Shkruan Ajshe Krasniqi
Kostumi tepër kompleks tradicional i femrave shqiptare nga fshatrat e Medvegjës, që është ruajtur me besnikëri dhe vazhdon të jetë aktual edhe sot, përfaqëson trashëgiminë kulturore autentike dardane. Konsiderohet të jetë veshja më tipike aristokrate e hapësirave mbretërore, që nga mbretëria dardane, ajo bizantine, e deri në shekullin XXI.
Kjo veshje, dhe shumë tradita të tjera shqiptare, janë ruajtur në kulturën e popullatës autoktone arbërore të rajoneve të Medvegjës, duke e avancuar më tutje artin tradicional popullor dardan, për të mos u zhdukur nga pushtimet e huaja ndër mote. Estetika e veshjes tradicionale e femrave shqiptare në rajonin e Medvegjës sot, në përgjithësi, përfaqëson trashëgiminë kulturore autentike të popullatës shqiptare në Malësinë e Gallapit. Motivet zbukuruese në këtë veshje shfaqen në forma të ndryshme dhe janë pjesët më artistike që realizohen mbi pëlhurë, me traditën dhe frymëzimin, bartur brez pas brezi te femra shqiptare e këtij rajoni.
Veshja tradicionale paraqet lashtësinë e një treve dhe pasqyron historinë e saj të lashtë. Trashëgimia kulturore, me traditat e saj, paraqet trevën dhe ekzistencën e saj. Nga begatia e veshjeve popullore të një treve, në përgjithësi, themi se vajzat shqiptare të komunës së Medvegjës mbanin shami e këmishë të bardhë dhe çorape të bardha, kurse dimrit edhe mitanin me ngjyrë të zezë. Nuset dhe gratë e reja mbanin shami me lule, dimi me lara, këmishë të qëndisur ose të bardhë, xhemper të kuq dhe çorape me rrema. Gratë e moshuara mbanin shami xhyveze (të purpurt), këmishë të bardhë, kurse dimrit xhemperë dhe çorape me ngjyrë të zezë.
Karakteristikë është se tek asnjë popull tjetër nuk shprehet në veshje ngjyra e bardhë dhe ajo e zezë si te shqiptarët. Ngjyra e bardhë te veshja e shqiptarëve shprehte pastërtinë, shkëlqimin, autoritetin shpirtëror dhe çdo gjë tjetër që simbolizon vetitë pozitive. Përmes ngjyrës së zezë tregohej e kundërta. Këto treva shqiptare, duke qenë më parë të pandara, kishin marrëdhënie të ndërsjella në shumë pikëpamje me trevat e tjera etnike shqiptare, e sidomos tipare të përbashkëta kishin me trevën e Llapit e të Gallapit. Veshja e shqiptarëve të Toplicës kishte pak ndryshime me veshjen e shqiptarëve në rrethinën e Vranjës. Përparësja apo pështjellaku, që mbahej mbi këmisha-fustanella të gjata, që punoheshin prej liri dhe dimi që punoheshin prej leshi, e më vonë edhe prej pambuku, lidhej për beli me një tojë (ushkur). Është me rëndësi të dihet se dimitë prej pambuku në fshatrat shqiptare të kësaj ane kanë hyrë në përdorim diku nga fillimi i shekullit XX. Veshja e vajzës, që shkonte nuse, ishte e veçantë. Të gjitha këto veshje krijonin pamje-imazhe magjepsëse. Ato ishin punuar për vite e shekuj, ndërsa karakteristikë e veçantë dalluese ishte punimi i dorës me përpikëri, pastaj mënyra e prerje-qepjes, si dhe dizajnimi me stil të veçantë. Kjo komunë ka një territor prej 524 km2. Medvegja përbëhet nga 44 vendbanime, dy prej të cilave janë vendbanime urbane, si: Medvegja dhe Banja e Sijarinës.
Zakonet martesore: Ditën e parë, vajza që shkonte nuse, kur bëhej me vaj, vishte dimi, përparëse e anteri (triko) të zeza, çorape lulëkuqe dhe shami bojëgjake. Ditën e dytë, vishte dimi dhe shami xhyveze, çorape me harqe, përparëse me kerçe vertikalisht, këmishë me rruaza, shokë me rruaza, kushak me penezë, jelekë me gajtanë, shami bojëgjake me një tufë të vënë përmbi. Ditën e fundit, vishte dimi lahori, çorape të bardha, peshqir me penez, përparëse me vija të verdha, kapuç me rruaza dhe me para, një lirë në ballë, katër bistekë i lëshonte për shpine dhe nga disa blej flokësh, që në këto treva quheshin shive, i lëshonte për faqe dhe vellon, vënë për kryq me tri lule në majë. Kësaj renditjeje, sidomos te veshja e vajzës, që shkonte nuse, i janë përmbajtur në mënyrë shumë rigoroze. Me një rigorozitet, edhe Bafti Krasniqi, në dorëshkrimet që la pas vetes, e përshkruan shumë me saktësi këtë vlerë kombëtare. Te meshkujt, në veshjen e burrave, plisi i bardhë ishte pjesë e kostumeve dhe simbol i pamungueshëm, i cili rroi dhe do të rrojë edhe më tutje. Te veshja e burrave janë disa karakteristika, si, fjala vjen, në ato anë, tirqit që kishin ngjyrë kafeje me gajtanë të zinj. Tipike dhe që ruhet më së miri, është veshja e burrave në Gjakovë, sepse shumë banorë nga ato anë e mbajtën këtë veshje në qytet.
Në fshatrat e Medvegjës e kanë ruajtur koloritin e ngjyrave mjaft mirë dhe kjo është bartur brez pas brezi. Veshje të ngjashme me ato të burrave në trevat e Medvegjës, i kanë edhe Vushtrria, Llapi e Gallapi. Prej shekullit XX burrat kanë mbajtur qostekë të orës dhe çanta për orë xhepi. Vlen të përmendet gjithashtu qelibari dhe kutia e duhanit, që ishin karakteristikë e burrave me nam në ato anë.
Të gjitha këto që janë cekur, ngërthejnë në vete një dëshmi argumentuese të trashëgimisë kulturore, që kanë rëndësi të madhe për historinë tonë kombëtare, zakonet dhe ekzistencën e shqiptarëve në këtë trevë. Trashëgimia kulturore e mban të gjallë një komb dhe përmes shkrimeve e fotove të kohëve të caktuara, paraqitet evoluimi i kulturës në trojet tona. Rruazat, syri i kaltër, lidhen me mitologjinë, kinse mbrojtje nga “syri i keq”, e gjithashtu disa nga këto elemente i hasim edhe në Mesjetë e edhe tek ilirët, gjë që e dëshmon lashtësinë tonë si popull autokton.
Ornamentet e qëndisura në veshje kanë lidhshmëri me objekte të ndryshme, pastaj lidhen edhe me mitologjinë tonë kombëtare. Trashëgimia kulturore është e lidhur ngushtë edhe me trashëgiminë shpirtërore dhe që të dyja bashkë na japin faktografi rreth origjinës sonë të lashtë kombëtare. Veshjet përmbajnë një art të veçantë në vete dhe me kolorit ngjyrash na e bëjnë të ditur se mprehtësia artistike ekzistonte qysh herët në këto treva. Kultura dhe gjuha janë e ardhmja, të lidhura ngushtë me fatin e një populli.
E rëndësishme është të ceket se kultura dhe tradita shqiptare në tërë botën është e njëjtë, në sjelljet dhe interesin për t’u informuar pa fund për të tjerët.
Kështu që nga pranimi i pacientëve shqiptarë në klinikë, ata më pyesin se nga vij unë, nga vijnë prindërit e mi, ku jam rritur, e kështu me radhë, kurse unë u përgjigjem me kënaqësi të gjitha pyetjeve të tyre. Në vend që unë të marr anamnezën e tyre, ata e marrin timen, madje të hollësishme. Unë nuk hezitoj të flas për prejardhjen time medvegjase.
Nganjëherë, për sëmundjen dhe shërimin psikologjik të pacientëve tanë, biseda dhe shkëmbimi para mjekimit klinik ka shumë rëndësi në suksesin e trajtimit në përgjithësi. Gjatë kësaj bisede pacientët janë më të lirë të flasin rreth sëmundjes së tyre, këtu fillon edhe krijimi i besimit te mjeku, sepse biseda e lirë ka efekt të madh psikoterapeutik, e kjo edhe shkencërisht është e vërtetuar. Është shumë e rëndësishme të përmendim se në Klinikën tonë drejtohen pacientë bashkatdhetarë me telashe të diferencuara shëndetësore, si ato psikologjike, kirurgjike, interniste, vaskulare, gjinekologjike, kanceroze dhe të tjera. Gjatë pritjes në paradhomë, por edhe në dhomat funksionale dhe në takim me mjekun, pacienti pasurohet me njohuri të rëndësishme për shëndetin, sëmundjen dhe mënyrën e trajtimit të tij.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.