Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Pse më ndodhi kjo bash mua!
Trafikimi i qenieve njerëzore
Pse më ndodhi kjo bash mua!
Sikur të mund të lindja përsëri dhe sikur të mund të zgjidhja vendin e lindjes, do të zgjidhja anën tjetër të botës. Dhe nuk do të isha vajzë e varfër, veç e fuqishme, e ftohtë dhe do të shkelja çdo gjë para vetes, pa më lëvizur qerpiku. Kështu kanë vepruar njerëzit e pashpirt me mua, duke ma shkurtuar lirinë.

Shkruan Valbona Kelmendi

Në jetën time të shkurtër ka shumë vuajtje, saqë as për një mijë vjet nuk do ta harroj ndjenjën e neveritjes, të dëshpërimin, të poshtërimin dhe dhimbjen, me të cilat e filloj çdo ditë të re dhe çdo mendim për të ardhmen…Pyes veten, pse më ndodhi kjo bash mua?
Edhe pse trupi im tani është i lirë, shpirti im është i robëruar, nën presion ndjenjash nga meshkuj të cilët ishin brutalizuar mbi mua, me pamundësinë që të mbrohesha. Pa dëshirën time, isha një prostitutë e paguar lirë në atë dhomë të ndyrë, ku po kthenin gjithfarë meshkujsh. Më dukej se isha në fund të ferrit. Në fillim me tërë qenien i kundërshtoja, u lutesha, thyeja çdo gjë në atë dhomë ku më kishin mbyllur, kundërshtoja të haja, përpiqesha thjesht të mbytja veten. I numëroja meshkujt të cilët po shfryheshin mbi trupin tim, derisa po i përpija lotët dhe po më kaplonin ngërçet, e pastaj u bëra dru nga kafshëria e tyre. Tani para syve më fluturojnë fytyrat e tmerrshme të atyre meshkujve, të cilët po shfrynin epshin e tyre të ndyrë. A thua është kjo kënaqësi? Kot përpiqesha që secilit t’ia shpjegoja se aty isha kundër dëshirës sime, se kisha nevojë për ndihmë, se isha viktimë e detyruar të prostituoja. Shumica prej tyre me siguri kanë pasur motra të moshës sime.

Duke kërkuar punë, përfundova në bordel
Ditët dhe muajt po kalonin, ndërsa shpresa se do të mund të dilja nga ai ferr, po shuhej. Edhe tash, ndonëse jam e lirë, posa bie mbrëmja, unë përjetoj shqetësim, nervozë dhe frikë. Me muaj të tërë ishte ky fillim i orarit tim të punës, momenti kur në derë të dhomës sime të mjerimit u shfaq ‘klienti’ i parë. Më pas nisën të vinin të tjerët dhe kështu ndodhte deri në orët e hershme të mëngjesit. Disa ishin të rregullt. O Zot, sa po neveritesha prej tyre, sikurse edhe prej vetes, i urreja, e urreja tërë botën, edhe nënën pse më kishte lindur! – rrëfen M. M., vajzë 22 vjeçe, e cila duke kërkuar punë kishte përfunduar në bordel.
E tëra kishte filluar para dy vjetësh, kur në kërkim të punësimit e kishte braktisur qytezën e lindjes, duke besuar se moshatari, të cilin po e njihte që prej kohësh, do t’i gjente punë. E kishte njohur me një shok të tijin, ndërsa ai me të tijtë dhe kështu vajza naive ishte bërë viktimë e tregtarëve të femrave. Mirëpo, nuk kishte dyshuar se do t’i ndodhte diçka e keqe. Nuk kishte mundur as të merrte me mend, sepse nuk kishte pasur fare informata se çka po ndodhte me moshataret e saj, të cilat në të njëjtën mënyrë po kërkonin punë edhe jashtë vendit. Një natë i mbledh gjërat më të nevojshme, përshëndetet me familjen dhe niset në udhë. E ndien veten më lehtë kur vëren se në veturën me të cilën po udhëtonte, nuk ishte e vetmja vajzë, veçse çuditet se si ato ishin dy vajza nga shtetet e jashtme. Ajo, plot shpresë pyet se çfarë pune do të bënte, sa do ta kishte rrogën, a ishte vështirë ta gjente një banesë, si do të gjendej, meqë nuk po e dinte gjuhën e vendit ku po shkonte, por që me padurim po priste të arrinte atje. Ngasësi i automobilit ishte fjalëpakë, ndërsa në një çast ia ofron një lëng.
- Pas disa thithjeve të lëngut, ndjeva se si po fluturoja në hapësirë! Pastaj trupi nisi të më bëhej i rëndë, më dukej se po humbja vetëdijen… Nuk di për sa kohë isha në atë gjendje, porse kur erdha në vete, isha e shtrirë në një shtrat në një dhomë të mobiluar varfërisht dhe të përlyer. Duke m’u ngatërruan hapat, arrita deri te dera, por ishte e kyçur. U mundova ta hapja dritaren, por hasa në një rrjetë hekuri. Tashmë e kisha të qartë se nuk kisha arritur atje ku isha nisur. Ku isha? Ku është njeriu që më kishte lënë aty, ku janë vajzat të cilat po udhëtonin me mua në veturë? As torba ime nuk ishte, as dokumentet, asgjë.

Çfarë po pret, zhvishu!
Po e ndieja se diçka nuk ishte në rregull, frika më hyri në gjithë trupin. Megjithatë, kjo ndjenjë ishte cikërrimë në krahasim me atë që do të ndodhte më vonë. Dyshimin tim e ndërprenë hapat para dhomës dhe hapja e derës. E hapi i panjohuri, ndërsa prapa tij hyri edhe i dyti. Pyeta ku jam, pse jam e mbyllur, ku është njeriu i cili më solli këtu, ku i kisha gjërat personale dhe dokumentet, dhe u nisa të dilja. Por, njeriu i panjohur më shtyu brutalisht, duke më thënë: Vogëlushe, ti nuk do të shkosh askund dhe mos pyet asgjë. Veç puno! U kthye dhe doli, ndërsa ai i dyti filloi të zhvishej. E pyeta se çfarë po bënte, ndërsa m’u përgjigj: Ishalla ti po e di se ç’më duhet mua. Çfarë po pret, zhvishu!
Për një çast u bëra gur, e pastaj në mua u zgjua inati, zemërimi dhe kundërshtimi. E shtyva atë barkmadh të neveritshëm dhe të përlyer dhe me tërë fuqinë time u hodha nga dera. Ishte e mbyllur. Fillova t’i mëshoja, të thërrisja në ndihmë, të piskatja, po askush nuk po reagonte. Piskamën time e mundi muzika nga dhoma fqinje, e dita se askush nuk do të më ndihmonte. Shpresa e fundit ishte mëshira e atij mashkulli i cili po qëndronte lakuriq pranë shtratit. Sipas moshës së tij, unë mund të isha vajza e tij. Po flisja duke qarë, se ky ishte një gabim, se unë nuk isha prostitutë, se kisha kërkuar punë dhe se isha aty kundër dëshirës sime! Nuk po më dëgjonte, por u hodh mbi mua, nisi të më zhvishte me forcë dhe të më godiste me shuplaka. Kur e kënaqi nevojën e tij shtazarake, trokiti në derë të cilën e hapi menjëherë dikush dhe përsëri e rrotulloi çelësin. Veç tmerrit dhe neveritjes, i vetmi mendim imi ishte se sa më parë duhej të dilja nga ai ferr. Porse nuk pata kohë për të menduar më gjatë, kur para derës së dhomës përsëri u dëgjuan hapat, u rrotullua çelësi dhe hyri edhe një i panjohur. As atë nuk po e interesonte kush jam dhe si isha gjendur aty. Kërkoi zbavitje të lirë, e meqë nuk isha e gatshme për diçka të tillë, përsëri mora goditje fizike, ndërsa ai mori atë për çfarë kishte ardhur. Pastaj hyri i treti, i katërti… Tmerri im dhe nata nuk kishin fund. Nga mëngjesi heshti muzika dhe ai vend ku isha ra në heshtje. Po dridhesha në shtrat, qaja, shkulja flokët dhe mallkoja momentin kur kisha vendosur ta braktisja qytezën time. Më neveriste trupi im, po qaja dhe po vjellja njëkohësisht.
- Nuk e kisha të qartë çfarë kishte ndodhur në fakt, si ndodhesha në atë situatë. Nuk e kam ditur se ka femra që detyrojnë femrat të merren me prostitucion! Ëndrra ime ishte të dilja nga varfëria dhe të kisha standardin të cilin e kishte familja ime para luftës. Pas mbarimit të shkollës së mesme, disa vjet kisha kërkuar punë, por pa sukses dhe në fund kisha vendosur të dilja jashtë, por fati nuk erdhi me mua. Në fund mbeta pa të vetmen që e kisha – pa lirinë. Statusi im ishte edhe më i keq se i të burgosurit. Nuk e kisha merituar atë që e përjetova dhe nuk kisha mënyrë sesi t’i lajmëroja dikujt çfarë po ndodhte me mua. E pikëlluar po kujtohesha si t’ia bëja, ndërsa ditët po kalonin e të njëjtit meshkuj po vinin nga disa herë.

I njohuri në derë
Nuk po i numëroja më meshkujt që po më vinin në dhomë, kisha pushuar së numëruari edhe ditët e muajt. Çfarë të duhet jeta kur ta kanë marrë shpirtin… Dhe një ditë në derë të asaj dhome të mallkuar hyri një njeri i njohur. Nuk po mund të besonte se isha unë, në qytetin tim po flisnin se po punoja në Itali. Prindërve të mi u kishin shkuar edhe do farë letrash. Ky njeri ishte e vetmja rrugë imja për në liri. Ndenji pak kohë në dhomë dhe doli, duke më thënë se do të kthehej përsëri. E mbajti premtimin, erdhi disa orë më pas, përsëri si klient imi dhe më nxori nga ai vend, ndërsa me veturën e tij më çoi deri në stacionin e parë të policisë. Nuk e kisha lehtë të rrëfeja krejt ç’kisha përjetuar, frikohesha nga secili që ma shtrinte dorën… Më kanë ndihmuar edhe psikologët, por kush do të ma kthejë shpirtin?! Si do të jetoj më tutje me ngarkesën e kujtimeve dhe të përbuzjeve? Do të dëshiroja të ikja sa më larg që të mos më shohin e njohin njerëzit e qytezës sime, por tani jo me premtime të rrejshme!
Është ky një rrëfim që duhet t’u japë mësim e mend vajzave të reja, dhe jo vetëm në muajin kundër trafikimit me moton “Hapi sytë”!

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version