Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Aktoret që meritojnë një mbrëmje përkujtimore
KOHË HARRESE...
Aktoret që meritojnë një mbrëmje përkujtimore
Me vite përpiqem të jem klithje e një kujtese të harruar, të asaj gjenerate krijuesish që bënë hapat e parë në krijimtarinë artistike në vendin tonë, e që janë të harruar padrejtësisht. Provoj që të prek në ndërgjegjen e njerëzve, të ulur në kolltukët e ardhmërisë, që të mos mbetet në harresë e kaluara e shpirtit të këtij populli.

Antigona Qena Kaçaniku

Çka duhet bërë që të kemi vlerësim të pastër të mendjes, të djersës së punës, të dinjitetit personal e kolektiv?
Pyetje së cilës nuk mund t’i përgjigjem unë, por mund t’jua kujtoj disa nga ata krijues, si dëshmi e vlerave që kishim, si pasuri e historikut tonë kulturor. Këtë radhë, desha t’i kujtoja aktoret e  para të Teatrit Kombëtar, dikur Krahinor, të Prishtinës. Sa herë që vjen tetori, kur është data e ditëlindjes së nënës sime, aktores Melihate Ajeti, me nostalgji kthej nga kujtesa fëmijërinë time, të kaluar në botën magjike e përrallore të Teatrit, meqë aty punonin prindërit e mi, të gjithë aktorët i ndieja si familjen time, po ata vërtet ishin si një familje, që krijonin së bashku shfaqje të mrekullueshme, të shikuara e të pëlqyera nga publiku në mbarë Kosovën e më gjerë. Isha e vogël kur i dëgjoja aktorët se si i kujtonin ndodhitë, nga ato fillimet e para të viteve `50, se sa e sa herë, në turnetë e tyre nëpër Kosovë, kur shkonin nëpër fshatrat edhe në ato më të largëtat, që ta vetëdijesonin popullin për artin teatror, për bukurinë e fjalës, të lojës, lëvizjes, muzikës, fotografisë e skenës, se si shpeshherë biletat bliheshin në këmbim me vezë e pulë, apo ndonjë copë fli, pite apo bukë misri, dhe jo pak herë, drama serioze duhej të ndërpritej nga kërkesa e publikut, e të kërcehej shota, zakonisht nga Muharremi e Meli, kurse Shaban Domi të lozte me fyell madje nga hunda, përderisa të tjerët, me instrumente të improvizuara, të bënin muzikë, por me durim e kohë.  Kjo plejadë krijuesish, këta ARTISTË, arritën që ta përvetësonin publikun, i cili filloi ta shijonte fjalën në skenë, lojën e aktorëve, Shekspirin, Molierin, Shilerin, Stërmillin, Frashërin, Relën, Çamin etj. Shfaqje të panumërta, shfaqje të mrekullueshme, të mbetura përherë në zemrat e shikuesve dhe mu nga ai publik, të pasuruar me njohuri, shije e frymëzim, dolën shkrimtarët e mëdhenj të kësaj treve, politikanët e dikurshëm, po edhe këta të sotmit, që i harruan aktorët e parë.

Respekti për aktrimin e dikurshëm skenik
Dhe ja pse dua t’ju kujtoj aktoret e para, të cilat në një kohë, jo edhe aq të lehtë për të qenë aktore, morën guximin për ta jetësuar ëndrrën, pavarësisht nga paragjykimet e problemet, ndër më të ndryshmet, arritën të fitonin respektin për aktrimin e artin skenik. Cila më shumë e cila më pak, cila me role kryesore, cila me dytësore, por gjithnjë duke frymuar si një, komunikuan me publikun dhe publiku, ky popull, u lidh me to, përmes pasurisë shpirtërore, të shprehur në rolet e mishëruara me femrat tragjike, të përvuajtura, krenare, besnike, madhështore, të rëna fli për një të nesërme më të mirë, për gjeneratat që do të vijnë, role në dërrasat e jetës, me klithje, vuajtje e lot, për ta shpërndarë kulturën, traditën, gjuhën dhe vlerat tona shqiptare. Për secilën veç e veç, mund të shkruhet nga një kaptinë romani, por unë vetëm po i përmend, në shenjë respekti, në këtë dyluftim me harresën.

* Meribane Shala, në Teatrin Popullor Krahinor punoi nga viti 1948-1956.
* Katarina Josipi, nga viti 1948-1969.
* Hyrije Hana nga viti 1948-1957, ishte edhe spikere e parë në Radio Prishtinë.
* Nexhmije Pagarusha, nga 1949-1953, pastaj këngëtare në Radio Prishtinë.
* Vera Balaj, nga viti 1950-1960, pastaj këngëtare në Radio Prishtinë.
* Meserete Çavolli, nga viti 1949-1954.
* Melihate Ajeti, nga viti 1951 deri në pensionim, aktorja që luajti më së shumti role, mbi 180 sosh.
* Mysherefe Preka, nga viti 1951 deri në 1959, pastaj në Teatrin e Shkupit, deri në pensionim.
* Adelaide Sopi, nga 1951-1971
* Naxhije Deva, nga viti 1952 deri në pensionim, ishte edhe regjisore e parë femër në Teatrin e Mitrovicës.
* Belgjyzare Fejza, nga viti 1952 - deri në pensionim.
* Leze Spaqi Qena, në Teatrin Krahinor të Prishtinës punësohet me 1954 deri në pensionim.
* Hazbije Kovaçi, nga 1955-1958.

Pra, këto ishin të parat, që thyen akullin, në kohë jashtëzakonisht të vështira, të një Kosove patriarkale, sapo të dalë nga varfëria, analfabetizmi, lufta. I gjithë ansambli, punonin e krijonin me dashuri e disiplinë të jashtëzakonshme ndaj punës, artit dhe vendit, e lartësuan me prezantime bravuroze kulturën e gjuhës shqipe, fituan çmime nëpër festivale, ku nuk dinin se ekziston Kosova, e le më gjuha shqipe, e aq me pak trupa brilante e Teatrit të Prishtinës. Me flijime trasuan rrugë për aktoret e reja, që erdhën pastaj në numër më të madh.

Aktoret që ngrohën zemrat me mrekulli

Meqë lanë gjurmë aq me vlerë në historikun e krijimtarisë kulturore, është rregull, civilizim, diçka që meritojmë edhe ne si popull, të dëshmojmë se kemi traditë, që t’i kujtojmë e të mos i harrojmë, së paku përmes një mbrëmjeje përkujtimore, në Teatrin Kombëtarë, në dërrasat e rinisë, të jetës dhe sukseseve të tyre, ku do t’i kujtonin aktorët e gjeneratave të shkuara, kolegët e tyre më të rinj, ku do të ekspozoheshin fotografitë e shfaqjeve të vjetra, xhirimet, kostumet, kujtimet e falënderimet, për artistët që me magjinë e tyre ngrohën zemrat me mrekulli. Njeriu mund të vuajë, gjatë të vuajë dhe të mos durojë më, mund të jetë plagë, që e djeg veten dhe të tjerët, mund të jetë me mburrje, krenar, kokëfortë, i qëndrueshëm dhe të mos durojë më, por pas tij, duhet mbetur madhështia, ajo e pastra, e gufuar nga dëshira për të vërtetën, ngase arti, krijimet artistike, që të prekin në shpirt, janë i vetmi komunikim i vërtetë mes njerëzimit. Por..., si duket këtu vazhdon të jetë kohë e harresës...

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version