Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Gratë flasin për ditë të vështira...
Viti që pothuajse më shkatërroi
Gratë flasin për ditë të vështira...
Të mbijetosh në një sfidë me kancerin, të gjesh kurajën për të jetuar edhe kur vdekja të ka rrëmbyer njeriun më të shtrenjtë të jetës, t’i thuash stop dhunës në familje e për pasojë të divorcohesh, në ditën e 15-vjetorit të martesës. Ngjarjet e tilla përjetohen një herë në jetë, në një vit të caktuar, i cili memorizohet si një pikë e zezë në trurin e njeriut, por po këto ngjarje, sfida, i kalisin e i bëjnë njerëzit më të fortë. Lexoni rrëfimet e këngëtares Besiana Mehmedi, aktores Adriana Matoshi dhe aktivistes për të drejta të njeriut, Luljeta Aliu, për të kuptuar se si e përballën ato ngjarjen më të rëndë në jetën e tyre.

Viti që pothuajse më shkatërroi

 

Shkruan Antigona Uka Lutfiu


 

 

Është rikthyer në skenë, pas një kohe që nuk ka dashur të dëgjojë muzikë e le më të këndojë dhe të merret me aktivitete. “Lajmi për sëmundjen e babait, në gusht të vitit 2016, më ka tronditur aq shumë, saqë periudha gusht 2016 deri gusht 2018 është më e vështira në jetën time”, kështu shprehet këngëtarja Besiana Mehmedi, pas vdekjes së babait të saj, publicistit dhe gazetarit Qani Mehmedi, me të cilin kishte një lidhje të posaçme.

Nuk besoj se do ketë diçka që do të më rëndojë më tepër sesa humbja e babait. Mendoja se me ikjen e tij - jeta nuk vazhdon. I jam lutur sa e sa herë Zotit që të marrë gjysmën e jetës sime vetëm e vetëm që të jetoj me babanë tim. Por, jeta qenka e padrejtë. Ajo t`i merr njerëzit më të dashur, duke të lënë vetëm me kujtimet për ta dhe me mendimin se ata po na presin diku”, pohon e mërzitur ajo.
Thotë se është rikthyer në skenë vetëm pse ndien obligim ndaj babit dhe krahas aktiviteteve në muzikë, vazhdon ligjërimin në Universitetin e Tetovës.
Për Besianën, viti që konsideron se pothuajse e shkatërroi, ishte pa diskutim viti 2017. “Humbja e babait më shembi të gjitha ëndrrat, se pas çdo stuhie del dielli. 18 korriku është datë që nuk dua të ekzistojë as në kalendar. Rikuperimi nuk ka qenë i lehtë”, kujton ajo. Madje, ende nuk i besohet se babai nuk është. “Nuk kam dashur ta pranoj se luftën e kam humbur. Unë kam luftuar shumë me sëmundjen e tij, ndërkohë që sot them se e kam torturuar shumë shokun tim, babin tim dhe dashurinë më të madhe të jetës, duke i dhënë ushqim, ilaçe me çdo kusht, edhe kur kundërshtonte. Ndërkohë, fare nuk kam folur për vdekjen, humbjen, amanetet. Kam luajtur rolin se sëmundja e tij do të kalojë dhe ne do të jemi të lumtur. Shpesh kam dashur fort ta shtrëngoja e ta përqafoja dhe nga droja se do mendojë që di diçka për sëmundjen e rëndë, tërhiqesha. Vetëm 24 orët e fundit, kur ai ishte në koma, jam çmallur dhe e kam përqafuar fort”, rrëfen momentet e fundit me babanë, këngëtarja, duke shtuar përmallshëm se i mungon shumë dhe ndihet si pa krahë. “Atë e kisha kritik, mësues, mbështetës, baba, busull në jetë. Është e pamundur të thuhet me fjalë se çfarë humbje ndiej thellë në zemër. Ka momente kur ndihem fare e shkatërruar dhe tepër e lodhur, edhe e dëshpëruar me Perëndinë, sepse Qaniu ishte vetëm 64 vjeç, me shumë plane, energji e kthjelltësi, që kishte çfarë t’i falte familjes dhe shoqërisë”, shprehet si në revoltë Besiana. E pyetur nëse kishte marrë ndonjë këshillë nga tashmë i ndjeri Qani, për të përballuar situatat e vështira dhe a i mori parasysh pas humbjes së tij, këngëtarja përgjigjet, “Nuk ka ditë që nuk e kujtoj babanë tim dhe dua ta dëshmoj se jam trashëgimtare dinjitoze e tij dhe se investimi i tij nuk ka shkuar huq. Kjo më bën të vazhdoj të punoj, sepse ai do të dëshpërohej shumë sikur të jem joproduktive dhe e dobët. Kam mësuar aq shumë nga ai për jetën, saqë çdo ditë më kujtohet ndonjë fjalë”. Me gjithë dhimbjen, humbjen, Besiana i mblodhi forcat dhe u rimëkëmbë, pavarësisht që me babanë gjallë ndihej më e fortë. “Pas njëvjetorit që e organizuam dhe tri këngëve me dedikim, që i kam edituar në një CD, nëna ime më tha: “ky depresion nuk po të shpie askund. Njerëzit do të thonë Qaniu i ngriti dhe i mbajti me zor. Tani që ai nuk është, ja si dështoi Besiana”. Kjo fjali e saj më ka detyruar, përkundër vullnetit dhe forcës së brendshme, që t’i them vetes ktheju punës, ushtrimeve, koncerteve dhe projekteve që babin do ta bënin të lumtur, andaj në çdo koncert shoqërohem me fotografinë e tij, që e mbaj vazhdimisht me vete. Edhe kur jam keq, i lutem dhe çdo gjë rregullohet. Kur kam nevojë dhe më merr malli shumë, lutem të më vijë në ëndrra, që të komunikojmë dhe kjo më ka ndodhur shpesh. Jeta aktuale është shumë dinamike, me udhëtime të vazhdueshme, që të mundëson ta humbësh mendjen dhe të gënjesh veten se babi është diku. Sigurisht që në krejt këtë fazë kam pasur fat që kam Shkodranin, që më ka kuptuar dhe më ka mbështetur, ndërkaq satisfaksion gjej tek nipi im, djali i vëllait-Mentorit, tek Andi, 4-muajsh, që reflekton pozitivitet dhe energji, që, sa herë e shoh, më ngjan në babin dhe imazhin paqësor që kishte”, përfundon këngëtarja.

  

Si nënë e re e katër fëmijëve, është ballafaquar me vështirësi në secilën shtatzëni. “Jam ballafaquar me jetë a vdekje, por në shtatzëninë e fundit, d.m.th. të katërtën me radhë, unë e kuptova që e kisha një tumor në kokë”, ky ishte viti më i trishtë në jetën e aktores Adriana Matoshi.

Mjafton ta ndjekësh një intervistë të saj, ta shohësh një insert nga aktrimi i saj, për ta kuptuar se rrezaton pozitivitet, por duhet lexuar rrëfimi i saj, për ta kuptuar se sa grua e fortë është. Adriana Matoshi, aktorja gazmore e serialeve, por edhe rrëmbyesja e shumë çmimeve në festivale ndërkombëtare të filmit, për revistën “Teuta”, rrëfen për vitin që gati e shkatërroi.  Cila ishte sfida jetësore, së cilës Adriana i bëri ballë me sukses?!

“Ka pasur shumë vjet që unë kam pasur vështirësi në jetë, kryesisht të gjitha vështirësitë kanë të bëjnë me shëndetin. Duke marrë parasysh që jam nënë e katër fëmijëve, secila grua mund t`i dijë vështirësitë që shfaqen gjatë shtatzënive, pastaj lindjet dhe pas lindjeve”, shprehet aktorja, duke shtuar se për secilën lindje e ka nga një histori të trishtë, “jam ballafaquar me jetë a vdekje, por në shtatzëninë e fundit, të katërtën me radhë, unë e kuptova që e kisha një tumor në kokë, dhe vet fjala tumor është e rëndë, duke mos përfshirë gjendjen emocionale, shpirtërore e fizike që kisha”.
Katër fëmijët dhe prindërit, ishin motivi kryesor që Adriana të gjente kurajë për shërim. “Për hir të prindërve dhe fëmijëve që kisha, unë i kam mbledhur të gjitha forcat për t’u ballafaquar me diçka serioze, pa e ditë përfundimin. Krejt çka kisha në atë kohë, ishte vetëm Zoti, lutesha çdo ditë e çdo natë për të më dhënë forcë e kurajë”, rrëfen aktorja, duke mos harruar të përmendte edhe “Mjekun tim dhe të shumë pacientëve të tjerë, Dr. Mentor Petrelan”.
“Domethënë, viti më i suksesshëm si aktore dhe më i vështirë për mua si njeri, ishte viti 2012”, pohon ajo.
“Pas asaj periudhe shumë të mundimshme, unë shumë shpejt e mora veten, falë gjithmonë Zotit, për forcën që ma dha, falë Mamit e Babin, që për asnjë moment nuk më lanë vetë, falë familjarëve, rrethit e shoqërisë sime, që më kanë qëndruar afër gjithmonë”, shprehet aktorja. Sipas saj, fëmijët, kanë qenë motivi kryesor që e shtynë të arrinte të bëhej e fortë, “por asnjëherë duke mos harruar të falënderoj veten, që, me gjithë shumë dhimbjet që përjetoja, unë kisha vullnetin për të vazhduar me punë, sepse profesioni që e doja ishte edhe një motiv që unë të zgjohesha nga shtrati e t’i përvishesha punës”.
Tejkalimi i kësaj sfide, lënia prapa krahëve e vitit 2012, e forcoi aktoren akoma më shumë.
“Prej atij momenti, mua më është dukur që kam lindur për së dyti dhe asnjëherë nuk ia lejova vetes që të ndihesha e lodhur, bile e kam tepruar më shumë se ç`duhej. Tani, pas gati shtatë vjetëve punë intensive, më duket se duhet të marr pak pushim, sepse kur ne nuk ndalemi, atëherë diçka pik nga qielli dhe Zoti mund të ta japë pushim edhe me ndonjë sëmundje tjetër”, përfundon aktorja, duke qeshur.

 

Nga një e mbijetuar e dhunës në familje, ajo është kthyer në një zë mbrojtës për gratë e tjera, që çdo ditë ballafaqohen me këtë dukuri. Luljeta Aliu, është një aktiviste për të drejta të grave, e cila paraprakisht kishte vendosur t’i thotë Stop dhunës së ushtruar nga bashkëshorti ndaj saj.

`Me ish-burrin jemi njohur në Zvicër, ku jam rritur dhe isha në studime. Edhe ai kishte jetuar disa vjet atje. U martuam në vitin 2004”, rrëfen Luljeta, duke sqaruar se bashkëshorti u kthye po atë vit në Kosovë dhe filloi të merrej me biznes, ndërsa ajo u kthye në vitin 2008. “Prejse kam ardhur në Kosovë dhe kemi vendosur të jetonim këtu, ngela shtatzënë, marrëdhëniet mes nesh filluan të komplikoheshin. Tre vjet pasi e kishim bërë shtëpinë tonë, e cila, sipas marrëveshjes, duhej të ishte në emër të të dyve, rastësisht e mora vesh se ai e kishte regjistruar në emër të babait të tij. Prej atëherë, dhuna gjithmonë ka shkuar duke u shtuar, në fillim dhunë psikike e ekonomike, e viteve të fundit, ndodhte të përdorte edhe dhunë fizike”, rrëfen Luljeta. Viti që ajo u ndie buzë greminës, ishte viti 2016, “viti, kur u ndamë, ishte më i rëndi. Ishin bërë 15 vjet që ishim bashkë, mu atë ditë që u ndamë. Ndihesha vërtet keq, sidomos shkaku i mungesës së njerëzve të afërt rreth meje, sepse gjithë familjen e kisha në Zvicër, ndërsa shtëpia jonë rrethohej nga familjarët e ish-burrit, të cilët banonin në të njëjtën lagje. Më e rënda për mua ishte se familja e ish-burrit, edhe pse e kishin të qartë se çfarë kisha përjetuar, megjithatë e mbanin anën e tij... Isha e vetme, e rrethuar nga njerëz që edhe më kërcënonin, më bënin lloj-lloj shantazhesh dhe përgënjeshtronin. Por, nuk kam pranuar asnjëherë të largohem nga shtëpia jonë, të cilën e kemi ndërtuar bashkë pas martesës. Aty janë rritur vajzat e mia, aty kam kaluar 10 vjet të jetës sime. Dhe nuk doja të largohesha, edhe pse i gjithë presioni më bëhej pikërisht me qëllimin që të lëshoja shtëpinë”, precizon ajo.
Pavarësisht nga sfidat, Luljeta gjeti kurajë dhe e denoncoi dhunën. Arsyeja e parë ishte frika. “Kisha frikë se mos ndodhte prapë. Kisha frikë se më nxirrte edhe jashtë shtëpisë, siç më ishte kërcënuar disa herë. Por edhe isha lodhur shpirtërisht. Ndërsa arsyeja pse vendosa që të mos shkoja në Zvicër për të bërë divorcin, por të qëndroja këtu, ishte trajtimi që më është bërë në polici dhe gjykata. Aty e pashë se institucionet ndikoheshin ose thjesht ishin shumë joprofesionale. Kur e mendoja se çfarë mund t’u ndodhë shumë grave e njerëzve të tjerë, që nuk mund të mbroheshin, atëherë e kam kuptuar se nuk mund të iki në Zvicër pa bërë diçka kundër kësaj dukurie. Kur e kam vendosur se do të ngre zërin për njerëzit e tjerë, ajo më ka dhënë një forcë shumë të madhe, sepse nuk po flisja për veten, por për shumë njerëz të tjerë, dhe e ndieja veten si të shumëzuar. Sidomos, pasi që kisha bërë hulumtime rreth dhunës në familje dhe pashë se shifrat ishin marramendëse, ku 40.9 për qind të grave në Kosovë përjetojnë dhunë fizike në familje, dhe kur e kuptova se gjykatat tona e shkelin ligjin kur vjen puna te ndarja e pasurisë së përbashkët bashkëshortore, aty jam revoltuar shumë”, thekson Luljeta.
Thotë se ballafaqimi me këto gjëra e ka mësuar shumë në jetë, sidomos ta vlerësojë sa e fortë është. “Vetëm kur ballafaqohesh me sfida, e njeh vetveten”. “Jeta ime ende është një sfidë, sepse ende jam duke u ballafaquar me seanca gjyqësore dhe kjo po më kushton shumë kohë dhe energji. Në anën tjetër, po fitoj energji nga reagimet përkrahëse të qytetarëve, nga mirënjohjet që marr nga gratë e tjera dhe nga vetë fakti që kam arritur të dal nga një rreth vicioz i dhunës...
Jeta ime do të jetë edhe më e mirë, kur ta kem mbyllur kapitullin e gjatë me gjykatat. Por, edhe gjersa kjo vazhdon, gjykatat do të merren me mua, por edhe unë do të merrem me to. Për veten time, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë.
Aq sa do të kem forcë, tani e tutje do të jap maksimumin për njerëzit e pambrojtur. Do të doja që kurrë, asnjë njeri, asnjëherë, të mos ndihej i pambrojtur”, përfundon ajo.  

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version