Si t’i ndihmojmë vetvetes
Qëndrimi më shumë se 3 orë pranë kompjuterit, lodh sytë, prandaj 80 për qind e atyre që e kalojnë kështu ditën e punës, ankohen në djegie të syve dhe në shikim të mjegulluar. Lista e pakëndshme është shumë më e gjatë, shumicën i mundon skuqja dhe thatësia e syve, por edhe kokëdhembja.
Lodhja e syve shprehet me djegie dhe lodhje, me pamje të mjegulluar, me dyfishim të pamjes ose me pamje të paqartë, shoqëruar edhe me dhembje të kokës. Lodhjen e shkaktojnë mundimet e sforcuara të syrit, ndërsa shpesh edhe ndriçimi jo i përshtatshëm si dhe ekrani i kompjuterit.
Ngarkesa e syrit: Puna pranë kompjuterit shkakton konvergjencë të pandërprerë të syrit. Pastaj, ndriçimi tepër i fortë në zyrë ose ai që vjen nga jashtë, po kështu e lodhin syrin.
Ekrani problematik: Është vërtetuar se ekrani, diagonalja e të cilit është më pak se 40 cm, lodh sytë. Njësoj ndodh edhe kur forca e ndriçimit nuk është e harmonizuar me ndriçimin e ambientit. Kontrasti i dobët ndërmjet dritës dhe shkronjave në kompjuter si dhe shkronjat tepër të vogla, po kështu lodhin sytë.
Syri i thatë: Është pasojë e punës së gjatë pranë kompjuterit. Njihet sipas skuqjes, djegies, therjes. Kjo ndodh për shkak të tharjes së pjesës së jashtme të syrit, pasojë e sasisë së zvogëluar të lotit në sy, avullimit të tepërt ose ndodh kombinimi i të dyjave. Për shkak të përqendrimit, ata që punojnë pranë kompjuterit, zakonisht harrojnë të lëvizin kapakët, mënyrë kjo e lyerjes së syrit, që ndikon në tharjen e tij. Lotët, sikurse filmi, e zbusin syrin, e përtëritin dhe e ruajnë bebëzën, e me këtë i ndihmojnë edhe mprehjes së shikimit. Veç kësaj, lotët përmbajnë albuminën lizozimë, e cila ndikon si antibiotik, domethënë pengon ndikimin e dëmshëm të baktereve, kështu që lotët ruajnë syrin edhe nga infeksionet. Me kalimin e viteve, prodhimi i lotëve zvogëlohet, për çfarë njerëzit e moshës mbi 40 vjeç fillojnë të ankohen.
Rritja e dioptrisë
Një përqindje e vogël e njerëzve mund të lavdërohen se shohin shumë mirë, përderisa përqindja e madhe që nga vitet e rinisë shohin më dobët, qoftë larg, qoftë afër. Me kalimin e viteve, ky numër rritet, sepse ndodh e ashtuquajtura largpamësi pleqërie. Atyre që punojnë pranë kompjuterit, nuk mund t`u ndihmojnë syzet "e zakonshme". Për punë në kompjuter nevojiten syze të veçanta.
Pushoni sytë: Nëse gjatë gjithë orarit të punës qëndroni pranë kompjuterit, atëherë çdo orë bëni një pushim prej 10 minutash. Nëse kompjuterin e përdorni herë pas here, pushimin e parë bëjeni pas një orë e gjysmë pune, ndërsa më pastaj pauzoni më shpesh. Nëse ndieni nevojë për pushime më të shpeshta, patjetër duhet të bëni një kontrollim mjekësor.
Përpëlitja (hapje-mbyllja) e syve: Është dëshmuar se gjatë punës me kompjuter pesë herë më pak se zakonisht i përpëlitim sytë. Për këtë arsye filmi lotor më shpejt avullon dhe shfaqet simptoma e syrit të thatë. Në hapësira me ngrohje qendrore si dhe me kondicionerë (aparate klime), ajri është zakonisht i thatë - gjë që zvogëlon krijimin e filmit të lotëve. Është mirë, prandaj, që në kënd të ekranit të kompjuterit të shkruani në një copë letër: Përpëlit sytë! Sa herë që t`ju shkojnë sytë në këtë shkrim, përpëlitni 10 herë sytë një pas një. Kështu do ta krijoni filmin i cili do t`i ndihmojë syrit. Nëse edhe kjo nuk ju ndihmon, atëherë përdorni lotët artificialë.
Ushtroni sytë: Çdo 30 minuta largojeni shikimin nga kompjuteri dhe përqendrojeni në ndonjë vend të largët për 5-10 sekonda. Kështu do t`i relaksoni muskujt e syrit, përgjegjës për fokusim, dhe do ta evitoni lodhjen.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.