Sanije Gashi
Qyteti në lumin Sena në çdo stinë është si në ëndërr, veçse më 21 qershor, në Ditën e muzikës, orkestrat dhe bendet luajnë në çdo shesh të Parisit. Shëtitjet romantike dhe muzika për të dashuruarit, shopingu dhe revytë e modës, të gjitha janë thuaja në një vend. Sapo të shkëlqejnë rrezet e diellit, parisienet i tregojnë gjithë botës pse e meritojnë që për kaq dekada të mbajnë epitetin e grave të cilat gjithnjë kanë pamje shik. Parisi është qytet i modës, ndërsa moda është një lloj i artit.
Bukuritë e qytetit
Shëtitja rrugëve, punktet romantike dhe kuriozitetet e njohura botërisht, bukuritë e qytetit, gjëra të denja për t’i parë, e bëjnë Parisin një nga destinimet më atraktive, pa marrë parasysh stinën e vitit në të cilën haset njeriu në këtë qytet romantik, banorët e të cilit çdo ditë, vërtet, i kënaqen jetës.
Parisi, qytet i modës, i revolucionit, i historisë dhe i kulturës… Vetë përmendja e emrit të tij, në gjithë botën askënd nuk e lë indiferent. Ata që kanë banuar në këtë qytet, i lidhin kujtime të paharruara me çastet e bukura të kaluara në shëtitjet romantike përgjatë Senës, në bulevardet e gjera dhe në Fushat e Elisesë, avenyja më e njohur në Paris…
Metropoli dymilionësh me shekuj është një nga qendrat më të rëndësishme të kulturave botërore, e qytetërimeve dhe qendrave edukative-arsimore. Ky qytet është me sharm të veçantë, frymëzim i shkrimtarëve dhe artistëve, ndërsa vizitorët nga bota e ndiejnë këtë për pak qëndrim në të.
Qytet si në pëllëmbë të dorës
Parisi shtrihet që nga pjesa e vjetër në njëzet kuarte, përderisa lumi Sena, thuaja për midis, e ndanë në të djathtë dhe në të majtë. Që herët ishte qendër e fuqishme tregtare dhe zanatlinjsh. Në themelet e vjetra të qytetit mbinë shumëkatëshet dhe ndërtesat elegante. Porse, për begatinë e Parisit të shekullit të mesëm sot bindshëm dëshmon katedralja gotike Notre Dame de Paris. Katedralen e shkëlqyer e zbukurojnë kulla në formë katrore, ndërsa i tërë objekti është i rrethuar me parkun e kultivuar. Brendinë e kishës së vjetër e zbukurojnë rozetat laramane dhe statujat e vlefshme nga shekulli i 13-të. Edhe pse këto bukuri të qytetit janë të popullarizuara falë përshkrimeve nga roman i Viktor Hygos dhe pamjeve nga filmi “Kambanari i kishës Notre Dame”, shenja mbrojtëse e Parisit është kulla më moderne e Eifelit. Ndërtimi i çuditshëm metalik është bërë më 1889 dhe që nga atëherë është atraksioni më i njohur turistik. Është e lartë 320 metra dhe e ndarë në tri platforma. Turistët, me ashensor arrijnë në majë të kullës. Është përjetim i çuditshëm, sepse nga ajo majë, qyteti duket si në shuplakë të dorës. Prandaj dhe derisa fluturojmë me aeroplan një natë të kthjellët mbi Paris, bashkudhëtari pranë më thotë: Ngrihu, ngrihu ta shohësh Parisin, rrallë mund ta përjetosh këtë bukuri!
Montmartre, vend i shkrimtarëve dhe piktorëve
Avenyja e gjerë e Fushës së Elisesë dhe e ndritur nga rrezet e diellit, është simbol i stilit të - gëzimit të jetës, me të cilin në shekullin e 19-të kanë jetuar parisienët. Është e gjatë dy kilometra dhe lidh sheshin de la Concorde me Harkun e Triumfit. Në katet e bukura janë të hapur restorantet prestigjioze dhe kafeteritë, zyrat elegante, kinosallat, tregtoret e shtrenjta dhe butikët, ku kthejnë parisienët e pasur dhe të famshëm. Parisi që nga moti është mekë artistike, kështu që në disa kuarte kanë jetuar bohemët. Në mesin e shekullit të 19-të, Montmartre ka qenë vendtubimi më i njohur i shkrimtarëve dhe piktorëve, përderisa elita intelektuale e shekullit të 20-të më me dëshirë janë shoqëruar nëpër kafeteritë e lira dhe në klubet e kuartit Latin.
Muzeu me 30 mijë piktura
Dashamirëve të artit edhe vizitat shumëditëshe bërë Luvrit (Louvre), muzeut më të madh në botë, nuk u mjaftojnë që të kenë një shpërfaqje sipërfaqësore për koleksionet e fotografive të mbledhura kujdesshëm, të skulpturave dhe të arteve të tjera. Veprat e vlefshme të bëra në kohën e Asirëve, Etrusëve, Grekëve dhe nga shekulli i mesëm, kanë qenë ekspoziturat e para në sallat e pallatit të dikurshëm mbretëror. Mes veprave me vlerë të pallogaritshme, vështirë është të zgjidhen më të bukurat. Mirëpo, shumica e vizitorëve të Luvrit do të zgjidhnin Mona Lizën e njohur…
Derisa ecën përgjatë brigjeve të lumit Sena, sikur të shoqërojnë shansonat e së njohurës Edit Piaf (këngët lirike me muzikë të lehtë), të cilat ‘ledhatueshëm’, lehtë-lehtë, të kthejnë prapa, jo vetëm në kohën kur jetoi shansonierja e njohur, me shansonat e së cilës jetonte i tërë Parisi... Mirej Matje, po kështu e njohur me zërin e saj magjik, Adamo… po kaq të freskojnë kujtimet për qytetin më të njohur dhe për zonjat shik, që i takojnë shoqërisë mondane parisiene…
Në Paris, sa herë të shkojë njeriu, do të gjejë diçka të bukur, të vlefshme, me të cilat pastaj do të të mbajnë kujtimet e këndshme, që nuk harrohen lehtë...
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.