Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Aty ku jeta është këngë e dashuri...
Në familjen e Nera dhe Sabri Fejzullahut
Aty ku jeta është këngë e dashuri...
Nuk është rastësi që Sabri Fejzullahu gjatë tërë jetës i ka kënduar dashurisë. “Dashuria është vetë jeta. Kënga nuk është dhunë, dhe kush nuk dashuron, ai edhe nuk jeton fare”, thotë artisti i madh kosovar. E ai, këtë dashuri nuk e ka mbajtur veç për vete. Ia ka dhuruar bashkëshortes së tij, Nerës, fëmijëve, adhuruesve kudo dhe mbi të gjitha këngës, që është vula dhe vetë jeta e tij.

Intervistoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

 

Ndërsa po kujtonte se vetëm gjatë kësaj vere ka bërë rreth katërmbëdhjetë mijë kilometra rrugë nga një skenë muzikore në tjetrën dhe ka kaluar mbi 45 net të tëra duke u kënduar me shpirt shqiptarëve kudo: në diasporë, në Mal të Zi, në Shqipëri e Kosovë, artisti i madh kosovar, Sabri Fejzullahu, as që do t’ia dijë për lodhjen. 
Ai nuk e ka ndier atë as gjatë 50 vjetëve sa është në skenë, në të cilën e ka mbajtur dashuria për këngën dhe adhuruesit e shumtë të tij. 
“Nuk jam ndier asnjëherë i lodhur, përkundrazi. Njeriu ndihet i lodhur vetëm kur dështon me punën e tij, kur nuk realizohet profesionalisht”, thotë ai, teksa, në cilësinë e një nikoqiri të vërtetë, bashkë me zonjën e tij, Nerën, shoqërojnë në shtëpinë e tyre në Bardhosh, pak kilometra në dalje të Prishtinës, në drejtimin e Podujevës, mysafirët nga revista “Teuta”, për të ndarë për lexuesit e saj, shumë kujtime, nga ajo që mund të konsiderohet karrierë dhe jetë e bujshme prej artisti e njeriu, e Sabri Fejzullahut, që bashkë me familjen e tij i dha shumë artit, muzikës dhe dashurisë për të.

Suksesi që nis nga familja
Pasi ndajnë një pjesë të kohës në kopshtin e rregulluar me një stil bashkëkohor dhe plot vegjetacion, Sabriu dhe Nera, kanë për të treguar edhe disa gjëra, që ata i ruajnë me fanatizëm brenda shtëpisë së tyre të bukur, ku pa dyshim, bie në sy një foto e madhe e përbashkët e tërë familjes, një kujtim nga dasma e djalit të tyre, Ermalit, një pikturë moderne, gjithsesi me elemente muzikore, shumë çmime e trofe të fituara në festivale e evenimente të ndryshme artistike, nga të cilat edhe “Çmimi i Karrierës”, “Mikrofoni i Artë” dhe shumë të tjera, si dhe një ekzemplar i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 
“E kam dhuratë nga ish-Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi”, thotë Sabriu, derisa Nera tregon që janë këto vetëm disa prej çmimeve me të cilat janë nderuar Sabriu dhe Ermali, ndërkohë që shumë të tjera kanë mbetur në banesën e tyre në Prishtinë.
Në një jetë plot me ngjarje, plot me këngë dhe i rrethuar nga ata që me vite dëgjuan këngën e tij, Sabriu kujton edhe momentin kur për herë të parë ishte nisur shtigjeve që atij do t’i sjellin lavdinë, ndonëse nuk e kishte nisur me idenë që të bëhej i famshëm.
“Kur e pata filluar, viti 1967 me Akordet e Kosovës, s’e kisha menduar se do të bëhesha i dashur për njerëzit, por e kisha filluar, sepse kam pasur dashuri për këngën. Pastaj, përmes shpirtit të sinqertë, ajo dashuri imja ndaj këngës ka kaluar edhe tek ata që e kanë dëgjuar këngën time”, rrëfen ai. Në këtë relacion, Sabriu tërheq vërejtjen për një element, i cili ka shumë rëndësi në jetën e artistit karshi publikut. “Në këngë, vizualisht mund të tradhtohet publiku dy-tri herë, me pamje, me atraktivitetin, por më shumë jo. Prandaj, unë mendoj se shpirti, ngjyrosja dhe dhënia e kuptimit çdo fjale që e këndoj, trendët muzikorë dhe ritmet që i përcjell unë te dëgjuesit e mi dhe i pranishëm në skenë asnjëherë pa u ndalur, kanë bërë që të jem i dashur për ta, sikur ata për mua. Nëse populli nuk e kupton çdo fjalë të këngës dhe nëse edhe në këngë nuk e thua troç atë që dëshiron, kot e ke. Thuaje, pra, troç në këndim, sepse ky është shpirti që duhet përcjellë. Po nuk e arrite këtë dhe nuk ece me kohën, e pate menjëherë”, shpjegon këngëtari, repertori unikat i të cilit numëron hiq më pak se 800-900 këngë.
E suksesi i madh, për Sabriun, ka një emër, të cilit ai i është mirënjohës tërë kohën. Është kjo bashkëshortja Nera, e cila ndjek me vëmendje rrëfimin e të shoqit, sikur që ka ndjekur me vite dhe vazhdon të ndjekë edhe tani secilin hap të karrierës së tij, duke qenë udhërrëfyesi apo çelësi i suksesit, sikur e thotë për të edhe vetë Sabriu. 
Ajo ndihet e lumtur kur sheh se bashkëshorti i saj e vlerëson atë në maksimum dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimi dhe rehatia e tyre shpirtërore e familjare kanë sjellë suksese dhe freski çdoherë edhe në jetën artistike të Sabriut. “E vërteta është se Sabriu veç po rinohet, po shkon duke u përtërirë”, thotë ajo. Por, modestia e Nerës, provokon Sabriun të thotë më shumë për të, atë që ai vërtet vlerëson se e meriton ajo. “Nera është çelësi i suksesit tim. I njeh të gjithë trendët botërorë në muzikë e art, nuk ka diçka që nuk ndjek dhe, thjesht, këshillat e saj janë të vlefshme dhe vendimtare për mua dhe Ermalin”, thotë ai.

“Sabriu është i të gjithëve”
Sipas përshkrimit që i bëhet nga i shoqi, Nera vërtet del të jetë arkitekti i pothuaj çdo gjëje në familje dhe, mbi të gjitha, një menaxhere e mirë jo vetëm e karrierës së bashkëshortit dhe djalit, por edhe e punëve shtëpiake. E çiltër dhe aspak xheloze, pasi thotë se e njeh mirë të shoqin që s’i ka dhënë asnjëherë shkas të bëhet e tillë edhe kur ai është me qindra e mijëra kilometra larg saj, ajo ka formësuar një koncept për atë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshorte e një artisti të popullarizuar, me të cilin duhet ditur si të ndahen të mirat e të këqijat së bashku dhe duke treguar edhe kujdesin e merituar. “Të jetosh me një artist, nuk është punë e lehtë, besomëni! Por, që ta kesh, duhet të dish edhe ta ruash dhe t’i japësh respektin e duhur”, thotë Nera, duke kujtuar edhe një fakt që i shoqëron njerëzit e famshëm: “Sabriu nuk është vetëm yni, me këngën e tij, ai ka bërë që të jetë i tërë popullit...”
Ajo e përshkruan atë si një njeri shumë familjar, madje thotë se nuk di të ketë dëgjuar për ndonjë artist të jetë më familjar se Sabriu, një njeri i ndjeshëm, i dhembshëm, shumë i sinqertë. Të dy bashkë, ndërkaq, ndajnë mendimin se edhe për fëmijët e artistëve nuk është e lehtë të pranohen në shoqëri pa etiketime dhe disi ndiqen nga hija e prindit, por, sipas tyre, e rëndësishme mbi të gjitha është se kur ka harmoni dhe rehati në familje, kjo domosdo reflekton me suksese dhe në skenë, sikur ndodh te Sabriu. Ai thotë të jenë dy vende që e bëjnë të ndihet më mirë se kudo tjetër: në skenë dhe në familje. 
Sabriu, megjithatë, thotë të jetë modest sa u përket disa gjërave. “Gëzohem me pak, nuk më gëzon pallati, nuk më gëzojnë paratë, mua më gëzojnë familja, rreth im, jam shumë emotiv dhe unë gëzohem për këto gjëra”, thotë ai.
Krahas familjes, Sabriu e Nera shprehin respekt të veçantë për miqtë e shumtë që i kanë. “Kemi shumë miq të mirë, që vlejnë më shumë se mijëra tituj”, thekson Nera. Si njerëz që kanë kaluar shumë kohë edhe në diasporë, Sabriu thotë se ndien një respekt të veçantë për bashkëkombësit atje.“Janë shumë shpirtbardhë, janë ata që ne i shfrytëzojmë e nuk ua kthejmë me të mira ato që i kanë bërë për ne, as si familje, e as si institucione, sepse ata meritojnë vëmendjen tonë”.

I mbushur me dashuri për këngën, në mesin e të cilave pa dyshim do të mbeten të paharruara përjetë “Pranvera në Prishtinë”, “O moj ti me sytë e zi”, “Studenti pa dashuri”, “Kënga e rinisë”, “Atje është Prishtina, atje është Rugova”, “Do të jemi Shqipëri”, “Mos mendo se jam i lumtur” dhe shumë e shumë të tjera, i mbushur me dashuri për familjen , për jetën publike, zhvillimet në botë, për filmin dhe aktorët e preferuar si Dustin Hoffman, Robert De Niro e Sean Penn, për grupet e njohura muzikore si Rolling Stones, Beatles, etj., Sabri Fejzullahu thotë se do të jetë i dashuruar me këngën dhe do të këndojë me dashuri edhe në moshën 80-vjeçare dhe aq sa Zoti do t’i japë jetë.

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version