Shumëkush në plazh, në vend të kremrave të shtrenjta, më parë do të marrë me vete ndonjë përbërës shtëpiak, siç janë vajrat e ndryshme me shtesa eterike, me anë të të cilave do të marrë ngjyrë më të shpejtë. Mirëpo, profesionistët tërheqin vërejtjen për rreziqe të shumta të cilat i fshehin përbërësit e tillë. “Vaji i ullirit ka efekt fantastik në lëkurë, e bën të lagësht dhe më elastike, mirëpo nuk e mbron nga rrezet ultravjollcë”.
Vaji i kantarionit dhe i ullirit nuk mbron lëkurën nga rrezet e dëmshme
“Verës është gati e ndaluar të shfrytëzohen vajrat eterike. Është me rëndësi të theksohet se vajin e kantarionit nuk bën kurrë ta përdorim para se t’u ekspozohemi rrezeve të diellit, domethënë nëse e kemi lyer trupin me të, duhet të kalojnë së paku 24 orë që të mund të shtrihemi karshi rrezeve UV, të sigurt se nuk do të kemi shfaqje të padëshiruara në lëkurë” – sqarojnë dermatologët. Gati e njëjta gjë vlen edhe për vajin e ullirit, i cili ka efekt fantastik në lëkurë, porse nuk do t’ju mbrojë nga rrezet ultravjollcë. Shumë shpesh mund të shkaktojë kallo, të cilat me përsëritjen shkaktojnë dëmtime të përhershme në lëkurën tonë, siç është hiper-pigmentacioni, keratozat solare ose kanceri i lëkurës. “Përdorimi i kremrave me faktorë të lartë mbrojtës, është i rëndësishëm për të gjithë, e sidomos për personat me lëkurë ngjyrëçelë, të cilët gjithmonë digjen gjatë rrezitjes”.
Përdorimi i kremrave me faktorë të lartë mbrojtës është me shumë rëndësi për lëkurë të shëndoshë
Pikërisht për këtë arsye, për lëkurën tuaj duhet të përdorni mbrojtjen adekuate me kremra me faktorë mbrojtës. Konsiderohet se kremi me faktorin mbrojtës 50, efektshëm filtron dhe mbron 98 për qind nga rrezet UV, të cilat depërtojnë në lëkurën tonë, që është faktor maksimal mbrojtës. “Në 20 vjetët e fundit hulumtimet kanë dëshmuar se rrezet UV shkaktojnë edhe dëmtimin e qelizave në shtresën bazë të epidermës, kështu që sot konsiderohet se edhe UV mund të shkaktojë karcinomën e lëkurës” - tërheqin vërejtjen mjekët.
Ndikimi i ushqimit në mbrojtje nga rrezet e diellit
Siç u tha, mënyra më e mirë për ruajtje nga kallot në lëkurë dhe qëndrimi në hije, është shfrytëzimi i kremrave me faktorë të lartë mbrojtës. Porse studimet kanë treguar se edhe ushqimet e caktuara mund të kenë rol shumë të rëndësishëm te ruajtja e lëkurës gjatë muajve të verës. Fjala është për ushqim të shijshëm, i cili, falë përbërësve të shëndoshë, ndikon si krem natyral për rrezitje.
Çaji i gjelbër
Edhe një antioksidues i fuqishëm, i cili e mbron trupin tonë e me këtë edhe lëkurën, është çaji i gjelbër. Vetëm një gotë e kësaj pijeje të shëndoshë në ditë, e bën lëkurën më rezistuese ndaj rrezeve të diellit për gati 25 për qind – kanë treguar hulumtimet e provuara te gratë, të cilat kanë pirë çaj të gjelbër gjatë 12 javëve.
Domatja
Përveç që është shumë e shijshme, ndërsa me zierje nuk humb vlerat nutrite, domatja është edhe mik i madh i lëkurës sonë. Hulumtimet e bëra në Britaninë e Madhe kanë zbuluar se vetëm 5 lugë të domates në ditë, forcojnë rezistencën ndaj rrezeve të diellit për madje 33 për qind, që do të thotë se ndikon si krem për rrezitje me faktorin mbrojtës. Mirëpo, ndonëse natyra është këshilltarja jonë e besueshme në luftë kundër ndikimeve të jashtme, pa ndihmën shtesë të preparateve për rrezitje nuk bën kurrsesi të niseni në pushim veror. Profesionistët porosisin që të përdoren kremra me faktor së paku 15 deri 30, për lëkurë të ndjeshme, ndërsa për fëmijët me faktorin mbrojtës 50.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.