Intervistë me shkas me Dr. Dr. Halil Krasniqin, kirurg vaskular në Helios Klinikum Pforzheim, Gjermani
Intervistoi Blinera Gashi
Doktor, çka është Coronavirusi?
Korona ka marrë emrin sipas formës karakteristike të kurorës. Rrjedh nga latinishtja: “corona” - kurorë. Coronavirusi është pjesëtar i familjes së RNA Vireve, i cili ka aftësinë të infektojë njerëzit dhe shtazët dhe atakon posaçërisht organet e frymëmarrjes. Ky virus është mutacion i SARS, nga epidemia e të cilit vdiqën 774 njerëz në vitin 2002 dhe 2003, dhe i MERS (Middle East Respiratory Syndrome). Gjithashtu, Coronavirusi është në gjendje të ndryshojë (të krijojë mutacion).
Sipas organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) thuhet se gripi vret 290,000 deri në 650,000 njerëz në vit (mesatarja mujore 25.000-50.000). Nëse e bëjmë një krahasim me numrin e vdekshmërisë nga Coronavirusi (rreth 4000 për 2 muaj), a mund të themi se jemi duke u ballafaquar me një virus të zakonshëm apo Coronavirusi është më agresiv?
Vdekshmëria nga gripi përmban vetëm 0,1% të të infektuarve. Nga përvoja dhe studimet shkencore, jemi të sigurt se Coronavirusi nuk krahasohet me influencën apo gripin sezonal. Infeksioni me virusin e ri është aktual nga dhjetori 2019 dhe ende nuk mund të krahasohet me infeksione të tjera. Deri më sot (19.03.2020), kemi 236,684 të infektuar dhe 9,818 të vdekur. Ky është ende fillimi.
Coronavirusi posedon dy Variante - “Tipi L”, i cili është shumë agresiv dhe vdekjeprurës (aktualisht në Itali, Zvicër, Austri, Gjermani), dhe “Tipi S”, më i butë dhe jo i dëmshëm, me tiparet e një gripi. Nga disa publikime shkencore në Kinë kuptuam se Virusi i ri ka si pasojë sterilizimin e meshkujve.
A ekziston ndonjë formë e neutralizimit të virusit?
Një neutralizim adekuat i Coronavirus SARS-CoV-2 me bazë shkencore, nuk ka. Në tërë botën janë duke punuar shkencëtarët në zbulimin dhe kombinimin e medikamenteve për trajtim antidotë të virusit, por nga përbërja e komplikuar e tij, edhe pse është izoluar virusi dhe ka mjaft zbulime e prova në trajtim, ende nuk kemi rezultate të sigurta dhe 100%. Disa kolegë përdorin edhe terapinë e HIV-it për trajtim të Infeksionit, sikur shkencëtarët në Tajlandë, të cilët përmirësuan dukshëm gjendjen shëndetësore të një femre të infektuar. Këta transfunduan Coctail-Medikamente, të kombinuara me ato të gripit Oseltamivir dhe terapinë antivirale të HIV Lopinavir dhe Ritonavir. Në Itali, në trajtim përdoret “Tocilizumab”, medikament ky për trajtim të sëmundjeve reumatike, që kushton rreth 5000 Euro.
Personat e prekur nga ky virus, a mund ta tejkalojnë ‘gripin’ në kushte shtëpiake, nëse nuk kanë komplikime serioze?
Gripi dhe infeksioni me Coronavirus është kombinim i mundur dhe i vështirë, të cilin e kemi përjetuar. Nëse simptomat janë të lehta dhe frymëmarrja nuk keqësohet, nuk shfaqen ndryshime fibrotike në mushkëri dhe pacienti është nën moshën 60-vjeçare, pa sëmundje të tjera, mund të rrezikojë dhe të trajtohet në shtëpi. Këta duhet të kenë kujdes, se mushkëritë mund të bllokohen brenda dy orësh.
Cilat janë simptomat e COVID-19?
Simptomat kryesore të COVID 19 janë: Temperatura, kollitja, vështirësi në frymëmarrje, me ndërprerje të saj, dhimbje muskulature dhe kyçesh (artikulacionesh), humbje e nuhatjes dhe shijes, dhimbje koke, dhimbje gryke/fyti, mundim dhe vjellje, mbyllje të hundës dhe rrjedhje të saj, shkuarje barku.
Cilat organe i atakon ky virus?
Nga infeksioni me COVID19 janë të përfshira kryesisht organet e frymëmarrjes – mushkëritë, veshkat dhe më në fund dështimi i multiorganeve.
Cilat janë medikamentet me të cilat trajtohen personat e sëmurë nga coronavirusi në Gjermani?
Pasi ne kemi një numër të madh pacientesh me infekcion dhe numri i tyre është në rritje, kemi edhe konsumim të madh medikamentesh. Ne trajtojm simptomet (temperaturën: Paracetamol tab., = perfalgam i.v,, dhimbjet: Ibuprofen, Diclo, =Novalgin,= Tramal) dhe në rastet e komplikuara edhe sedacion me Intubim.
Studimet e Universitetit në Austri – Vjenë, treguan se Ibuprofeni nuk shpejton apo ndihmon përhapjen e virusit. Rrjedhja e sëmundjes është e lehtë, e rëndë, e rëndë me frymëmarrje artificiale dhe e rëndë me intubacion. Këtu përdorim pastaj të gjitha medikamentet të cilat mendojmë se sjellin efekt trajtues.
• Aminopenicillin + BLI + Makrolid (5-7 ditë)
• O2 Terapi nëse PaO2 < 65 mmHg ose SaO2 < 90
• Prednisolonterapi, Steroidterapi vetëm kur ka indikacion për Komorbiditet
•
• Hydroxychloroquin sulfat (Quensyl®)
• Dita 1: 200 mg: 2-0-2 (loading dose) , Dita 2-5: 200 mg: 1-0-1
•
• Lopinavir / Ritonavir (Kaletra®)
• për 14 ditë: 400/100 mg: 1-0-1
Pas infeksionit, sa ditë zgjat gjendja viroze e individit?
Pas infeksionit deri te shfaqja e simptomave zgjat deri në 24 ditë, por gjendja viroze është tërë kohën e sëmundjes aktive dhe mund të zgjasë deri në 30 ditë.
Ky virus i atakon të gjitha moshat, por cila kategori e njerëzve është më e rrezikuara?
Me Coronavirusin mund të infektohen të gjitha moshat, njerëzit dhe shtazët. Personat mbi moshën 60-vjeçare dhe personat e sëmurë nga mushkëritë (bronkiti, COPD, sëmundjet kronike të mushkërive, operacione në mushkëri), nga zemra, diabeti, dializa, janë të rrezikuar edhe me përfundim letal.
Tani ne kemi pranuar se Inkubacioni (periudha kohore nga infeksioni deri te shfaqja e simptomave), është deri në 24 ditë. Në këtë kohë personi i cili është i infektuar mund të infektojë të tjerët, edhe pse vetë nuk ka simptoma dhe nuk e di se është i infektuar. Disa persona me imunitet të fortë mund ta kalojnë tërë infeksionin, por të mos kenë simptoma fare. Meshkujt janë 3 herë më të atakuar sesa femrat. Fëmijët janë gjithashtu shumë pak të prekur nga infeksioni.
Si të mbrohemi nga virusi, cilat vitamina duhet konsumuar?
Së pari, është shumë e rëndësishme të shmangim kontaktin trupor dhe tubimet njerëzore, duke mos e prekur fytyrën me duar kurrsesi. Duhet pastruar duart disa herë në ditë me sapun, dhe duhet dezinfektuar gjithsesi. Të përdoren maska për mbrojtje të gojës dhe hundës, së paku maska FFP2 dhe syze për mbrojtje të syve, sepse edhe aty depërton virusi.Duhet marrë Vitamina C me doza të larta, Vitaminë D, në kombinim me Vitaminën K3, por përforcim të imunitetit sjellin edhe Vitamina B12 dhe Acidi Folik, në formë injeksioni apo tablete ose pluhur. Limoni duhet të përdoret më tepër se zakonisht në të gjitha ushqimet dhe pijet.
Si ta forcojmë sistemin imunitar për të shmangur ftohjet dhe Coronavirusin, veçanërisht personat mbi moshën 65-vjeçare?
Imuniteti forcohet nga ushqimi i rregullt, i cili përmban vitamina të shumta (pemë, perime, sallatë). Marrja e vitaminave plotësuese (Vit. C, B12, Bkomplex; D, K, Zink), Konsumimi i çajit me xhenxhefil, limon.
Si ndikojnë viruset në sistemin tonë vaskular?
Viruset mund ta dëmtojnë sistemin vaskular me infeksione vijuese dhe kronike, por Coronavirusi më tepër dëmton organet sesa sistemin vaskular. Nga infeksioni shkaktohet takikardia, që i acaron arteriet me qarkullim të shpejt të gjakut, por në fazën e shkurtër të infeksionit nuk ndikon shumë.
Viruset i takojnë kryesisht periudhës së dimrit, a do të thotë se me ngrohjen e motit, do t’i vijë fundi i Coronavirusit?
Ne shpresojmë se temperaturat e larta, në krahasim me këto momentale, do ta dobësojnë Coronavirusin, por shumë shkencëtarë dhe virologë nuk janë të sigurt. Sipas përvojës me viruset sezonale në temperatura të larta asgjësohen, por qëndrueshmëria e virusit Corona ende nuk është studiuar sa duhet dhe mbetet të presim. E sigurt është se COVID19 do të na shoqërojë edhe në vitet e ardhshme.
Në disa debate televizive për shembull në BBC dhe CNN, disa ekspert shëndetësorë thonë se koronavirusi është krijuar në laborator, të tjerët e kundërshtojnë këtë ide. Ju, ku e bazoni mendimin tuaj kur thoni se Coronavirusi është krijuar në laborator në Wuhan?
Tanimë kemi të dhëna shkencore nga shumë studijues mjekësor nga tërë bota se Coronavirusi ka një përmbajtje virale të komplikuar, ngase në vete përmban disa sekuenca të veçanta dhe një mori grimca të shtazëve. Në metropol të Wuhanit gjendet laboratori biologjik me një nivel të lartë të sigurisë (P4), i katërti në botë. Në atë laborator studiohen viruset SARS dhe CORONA. Laboratori është shumë afër tregut të shtazëve dhe shpezëve ku ka mbi 600 tryeza dhe mbi 1600 shitës.
Për prejardhjen e Sars-CoV2, kemi disa hipoteza. Është shumë e mundur se kultivimi i tij është bërë nga shkenctarët e vendeve të fuqishme jo kineze. Ekzistojnë të dhëna shkencore dhe politike të transmetuara nga burimet e sigurta gjermane dhe kineze. Për Coronavirusin disponohet një patent para 2 vitesh për zbulimin e një vaksine kundër bronhitit kronik. Fatkeqësisht, me qëllim apo pa qëllim, ka depertuar ky virus nga laboratori në hapsirën natyrale dhe ne kemi tani pasojat të cilat i përjeton çdonjëri nga ne.
Nëse virusi është krijuar në laborator nga shkenctarët kinez, si nuk po arrijnë shkenctarët nga mbarë bota ta ndalojnë atë?
Sars-CoV2 nuk është kultivuar nga shkenctarët kinez. Ngase virusi ka një përmbajtje të komplikuar, andaj nuk është shkenctarisht e lehtë apo e mundur të prodhohet në shpejtësi një antidot, vaksinë apo terapi adekuate. Patjetër se do të ketë edhe për Coronavirusin një shërim, vaksinë apo terapi, por kur të arrijë koha e duhur.
Në situatën e krijuar, shumë njerëz janë në ankth dhe të stresuar. Si duhet ta menaxhojmë panikun?
Në radhë të parë, duhet të kemi kujdes të veçantë, t’u besojmë vetëm informacioneve të sakta dhe jo atyre mashtruese. Mos të besojmë çdo gjë që e dëgjojmë dhe e lexojmë. Infeksioni me virus është vdekjeprurës vetëm në një përqindje shumë të vogël dhe te personat e moshuar e me shumë sëmundje.Kjo epidemi do të kalojë shumë shpejt, ngase janë duke u bërë përgatitjet që të trajtohet së shpejti me medikamente adekuate.
Të kujdesemi për familjen dhe ta planifikojmë tërë kohën, pasi të kalojë kjo fazë, se si do të veprojmë më ndryshe se deri më tani, të planifikojmë pushimet e verës ku do t’i kalojmë, ndonjë renovim shtëpie dhe të shfrytëzojmë këtë kohë duke u marrë me plane të ardhmërisë.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.