Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Ikona e pakrahasueshme e skenës operistike botërore

Këngëtari legjendar dhe interpretuesi brilant, Saimir Pirgu, tenori më i suksesshëm shqiptar i operës në botë, shquhet për cilësinë bindëse të zërit të tij të bukur, personalitetin e fuqishëm dhe diapazonin e jashtëzakonshëm artistik, i cili gjatë karrierës së tij arriti të këndojë përkrah mjeshtrit të madh, Pavarotti, të martën, më 10 Dhjetor 2024, për herë të parë performoi në koncertin Gala, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë. 

 

 

Shkruan Blerina Gashi

Djali nga Elbasani ishte vetëm 20 vjeç kur në vitin 2001 nisi për herë të parë rrugëtimin e tij në botën e operës dhe që nga ajo kohë, mbi dy dekada, arriti të performojë në skenat më prestigjioze, përkrah personaliteteve më të njohura artistike në botë. ‘Fakti që jam shqiptar më ka ndihmuar shumë në identifikimin tim si artist. Shpeshherë nëpër botë e kanë të vështirë të mbajnë mend emrin me herën e parë, por të gjithë e kanë të fiksuar The Albanian Tenor. Ky identifikim në njëfarë mënyre më ka bërë ambasador arti pa mandat, e me kënaqësi të madhe e them “Jam krenar që jam Shqiptar”, thotë Saimiri, i cili ndjen kënaqësi të pabesueshme për përvojat e tij të këndimit.
I lindur në një familje të thjeshtë qytetare, siç thotë jabanxhinjësh, në Elbasan, aty ku përfundoi shkollën fillore dhe një vit të shkollës së mesme, në liceun ‘Onufri’, më pas për t’u transferuar me familjen në Tiranë në vitin 1997, ku studioi në Liceun artistik ‘Jordan Misja’, prej nga u zhvendos në shtetin fqinj, sfidat për te nuk ishin të pakta. ‘Vështirësitë kanë qenë të shumta, por shumë të ngjashme me ato të bashkatdhetarëve të mi në atë kohë. Nuk ishte e lehtë në ato vite të ballafaqoheshe me problemet e përditshme ekonomike, por gjithsesi mund t’ju them se ato vështirësi, të hasura në ato vite e më vonë në Itali, kanë qenë, si të them, një provë e mirë durimi e mësim që më ka vyer shumë këtyre viteve. Falë atyre viteve, sot kuptoj shumë gjëra, që mbase në pozicionin që ndodhem tani, nuk kanë të njëjtën vlerë’, thotë djali nga Shqipëria e mesme, i cili sjell në kujtesë vitet më të vështira e njëkohësisht më të bukura të jetës së tij, i cili konsideron se sfida më e madhe nuk ishte studimi apo vështirësitë ekonomike në Itali, por paragjykimet për shqiptarët, të cilat ishin, vërtet, të shumta gjatë atyre viteve, ku mbijetesa nuk ishte e kollajshme, por siç thotë ai, çdo njeri korr atë që mbjell në jetë.

Përkundër rrethanave, studenti i shkëlqyer shqiptar ecte me shpejtësi në jetë. Në Itali, në shtetin ku kishte vendosur të studionte, u tregua tejet i suksesshëm, madje në një kohë rekord prej dy vitesh arriti të përfundonte studimet, të cilat zgjasin pesë vjet. ‘Në rradhë të parë familja, në ato kohë ishim vërtet keq ekonomikisht, e prindërit nuk kishin mundësi të më ndihmonin. Kështu isha i detyruar të studioja më shumë, për të mos i rënduar edhe për gjërat më të vogla prindërit. Nuk kam dashur kurrë të bëhesha peshë për ta. Por, falë Zotit dhe fatit, edhe u punësova si pjatalarës në një kuzhinë, kështu arrija të mbaja veten e të mos u kërkoja asgjë atyre. Por, kjo situatë zgjati vetëm një vit e pak muaj, sepse më 2002 do të fitoja dy konkurse internacionale ‘Caruso’ e ‘Tito Schippa’, që ndryshuan krejtësisht jetën time’, rrëfen Pirgu, i cili gjatë kësaj periudhe nis të marrë pjesë në koncerte, rezultoi i suksesshëm dhe që atëherë, me përkushtim të palodhur, arrin të kapërcejë sfidat dhe të triumfojë në skenat më prestigjioze, duke u bërë një nga tenorët më të famshëm në planet.
Por, në rrugëtimin profesional, edhe pse nuk ka munguar përballja me zilinë njerëzore, fillimi historik i tenorit me sukses të jashtëzakonshëm është tejet mbresëlënës. ‘Xhelozitë në këtë zanat janë më të shpeshta se në çdo zanat tjetër. Kuptohet që për një italian nuk është e kollajshme të përkrahë një artist të huaj, i cili vjen të këndojë nëpër teatrot italiane dhe të korrë edhe sukses! Debutimi im i parë me mjeshtrin e madh, Claudio Abbado, më dha shumë jehonë në ambientet operistike internacionale, dhe në atë pozicion, xhelozitë rrëzoheshin dhe përgjegjësinë e merrte emri i rëndësishëm i mjeshtrit të madh, që më kishte besuar një rol të rëndësishëm në një moshë fare të re. Veç këtij fakti, kam qenë nxënës, mik, e më pas koleg me mjeshtrin e madh, Pavarottin. E kam njohur rastësisht, por mbas takimit tonë të parë, ai ka dashur gjithmonë të interesohet e të kujdeset për zhvillimin tim vokal. Besonte se unë një ditë do të bëhesha dikush. Dhe çuditërisht, çka ai shikonte te një student 20-vjeçar në ato kohë, sot është bërë realitet. Nëse ekziston fati si besim, për mua kjo ka qenë surpriza më e bukur e jetës sime. Të kem njohur mjeshtrin më të madh të kohëve, idhullin tim - Pavarottin’, rrëfen Pirgu, i cili gjatë karrierës së tij arriti të rreshtohej me këngëtarët më të njohur të operës në botë, ndër të cilët poashtu veçon Domingon dhe Carreras, për të cilët, siç thotë, së bashku me Pavarottin janë historia e artit operistik të shekullit XX.

Në këtë kontekst, një ofertë nga legjenda e Holivudit, Woody Allen, konsiderohet të jetë përvoja më e përsosur e karrierës së tij. ‘Ai ka arritur të ndryshonte një operë e ta bënte teatër. Vetëm një mjeshtër i madh ka atë aftësi të bëjë që të recitojnë si në filma këngëtarët operistikë. Fantazi, eksperiencë madhështore për mua’, thotë Saimiri, i cili në përditshmërinë e tij dëgjon të gjitha llojet e muzikës, si dhe interesohet të dëgjojë tenorët historikë si dhe bashkëkohorë, ndërsa konsideron se një nga performancat e tij domethënëse në karrierën e tij është Opera Idomeneo e Mozartit, me dirigjentin e madh Nicolaus Hononcourt. Por kur kthehet në kohë, suksesi i arritur vite më parë në operën mbretërore të Londrës, ku interpretoi operën Traviata të Verdit së bashku me sopranon shqiptare, Ermonela Jaho, kjo ngjarje mbetet një nga përvojat e paharruar në jetën e tij. ‘Një eksperiencë emocionale me dy shqiptarë në rolet kryesore për herë të parë në historinë e Royal Operës në Londër, ka qenë një ëndërr e bukur, që u mirëprit nga mediet dhe nga publiku, me ovacione të mëdha. Shqiptarët në ‘Royal Opera House’ në Londër ishte lajm i rrallë për Londrën aristokrate’, thotë artisti që me të drejtë meriton epitetin e ambasadorit shqiptar në botë, që përfaqëson denjësisht Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo që ndodhen, ngase siç thotë në takimet e shpeshta, jo rrallë flet edhe për Kosovës. ‘Flas, vërtet, shumë, shumë, nuk arrij dot ta besoj në mendjen time këtë komb në dy pjesë’, konfirmon Saimiri, i cili gjatë gjithë kohës është në lëvizje, me turne në kryeqytetet më të rëndësishme të botës.

Si artist i skenave botërore, edhepse nuk veçon asnjërën prej llojeve të roleve që i japin kënaqësi, ngase siç thotë i dashuron të gjitha një lloj, rolet e repertorit lirik janë ato të cilat e përfaqësojnë më bukur, ndër të cilët: Rigoletto, Boheme, e Faust mbeten ndër të preferuarit e tij. ‘Jam i vetëdijshëm që jeta e artistit ka surpriza si pozitive dhe negative. E rëndësishme është të mos humbasësh vëmendjen nga realiteti e të vazhdosh me forcë të kërkosh më të mirën e më të bukurën duke studiuar shumë gjithmonë. Kështu në këtë mënyrë je i përgatitur për çdo situatë. Jam më se i kënaqur me jetën time, nuk do ta kisha menduar ndryshe. Mendoj që jemi njerëz të veçantë që e duam artin, që bëjmë dhe japim çdo gjë për të. Jam tepër i kënaqur, familja më ndjek ku ndodhem e gjithashtu dhe miqtë. Pra, ky është një privilegj që pak njerëz e kanë. :)’, rrëfen tenori ndërkombëtar, i cili në përditshmëri është tejet profesional, e i përpiktë, jo vetëm në prova, por në jetë e në ditët e përditshme, i cili kritikat më të shpeshta i merr nga pedagogu i kantos, bashkëpunëtori dhe pianisti i tij, pa të cilët thotë se është e vështirë ta mbash veten nën kontroll, sidomos me ritme të këtilla pune.

Saimir Pirgu, i njohur për zërin e tij fantastik, por njëkohësisht i dalluar për pamjen e tij tërheqëse, padyshim është shndërruar në një ikonë kombëtare, një frymëzim i fuqishëm, që mahnit publikun kudo që shfaqet, me artin e tij mbresëlënës, me mjeshtërinë bindëse dhe muzikalitetin e lindur.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

 

Lexuar 8924 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version