Përpikëria
Do të vishemi me kujdes, por pa humbur aq kohë sa të vonohemi. Përpikëria është një ndër rregullat më të rëndësishme të sjelljes së pëlqyeshme në shoqëri. Në rast se gjithsesi jemi vonuar, nuk është mirë të kërkojmë shtigje përmes spektatorëve, pasi të ketë filluar shfaqja. Presim mbarimin e aktit të parë a të një pjese simfonike dhe vetëm pastaj kërkojmë vendin tonë.
Gardëroba dhe zënia e vendeve
Në teatër, në sallat e koncerteve a të konferencave, burri do të ecë përpara, për ta ruajtur partneren nga vështrimet e kureshtarëve.
Ai lë në gardërobë kapelën, dorëzat dhe pallton, pasi e ka ndihmuar zonjën të heqë pallton. Në rast se në restorant lejohet që një femër ta mbajë kapelën në kokë, në teatër nuk duhet ta mbajë kurrë, sepse mund ta shqetësojë spektatorin e ulur në rreshtin prapa. Përderisa ngjitemi shkallëve, një rregull e hershme e mirësjelljes thotë se burri i prin gruas me gjysmë hapi përpara në ngjitje dhe e ndjek me gjysmë hapi prapa në zbritje. Kur çifti do të kalojë përpara një rreshti karrigesh për të shkuar te vendi i tyre, mashkulli ecën në krye. Që të dy, mashkulli dhe femra, kalojnë me fytyrë nga të tjerët, që janë ngritur në këmbë për t’ua lehtësuar kalimin (mund t’u kërkoni edhe falje, që i shqetësuat duke ardhur me vonesë). Kur ulen, mashkulli i lë femrës vendin më të mirë, nga duket më mirë skena, edhe atëherë kur ky vend ndodhet në të majtë të tij.
Spektakli dhe pushimi
Është diçka e pakonceptueshme të hash ose të komentosh gjatë shfaqjes. Kjo rregull vlen edhe për kinema. Në koncert nuk duhet të ndjekësh ritmin e muzikës duke tundur kokën, duart ose këmbët dhe në asnjë mënyrë nuk do ta këndosh melodinë derisa e interpreton orkestra. Në një sallë shfaqjesh i përshëndetni të njohurit me një lëvizje të thjeshtë të kokës dhe nuk duhet biseduar me ta mbi kokat e spektatorëve. Nëse doni të flitni me ta, priteni pushimin. Theksojmë se celularët duhet të mbyllen me të hyrë në sallën ku jepet një spektakël.
Duartrokitje dhe lule
Nuk tregojmë sjellje të pëlqyeshme kur largohemi nga salla para se të përfundojë shfaqja, ose kur përgatitemi për të ikur gjatë skenës së fundit ose frazës së fundit melodike. Kur duhet të duartrokasim? Në teatër, në fund të çdo akti ose, në raste të veçanta, pas një interpretimi me virtuozitet të rrallë aktoresk; vetëkuptohet se në mbarim të shfaqjes duartrokitjet janë më të shumta dhe vazhdojnë më gjatë. Në një sallë koncerti, duartrokasim kur hyn dirigjenti ose solisti. Por, është gafë të duartrokasësh, për shembull, midis pjesëve të një simfonie, e cila përbëhet zakonisht nga katër pjesë dhe duartrokitet vetëm pas pjesës së katërt. Nuk duartrokitet kurrë në një kishë. Vetëm artistëve të mëdhenj u hidhen ose u jepen lule në skenë. Pavarësisht se mund të mos na pëlqejë ndonjë shfaqje, kjo nuk duhet shprehur me anë të fishkëllimave, sidomos gjatë zhvillimit të saj.
Në një ekspozitë
Burrat heqin kapelën në hyrje dhe, në rast se nuk ka gardërobë, e mbajnë në dorë. Nuk është mirë të qeshim me të madhe, të hamë, të pimë duhan dhe sidomos të shprehim mosmiratimin tonë me zë të lartë lidhur me objektet e ekspozuara. Këto kritika janë edhe më pa vend, kur bëhen nga individë të papërgatitur, që nuk janë në gjendje të dallojnë një riprodhim të keq nga një Rembrandt origjinal.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.