Ti je ketu: Ballina > Aktuale > SHEMBULL I ATDHEDASHURISË
NIJAZI STRAJA
SHEMBULL I ATDHEDASHURISË

 

Shkruan Mr. sc. Shefki Stublla


  

“…Me asnjë vend në botë, me interesat e asnjë populli, nuk është bërë tregti aq pa cipë, në konferencat e paqes, mbas LPB-së, siç është rasti me popullin shqiptar.”
Vladimir Dedijer
 

Si viktimë e asaj tregtie, aq të pacipë, në mesin e shumë familjeve të tjera shqiptare, është edhe familja Straja e Prishtinës.

Familja Straja ishte një familje zejtarësh, atdhetarësh të mirëfilltë, e cila, krahas edhe shumë familjeve të tjera, në Prishtinë, pësoi shumë nga dhuna dhe mizoritë e regjimit serbomadh. Kjo familje në Prishtinë, njihet për të mira, si familje bujare me autoritet respektiv.
Të shkruash për Nijazi Strajën, për pinjollin e kësaj familjeje, për mua, është nder i madh, sepse ka shumë për t’u thënë. Konsiderata ime modeste për të, si qenie harmonike dhe njeri i mirë, virtyte që e stolisin Nijaziun, ka rezultat dashurinë për atdheun dhe Prishtinën e tij të dashur.
Gjëma e shqiptarëve nuk është dëgjuar asnjëherë, për shekuj me radhë, deri në fund të shekullit XX, kur ShBA-ja dhe aleatët e saj, dëbuan nga Kosova regjimin serbomadh millosheviqian. Për këtë ofshamë, rënkim të thellë me psherëtimë, që nxirrte populli shqiptar i Kosovës, i brengosur dhe i mërzitur, me plot ankth, nga vuajtjet e mëdha shpirtërore nga barbarët serbë, reaguan populli dhe bota e civilizuar. NATO-ja dhe UÇK-ja ndalën gjenocidin, vajin e fëmijëve dhe vajin e grave të dhunuara. Të gjithë ata që luftuan kundër këtij krimi e gjenocidi, nga ushtari i thjeshtë  deri te komandantët fitues, paçin faqen e bardhë!
Për vragat çnjerëzore që shkaktuan policia, ushtria dhe paramilitarët serbë, në emër të Krishtit, ndaj popullit duarthatë, të paarmatosur shqiptar, po edhe ndaj vetë serbëve, për t’i fajsuar shqiptarët, do të tmerrohej edhe vetë Krishti, dhe do t’i dënonte rëndë këta vrasës barbarë. Për t’i fajësuar shqiptarët, ata vranë edhe serbë e malazez. Kujtojeni kafenenë “Panda” afër Pejës, shishen që e futi në anus serbi i Gjilanit, shembjen e varrezave serbe dhe plot gënjeshtra e shpifje të tjera, si “alibi” për dhunën e egër dhe ndjekjen e një milion shqiptarëve nga Kosova, në fund të shekullit XX.
Nijazi Straja me Adem Demaçin, Mandelën e Ballkanit, ishte kundër Platformës së Vaso Çubrilloviqit, akademik serb, i cili në vitin 1945 hartoi Platformën raciste, antishqiptare, me këtë motivacion: “Ne, serbët, nuk kemi armik më të madh se shqiptarët dhe, nëse duam t’ua ulim kokën e tyre, nëse duam që bota t’i urrejë shqiptarët, që të mos krenohen me ilirët dhe dardanët, me çdo kusht duhet t’ua nxijmë jetën. Të mohojmë origjinën e tyre iliro-dardane, t’ua varrosim krenarinë ilire, t’ua shkatërrojmë vatrat e tyre, t’ua njollosim emblemat e tyre, t’ua fshijmë simbolet e lashta ilire, t’ua shtojmë zullumin që ata të bjerrin gjuhën dhe adetet e tyre. T’ua rrëmbejmë të gjitha të mirat dhe të përvetësojmë nga ta gjithçka që kanë të lashtë. Shqiptarët t’i lëmë pa miq, që ata ta urrejnë dhe të mos e durojnë njëri-tjetrin, përfundimisht ta mohojnë vetveten. Që të realizohet kjo platformë, antishqiptarizmi duhet të jetë filozofia dhe deviza jonë shtetërore, sepse mosqenia e shqiptarëve është   vetë ekzistenca e kombit serb (sic!)”.
Mirëpo, shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë, nuk arritën ta realizonin shumë pushtues, secili më i egër se tjetri. Nuk arritën as akademikët serbë, as KOS-i, shtriga mesjetare e “popullit qiellor” serb, sepse rrënjët e Kosovës janë shqiptare. Spastrimi me dhunë i trojeve shqiptare, nga shqiptarët, nga trojet e veta, denbabaden, nuk mund të pranohej atëherë, nuk pranohet as tash dhe asnjëherë.
Shqipëria e lodhur nga otomani, shekuj me radhë, nuk ishte në gjendje t’i dilte zot Kosovës, kundër grabitësve serbë e malazez, që okuponin tokat shqiptare, të cilët me dinakërinë dhe gënjeshtrat e tyre, thoshin se po i ndjekkan “turqit nga Kosova, në vendin e tyre në Turqi” (sic!).
Nijazi Straja ishte i bindur: “Çfarë nuk gjendet e shkruar në letër, nuk ekziston në jetë”. Andaj, shkroi dhe botoi librin e tij rrëqethës “Rrathët e ferrit”, që u doli në Prishtinë, në vitin 2019. Po ashtu, ai e dinte dhe ishte i bindur: “Në Kosovë nuk jetohet vetëm për të jetuar, por këtu edhe vdiset për të jetuar “.
 
 
KUSH ËSHTË NIJAZIU
 
Nijazi Straja është pinjoll i familjes së njohur Straja të Prishtinës. Ai është djali i Shabanit dhe nënës Xhevahire Straja. Lindi në Prishtinë, më 18 nëntor të vitit 1933, në mëhallën e çeshmes së Katër Llullave. Kjo çezmë, asokohe, ishte e njohur për ujin e freskët verës dhe dimrit për ujë të përshtatshëm, me shije të mirë për pije. Njëkohësisht shërbente edhe si objekt orientimi në Prishtinë. Në vitin 1941, kur për herë të parë u hapen shkollat në gjuhën shqipe, në familjen Straja, fëmijët flisnin turqisht, sepse kjo ishte gjuha e hyqmetit turk. Edhe pse Nijaziu nuk dinte të fliste shqip, ai me vullnet të madh u regjistrua në klasën e parë të shkollës fillore “Elena Gjika”.Në vitin 1945 u regjistrua në Gjimnazin Real Shqiptar, të cilin e kreu në vitin 1954 dhe u punësua si mësues në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Në vitin 1957 përjashtohet nga puna, sepse nuk ishte “i aftë” t’i mësonte dhe të edukonte fëmijët shqiptarë në frymën e bashkim-vëllazërimit. Në vitin 1958, nga dhuna e zullumi serb, me zemër të thyer u shpërngul në Turqi. Në vitin 1963, bashkë më të vëllanë, Tefikun, u anëtarësuan në organizatën LRBSh. Me 1 mars 1964 u fejua me Nedimen. Me 23 qershor, pas burgosjes së Adem Demaçit, u burgos në Prishtinë, ku kishte ardhur ta merrte Programin dhe Statutin e organizatës, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. E dënuan me 9 vjet burg të rëndë dhe e dërguan në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit. Në vitin 1968, pas amnistisë së grupit të LRBSh-së, u lirua, mirëpo UDB-ja e urdhëroi që brenda 24 orëve ta linte vendlindjen. Më 26 qershor 1968 u martua me Nedimen, e cila e priste të vuante dënimin. Në maj 2019 iu rinjoh shtetësia e Kosovës.
Është fenomenale, se si Nijaziu, me prirje dhe aftësi të jashtëzakonshme, e mësoi shpejt gjuhën shqipe, sepse kur u regjistrua në shkollën fillore “Elena Gjika”, në vitin 1941, nuk e dinte asnjë fjalë shqip. Po ashtu, me sukses, e kreu Gjimnazin Real Shqiptar në Prishtinë. Shumë shpejt e mësoi gjuhën shqipe dhe shkollën fillore e kreu me sukses, ndërsa Gjimnazin Real Shqiptar e kreu në vitin 1954. Punoi si mësues në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Pas rënies së regjimit të xhahilit A. Rankoviq, vjen disa herë në Kosovë, por kurrë nuk qe i sigurt. Pas çlirimit të vendit, në vitin 2019 i rinjihet shtetësia e Kosovës dhe në këtë vit e boton librin e tij autobiografik “Rrathët e ferrit”, libër ky që u promovua në këtë vit, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Libri “Rrathët e Ferrit”, është një dëshmi, është një arkiv ku janë vendosur ngjarjet dhe masakrat e regjimit serbomadh në Prishtinë, sidomos në vitet ‘50 të shek. XX, kur fillon aksioni mbledhjes së armëve inekzistente, kur fillojnë konvertimet dhe torturat e tjera antishqiptare, kur sheh familjet e përlotura duke u hallashtisur me djemtë e vajzat që i përcillnin për në Turqi. Ishte kjo një kohë kur kryetari i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste, në Kosovë, Gjoka Pajkoviq, i thërriste në zyrën e tij dhe i detyronte shqiptarët që ta ndërronin kombësinë.
 
Po sjell vetëm dy shembuj, krahas shumë të tjerëve:
Qytetari, Ejup Safçiu, hyn në zyrën e tij dhe ai urdhëron: “Ti, nga sot je turk!” “Përse, shoku kryetar?” - e pyet qytetari? Sepse flet turqisht në familje. Nga frika e zullumit serb, ai pranon dhe, kur del nga komiteti, u tregon shokëve: “Hyra shqiptar, dola turk!” Pastaj bëhet drejtor i shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë. Pas tij hyn arsimtarja Xhyzide Hasani: “Nga sot je turke”, - i thotë Pajkoviqi. “Përse?” - e pyet arsimtarja. “Sepse flet turqisht”. “Nuk pranoj, pasi unë flas edhe shqip edhe serbokroatisht” - i përgjigjet trimërisht arsimtarja. Kryetari i partisë, i harlisur pas këtij refuzimi, e përzë nga zyra dhe menjëherë përjashtohet nga puna.
Dy fjalë për titullin e librit “Rrathët e Ferrit”: ferri (arabisht: xhehenemi - zjarri), sipas besimeve fetare, është vendi ku shpirtrat e atyre që gjatë jetës kanë bërë mëkate dënohen. Aty sundojnë djajtë, që torturojnë shpirtin e mëkatarit. Dante Aligeri, ferrin e ndante në 9 rrathë, kurse Nijazi Straja për së gjalli i përjetoi vetëm shtatë rrathë, që ia shkallmuan shpirtin, e tretën në mërgatën e mallkuar, por që në jetën e tij nuk deshi asgjë më shumë sesa atdheun.
Lind pyetja, si arriti Straja ta shkruante këtë libër, krahas kokëçarjeve të pambarimta të jetës së mërgimtarit? Malli për atdhe dhe ëndrra për kthim ishin motivi për kujtimet e hidhura. Ishte kohë e rëndë, kur mërgimtari shqiptar ikte nga ngrica e borës në Kosovë dhe gjente dimër në dhe të huaj. Autori Straja, kur flet për personazhet e “Rrathëve të ferrit” duket se ai ka hyrë në lëkurën e tyre, sikur ata të ishin krijuar prej tij, duke i bërë të afërt edhe për lexuesin e çdo moshe.
Gjuha e romanit është lakonike, me plot vërtetësi, duke paraqitur jetën e dhimbshme të mërgimtarit. Është një komunikim plot soditje, si reflektim, si një refren i një metamorfoze të përjetshme, si këngë e dhimbshme, si qenie ndijimi, që frymëzon dhe kërkon rrugë për t’u kthyer në atdhe. I gjithë libri është një monografi e një mërgimtari të ndjekur nga atdheu, nga zullumi i regjimit serbomadh. Është një kujtesë me plot vlera sociale, politike dhe kombëtare të autorit, që kurrë nuk e harroi atdheun. Është një himn i mirësive të autorit, deri te shpirti i tij i papërlyer, që ia detyron popullit të vet e çështjes madhore për çlirimin e Kosovës. Për liri dhe atdhedashuri. Është një jetëshkrim i dhimbshëm i llojit të vet, i mbushur me vullnet e dashuri për atdhe, por, edhe pse i tretur larg, preokupim shpirtëror kishte atdheun, ku serbomadhi vazhdonte vrasjet dhe masakrimet çnjerëzore, fashiste, kundër popullit civil shqiptar.
Të gjitha këto skena të dhimbshme, të viteve ’50 të shekullit XX në Prishtinë, i deshifron autori, kur edhe ai vetë, nga zullumi serb, ia kthen shpinën Prishtinës dhe Kosovës, duke lënë peng përmallimin e heshtur dhe të irnosur me ofshamë zemre.
Stinët e jetës në mërgim janë të rënda, vazhdimisht të veshura me ëndrra të trishta për vendlindjen. Zhgënjimi dhe thirrja shpirtërore dhe ofshama e Nijazi Strajës ishte e madhe, sepse ndahej nga familja. Kur edhe lexuesi bashkohet me autorin dhe mallkon Serbinë fashiste: “Mallkuar qofsh ti Serbi raciste, gjenocidale dhe ju faqezinj, kriminelë barbarë të UDB-së, që po e largoni nga vendlindja këtë njeri paqedashës, që po e futni intelektualin dhe autorin e librit në rrathët e ferrit, pas dënimit me burg të rëndë, që e përballoi si hero, tash po ia hapni një plagë të re në shpirtin e tij, me përmasa shqetësuese, deri në trishtim. Zoti ju mallkoftë përjetë e mot!”
 
NE GABUAM - JU MOS GABONI
 
I mallkuar qoftë ai që merr rrugën e mërgimit, por edhe më i mallkuar qoftë ai që e shkakton mërgimin, thotë autori i librit.
Ne gabuam - ju mos gaboni, thotë Nijazi Straja, në vitin 1995, në një intervistë me gazetaren e gazetës “Zëri”, Burbuqe Rushiti. Në këtë intervistë ai flet për shpërnguljen, për plagët e rënda të mërgimit, për Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin Shqiptar, për burgun, për veprimet propagandistike për Kosovën, për qëndrimet dhe sjelljet e Turqisë, atëherë, ndaj çështjes shqiptare. Një ndër gjërat më të rënda për Nijaziun ishte 7 nëntori i 53-shit, kur u detyrua të shpërngulej në “mërgatën e mallkuar”.
 
 
Nijazi Straja dhe Adem Demaçi, nuk e preferojnë mërgimin në asnjë mënyrë. Fillet e mërgimit autori i gjen në vitin 1953 në Prishtinë, kur nisi konvertimi i shqiptarëve në turq, kur serbët kishin  për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi. Shkrimtarët tanë të njohur, si: Naimi, Samiu, Çajupi e shumë të tjerë, nuk do të ishin aq madhështorë në shkrimet e tyre, po të mos shkruanin për plagën e mërgimit. Edhe pse dhuna ishte shumë e madhe ndaj shqiptarëve, ne bëmë gabim të madh që lëshuam vendlindjen. Braktisja e vendlindjes është një ndër gjërat më të rënda. Vetëm ai që e përjeton këtë, e di peshën e rëndë të saj. Andaj, ne gabuam, por ju mos gaboni, porosit autori.
Adem Demaçi, në veprën e tij “Kur Zoti harron”, apelonte që të mos braktisej Kosova. Ai shkruan: “Jo, unë s’kam shtek që vij mbas jush. Unë ni pulë para dere s’e kam, i vetun jam... diçka po m’ngreh për kit ven, diçka po m’kap për këta lisa të zgoruem, për atë kolibë teme kah rrëzohet... më kap për këto gurina... ma mirë po rrnoj ngat therrave t’mija se midis fiqve t’huej... se kur të des, e di që kësaj toke t’lume s’ka me i ardhë ranë xhenezja jeme, nuk e përbuza kurrë, nuk e lypa ma t’mirë. S’e di ku po shkoni ... kuj po ja leni kit ven? Ni plaku me një kam n’dhe ni mi dhe!?”
Nijazi Straja, njëri nga bashkëpunëtorët aktivë të Adem Demaçit, veproi për çlirimin e Kosovës. Ky me shokët e tij, asnjëherë nuk mendoi se kishte ardhur fundi. E dinte se humbja e pasurisë mund të kompensohej, por një e keqe e madhe, që s’ka shërim e që nuk duhet të lejohet është që populli t’i ngrejë duart, të dorëzohet dhe të thotë mbarova. Këta njerëz, të burgosurit politikë, në historinë e re të Kosovës, u liruan nga inferioriteti, morën guximin t’u thonë jo padrejtësive fashiste të Serbisë, luftuan për fjalën e lirë shqip, ishin liridashës e paqedashës, hoqën maskat e robërisë së popullit shqiptar. Ishin kundër aritmisë shoqërore në Kosovë, kur 95% shqiptarë ishte pakicë kombëtare, kurse 5% serbë ishte shumicë sunduese. Të burgosurit politikë, ngritën zërin kundër këtij xhahil pushtuesit serb, përhapën guximin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe mbollën farën e lirisë. Nderimi për ta është nderim për historinë dhe për kulturën tonë të jetesës.
Pas LDB-së, në vitin 1945, në Evropë, vetëm Kosova mbeti e okupuar nga Serbia, e cila në dekadën e fundit të shek. XX, ngjalli filozofinë mesjetare kishtare dhe ndoqi me dhunë afër një milion shqiptar nga trojet e veta..
Aktualisht, Evropa plakë, po përpiqet, por shumë ngadalë, ta ruajë dhe ta mbrojë pjesën e fundit të trungut trashëgimor iliro-dardan në Kosovë, që përfundimisht të dalë në dritën e diellit, pas shumë shekujve nga okupimi i egër dhe Kosova të luajë rol aktiv paqësor e bashkëpunues.
Nijazi Straja ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare dhe u varros në Stamboll. Pas vetes la gruan Nedimen, djalin Arbenin dhe vajzat Arijetën dhe Ajdanen. Veprimtaria e tij, bashkë me shokët, me në krye Adem Demaçin, nuk guxon të harrohet. Sepse, Nijazi Straja ishte dhe mbetet, shembull i atdhedashurisë.
 
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version