Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Në pritjet për viza jam ndjerë e nëpërkëmbur
Në pritjet për viza jam ndjerë e nëpërkëmbur
“Kam ndier dhembje sa herë jam rreshtuar nëpër ambasada, sepse më është dukur nëpërkëmbje e dinjitetit... Po ndihemi inferiorë ndaj secilit vend në Ballkan për shkak të një keqpërdorimi, keqmenaxhimi që po e bëjnë njerëzit e papërgjegjshëm... Më vjen keq, sepse asnjëherë nuk i kam parë njerëzit e politikës në këta rreshta, sepse i kanë pajisur krejt njerëzit e vet edhe me pasaporta diplomatike. Edhe fëmijët e vet. Kjo ta bën me dije se këta njerëz mendojnë veç për vete, nuk po lodhen për të tjerët... Kam menduar se ata që i fitojnë votat për të udhëhequr këtë popull, do të ndiejnë përgjegjësi dhe do të frikohen çfarë do të bëjnë. Nuk kam besuar se do të mendojnë vetëm si t’i rehatojnë njerëzit e vet, me vlerë e pa vlerë”, kështu shprehet në intervistën për revistën “Teuta”, këngëtarja e muzikës popullore, Shkurte Fejza. Mes të tjerash, për publikun ajo shpalos lidhjen që kishte me nënën, raportin e saj me fëmijët, me bashkëshortin, Hajrushin, flet për zhgënjimet nga shoqëria dhe çështje të tjera nga jeta personale e profesionale.

Bisedoi Antigona Uka Lutfiu
Fotografitë Veton Osmani


Janë bërë 45 vjet që ajo është në skenë. E njohin të gjithë si një nga këngëtaret më të denja të muzikës popullore. Kënga e saj më e re i dedikohet nënës. Kënga juaj e fundit “Nëna”, për publikun sjell një pjesë të përjetimit tuaj për nënën. Kur përmendet fjala ‘nënë’, çfarë do të mund të na thoshit, si fëmija i një nëne dhe si nëna e disa fëmijëve?!
Është një aforizëm që thotë se “Zoti, në pamundësi për të qenë gjithkund, e krijoi nënën”, e këtë thënie duhet ta dijë çdo njeri, çdo nënë, çdo motër, çdo vajzë. Nëna është krijesa numër një në botë. Nëna jep jetë, e pa të s’do të kishte kuptim universi. 
Unë kam pasur një lidhje shumë të fortë me nënën time, ndjesë pastë, por iku shumë herët. Asnjëherë nuk kam mundur të përball këtë dhimbje. Gjithmonë e kam kaluar në heshtje, bile nganjëherë para njerëzve të afërt, kam dalë si mospërfillëse, por nuk kisha fuqi të përballoja të flisja për të. Më ka lënduar shumë ikja e saj. Por, plagët i shëron koha, janë 25 vjet prej kur nëna ka ikur nga kjo botë dhe tërë këtë kohë kam menduar ta bëj një këngë kushtuar asaj, por nuk kisha forcë. Tani që kënga u bë, jam shumë e kënaqur që arrita ta këndoja. Besomëni, kam pasur shumë shqetësime dhe luhatje emocionale gjatë xhirimeve. Më ndalej fryma, kemi bërë shumë pauza, pushime, duke fshirë lotët e duke mposhtur mallin e dhimbjen. Tani kënga po pëlqehet dhe jam e kënaqur.

A ka ndonjë fjalë të nënës që ju kujtohet më shpesh, qoftë ajo në formë të këshillës ose edhe qortimit, pasi përpara prindërit kanë qenë më qortues ndaj fëmijëve…
Është e vërtetë se kanë qenë më qortues. Unë jam nga fshati Mushtisht. Nganjëherë, rrethanat ku jetojmë ndikojnë shumë. Nëna ka qenë grua shumë fisnike, por përpara, sikur kanë jetuar më shumë për të tjerët. Çdo shqetësim që e kam pasur, është tejkaluar më lehtë falë këshillave të saj, të cilat kanë përmbajtur në vete shumë mirësi, qetësi. Por, për shkak të ndikimit të rrethit, mentalitetit, nuk isha dakord me të kur thoshte se ‘femra nuk duhet të ketë shumë kërkesa, duhet të përshtatet’. Sidoqoftë, nëpërmjet saj, e kam vlerësuar shumë gruan shqiptare. 
A keni trashëguar ndonjë tipar më të dukshëm prej saj, që jua pranojnë të gjithë se ‘në këtë aspekt, Shkurtja është si e ëma”?
Unë i përngjaj më shumë. Ne jemi shtatë motra. Kemi mospajtime në këtë drejtim, sepse secila ka dëshirë të ketë të trashëguar ndonjë cilësi të nënës, sidomos pas një kohe kur të merr malli për të. Por, unë i kam ngjarë më shumë.
Këtu na duhet një prononcim edhe nga gjashtë motrat e tjera…
Ha-ha-ha. Jo, këtë nuk ma mohojnë as ato.

Mirënjohja është virtyti më i veçantë për njeriun

Po Shkurtja si nënë, ku bënë pjesë, tek prindërit më rigorozë, që fëmijët i edukojnë me rregulla më strikte, apo tek ata më demokratë, që tolerojnë më shumë në raport me kërkesat e fëmijëve?
Nuk jam as te modernët, por as shumë rigoroze. Kam kërkesa. I frikohem kohës e cila është akoma më e vështirë në rrethanat e shtetit tonë. Asnjëherë nuk jam e qetë. Në konsultim me fëmijët, dua t’i lë të lirë të vendosin, por me njëfarë mbikëqyrjeje nga ana ime. Para së gjithash, dua të jenë të përgjegjshëm. Tek ne, duket se vetëm përgjegjësi s’kanë njerëzit. Njeriu i përgjegjshëm ndryshe reflekton në familje, në shoqëri, në shtet e kudo që i jepet mundësia. Dua që fëmijët e mi të dinë të respektojnë të tjerët dhe, para së gjithash, të jenë mirënjohës. Mirënjohja është virtyti më i veçantë për njeriun. Dhe këto këshilla ua përsëris gjithmonë fëmijëve.
Po sa jeni e kënaqur me atë që keni përçuar tek fëmijët, sa i kanë përbrendësuar këshillat tuaja, duke pas parasysh ndikimet e rrethit?
Nganjëherë them, mos kam qenë gabim. Për Zotin. Mos e kam tepruar, se duhet t’i lëmë më të lirë fëmijët, t’i përshtaten rrethit. Fëmijët edhe trashëgojnë, por nganjëherë them, mos kam qenë shumë e ashpër. Por, jam nisur nga ideja se bota, jeta, do të jetë më e lehtë për njerëzit më të ndershëm, porse tash kanë ndryshuar kohët. Më vjen keq që e them, se nuk dua t’i gjykoj ashpër, por më duket se pikërisht njerëzit, të cilëve ky virtyt u mungon (ndershmëria), kalojnë më mirë. Për Zotin, jam e shqetësuar me këto rrethana. Kam udhëtuar jashtë shpesh dhe kam parë shembuj të ndryshëm, por, në përgjithësi, bota, shtetet kanë krijuar rend të mirë shoqëror, ku i drejti, i ndershmi, ka jetë dhe e realizon të drejtën e vet.
Ju keni motivuar dhe keni mbajtur gjallë shpresën e një populli të tërë gjatë okupimit. Tani duket se këngët patriotike konsiderohen si demode?
Për mua, këngët patriotike kurrë nuk janë demode, bile mendoj se pikërisht tash na duhen këngët patriotike. Se vendi nuk duhet me modë, ‘i ka ardhur moda ta duam Kosovën, duhet ta duam!’ Kosovën duhet ta duam për jetë të jetëve. Është vendi ynë, është frymëzimi im i vetëm e i pashtershëm. Në periudha të ndryshme, ky popull është sakrifikuar për të ardhur pavarësia e këtij vendi, ndaj për mua gjithmonë do të jetë në modë për t’i kënduar Kosovës.
Në Kosovë ka pasur raste të këngëtarëve që janë inkuadruar në politikë, të tillë që kanë mbështetur një subjekt të caktuar politik, një lider ose ngjashëm, por nuk ka pasur këngëtar që kritikon udhëheqjen politike, qeverisjen e caktuar. Ju e thyet akullin. Një opinion juaji publik, sipas të cilit “Djemtë më të këqij që i ka vendi janë në elitën udhëheqëse të Kosovës”, bëri goxha bujë. A jeni penduar që u deklaruat publikisht, apo i qëndroni ende këtij opinioni?
Nuk jam penduar në asnjë mënyrë, por do të doja të mos kisha pasur nevojë ta them. Bile, në rrethanat e krijuara, më duket se pak kam thënë. Nuk jam prej atyre që e shoh vetëm interesin tim, për mua interesi i përgjithshëm është mirëqenia e njerëzve në Kosovë, të cilët kanë vuajtur. Se nuk ka qenë e lehtë të jetuarit nën okupim, e tash është bërë edhe më e vështirë prej vetë neve. Me vjen keq që mendimi im është përkrahur nga qytetarët, sepse, po të kisha gabuar, do të ishte shumë më e lehtë. Por, vetë fakti se të tjerët të japin të drejtë, se ka që nuk e thonë, për mungesë guximi qytetar, kjo të vret më shumë. Sinqerisht, po më shqetëson. Kosova është vend i mirë, ka njerëz të mirë, ka pasuri. Më dhemb shpirti që djemtë tanë shkojnë nëpër Evropë, më përpara kanë ikur, e kemi ditur për çfarë arsyesh e rrethanash, tash po ikin prej njerëzve tanë. Qe njëzet vjet kemi pritur të bëhet mirë. Kosova i ka shpërblyer për punën, për luftën. Por, më duket se i kemi llastuar. Dhe tash nuk guxon kurrkush të bëjë çka të dojë me këtë vend, sepse është sakrificë e gjeneratave për të ardhur në këtë ditë. Ndaj, po them se duhet të kenë përgjegjësi. Njerëzit në instancat më të larta të vendit duhet të kenë më shumë përgjegjësi.


Si këngëtarë, dëmin më të madh nga klasa politike e keni pësuar nga mos-liberalizimi i vizave. Tash e sa vjet, ju dhe kolegët tuaj, torturoheni nëpër ambasada për viza, ndërkohë që tërë këto vite është premtuar heqja e vizave, duke përmendur edhe muaj, për të mos thënë javë apo ditë.
Tani është vështirësuar shumë marrja e vizave. Kam ndier dhembje sa herë jam rreshtuar nëpër ambasada, sepse më është dukur nëpërkëmbje e dinjitetit. Pastaj, nëpër pika doganore, trajtimi përbuzës, se ti je shtetase e një vendi që po keqpërdor, po ndihemi inferiorë ndaj secilit vend në Ballkan, për shkak të një keqpërdorimi, keqmenaxhimi që po e bëjnë njerëzit e papërgjegjshëm. Më e keqja është, kur sheh djem të rinj, që presin për vizë e ndodh që kanë shitur gjënë më të shtrenjtë me shpresë se atje e sheh jetën, kjo të dhemb, shpirti të bëhet copë e të vjen të bërtasësh. Më vjen keq, sepse asnjëherë nuk i kam parë njerëzit e politikës në këta rreshta, sepse i kanë pajisur krejt njerëzit e vet edhe me pasaporta diplomatike. Edhe fëmijët e vet. Kjo është ajo që dhemb. Ta bën me dije se këta njerëz mendojnë veç për vete, se nuk po lodhen për të tjerët. Në rrethanat e krijuara të Kosovës, kam menduar se ata që i fitojnë votat për ta udhëhequr këtë popull, do të ndiejnë përgjegjësi dhe do të frikohen çfarë do të bëjnë. Nuk kam menduar se do të mendojnë vetëm si t’i rehatojnë njerëzit e vet, me vlerë e pa vlerë. 
A do të duhej Shkurte Fejza të ishte veterane civile?! Duke pasur parasysh kontributin tuaj me këngë, a do të duhej Shkurte Fejza të ishte veterane civile?
Ha-ha-ha. Është bërë një luftë që na ka bërë krenarë të gjithëve. Kjo nëpërkëmbje e luftës, që i kemi bërë, shpesh kam menduar se nuk i lë të qetë as heronjtë në botën tjetër, me këtë që po bëjnë këta. Do të doja një drejtësi, një verifikim në mënyrë që të ruhet kjo krenari.
T’i kthehemi pak përditshmërisë suaj. Tanimë fëmijët i keni të rritur dhe menaxhimi i kohës, me siguri ka marrë dimension tjetër... 
Koha po ikën pahetueshëm. Nëse nuk kam angazhime për ndonjë këngë, xhirime, kam dëshirë të eci. Nëse nuk eci gjatë ditës, në mbrëmje bëj ushtrime. Në mëngjes pimë kafe me Hajrushin. Pastaj shohim ndonjë tekst, ndonjë libër, film, ndonjë vizitë. Edhe rreth shtëpisë kam qejf të angazhohem… Preferoj shumë që fundjavave të organizoj ndeja në shtëpi, nëse nuk jam në punë. Kemi një shtëpi në Mushtisht, atje shpesh ftoj miq. 
Cili është raporti juaj me rrjetet sociale. A jeni ‘infektuar’ nga bota virtuale?
Nuk i kam shpëtuar as unë këtij virusi. Thënë të drejtën, për profesionin tim është bërë i domosdoshëm. Mundohem edhe këtu të jem e matur, të mos postoj atë se çka vesh, çka bëj. Nuk është se kam vërejtje, se secili e përdor në mënyrën e vet. Jam mjaft e kënaqur me ndjekësit e faqes sime dhe i falënderoj. Hajrushi jep kontributin e tij kryesor në menaxhim të faqes, gjithmonë në konsultim me mua.
Nëse do ta kishim ditën e falënderimeve si festë, kë do ta falënderonit?
Fillimisht Zotin, për të gjitha të mirat që na i ka dhënë, për fëmijët e mi, për burrin tim. Kisha falënderuar prindërit e mi, familjen time, që kanë bërë çmos që unë ta bëj këtë emër që kam sot. Pastaj, shoqërinë, njerëzit që e kanë dashur këngën time, adhuruesit e mi, që më mbështesin qe 45 vjet... Do të kisha shumë falënderime.
Nëse në këtë ditë do të mund të dhuronit vetëm një kartolinë, kush do të ishte ai person që e pranon?
Thënë të drejtën, Hajrushi është shumë i përkushtuar ndaj punës sime. Kurrë s’është ndalur. Fizikisht, emocionalisht. Ndoshta kartolinën e vetme po ta kisha, sigurisht kisha zgjedhur Hajrushin. Gjithmonë kam qenë mirënjohëse te perëndia që kam pasur fat një njeri shumë të mirë, të sinqertë, ka qenë edhe i bukur e me gjithë të mirat. 
T’ju pyesim nëse jeni zhgënjyer nga shoqëria, më duket pyetje joadekuate. Mbase më mirë t’ju pyesim, si i keni menaxhuar këto situata, sa jeni ndier e zhgënjyer?
Thënë të drejtën, gjithmonë jam mbështetur në forcat e mia. Mirëpo, njeriu, kur bën për dikë, edhe pret, porse jo rrallë zhgënjehesh prej këtyre rasteve. Por, jam e prirur të mendoj mirë, e mundohem t’i arsyetoj, kur hiç nuk e kanë mirë, karshi meje. Them, hajt se ashtu e ka parë ai/ajo prej këndit të vet. Prandaj, nuk merrem shumë me ta. Jeta është bërë shumë dinamike, janë fëmijët, familja, nëse i jep fuqi këtij aspektit tjetër, vetëm zhgënjehesh akoma më shumë. 
Nuk preferoni ballafaqimin e fakteve?
Më duket humbje kohe. Vëmendja më duket e pameritueshme karshi personit që nuk ka qenë i mirë me ty. 
Dhe pas çdo zhgënjimi jashtë mureve të shtëpisë, prehja gjendet aty ku kthehemi në fund të ditës, secili prej nesh. Në shtëpi, në familje. Sa e përmbushur ndiheni në aspektin familjar dhe atë profesional?
Njeriu është pasionant. Kjo tirania e pasionit, ambiciet e secilit. Jam e realizuar në fakt, por ende kam për të dhënë edhe profesionalisht. Edhe familjes, mendoj se ende i duhem. E lus Zotin t’i kem fëmijët shëndoshë e mirë, t’i lë pas vetes dhe t’i lë mirë. Vajza e vogël, Agnesa, tani bëhet 23 vjeçe, është në vitin e pestë të studimeve për Farmaci, dhe unë ende preokupohem rreth saj, provimeve, dhe ende mendoj se u duhem si nënë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version