kujdesit të duhur ndaj trashëgimisë, andaj përpiqet, përmes kujtesës, ta mbrojë atë. Përmes leximit të këtyre veprave lexuesi rinjeh historinë dhe bëhet kujtesë e gjallë, porosit brezat e ardhshëm që ta marrin barrën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, sepse veprat e trashëgimisë kulturore janë biografi e jetës së kombit tonë.

Veprat e Sanije Gashit, gjithmonë i kanë gëzuar lexuesit, me përmbajtje e tyre të mbështetur në fakte e argumente karakteristike, të ilustruara me fotografi. Veprat e Sanije Gashit, të shkruara pa zjarrmi romantike, janë reale, me temperaturë normale, me një njohje të thellë të lëndës që shtjellojnë. Autorja, në shkrimet e saj asnjë fjale nuk i shti uthull. Gjithmonë lë vend që edhe lexuesit ta ketë mendimin e vet. Sugjeron që edhe ata të mendojnë. Në komunikimin e saj me lexuesit është e kuptueshme, duke mos kërkuar që vetëm ajo të ketë të drejtë. Por, nga ta kërkon sinqeritet e partneritet. Motiv themelor në veprat e saj është: të thuhet e vërteta. Me librat e saj nuk lejon që trashëgimia të bëjë vetëvrasje, të ndryshket dhe të myket. Qëllimi i saj është të tregojë se trashëgimia nuk është konfeksion, por mjet me të cilin dëshmohet e kaluara e popullit shqiptar,sepse pa etnitet, s’ka identitet.

Librat e autores Sanije Gashi i përshkon një energji pozitive, që të mësojnë se rruga nëpër të cilën duhet ecur për të mbërritur te dija,urtia, dashuria dhe arti janë: qëllimi, sakrifica dhe durimi. Është autore e mirëfilltë e veprave, që me laps redakton të vërtetat për jetën e qytetit të Prishtinës, përkushtim ky që ia rrit vlerën, si ushtare e mos-harresës. Është ky një nderim që i bëhet edhe vetë historisë dhe kulturës sonë. Prishtina është një vend i nderit dhe miqësisë, në të cilin Sanija asnjëherë nuk bëri “armëpushim” me të këqijat e rrënuesve të etikës shqiptare.

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version