Ti je ketu: Ballina > Shëndeti >

Intervistë Ekskluzive me Dr. Dr. Med.Halil Krasniqin, kirurg vaskular

Në intervistën ekskluzive me kirurgun me famë ndërkombëtare, Dr. Dr. Med. Halil Krasniqi, i cili operon me sukses në Gjermani dhe Kosovë, flet me kënaqësi për shqetësimet tona: për shkaktarët e arteriosklerozës, se çfarë ndikon në kalcifikimin e aortës dhe arterieve koronare, si ndodh sulmi në zemër dhe në tru, çfarë ndikon në zmadhimin e mëlçisë dhe shumë informacione të tjera të dobishme për shëndetin tonë.

 

 


Blinera Gashi
Foto Ridvan Slivova


Doktor, ju lutem a mund të na thoni çka ndikon në kalcifikimin e aortës dhe arterieve koronare? Sa janë të rrezikshme kalcifikimet?
Kalcifikimi i arterieve, në përgjithësi, është trashja dhe forcimi i murit të enës së gjakut, i cili shkakton formimin e pllakave arteriosklerotike dhe me këtë ndodh stenoza (ngushtimit i lumenit). Pasojë e kalcifikimeve të patrajtuara mund të rezultojnë me ishemi (mungesë e furnizimit të indeve me gjak), prandaj individi mund të pësojë: sulm trunor ishemik, infarkt të zemrës, dëmtimin e organeve - si veshkave, zorrës, mëlçisë, varrë në ekstremitete dhe deri te humbja e tyre, amputacioni. Trajtimi me kohë mund të shmangë një pasojë të këtillë.

Si mund të zbulohet nëse një person vuan nga arterioskleroza? Si mund të parandalohet arterioskleroza?
Simptomat e arteriosklerozës janë, si: shkurtimi i distancës së të ecurit me dhimbje në pulpin e këmbës, ndërsa shenjat paralajmëruese të sulmit trunor janë: pengesa në të parë, shikimi i dyfishtë, terr para syve, miza para syve, dhimbje ishemike e barkut. Po të vërehen këto simptoma, urgjentisht duhet konsultuar mjeku. Shkaktarët e arteriosklerozës janë të shumtë, si: Konsumimi i duhanit, mbipesha, sëmundja e sheqerit, tensioni i lartë i gjakut, moslëvizja trupore, mungesa e sportit, yndyrat e larta në gjak, predispozicioni familjar dhe gjenetik. Prandaj, largimi i këtyre faktorëve të rrezikut mund ta parandalojnë dhe ta ngadalësojnë arteriosklerozën.
Nëse në arterie ka arteriosklerozë të moshës, a duhet patjetër të përdoren statine dhe aspirinë protect 100 mg, ndonjë vitaminë apo barna të tjera?
Arterioskleroza mund të shfaqet nga mosha 25 vjeçe. Kjo varet nga stili i jetës dhe predispozicioni familjar. Prandaj, arterioskleroza e moshës pa simptoma nuk duhet trajtuar. Me konstatimin e pllakave arteriosklerotike në ekzaminimin me Doppler ose rentgenologjik në sistemin vaskular, në qafë, në bark apo në këmbë, preferoj aplikimin e Aspirinës 1-0-0 100 mg si profilax. Kurse, aplikimi i statinës varet shumë nga mosha, faktorët e rrezikut dhe trashëgimia nga prindërit. Statinet janë një grup i barnave të cilat ulin kolesterolin. Statinet janë atorvastatinë, simvastatinë, rosuvastatinë ose pravastatinë. Statinën e parë e zbuluan dhe e izoluan shkencëtarët në vitin 1976 nga kërpudhat e familjes Penicillium dhe Aspergillus. Statina e parë u quajt Lovastatinë dhe është aprovuar në vitin 1987. Disa persona e kanë kolesterinën të lartë nga lindja. Përdorimi i statineve ka edhe efekte anësore, si dobësimi i muskulaturës, por edhe humbja e fijeve të muskujve (Rhabdomyolyse), sëmundja e sheqerit, sëmundja e Alzheimerit etj. Personat e moshës 40-50 vjeç, të cilët nuk kanë faktorë rreziku dhe niveli i kolesterinës së tyre është 145mg/dl (8.00 mmol/L), nuk duhet aplikuar terapi, por duhet të jetojnë shëndetshëm. Kurse personat të cilët konsumojnë duhan, kanë tensionin e lartë të gjakut dhe sëmundjen e sheqerit, janë të rrezikuar për infarkt të myokardit dhe infarkt trunor. Këta duhet të ulin kolesterinën nën 100mg/dl (5.00 mmol/L) dhe më mirë nën 70mg/dl (3.90 mmol/L), 1,8 milimol për litër (mmol/l). Ne dallojmë dy lloje të yndyrave në gjak: Lipidet e ashtuquajtura Kolesterinë dhe Trigliceridet.

A ndikon kalciumi i tepërt në krijimin e kalcifikimit në enët e gjakut? Si ndodh kjo? Si duhet parandaluar?
Kalciumi aplikohet oral, si suplement me ose pa përmbajtje të Vitaminës D, kundër Osteoporozës. Sasia e përdorimit nuk bën të kalojë vlerën mbi 1500 mg/d. Në 15 studimet e fundit në BMJ, treguan se përdorimi i tepërt i kalciumit si terapi e osteoporozës, rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, e sidomos të infarktit të myokardit.
Sa shpejt shumohen kalcifikimet? Cili është trajtimi për një aortë të kalcifikuar?
Krijimi i kalcifikimeve në arterie kërkon kohë dhe vite (interval 10-vjeçar), varësisht nga faktorët e rrezikut, stili i jetës, predispozicioni familjar etj. Aorta e kalcifikuar, e stenozuar shkakton mosdepërtim të gjakut të mjaftueshëm në inde dhe organe dhe me këtë dhimbje ishemike. Trajtimi bashkëkohor bazohet në zgjerimin e saj me balonë dhe stentim me shpim në ijë, pa prerje ose metoda klasike, si prerje të barkut, hapje të Aortës, desobliteracion të saj me qepje ose implantacion të një interponati apo bypasi.
Cilat ushqime ndikojnë në krijimin e kalcifikimeve në arterie? Sa ndikon pirja e duhanit në dëmtimin serioz të arterieve, diabeti apo mosaktiviteti?
Në krijimin e kalcifikimeve ndikojnë ushqimet e yndyrshme: dhjami, mishi i kuq, patatet e skuqura, ushqimet e skuqura në vaj, por edhe mbipesha, stresi, moslëvizja, Hyperurikemia, faktorët hormonalë, Lipoproteina e rritur, Hyperhomocysteinemia. Pirja e duhanit është ndër faktorët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të arteriosklerozës. Duhani i cili përmban 1000 substanca dëmtuese të indentifikuara, shpejton arteriosklerozën dhe shkakton pezmatim në murin e enëve të gjakut, e cila ka pasojë edhe zgjerimin e damarëve të gjakut. Një cigare shkurton jetën e duhanxhiut për 6 minuta. Kurse, një person i cili ka konsumuar duhan tërë jetën jeton 11 vjet më shkurt sesa një person i cili nuk ka konsumuar duhan fare. Këtë e vërtetoi një studim Britanik BMJ para 6 vjetësh. Diabeti gjithashtu është shkaktari kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare me avancim të shpejtë të arteriosklerozës dhe stenozave të arterieve krurale dhe shputës diabetike. Mosaktiviteti fizik është armiku i sëmundjeve vaskulare dhe i shëndetit në përgjithësi. Unë preferoj aktivitet fizik çdo ditë nga 30 minuta për funksionimin normal të ekuilibrit fiziologjik.
Nëse një person i moshës 47 vjeç ka arteriosklerozë të moshës dhe brenda 2 vjetëve ndodh bllokimi total i aortës dhe i arterieve koronare (vdekja e personit), cilët faktorë mund të kenë ndikuar në krijimin e kalcifikimeve gjatë kësaj periudhe?
Kryesisht në avancimin dhe progresin e dëmtimit të enëve të gjakut ndikon stresi, tensioni i lartë i gjakut i patrajtuar, diabeti i pakontrolluar, yndyrat e larta në gjak, mungesa e lëngjeve në trup, obeziteti.
Çka ndikon në rritjen e mëlçisë te një person që nuk pi alkool dhe ka kolesterolin total në suaza të normales, por me trigliceride mbi nivelin normal (3.00 mmol/L)? Çfarë ndërlidhjeje ka mëlçia me yndyrën (apo krijimin e kalcifikimeve)?
Mëlçia është organi më i madh në trupin e njeriut dhe ka një funksion të veçantë në spastrimin e organizmit nga helmimet. Ajo peshon 1500 deri në 2000 gr. Dirigjon harxhimin dhe deponimin e disa hormoneve, por edhe të sheqerit dhe insulinës me enzime të tjera. Rritja e saj është patologjike dhe si pasojë e infeksioneve të hepatitit A, B, C, non A, non B, D, Cirrozës së mëlçisë dhe me këtë HCC (Karcinoma hepatocelulare). Mëlçia mund të jetë me yndyrë (Steatosis hepatis) dhe kjo gjendje e mëlçisë ka lidhshmëri indirekte me kalcifikimin gjeneral. Mëlçia mund të jetë me yndyrë, por enët e gjakut pa kalcifikime. Kjo varet nga statusi i përgjithshëm fiziologjik.
Sa ndikon mëlçia me peshë mbi 3 kg në rritjen e rrezikut kardiovaskular dhe krijimin e arteriosklerozës?
Mëlçia hypertrofike mbi peshën normale prej 2 kg, duhet të jetë e sëmurë, patologjike, me etiologji të shumtë. Prandaj, nuk është shkaktare e arteriosklerozës. Rritja e mëlçisë nuk shkakton kalcifikim shtues. Sëmundja e mëlçisë ka efekt indirekt në çrregullimin fiziologjik të hemostazës.

Stresi luan rol serioz në dëmtimin e shëndetit tonë. Madje, thuhet se një pjesë e trurit kontrollon mëlçinë, rrjedhimisht, a do të thotë se stresi mund të pengojë rrjedhjen e gjakut dhe t’i shkaktojë dëme mëlçisë? Gjithashtu, a ndikon stresi te enët e gjakut dhe në zemër?
Truri është dirigjuesi i trupit tonë dhe ai kontrollon çdo lëvizje të indeve, organeve, por edhe gjendjen psikofizike në të cilën ne gjendemi. Stresi është proces i aktivitetit trunor dhe aktualisht shkaktar i shumë sëmundjeve kardiovaskulare dhe psikike. Nga stresi i vazhdueshëm psikofizik lirohen me shumicë hormone të veçanta nga gjëndra e veshkave, siç është noradrenalina, adrenalina ose kortisoli në gjak. E tërë kjo shpie, përpos të tjerash, te shpejtimi i rrahjeve të zemrës, ngarkimi i zemrës, e që me kohë ndikon në rritjen e tensionit të gjakut. Nga ky konstelacion dhe nga lëshimi permanent i hormonit stresor për një interval më të gjatë, ndodh shfaqja e pagjumësisë, molisjes, lodhjes trupore si dhe kryesisht deri te rritja e tensionit të gjakut dhe çrregullime në ritmin e zemrës. Mirëpo, stresi i vazhdueshëm shkakton edhe probleme me jashtëqitjen, deri te ulceracionet e stomakut (ithati në lukth) dhe rënia e madhe e imunitetit. Hormonet e stresit janë, përpos të tjerash, edhe përgjegjëse apo shkaktare të mpiksjes së tepërt të gjakut (hiperkoagulim i gjakut). Si pasojë e saj mund të krijohet një tromb në kanalet e gjakut, i cili mund të shkaktojë një mbyllje (okluzion) të arteries dhe me këtë një infarkt të zemrës, një infarkt të trurit ose mbylljen e arterieve të ekstremiteteve apo arterieve të tjera. Përveç kësaj, në veçanti te femrat, mund të krijohen edhe spastika të enëve të gjakut, d.m.th. çrregullime në kontraktilitetin e enës së gjakut, e që ngushtojnë enët e gjakut, e posaçërisht të zemrës. Kjo rezulton në furnizimin e dobët të muskulit të zemrës me gjak. Këto spazma apo ngushtime plotësuese të enëve të gjakut shkaktohen në fakt nga emocionet dhe ngarkimet e tepërta psikofizike.
A janë lipidogrami, high sensitive CRP, homocysteine, disa nga testet e gjakut që mund të tregojnë nëse një person ka kalcifikime në arteriet vaskulare apo inflamacion të enëve vaskulare?
Disa nga analizat laboratorike, si BSG, faktorët komplement, Anti-Nukleare Antikorper (ANA), Antikorper kundër antigjenit neutrophil cytoplasmatik Granulozyten (ANCA) dhe ato të lartpërmendurat, mund të jenë të dhëna për sëmundje dhe pezmatime vaskulare, por në radhë të parë ekzaminimi adekuat është ultratingulli me dopler.
Cilat ushqime duhen shmangur te një mëlçi yndyrore?
Për ta lehtësuar mëlçinë yndyrore, udhëzoj të mos përdoren produktet e qumështit (ajka, maza); të shmanget mishi i kuq, alkooli të mos përdoret kurrsesi, si dhe ushqimi me yndyrë të largohet nga plani ushqimor. Të mos përdoren medikamentet e panevojshme.

A ndikon ngrënia e vezëve, marrja e vitaminës Omega 3, CoQ10, Vitamina D3, në krijimin e arterosklerozës / kalcifikimeve, apo ndihmojnë në eliminimin e tyre?
Ngrënia e vezëve mbi 3 në ditë shkakton dhe shpejton krijimin e arteriosklerozës dhe rrit rrezikun e infarktit të zemrës. Këtë e vërtetoi një studim amerikan në vitin 2012. Kurse efekti i vitaminave të lartpërmendura është i diskutueshëm.
Çfarë ndikimi ka Vitamina K2 në trajtimin e tensionit të lartë, në rregullimin e depozitimit të kalciumit, funksionimin vaskular dhe parandalimin e kalcifikimit në enët e gjakut dhe në veshka?
Vitamina K2 është zbërthyese e yndyrës e cila krijohet në zorrën e trashë dhe quhet menaquinone. Ndihmon në rregullimin e koagulimit të gjakut, lidh kalciumin në eshtra, mineralizon dhëmbët, zvogëlon kalcifikimin në mushkëri, veshka, mëlçi, shpretkë.
Cilat janë analizat që një person mbi moshën 45 vjeç duhet bërë në mënyrë që të evitohen komplikimet vaskulare? Sa shpesh duhet bërë dopleri? (çdo vit/muaj?)
Kryesisht mbi moshën 50 vjeçe është shumë e rëndësishme të bëhen analizat laboratorike si Hemogrami, CRP, Elektrolytet, BSG me vlera të veshkave dhe mëlçisë. Një dopler i enëve të gjakut duhet bërë nga mosha 50 vjeç çdo vit, nëse nuk ka probleme shëndetësore apo vaskulare, kurse personat me vështirësi vaskulare duhet kontrolluar enët e gjakut çdo 3 muaj.
A mund të hanë vezë personat që kanë gurë në tëmth (idhcë), sa shpesh?
Edhe personat me konkremente (gurë) në fshikëzën e tëmthit guxojnë të hanë deri në 3 vezë në ditë. Konsumimi i tepërt shkakton çrregullimin e matabolizmit fiziologjik.
Thuhet se të verdhat e vezëve ndihmojnë në përmirësimin e mëlçisë yndyrore? Sa qëndron kjo?
Nëse të verdhat e vezëve konsumohen jo të skuqura apo gjysmë të skuqura, kanë efekt antigonizues në yndyrën e mëlçisë, por deri në tri vezë në ditë.
Cili është roli i anemisë te personat me diabet dhe arteriosklerozë pas moshës 70 vjeç? Cilat vitamina ndikojnë në rritjen e vlerave të Hematocritit, Hemoglobinës?
Qelizat e gjakut krijohen në palcën e ashtit dhe në shpretkë. Sëmundjet e këtyre organeve shkaktojnë anemi. Anemia mund të jetë kronike dhe akute. Edhe sëmundjet kanceroze mund të shkaktojnë anemi. Diabeti dhe arterioskleroza nuk kanë të bëjnë me anemi direkt. Konsumimi i Hekurit, vitaminave B12, komplex Ferrosanol, ngritin hemoglobinën.
Cili është shkaku i zhvillimit të hemorroideve? Cili është ushqimi i preferuar që duhet konsumuar, i cili nuk nxit acarimin e hemorroideve?
Hemorroidet krijohen nga humbja e elasticitetit të murit të venave, pasoja gjenetike, obstipacioni kronik i zorrës, ushqimet e thata, ushqimet djegëse, mbipesha, profesioni ulur, sidomos shoferët vuajnë nga hemorroidet, shtatzënat gjithashtu. Preferohet ushqimi i lëngshëm, jo djegës. Zbrazja e rregullt e zorrës dhe të merret parasysh largimi i faktorëve shkaktues.

A ndikon kafja turke në dëmtimin e arterieve vaskulare? Deri në sa kafe në ditë mund të pihen?
Kafja turke përmban kafeinë dhe disa substanca të tjera të cilat e ngritin tensionin e gjakut dhe me këtë dëmtojnë arteriet dhe organet. Preferohet vetëm një në ditë, nëse personat nuk munden pa të. Kafja me qumësht, makiato, preferohet të konsumohet te personat me mëlçinë e sëmurë. Një studim vërteton faktin se kafja ndihmon metabolozmin e mëlçisë. Nga kjo kafe mund të konsumohen deri në 3 në ditë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version