Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Si të lahet borxhi ndaj prindërve
Jeta në vetmi
Si të lahet borxhi ndaj prindërve

Shkruan Prof. mr.sc. Shefki Stublla

 

Vetmia, për të moshuarin, është barrë e rëndë, edhe pse gjatë jetës njeriu ka nevojë, nganjëherë, të jetë vetëm. Njerëzit dallohen sipas temperamentit dhe sipas asaj që kanë ose nuk kanë dëshirën të jenë bashkë me tjetrin. Dihet që gjatë jetës ca dëshira të njeriut plotësohen e ca jo, mirëpo në këtë rast frustracioni i të moshuarit është i pranishëm edhe kur ai e di që është e pamundur të plotësohen të gjitha dëshirat që ka dhe shpesh reagon pa kontroll.
Njeriu i vetmuar është ai njeri që ka mbetur vetëm, që s’ka njerëz të afërm a farefis. Që s’ka askënd tjetër, përveç vetes, që s’ka krah tjetër ose pune ose ndonjë që ta ndihmojë dhe, si I tillë, fill vetëm, i veçuar nga të tjerët, që nuk rri bashkë me të tjerët, që është pa shokë a pa shoqërues. Zgjatet dora tërë ditën e bardhë, për pak i gëzohet shumë, kur lotët me gishta i largon.

Vetmia, spiritualiteti dhe trishtimi, vizatohen në fytyrën e çdo të moshuari. Ndihesh keq kur dëgjon një të moshuar ose një të moshuare, duke u ankuar: “Pse po i përjetoj këto ditë të vështira, fill vetëm!? Çfarë paska rezervuar e djeshmja për mua? Çfarë mëkatesh bëra që po e paguaj sot? Të qarat nuk më hiqen dot nga mendja…” Pse po harrohet arkitektura e kohës që bëmë për rrugën e gjuhës së njësuar, gjuhën e arsimimit modern, gjuhën e ruajtjes së relikteve materiale të jetës, për zhdukjen e analfabetizmit, ndërtimin e godinave të banimit dhe godinave ekonomike, ndërtimin e rrugëve dhe të urave. Kush të na nxjerr nga të ligat e moshës së tretë, kur nga ne treti fuqia? Ka raste kur tër ditën e bardhë, i moshuari zgjat dorën, si lugë, mos i pik ndonjë dardhë në gojë për ta flugë.
Këto kujtime therin dhe shkaktojnë ofshamë dhimbjeje, kur entropia e trurit të tyre nuk ia zë rrugën askujt, por për fat të keq, marrin në thua në të (!). Këta njerëz kanë nevojë për ndihmën që e meritojnë, kanë nevojë për një preferim nga shteti dhe nga gjithkush që merr pjesë dhe ndien dhimbjen e tyre shpirtërore dhe ekonomike. I moshuari ose e moshuara duhen marrë me të mirë nga dikush që ai ose ajo e do dhe i beson. Këta njerëz të moshës së tretë kanë nevojë për një mendim paraprak, që ai ose ajo e pranon, si miratim dhe si përkrahje njerëzore, sepse mosha e tretë është një fazë në jetën e njeriut që e karakterizojnë ndryshime të mëdha fiziologjike dhe psikologjike, kur ndërron dhe dobësohet të menduarit, kur zvogëlohen ndjenjat dhe motivet… Me të gjitha këto, të moshuarit këshillojnë: ”Kurrë mos u dorëzoni’, ruajeni trashëgiminë, sepse ajo nuk është kofeksion, por mjet dëshmimi dhe identiteti i të vërtetave të vjetra të shkruara në mënyrën pohore dhe dëftore.
Frika nga vetmia sjell frikën nga vdekja. Lidhur me këtë Leonardo da Vinçi kishte thënë: “Ai që jeton me frikën, vdes nga frika”. Kurse populli ynë thotë, “Çdo njeri vdekjen e ka më afër se këmishën në trup”. Mirëpo, secili – secila duhet ta vazhdojë jetën, të mos e thërras vdekjen, sepse ajo është e vetmja në këtë botë 100% e sigurt, për gjithkënd e për gjithçka.

Këto dy thënie janë të sakta, por zhveshja nga vetja e të moshuarit, është dëm i madh. Edhe pse vdekja është e sigurt, njeriu duhet ta vazhdojë jetën dhe të punojë për të mos vdekur për së gjalli. Të lënë gjurmë e vepra të mira, për të mos u harruar.

Këshillë
Mos i lëndoni të moshuarit, mos i ndërpritni kur janë duke folur, sepse ata dinë shumë gjëra të vërteta. I lejoni të shkojnë mes miqve. Atje e ndiejnë veten të rilindur. Një ditë edhe ju do të jeni në atë gjendje. Do të pendoheni nëse nuki i respektoni ata. I lejoni ta rrëfejnë historinë, për të mos qenë të vetmuar. I lejoni të jetojnë mes gjërave që i kanë dashur, për të mos qenë të përjashtuar nga gjithçka, edhe nga vetvetja.

Historia e vetmisë
Historia e vetmisë te ne është e re, në krahasim me vendet e zhvilluara perëndimore. Ky burim i historisë sociale ka vërtetuar se askush, kurrë, nuk mud të jetë vetëm, ishull i vetmuar, sepse edhe ai ishull është pjesë e një kontinenti.
Sëmudja është mjerim i madh për të moshuarin, por mjerim më i madh për të është vetmia, e përzier me frikën dhe respektin e munguar. Nganjëherë vetmia është një shkretirë ku nuk ka paqe mendore, siç mendojnë disa njerëz. Nuk mund të quhet as kur sot është ngritur standardi i jetesës, kur shtëpia ka disa dhoma personale të gjumit e të ndejës, ka raste kur në një shtëpi jeton vetëm një person, dukuri e rrallë me vetëm pak vite më parë. Të afërmit e këtyre njerëzve të vetmuar gjenden në kurbet. Kjo që po ndodhë aty-këtu edhe nder ne, në Perëndim ndodhi shumë vjet më parë. Për shembull, Britania e Madhe ka formuar Ministrinë e Vetmisë, e cila menaxhon këtë tip jetese. Kjo ndodh edhe në SHBA, Japoni, Suedi etj.
Edhe te ne popullsia po shkon drejt plakjes. Të moshuarit gjenden në një atmosferë mes varfërisë dhe braktisjes. Barierat e moshës së tretë po shtohen bashkë me sëmundjet, braktisjet, varfërinë, mugesën e asistencës, pensionet shumë të ulëta. Shoqëria po izolohet çdo ditë e më shumë. Pajisjet digjitale po e stimulojnë vetminë, po sigurojnë argëtim dhe komunikim me skajp dhe mënyra të tjera kontakti nga distanca me familjen dhe me miqtë. Jeta në vetmi e të moshuarve në zonat e izoluara është shumë e rëndë, sidomos kur për çdo vit reduktohet buxheti për këta njerëz!

Kosova po ballafaqohet me sfidën e plakjes, me ikjen e të rinjve nga vendi dhe për shkak të uljes së lindjeve dhe emigrimit. Kjo gjendje po i mundon shumë prindërit e moshuar. Mosha e tretë as që ka mundur ta imagjinojë se do të vijë dita të jetë pjesë e jetës shoqërimi dhe shëtitja me qen, në kohë të lirë. Madje edhe banimi me qen në një dhomë. Kjo arratisje shoqërore, larg njëri-tjetrit, është e papranueshme për moshën e tretë, edhe pse është dialektikë, që koha ndërron ngjyrat dhe përzë zakonet e vjetra. Por njeriu për njeriun është i pazëvendësueshëm.
Tek ne në shumicën e rasteve, të moshuarit e përjetojnë rëndë vetminë, sepse shumica e tyre nuk dinë t’i përdorin mjetet e komunikimit digjital. E tërë kjo ua mjegullon dhe ua turbullon paqen mendore. Mirëpo, të gjithë e pranojnë dhe duhet të kuptojnë të mirat që sot i sjell interneti.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version