Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Bukuri nga kohë të moçme
Vaji i ullirit
Bukuri nga kohë të moçme

Që nga Roma e vjetër, vaji i ullirit është shfrytëzuar për kultivimin e trupit, ndërsa sot shërben si shtesë në shumë prodhime kozmetike. Binduni në ndikimin e tij.

Vaji i ullirit është i njohur, përveç ushqyeshmërisë së tij, si një nga përbërësit natyrorë më me ndikim në prodhimet kozmetike. Kështu, mund ta gjejmë te preparatet më të ndryshme të bukurisë, si vaj për masazh, te vajrat aromatike, te balsamet, sapunët, shamponët dhe te kremrat bimore. Sipas hulumtimeve, vaji i ullirit mbron edhe nga rrezet e dëmshme UV. Vitamina E dhe antioksiduesit në përbërjen e tij e forcojnë lëkurën duke e bërë më të qëndrueshme ndaj rrezeve të diellit.

Banjë avulli për duar dhe thonj
Zakonisht në dimër duart përthahen nga të ftohtët, lëkura ‘pëlcet’ më shumë, kështu, për thonjtë që thyhen dhe për lëkurën e trashur rreth tyre, banjat e avullit me vaj ulliri e lëng limoni, u kanë ndihmuar brezave të grave në mirëmbajtjen e tyre. Përgatitja: në 2 dl vaj ulliri qitet pak lëng limoni i ngrohur. Vaji i ullirit ngrohet pak, por nuk nxehet. Në këtë përbërje futen duart dhe u bëhet masazh ngadalë, secilit gisht veç e veç. Vaji do ta ushqejë lëkurën dhe thonjtë, ndërsa lëngu i limonit do t’i zbardhë duart dhe do t’i bëjë më të shëndetshme – falë vitaminës C dhe përbërësve të shëndetshëm të vajit të ullirit.

Në kremrat e sotme
Recetat e gjysheve, sajuar nga vaji i ullirit, edhe sot përdoren, falë përparimit të kozmetikës, si përbërës i balsameve për buzë, për banja avulli, si shampon, sapun, losione për trup, kremra për fytyrë, maska për flokë… Vajin e ullirit e kanë përdorur gra të njohura të kohës së tyre, si:

  • Sundimtarja egjiptase Kleopatra, bukuria e së cilës jeton në legjenda, lahej në banja me vaj ulliri, në mënyrë që ta mbante pamjen e re të lëkurës së saj.
  • Madam du Barry, dashnorja e fundit e Luigjit XV, e ka shfrytëzuar vajin e ullirit si maskë për flokë, ndërsa me të po e lyente edhe fytyrën dhe qafën.
  • Mbretëresha angleze Ana po i kultivonte flokët e saj të gjatë me përzierjen e mjaltit dhe vajit, në mënyrë që t’i mbante të shëndoshë, të bujshëm dhe me shkëlqim.
  • Sarah, dukesha e Marlborough-it, kishte recetë të fshehtë personale me vaj ulliri, me të cilën mbante shkëlqimin e flokëve të saj.

 

Përdorimi i maskave për freskim

Këshilla që do t’ju ndihmojnë

  1. Maska përdoret vetëm në lëkurë të pastruar! Në mënyrë që maska të ketë efekt, çlirojeni fytyrën dhe mos flisni.
  2. Mos mendoni se është maskë e mirë vetëm ajo që forcohet dhe që e shtrin lëkurën. Formulat më të reja janë ato që nuk shihen në fytyrë dhe që “nuk bëjnë gjë”. Pikërisht maskat e tilla i dedikohen lëkurës delikate dhe të ndjeshme.
  3. Lexoni këshillat e shkruara në kuti të maskës dhe mos harroni ta përdorni në qafë dhe në dekolte, por jo edhe rreth syve dhe buzëve (sepse mund të keni efekte të kundërta).
  4. Së pari, mbroni flokët mbështjellë me një shirit frotiri, pastaj përdorni maskën me anë të gishtërinjve ose me kist, fillohet nga balli, kalohet në mollëza, në mjekër dhe në hundë.
  5. Kur të keni vërë maskën, atëherë është koha për relaksim në vetmi.
  6. Nëse në fytyrë e keni maskën nga argjila (glina), e cila në kontakt me ajrin thahet shumë, lageni një copë pambuk në ujë të vakët dhe me të kaloni lehtë nëpër fytyrë.
  7. Kur ta hiqni maskën, mundësisht përdorni ujë termal ose të distiluar, pastaj kaloni nëpër fytyrë me losion pa alkool, kështu lëkura freskohet dhe shtrëngohen poret.
  8. Mos harroni ta përdorni kremin e zakonshëm.


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version