Shkruan Antigona Uka
Fotografite Ridvan Slivova
Një takim i pazakontë, që shoqërohet me këngë e shumë të qeshura, e që dëshmon se vitet nuk kanë rëndësi, kur njeriu di ta jetojë jetën. Tri zonja në moshë të shtyrë, rrëfejnë përplot margaritarë nga jeta e tyre. Takohemi në një hotel luksoz, në qendër të kryeqytetit, aty ku një adhurues i bashkëbisedueses sonë, aktores Leze Qena, kërkon të shkrepë një foto me idhullin e saj, pastaj duke rrëfyer se është mërgimtar nga Zvicra, na qeras me kafe dhe largohet. Ndërkohë, muhabeti s’ka të ndalur. Evokimi i kujtimeve të njërës, ngjall kujtime të strukura në kujtesën e tjetrës.
Të bësh punën që do
Një jetë e tërë e jetuar hareshëm, duke minimizuar të keqen e duke shijuar në maksimum të mirën. Lezja, me dellin e saj për humor, rrëfen se si e re nuk kishte guxuar as të ëndërronte për t’u bërë aktore. “Kam menduar se duhet të jesh e bukur si Sofia Loren, e kur Shemsedin Kirajtani më thoshte se ‘teatrit i duhet fahu yt’, thosha me vete ‘a thu çka është ky fahu’”.
Ndërkaq, Dr. Eminja ëndrrën për t’u bërë mjeke, e kishte ushqyer qysh kur ishte fëmijë. “Nëna ime, kur isha fëmijë, sëmurej shpesh. Babai e ftonte mjekun në shtëpi, merrte ndonjë injeksion dhe posa largohej mjeku, nëna hapte sytë. Unë i thosha vetes, pa u bërë doktoreshë, nuk e lë, madje e nënave”. Pas lutjeve të shumta nga familjarët, miqtë e profesorët, babai i saj kishte lëshuar pe dhe kishte dhënë leje që Eminja të ndiqte studimet në Sarajevë, ku ishte një e afërme e familjes. Ndërsa, Greta, që gjithmonë kishte dashur një punë që ka të bëjë me fëmijët, nuk e kishte ndjekur ëndrrën për t’u bërë psikologe e fëmijëve, pasi realizimi i saj nënkuptonte studime në Zagreb, ndaj kishte dëgjuar këshillën e babait, për të studiuar anglishten, për çka e thekson se i kishte rënë mirë, “u bëra mësuese dhe pata rastin të punoja me fëmijë”. Bashkëbisedueset e theksojnë se mundësia për ta bërë punën që donin ishte arsyeja kryesore që ato jetuan një jetë të begatë.
Kur flasim për mirëmbajtjen e fytyrës, të flokëve, për kujdesin ndaj ushqimit, Dr. Eminja tregon se si vajzë nuk ka përdorur grim, pasi ashtu ishte zakoni, vajzat nuk grimoheshin para martesës, “por, ndonjëherë fletët e trëndafilit të kuq i kam vënë në buzë, sa për ta parë se si më rri... Pas martesës kam filluar grimin, por kurrë nuk kam përdorur ndonjë makijazh të posaçëm. Çdoherë kam adhuruar flokët e shkurtër. Pas martesës rregullisht kam shkuar te floktarja, bile një herë në javë, të njëjtën e kam mbajtur një javë, deri vinte java tjetër. Për veshje rëndësi ka pasur të mos ekspozohem shumë, por, mbi të gjitha, të jem komod me veten”. Doktoresha kujton këshillën e para shumë vjetësh të një bashkëmoshatareje, e cila kishte thënë se ‘në pleqëri trupi nuk ka më bukuri natyrore, ndaj duhet ta mbulojë të keqen e pleqërisë’, “e unë ende, kur marr ndonjë veshje me lule, them me vete, kjo nuk më shkon, se më bien në mend fjalët e saj. Por, dukjen, kënaqësinë e pleqërisë e mundëson rehatia shpirtërore, një lloj optimizmi në jetë, që njeriu nuk e sheh çdo gjë zi”, potencon ajo. Kur bëhet fjalë për ushqimin, pohon rëndësinë e kombinimit të të gjithë përbërësve të nevojshëm. Si një e pasionuar pas ushqimit, që nuk lë pa përgatitur çdo ditë nga supa deri në ëmbëlsirë, doktoresha kujton kohën kur sapo ishte martuar dhe nuk dinte asgjë të përgatiste. Nëna i kishte thënë, meqë jemi afër me shtëpi, çfarëdo që përgatis për vete, të sjell edhe ty. Kështu kishte shkuar disa ditë, por kur bashkëshorti i saj, Muharremi, kishte pyetur se ‘si është e mundur që të dy dalim bashkë nga shtëpia për në punë, kthehemi bashkë dhe ti e shtron drekën kaq shpejt’, ajo i kishte treguar se ishte dreka e nënës. Atëherë, ai kishte refuzuar që të hajë drekë nga nëna e saj, duke i thënë; ‘faleminderit që më tregove, s’kam ditur që jam martuar me nënën tënde, unë kishe me çikën e saj’, dhe kishte kërkuar që ushqimi të përgatitej nga ajo. “Prej atëherë kam përgatitur vetë, edhe fillova ta adhuroja kuzhinën, ende sot, shpirtin e kam te kuzhina”, rrëfen znj. Emine. Veç kujdesit në ushqim, ajo preferon edhe të ecë shumë. “Deri para këtij viti kemi dal në Gërmi çdo mëngjes, por tani bashkëshorti nuk është mirë me shëndet, dhe nuk po mundet. Unë kam ëndje të eci prej banesës sonë tek Shtëpia e Pleqve deri te sheshi Bill Klinton. Mirë kishte qenë të dal me ndonjë shoqe, por ato gati të gjitha kanë vdekur, rinia shumë e zënë, kështu që dal vetë”.
Nipi po më kënaq shpirtin
E Lezja nuk lë pa kujtuar kohën kur ishte në lidhje dashurie me Xhevatin, të cilit tregon se i thoshte ‘nuk martohem me ty, se nuk di të ziej, të pastroj, nuk di të qep. Doja ta largoja shkaku i prindërve, se e dija që nuk pajtohen, e ai më thoshte ‘nuk po të marr për ato’. Atij nuk i ka pëlqyer të grimohem. Kur kam veshur diçka, gjithmonë e kam pyetur ‘a po të pëlqen’. Dekoltetë i kam preferuar. Kam veshur edhe mini, por jo shumë të shkurtër. Pas disa vjetësh më tha ‘tash mundesh me vu pak buzëkuq”. Lezja thotë se nuk e ka preferuar grimin asnjëherë, por edhe kur e ka përdorur, nuk ka shikuar çfarë përmbajtje ka, “thjesht, kam vënë çfarë kam gjetur. Tash, grimohem pak, veç kur kam të shkoj diku. Buzët po, më pëlqen t’i kem të lyera”. Nëse dikur e shijonte jetën përkrah me bashkëshortin e ndjerë, Xhevat Qenën, sot kënaqësinë më të madhe ia jep nipi. “Nipi po ma kënaq shpirtin”, shprehet aktorja duke kujtuar faktin që tash nuk ka ndonjë vend të preferuar ku të dalë. “E dua kuzhinën. Përgatis pa përtesë. Edhe si e re, gjithmonë dëshiroja t’i bëja befasi Xhevatit duke përgatitur lloj-lloj ushqimi. E ka pasur zakon, çfarëdo që kam bërë, pa të falënderuar nuk e ka lënë. Kjo më ka dhënë motiv më shumë”...
Besoj tek njerëzit, nuk ngarkohem me dyshime
As Greta nuk i ka kushtuar vëmendje të veçantë grimit. “Nëse përpiqesh të jashtmen ta mirëmbash, ndërsa e brendshmja është e ndrydhur dhe e zymtë, ajo patjetër reflektohet jashtë. Sekretin e jetës së qetë, Greta e mbështet tek besimi që ka tek njerëzit. Pavarësisht nëse ata e kanë thënë ose jo të vërtetën, “është çështje e tyre”, thekson ajo, “unë gjithmonë kam besuar. Kjo më ka ndihmuar të jem mirë me veten, të jem e qetë, të mos ngarkohem me dyshime. Një tjetër aspekti të jetës që Greta vazhdon t’i kushtojë shumë rëndësi është leximi. Veç punës si lektore, merret me nipin, për shkak se vajza punon.
E rritur në Tuzëll, në një rreth më liberal, Greta thotë se me ardhjen në Prishtinë u ballafaqua me një mentalitet ndryshe, sidomos në raport me femrën. Por thekson se kurrë nuk i është përshtatur këtij rrethi, por është përpjekur ta ndryshojë. Pas punës si mësimdhënëse, në detyrën e drejtoreshës së shkollës Elena Gjika, Greta tregon se ka pohuar që kushdo që synon këtë shkollë nuk guxon të mos flasë me kolegët. “Ka qenë parim që kolegët të flasin e të përshëndeten mes vete”. Derisa Greta tregon për kënaqësinë që i ka dhënë puna me fëmijët, si mësimdhënëse, në anën tjetër, znj. Emine tregon se si do t’i mbante 48 orë kujdestari në spital veç të mos kujdesej për fëmijë, pasi një angazhim i tillë është i papërballueshëm për të. “Ndodh që pas kujdestarisë kam pastruar shtëpinë gjithë ditën bashkë me kujdestaren e shtëpisë, se puna që kam bërë më ka dhënë kënaqësi. Ndodh kam pasur 10 operacione, kurrë nuk e kam ndier lodhjen!”
Greta tregon se deri në vitin 2003 ka punuar si drejtoreshë e shkollës, pastaj duke iu dukur absurde që të konkurrojë në pozitën e njëjtë në shkollën ku kishte kaluar një jetë, kishte vendosur të tërhiqej, siç shton ajo “faqebardhë”. Por, për tre muaj rresht kishte qenë e sëmurë. “Shpirtërisht u sëmura. Më dilnin fëmijët përpara. Kolegët”. Pastaj, për tre vjet punova në Inspeksionin Gjyqësor (tani ZPD). Edhe në EULEX tre vjet. Krejt këtë përvojë ajo thotë ta ketë fituar falë këshillës së babait dhe falë dëgjueshmërisë së saj në këtë rast.
Si vajzë flokët i kishte mbajtur deri nën bel, pas martesës thotë t’i ketë shkurtuar deri në supe dhe tani i mban të shkurtra, pasi ashtu i pëlqejnë. “I pastroj lehtë, nuk kam nevojë për fenirim. Thotë se i kushton vetes kujdes pasi ka qejf të duket mirë. Nuk preferoj veshjen sipas moshës, por atë që më rri mirë. Nuk më bëjnë përshtypje firmat, por kam dëshirë t’i kem veshjet kualitative. Ushqimet i përgatis vetë. Ndiej kënaqësi të veçantë. Një ditë para mendoj çfarë të përgatis. Zaten ëmbëlsirat i adhuroj. Nuk mund të bie në gjumë pa ngrënë një copë tortë apo diçka të ëmbël”, shprehet Greta. Në fund, doktoresha këshillon që kur hahet një drekë e fortë me yndyra, patjetër rekomandohet një copë ëmbëlsirë, por jo të teprohet!
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.