Shkruan Blinera Gashi
Prof.Asoc.Dr.Violeta NUSHI, arkitekte
ZHVILLIM ME DEVOTSHMËRI
Krenohem me secilin sukses të arritur gjatë kohëve relevante të zhvillimit dhe ushtrimit të profesionit të arkitektit/es, që prej vitit 1989 e deri më tani, përgjithësisht, në të tri drejtimet e veprimtarisë dhe krijimtarisë, si projektuese dhe monitoruese e ndërtimit; pedagoge në vend e jashtë vendit; si dhe në nivelin hulumtues e akademik. Por, në veçanti krenohem me arritjet e të fituarit të titullit Doktor i Shkencës, i pari në nivelin e Kosovës në fushën e Arkitekturës (Qershor 2007); dhe së fundmi me ftesën e Universitetit të Shkencave të Zbatuara të Dortmundit, si mësimdhënëse (semestri pranveror, Mars 2016).
Përgjithësisht, ndihem e sfiduar në rastet e diskriminimit për hulumtime dhe performancë në forumet ndërkombëtare të kërkimit, pra kur arritjet individuale dhe/ose ekipore të hulumtimeve, të bëra në fushën e arkitekturës e të ndërtimit të Kosovës, duhen përfaqësuar me devotshmërinë e duhur. Meqenëse, në shumicën e rasteve, shpalosja e arritjeve modeste studimore është e krahasueshme me literaturën dhe praktikën ndërkombëtare, prapëseprapë proporcionalisht është më pak e avancuar në krahasim me potencialet ndërkombëtare. Meqenëse jam bashkëshorte, nënë, vajzë, nuse dhe motër, në njërën anë, e njëkohësisht edhe pedagoge e hulumtuese, në anën tjetër, ndihem kompetente t’u sugjeroj grave në mënyrë të përmbledhur: t’i kërkoni dhe t’i meritoni mundësitë për zhvillimin tuaj si femër me devotshmëri, në të gjitha realitetet sociale, kulturore, ekonomike e mjedisore. Gjithmonë brenda vetes duhet t’i kemi përgjigjet për pyetjet e përkatësisë sonë familjare, intelektuale, të mirëqenies materiale dhe kombëtare, gjatë tërë kohës së ndërveprimit të botës sonë femërore me botën mashkullore, kudo dhe kurdo. Pra, duhet synuar me zgjuarsi përmbushja e nevojës sublime, në hierarkinë e nevojave sipas Maslow-it, nisur nga nevojat fiziologjike, për siguri, për dashuri e përkatësi, për mirënjohje e deri tek nevoja e vetakualizimit. Kjo, doemos duhet të arrihet duke bërë ngritjen tonë sociale, intelektuale dhe të mirëqenies, hap pas hapi, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.
Lejla Pula, pianiste
Qëndrueshmëria, vullneti, entuziazmi
Sinqerisht thënë, unë mendoj se aktiviteti artistik-koncertal nuk mund të identifikohet me ndjenja krenarie, por satisfaksion dhe përmbushje emocionale. Nëse e bëj një retrospektivë dhe e analizoj rrjedhën e karrierës sime koncertale nga fillimet e interpretimit pianistik, mund të konstatoj se e kam të pranishme në kujtesë njësoj paraqitjen time koncertale si nxënëse 14 vjeçe në Krime të Ukrainës, sikur edhe atë të vitit 1981 në "Lojërat Verore të Dubrovnikut", si soliste me Orkestrën e RTP-së, ose paraqitjen e fundit solistike në 2015 me Filarmoninë e Kosovës. Arti nuk njeh moshë, ndjenjat dhe ekspresiviteti i aktit të interpretimit muzikor mbesin të njëjta, normalisht se me një këndvështrim dhe pjekuri tjetër, e cila vjen gradualisht si rezultat i formësimit profesional gjatë perfeksionimit artistik. Vetë profesioni i instrumentistit/interpretit është sfidë e veçantë për të. Pas kohës së studimeve, fillojnë sfidat e vërteta të ballafaqimit të idealeve artistike me realitetin. Gjithashtu, edhe rrethi, shoqëria, familja, obligimet e panumërta, puna pedagogjike, të gjitha këto e sfidojnë posaçërisht gruan artiste, interprete, e cila duhet të sakrifikojë shumë kohë për përgatitje me përkushtim të plotë, me qëllim të perfeksionimit profesional. Këtu janë qëndrueshmëria, vullneti, entuziazmi dhe pasioni i vërtetë, veti që medoemos artistin e vërtetë e shpien drejt suksesit! Kemi shembuj të panumërt të grave të fuqishme në botë, fatmirësisht edhe në shoqërinë tonë kosovare. Mendoj se edukata familjare, po aq sa edhe karakteri i personalitetit, luan rol të rëndësishëm në qasjen e femrave ndaj vetvetes në jetë. Ndjenjat e natyrshme dhe të fuqishme të barazisë, sigurisë në vetvete dhe lirisë së shprehjes, duhet të kultivohen nga fëmijëria tek femrat në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë. Duhet të luftohen guximshëm dukuritë ku femra nënshtrohet dhe të vetëdijesohen që të drejtat, suksesi dhe fjala e barabartë e femrave në shoqëri të jetë absolutisht e vetëkuptueshme. Unë mendoj se emancipimi i plotë i femrave është me rëndësi kruciale në shoqëri dhe që paraqet çelësin kryesor për avancimin dhe përparimin e çdo shoqërie.
Xhevahire Izmaku, deputete
Gjërat nuk ecin lehtë
Puna ime profesionale dhe puna ime aktuale është shumëpërfshirëse: Në sferën e artit e letërsisë, jam në fazën e botimit të librit të 4-t, në fushën e zhvillimit akademik, këtë periudhë jam në procesin e punimit të temës së doktoratës qe 3 vjet në Universitetin publik të Tiranës, drejtimi i gazetarisë. Duke njohur pedagogë, si prof. dr. Mark Marku dhe Artan Fuga, mund të them se po e plotësoj një ëndërr timen dhe të prindërve, se dikur ishte një mision i pamundur që ne të ndjekim studimet në Shqipëri. E sa për krenarinë, nuk e kam shumë faktor dominues, por ndihem përgjithësisht e realizuar dhe kur marr parasysh kushtet në të cilat është zhvilluar karriera ime, si një fëmijë mësuesi, edhe ndihem komode, por ambiciet ende s’më lënë rehat! Sfida ka të natyrave të ndryshme, unë këto i takoj në të gjitha aktivitetet e mia, sot në këtë nguti të përgjithshme shoqërore, asnjë gjë nuk ecën lehtë! Një sfidë e cila nuk lidhet me mua personalisht, por më atakon moralisht, derisa jam në një pozitë të tillë politike, është mungesa e vendeve të punës për të rinjtë! Pjesa tjetër ka të bëjë me studentët e mi, edhe pse ka vetëm 5 vjet që jam në rolin e ligjërueses, ndiej që roli im edhe këtu është në dy segmente: - si të jem sa më e saktë në drejtimin që mund t`u jap leksioni im, dhe - motivimi kur studentët më shohin edhe nga prizmi politik! Porosia ime është e thjeshtë; ndiqeni ëndrrën tuaj, sado që mund të ju duket e vështirë dhe rrugë e gjatë, edhe kur rrëzoheni, duhet të ngriheni përsëri, askush s’e ka të shtruar me lule rrugën e suksesit, është e vështirë, por kurrsesi e humbur. Krejt në fund, një thënie filozofike; `Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë’ - Henry David Thoreau.
Prof. Dr. Iliriana Islami, juriste
Për të arritur një baraspeshë kërkohet sakrificë
Ngritja profesionale në karrierë është një vazhdimësi, një cikël që pothuajse nuk përmbyllet asnjëherë dhe që mund ta konsiderojmë një mishërim i punës, studimit, dedikimit, dhe angazhimit maksimal. Sukses janë rezultatet e punës, ndërsa rezultatet janë të lidhura gjithmonë me punën dhe përvojën profesionale.
Për mua të qenit gjyqtare e gjeneratës së parë të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është një arritje shumë e lartë në karrierën time. Megjithatë, një profesionalizmi për të arritur deri në këtë pikë, i ka paraprirë një punë shumë e gjatë akademike si dhe një përvojë e madhe e punës. Puna si asistente në Fakultetin Juridik dhe më pas si profesoreshë e këtij Fakulteti, përvoja dhjetëvjeçare në OSBE, përvoja në projekte të shumta, përfshirja në grupe të ndryshme punuese janë po ashtu arritje në karrierën time. Çdoherë për një grua e cila ka angazhime profesionale, pothuajse sfidë është familja. Puna shkencore kërkon kontinuitet, kërkon angazhim, e në anën tjetër edhe familja kërkon punë dhe angazhim maksimal. Për të arritur një baraspeshë kërkohet sakrificë, prandaj kur balancohen kërkesat e familjes me punën shkencore, e konsideroj sfidë po edhe në anën tjetër përmbushje dhe kompletim të personalitetit dhe të karrierës personale. Edukimi, mësimi, studimi, puna dhe, mbi të gjitha, devotshmëria në punë janë cilësi që e bëjnë çdo grua komplete në punën e saj. Fatmirësisht, shoqëritë demokratike kanë shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut, dy shtyllat kryesore mbi të cilat e kanë ngritur shtetin e tyre. Ne si shoqëri e re jemi duke aspiruar të arrijmë këtë rrugë, prandaj të drejtat e gruas janë pjesë e këtij sistemi demokratik dhe sigurisht që tregu, hapja e tregut, mundësitë do të sjellin edhe gruan në qendër të vëmendjes e përgatitja edukative ndihmon që gruaja të jetë e gatshme të jetë pjesë e shoqërisë, e barabartë në punë dhe në çdo angazhim tjetër.
Dr.sci. Zana B. Agani, stomatologe
Të jesh femër e suksesshme – duhet të jesh këmbëngulëse
Nuk mund të cek në veçanti vetëm një sukses, pasi që në periudhën e dhënë kohore, suksese të caktuara më kanë bërë të ndihem shumë krenare. Fillimisht, si studente e Fakultetit të Mjekësisë-Dega e Stomatologjisë, dekorohem nga Rektorati i UP-së së atëhershëm me titullin Student i Dalluar; pastaj, pas diplomimit, në vitin 2000, nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, dekorohem me mirënjohjen e Studentit më të Dalluar në 10-vjeçarin e fundit. Pikërisht ky moment më ka dhënë shtytje dhe më ka ushqyer vetëbesimin që në të ardhmen të jem posaçërisht e përkushtuar që të jap maksimumin për pacientët e mi, si specialiste e Kirurgjisë Orale dhe studentët e mi, si asistente në lëndën e Kirurgjisë Orale. Sukses të veçantë e konsideroj përfundimin e specializimit nga lëmi i Kirurgjisë Orale, krahas realizimit të një varg aftësimesh profesionale jashtë vendit si dhe përfundimin e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës dhe të Studimeve të Doktoraturës në Universitetin e Shkupit “Shën Kiril dhe Metodij”. Me sfida të shumta jam ballafaquar në jetë. Gjatë karrierës sime shpeshherë, për periudha të gjata kohore, më është dashur të largohem nga Kosova për avancime profesionale, si në Austri, Zagreb, Gjermani dhe ndarja nga më të dashurit e mi nuk ka qenë e lehtë. Gjithashtu, sfidues ka qenë edhe studimi i Doktoratës në Universitetin e Shkupit “Shën Kiril dhe Metodij”, të cilën më është dashur ta realizoj në gjuhën maqedonase. Të jesh femër e suksesshme, e sidomos në Kosovë, do të thotë të jesh parimore dhe shumë këmbëngulëse, të kesh të qartë qëllimin dhe të mos e pranosh pengesën si opsion. Me një qëndrim të tillë, të gjitha pengesat gjatë këtij rrugëtimi do t’i kalosh më lehtë. Femrave të reja u sugjeroj të ndjekin bukurinë e dijes, pasi ajo do t’i zbukurojë gjithë jetën. Fillimisht ta respektojnë vetveten dhe të fitojnë respektin e të tjerëve. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, përkundrazi, kërkon përkushtim, shumë punë dhe vullnet, por, i gërshetuar në këtë mënyrë, rezulton me sukses të garantuar.
Dr. Mrika Kotorri, ekonomiste
Vetëbesimi, parakusht për të kontribuuar
Konsideroj se arritja ime më e madhe profesionale është që jam pjesë e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës dhe në atë amerikan RIT/AUK (Rochester Institute of Technology/ American Education in Kosovo). Në këto dy institucione, gjithnjë duke respektuar përgjegjësitë e mia të mësimdhënies, përpiqem që te studentët të dërgoj mesazhin se vetëm me mund dhe me punë të mirëfilltë mund të kapërcejnë çdo sfidë dhe të realizojnë qëllimet e tyre. Zhvillimi profesional i personelit akademik konsideroj se është proces i vazhdueshëm që na obligon të jemi gjithnjë të angazhuar dhe studentëve t’u sjellim më të rejat e shkencës. Duke u bazuar në këtë, në kuadër të publikimeve të mia shkencore ndërkombëtare, vitin që shkoi kam publikuar librin në fushën e ekonomiksit të migracionit. Ky libër është botuar nga një shtëpi botuese gjermane dhe si i tillë është renditur në Librarinë Kombëtare në Gjermani dhe Librarinë e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsecili prej nesh ballafaqohet me sfida në faza të ndryshme të zhvillimit profesional. Për mua sfidë ka qenë të qëndroj larg familjes gjatë shkollimit, studimeve për master dhe për doktoraturë në Staffordshire University, në Britaninë e Madhe. Megjithatë, me ndihmën e tyre kam arritur që kjo të mos ndikojë në cilësinë e zhvillimit tim profesional. Këtë vit kam një sfidë të re. Jam në përfundim e sipër të një punimi të ri shkencor i cili do të publikohet nga Peter Lang Publishing, shtëpi botuese akademike zvicerane. Publikimi do të jetë pjesë e një libri shkencor, ku do të përfshihen punimet e njohësve të ndryshëm nga fusha e shkencave sociale. Mendoj se dominimi i meshkujve dhe normat shoqërore, të cilat ndikojnë që gratë të ballafaqohen me kufizime në lirinë e tyre ideologjike, sociale dhe kreative, edhe pse më pak të shprehura, ende ekzistojnë. Për t’u ballafaquar me diskriminimin, nuk besoj se ekziston ndonjë formulë për të cilën ka konsensus shoqëror. Besimi në rëndësinë e shkollimit dhe besimi në vetvete janë mjete kyç për realizimin e qëllimeve. Prandaj, grave u rekomandoj që të besojnë në vlerën e shkollimit cilësor, si parakusht për zhvillimin e mendimit kritik dhe atij profesional. Këto të fundit do t’i ndihmojnë gratë të fitojnë forcën për t’u ballafaquar me sfidat. Po ashtu, u rekomandoj që të identifikojnë qëllimet e tyre dhe të besojnë në shkathtësitë e tyre për t’i realizuar ato. Vetëbesimi është parakusht për të kontribuuar me tërë kapitalin e tyre njerëzor në sfera të ndryshme të shoqërisë.
Laura Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive