Shkruan Mr. sc.Shefki Stublla
Lexuese dhe lexues të nderuar, këtë ese po e nis me dy mendime, që motivuan autoren ta shkruante këtë vepër madhore “Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”:
1. Autorja, Sanije Gashi, gjatë jetës së saj si gazetare aktive, ishte e bindur dhe e dinte se çdo gjë që nuk është e shkruar në letër, nuk ekziston në jetë dhe
2. Po ashtu, ishte e bindur, që në Kosovë nuk jetohet vetëm për të jetuar, por këtu edhe vdiset për të jetuar.
Këto dy mendime motivuan autoren ta shkruante dhe ta botonte kryeveprën e saj, DOSJE KRIMESH TË LUFTËS, RRËFIME TË GRAVE, në Kosovë, 1998 - 1999, libër ky, dëshmi e gjallë e plagëve, e lotëve dhe i shkatërreses njerëzore, që është model se si duhet trajtuar e denoncuar vrasjet, plaçkitjet, trajtimet brutale, dhunimet e femrave shqiptare, bashkë me poshtërsitë e tjera sistematike të forcave barbare, të armatosura, të popullit serb ndaj popullit shqiptar, në bazë të një fushate të pavërtetash shpifëse të regjimi serbomadh millosheviqian.
Meqë të gjithë prokurorët heshtën për krimet e bëra në Kosovë, atëherë Sanije Gashi, me sy shqiponje, nga këndi i vështrimit, hulumtoi, grumbulloi dhe sistemoi lëndën e veprës së krimit pa ndëshkim, në Kosovë, gjatë viteve 1998/99. Si lexues, kam përshtypjen që autorja, thellë në vetëdijen dhe në shpirtin e saj, kishte një barrë se ka edhe diçka të vlefshme për të kumtuar. Dhe, ky frymëzim-ide, mori intensitetin e imperativit. Këtë vullkan të frymëzimit e përqendroi në tërë forcën e mendjes dhe botoi këtë vepër të madhe. Jam i bindur se ky mendim imi do të përkrahet nga autorja e nderuar dhe nga lexueset e nga lexuesit.
Unë, si lexues i veprave të kësaj autoreje me renome të mirëfilltë, pas leximit të këtij tregimi dramatik - tragjik, u rrëqetha, mbeta me plot mbresa të hidhura për vrasjen dhe torturat ndaj njerëzve të pafajshëm, të paarmatosur, vetëm pse ishin me kombësi shqiptare. Andaj, ky libër është një histori e mizorive dhe e krimeve të luftës kundër shqiptarëve, që nuk guxon të harrohen. Autorja, Sanije Gashi, duhet të shpallet heroinë e këtij shkrimi, pas asaj çfarë ka dëgjuar nga viktimat dhe ka gjetur forcë të shkruajë për këto krime të llahtarshme.
Duke lexuar këtë libër, lexuesi bashkë me autoren luajnë rolin e gjykatësit kundër krimit dhe ndëshkojnë të gjithë ata barbarë paramilitarë, policë e ushtarë serbë, që bënë krime makabre. Atyre u vënë në ballë simbolin dhe dangën e krimeve të papara, si çetnikë kundër njerëzimit, sepse ata ishin kriminelë ordinerë, që bënë krimin me vullnet e dashuri, si xhahilë gjenocidalë, gjakpirës, që me veprimtarinë e tyre çnjerëzore, nuk respektuan as rregullat e luftës, as moralin njerëzor. Ata përdorën përdhunimin e femrave shqiptare për të përbuzur jetën e familjes shqiptare si instrument të fushatës së tyre gjenocidale. Është i papranueshëm edhe veprim kriminal i qeverisë serbe, sot në Beograd, që ata vrasës i shpall heronj dhe i lejon të shëtisin lirisht pa asnjë ndëshkim! Edhe pse veprimtaria e tyre është një “histori e mizorive dhe e krimeve të luftës që do të mbahen mend si një nga episodet më të errëta të historisë moderne evropiane” - W. Walker.
Autorja, Sanije Gashi, ndërmjet dy kapakëve të Dosjes... solli e vendosi shumë të dhëna të krimit të forcave gjenocidale fashiste serbe në Kosovë. Dhe, këto viktima të luftës nuk lejoi të bëheshin viktima edhe të harresës. Ja disa nga krimet çnjerëzore që bënë ushtria dhe policia serbe, bashkë me paramilitarët çetnikë:
FERRI - SKËTERRA ME RRËFIME TË GRAVE
Serbia fashiste - gjenocidale, e mbështetur në amanetin e albanofobit Çubrilloviq, me plan të përsosur, gjatë shekullit XX, në veçanti në vitet 1998 - 1999, për të zhdukur personalitetin e njeriut dhe popullit shqiptar, nisi luftën e paprovokuar kundër shqiptarëve në Kosovë, me qëllim të shfarosjes së tyre. Pjesë e veçantë e këtij plani kriminal ishte shkatërrimi i qenies së gruas shqiptare, përmes dhunimit të saj dhe të vajzave shqiptare, si hakmarrje, sepse ajo, “gruaja shqiptare e mundi Serbinë në Kosovë”. Andaj, në mënyrë çnjerëzore donte t’i hakmirrej asaj dhe popullit që i përkiste.
Dhunimi seksual i grave dhe vajzave shqiptare u përdor si armë lufte kundër njerëzve dhe çdo gjëje shqiptare në Kosovë. Pjesa e librit, “Rrëfimet e grave”, është ferri – skëterra, është murtaja e individualitetit dhe shpirtit të femrës shqiptare. Mirëpo, autorja e librit, gjeti mënyrën e njerëzishme të komunikonte me to dhe, duke vepruar kështu, nuk lejoi që këto krime t’i mbulonte pluhuri i harresës dhe ato t’i mbyste vetmia. Në mënyrë reale paraqiti luftën e ndyrë speciale kundër grave shqiptare, e cila nuk preku vetëm gratë, por edhe burrat e djemtë e tyre. Traumat e skajshme fizike e shpirtërore, për fat të keq, shkaktuan pasoja dhe përçarje familjare më vonë, pas çlirimit të vendit.
Rrëfimet e grave dhe vajzave të dhunuara janë të dhimbshme aq saqë njeriu nuk mund t’i përpijë. Autorja e librit, në këto çaste të rënda shpirtërore, detyrohej për një çast të ndërpriste bisedën me to. Çnderimi i femrës, për traditën mijëravjeçare shqiptare, ishte diçka shumë tragjike dhe poshtëruese. Barbarët serbë e dinin këtë dhe këtë akt çnjerëzor e quanin “trofe” lufte!(sic)
Kosova, shtet evropian, është dëshmi e gjallë e krimit më çnjerëzor, gjenocidal të Serbisë, shkaktares së të gjitha luftërave në Ballkan. Është e tmerrshme dhe jonjerëzore përpjekja e regjimit vrasës serb, të fshehë krimin dhe gjenocidin që bëri në Kosovë, duke transportuar trupat e vdekur të burrave, grave, vajzave dhe fëmijëve nëpër Serbi ose duke djegur trupat e tyre në kompleksin e minierave të Trepçës në Mitrovicë. Si nuk i vinte keq popullit serb dhe nuk gjeti fuqi të reagojë kur dëgjonte britmat e fëmijëve dhe vajzave të vrara, kur hidheshin në 450 bunarët në Kosovë. Është nonsens se si barbaria serbe fare nuk çan kokën për konventat ndërkombëtare kundër krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit!
Të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë janë vepra kriminale kundër njerëzimit, si akte të vrasjes shpirtërore pas luftës, kur nënat, vajzat, prindërit vazhdojnë të jetojnë me vragat e krimit në familje dhe në shoqëri. Këto viktima kanë për pasojë: ankthin, shqetësimin të të gjitha natyrave gjatë ditës dhe gjatë natës.
Pasojat më të rënda janë ato shpirtërore, që kanë të bëjnë me çnderimin e grave dhe vajzave shqiptare. Sepse, nderi i gruas është një nga vlerat e shenjta shqiptare. Nderi konsiderohet si një faltore e shenjtë.
Gëzohem si lexues, që këto femra të dhunuara, të sakatosura shpirtërisht, gjetën autoren Sanije dhe i besuan, ia hapën zemrën dhe shpirtin për dangat që i mundojnë: me gjinj të prerë, me gishtërinj të këputur, pa një sy, me plagë të hapura në fytyrë... të gjitha me brenga të rënda shëndtësore e shpirtërore: me humbje të inidividualitetit, duke konsideruar veten banore në zonën e turpit. Për të gjitha këto viktima të fashizmit serb shkroi Sanija, në Librin e saj "Dosje krimesh të luftës me rrëfime të grave", dhe njoftoi opinionin e gjerë. Do të ishte mirë që ky libër i përkthyer në anglisht të përkthehet edhe në frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe arabisht e turqisht, sepse do të ishte avokati më i mirë i shpalosjes së gjenocidit serb në Kosovë.
MBRESA NGA LEXIMI I LIBRIT
Pas leximit të librit “Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”, lexuesi nuk mund të jetë i qetë.
Së pari, një konstatim: Autorja bëri mirë që në krye të vatrës vendosi dhe ia dha fjalën z. William G. Walker, shpëtimtarit të popullit të Kosovës, i cili alarmoi botën e civilizuar për gjenocidin dhe krimin serb në Kosovë. Ky njeri human, në parathënie, orienton mbarë lexuesin për tematikën që shtjellohet në libër.
Ky libër fiton zemrën e lexuesit të mirëfilltë, i cili bëhet partner i autores, bëhet pjesë e jetës së librit dhe dënon krimin me porosinë që kjo nuk guxon të ndodhë askund dhe asnjëherë. Ky libër ka vlerë me afat të gjatë, që përherë funksionon. Ka përmbajtje edukative. U sajua në bazë të dialogut me njerëzit që kanë pësuar. Ky libër është stabil. I pjekur në çdo aspekt. Sidomos nga ana e industrisë estetike. Gjuha e librit është shembull konkret i kulturës së shkrimit të rrjedhshëm. Investimi për sajimin e tij është i madh: shëndeti i autores, të menduarit dhe përvoja jetësore e saj, të cilat s’ka kamatë që mund t’i paguajë, sa e si e meriton. Po theksoj, autorja s’ka nevojë për kurrfarë miti, sepse ajo është e afirmuar dhe e shpërblyer me shumë mirënjohje të merituara.
Lexuesi bindet se pena e autores është më e fortë se të gjitha armët e xhelatit millosheviqian, që mbolli aq shumë vdekje, dhunime dhe mizori çnjerëzore ndaj popullit shqiptar në Kosovë.Libri është shkruar në mënyrën dëftore, që latinët do të thoshin “fiat fustitia, pereat mundus”(të veprojë drejtësia) dhe “fiat lux” (të ndriçohet ajo).
Sanije, aferim që për sajimin e librit bashkëpunove me njerëz të dijshëm dhe serioz: Nekibe Kelmendi, Madeleine Albright, Blerim Shala, Bamir Topi, Bernard Kouchner, Wesley Clark, Eliot Engel, Edita Tahiri, James Rubin, Tony Blair, Robin Cook, Hillary Clinton, John Watton, Bill Clinton, Agim Byci, shkrimtar, Josef Martinsen, Pajazit Nushi, George Robertson, Zana Shita, Kujtim Çashku, regjisor filmi, Nëna Terezë, Ismail Kadare, shkrimtar, Skënder Boshnjaku, neuropsikiatër, Zylfije Hundozi, neuropsikiatër, Riçard Holbrooke, Xhevahir Spahiu, poet, Ditëro Agolli, poet, Javier Solana, Anna Di Lellio, sociologe italiane, Helena Kadare, shkrimtare, Ramiz Kelmendi, shkrimtar, Burbuqe Rushiti, gazetare e televizionit NTV të Stambollit.
Autorja e librit, Sanije Gashi, është gazetare, publiciste, editore, luftëtare për emancipimin e gruas. Është ndër të parat gazetare shqiptare dhe më e njohura, e cila bën gazetari aktive plot 55 vjet. Është bashkëthemeluese dhe themeluese e dy revistave, Kosovarja dhe Teuta.
Krejt në fund: zonja Sanije Gashi, faleminderit që shkrove dhe botove edhe këtë libër, i cili është dhe do të mbetet arkiv, ku ruhet, dhe muze, ku ekspozohet historia e re, tragjike e Kosovës.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.