Afërdita Uka
Sapo shfaqeshin simptomat e para, përmes të cilave e kuptonte se ishte shtatzënë, L.V. (26) lutej me shpirt që fëmija t’i takonte gjinisë mashkullore. Këtë e bënte jo se nuk i donte vajzat, por, duke u bazuar në mentalitetin e familjes së burrit, e kishte kuptuar me kohë se në atë shtëpi ishin të dëshiruar vetëm djemtë. “Ishalla nuk i ke ngja nanës tande me i vargisë çikat”, i kish thënë e vjehrra, sapo kishte kuptuar se ishte shtatzënë. Kjo e kishte sëmbuar në shpirt, por nuk ishte dhënë.
Me kalimin e ditëve, aq shumë trembej nga mendimi se mund ta kishte vajzë, sa as që guxonte ta mendonte. Kur po mbushte 4 muaj shtatzëni, vjehrra i kishte kërkuar burrit të saj që ta dërgonte tek mjeku për ta kuptuar gjininë e foshnjës. Lutej me shpirt që ta kishte djalë, ngase as që mund ta merrte me mend cilat do të ishin reagimet e familjarëve të burrit, nëse do të ishte vajzë. Edhe sot e kësaj dite i vjen keq, që kishte qarë aq shumë në dhomën e mjekut, kur ai ia kishte komunikuar lajmin se po priste një vajzë. As që kishte pyetur për shëndetin e saj, por vetëm për gjininë. Mynxyra për të kishte filluar kur ishte kthyer në shtëpi. Vjehrra, si bos i shtëpisë, nuk e kishte kursyer për asnjë moment. E detyronte të kryente punë, që ishin me rrezikshmëri për shëndetin e saj dhe të foshnjës. Të kundërshtonte, as që merrte guximin. E ndiente veten të pafuqishme përballë gjithë familjes, aq më tepër kur nuk e kishte asnjë fije përkrahjeje as nga bashkëshorti, i cili ishte shumë i përulur në atë familje, posaçërisht në raport me të ëmën...
Edhe në shtatzëninë e dytë, kur kuptoi se po bartte një vajzë dhe ia komunikoi vjehrrës, ajo u tërbua nga zemërimi se djali i saj do të mbetej pa trashëgimtar dhe nuk i kurseu fyerjet për të, që “nuk po ua shtonte farën”. Kur mori guximin t’i thoshte se ajo nuk ishte fajtore për gjininë e fëmijëve, por djali i saj, në kulmin e zemërimit, vjehrra e nxiti burrin e saj që ta rrihte keq të shoqen. Për shkak të çivitosjeve, për disa ditë me radhë ia ndaluan të dilte nga dhoma.
Pas shumë trajtimesh popullore e metodave besëtyte, kur kishte ngelur shtatzënë për së treti herë, tashmë e dinte se fatin e foshnjës do ta përcaktonte e vjehrra. Ia kishte bërë me dije se, nëse do ta kishte prapë vajzë, do të duhej të shkonte në Prishtinë për të abortuar. Kjo edhe ndodhi. Por, pasi që shtatzënia e saj tashmë kishte kaluar periudhën kohore kur me ligj lejohet aborti, u desh të përzgjidhnin një klinikë private për të kryer abortin ilegalisht. Përveç dhimbjeve të thella fizike e psikike, pas humbjes së fëmijës, ajo pati edhe probleme të shumta shëndetësore, aq sa iu rrezikua edhe jeta. Për shkak të gjakderdhjeve të pandërprera, mjekët u detyruan që më pas t’ia hiqnin edhe mitrën dhe mezi arritën ta shpëtonin.
Çrregullimi i raportit gjinor - dëshmi e aborteve selektive
Dr. Myrvete Paçarada - drejtoreshë e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ), tregon se gjatë vitit 2018 në këtë klinikë janë kryer 272 aborte, 116 prej të cilave artificiale, deri në javën e 10-të të shtatzënisë, ndërsa 156 kanë qenë aborte të lejuara nga konsiliumi mjekësor, të natyrës mjekësore, ku dominojnë patologjitë fetale. Mbase për faktin se abortet selektive janë të ndaluara me ligj, Dr. Paçarada thotë se nuk kanë kërkesa nga pacientet për të kryer aborte selektive. Edhe në rast se do të kishte kërkesa të tilla, drejtoresha e KOGJ-it thotë se personeli mjekësor është i përgatitur që të japë informacionet e nevojshme, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë etik e profesional. Nga ana tjetër, Visare Mujko - Nimani, specialiste e programeve në Zyrën e UNFPA-së në Kosovë, thotë se, në bazë të hulumtimeve, që i ka kryer kjo organizatë në vende të ndryshme përfshirë edhe Kosovën, në bazë të statistikave vitale para disa dekadash, është ndikuar çrregullimi i raportit natyror në mes të të lindurve në vendin tonë. Sado që nuk ekzistojnë shifra të sakta zyrtare, që e konfirmojnë se në Kosovë kryhen aborte selektive, Mujko-Nimani thotë se raporti gjinor normal është: për 100 vajza të lindura, lindin 106 djem. Ndërkaq, në Kosovë ky raport është: për 100 vajza të lindura, lindin 110-112 djem, gjë që tregon se raporti natyror po zhvendoset në mënyrë artificiale në favor të djemve.
“Shoqëria kosovare është ende shoqëri patriarkale, që në familje më shumë vlerëson djemtë se vajzat, një shoqëri me pabarazi gjinore, e cila shprehet që kur foshnja gjendet në barkun e nënës, shoqëri që preferon të ketë së paku një djalë në familje, të cilit ose të cilëve u jepet përparësi në shkollim, u jepet tërë trashëgimia e prindërve etj.”, përfundon ajo e bindur se këtu zë fill diskriminimi gjinor.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.