Valbona Luta, Londër
Në parathënien e librit, Grigson shkruante: “Natë pas nate, shikoja ato skena të tmerrshme të njerëzve të pastrehë, duke rrjedhur përtej kufijve të Kosovës në kërkim dëshpërues për një lloj sigurie. Familjet që ishin bërë pikë e pesë, fëmijët që kishin humbur jo vetëm shtëpitë, por shpesh edhe më të afërmit e tyre, dëshpërimi, rraskapitja dhe hutia e burrave dhe e grave që ia kishin dalë të mbërrinin deri në kampet e refugjatëve, por që u ishte shkatërruar jeta - të gjitha këto ishin tepër të vështira për t’u bërë ballë. Si aq shumë të tjerëve në Britani, edhe mua më vinte zor t’i shikoja lajmet, por nuk ishte një situatë që mund të shpërfillej nga rehatia e shtëpisë sime.”
Një pjesë e parave nga shitja e librit u dedikuan për fondin “Kosovo Crisis Appeal”, të krijuar nga Disaster Emergency Committee posaçërisht për të ndihmuar refugjatët kosovarë. Ky fond, që u themelua në muajin prill 1999, brenda dhjetë javëve të para ia doli të grumbullonte më shumë se 40 milionë sterlina, gjë që u konsiderua ‘shenjë e jashtëzakonshme e dhembshurisë dhe bujarisë së publikut britanik’.
Kur e kontaktova për një intervistë për Teutën, Sophie Grigson u befasua se si e mbaja mend atë “libër të vogël”, siç e quajti me modesti. “Ishte një gjë aq e vogël përballë gjithë atij tmerri që zhvillohej në vendin tuaj,” më tha.
Mund të jetë libër i vogël, vërtet, por mua edhe sot më kujtohet momenti kur, ato ditë që po kalonim nëpër ferr si popull, në raftin e një dyqani në Londër më tërhoqi shikimin një kopertinë me ngjyra të ndezura e një libri ku spikatej me shkronja të mëdha fjala Kosovë. Kuzhinierët për Kosovën! Një gjest i tillë bujar më pati prekur shumë. U gëzova pa masë kur zonja Grigson, programet televizive të së cilës i kam ndjekur gjithmonë me ëndje, pranoi me shumë dëshirë kërkesën për intervistë. Bisedën për Teutën e fillova me pyetjen se si i lindi ideja për këtë nismë unike?
Njëzet vjet është periudhë e gjatë, prandaj nuk jam e sigurt se më kujtohen shumë hollësi. I kisha dy fëmijë shumë të vegjël në atë kohë, dhe të shihje ato turbullira shkatërruese dhe dëshpërimin e aq shumë familjeve ishte thuajse e papërballueshme. Mbase kam ndier se kjo ishte, thjesht një mënyrë shumë e vogël se si mund të ndihmoja, jo vetëm duke mbledhur fonde, por edhe duke shprehur një shenjë të vogël solidariteti. Dhe meqë ushqimi, ose nevoja për ushqim, është emërues i përbashkët për mbarë njerëzimin, kjo u duk si rrugë e qëlluar për ta ndjekur.
A ishte vështirë t’i organizoni 50 kontribuues për librin?
Jo, me sa e kujtoj, jo aq vështirë sa kisha frikë. Asnjëri nuk refuzoi, disa harruan, por mendoj se të gjithë deshën të kontribuonin. Nga lajmet që mbërrinin tek ne, e dije se nuk mund të injoroje nevojat e kosovarëve. Gjëja më e vështirë ishte organizimi i recetave dhe bashkërendimi i të gjitha gjërave. Nuk jam bash person shumë i organizuar!
Kur e pashë librin “Kuzhinierët për Kosovën” në rafte në dyqan në atë kohë, dhe këtë e kam përmendur një njërin prej shkrimeve të mia para 20 vjetësh, jam prekur shumë dhe isha jashtëzakonisht mirënjohëse në të njëjtën kohë për nismën tuaj. Si ndiheni Ju tani, 20 vjet më vonë për punën që keni bërë?
Më vjen mirë që e kemi bërë, por kisha pasur dëshirë ta kisha nisur shumë më herët dhe ta kisha bërë çështje edhe më të madhe. Do të kishim tubuar më shumë para për të ndihmuar refugjatët e traumatizuar e të zhvendosur kosovarë, dhe do të mund të kishim pasur më shumë efekt.
Kam lexuar se e ëma e juaj Jane Grigson ishte autore e njohur e librave të kuzhinës, dhe ma merr mendja se ka ndikuar shumë tek ju. Mbase e keni pasur pasion kuzhinën që nga një moshë e re?
Nëna ime ka qenë kuzhiniere e mrekullueshme, dhe autore e mrekullueshme e librave për kuzhinë. Në fakt, ka qenë grua e mrekullueshme në përgjithësi. Ushqimi ka qenë temë e rregullt në bisedat në familje, jo vetëm recetat dhe shijet, por edhe rëndësia kulturore e ushqimit si dhe vlerat historike. Nuk kam qenë shumë e pasionuar për kuzhinën; thjesht e kam ditur se është pjesë e rëndësishme e jetës.
Kur e keni ditur sigurt se do të zgjidhni karrierën e kuzhinieres?
Thjesht, ndodhi ashtu, më shumë rastësisht sesa me qëllim. Kam studiuar matematikën në universitet, pastaj
përfundova duke punuar video të muzikës pop, por gjithmonë kam gatuar dhe kam qenë kureshtare për ushqimet. Një kolege e nënës sime më luti të shkruaj diçka për gazetën e tyre dhe prej aty nisi orteku.
Aq shumë dëgjojmë për kuzhinën franceze dhe italiane, por kam lexuar se në fakt kanë qenë dyqanet e vogla me ushqime etnike që ju kanë mahnitur që nga fillimi. Përse?
Oh, edhe sot më pëlqen të shpupuris nëpër dyqane të vogla ushqimi të të gjitha llojeve. Si studente në Mançestër, jam mahnitur me dyqanet aziatike dhe afrikane aty afër ku jetoja. Ato ishin si shpella të Aladinit, plot me thesare të panjohura. Edhe gjatë gjithë këtyre viteve, kjo vazhdon të më kënaqë. Deri para pak kohe kam jetuar në Oksford, dhe pa dyshim vendi më i mirë për të bërë pazar aty është Cowley Road. Aty shkoj për të gjetur gjithfarë përbërësish të mrekullueshëm, duke filluar nga “lëkurë” kajsie marokene e deri te uthulla e zezë kineze, mëlmesa e tufa të mëdha erëzash prej më të freskëtave. Ngazëlluese!
Aktualisht jetoni në Itali - a ishte ushqimi që ju tërhoqi atje?
E kam adhuruar Italinë që kur për herë të parë kam shkelur këtu para 40 vjetësh. I ka të gjitha - diell, ushqim të mrekullueshëm, arkitekturë, letërsi, njerëz të mrekullueshëm, të ngrohtë (sidomos në Jug), energji, peizazhe të mrekullueshme, det, humor të bukur, i ngasin makinat tmerrshëm, plot gropa nëpër asfalt, dhe, siç po e zbuloj aktualisht, burokraci të ngatërruar, të prezantuar me sharm të jashtëzakonshëm.
Unë vetë jam imigrante dhe shpesh më mungojnë ushqime apo prodhime ushqimore nga vendi im, e që vështirë gjenden këtu në Londër (megjithëse gjërat po ndryshojnë). A ka diçka të posaçme që ju mungon tani që jeni jashtë vendi?
Deri tani vetëm muesli (drithëra me pemë të thata e arra) të mira dhe ushqimet aziatike.
Nuk dëgjojmë shumë për kuzhinën britanike. Gjatë kohës sa kam jetuar këtu në Londër, kam mësuar për disa gatime tradicionale angleze, për të cilat mendoj se janë ushqimi më i mirë që ekziston për vjeshtë/ditë me shi e dimër, si për shembull beef stew with dumplings (gjellë me mish viçi, perime e petulla), shepherd’s pie (gjellë me mish të bluar e pure patatesh), apo edhe diçka më e thjeshtë si turkey bubble and squeak (ushqime të fërguara nga ato që kanë mbetur nga dreka e Kërshëndellave) - a mendoni se kuzhina britanike ende nuk e ka zënë vendin që e meriton në kuzhinën botërore?
Është për keqardhje që aq shumë britanikë nuk kanë ide për pasurinë e përmasat e ushqimeve tona tradicionale. Kemi braktisur aq shumë ushqime të bukura, derisa na joshin ushqime praktikisht nga çdo anë e botës. Kështu që jo, ushqimet e vërteta britanike nuk njihen sa duhet. Fatmirësisht, ka shumë kuzhinierë të rinj premtues që po bëhen kampionë të ushqimeve tona klasike, kështu që ka shpresë.
Nëse është e mundur për një kuzhinier me përvojën dhe njohurinë tuaj për të veçuar një ushqim (apo disa ushqime), cili ushqim kishte për të qenë ai dhe pse?
Absolutisht nuk është e mundshme! Ushqimi i qëlluar për çdo moment varet nga stina, moti, shoqëria, teket dhe vendndodhja. Sot një gjë, nesër diçka krejtësisht tjetër.
Keni shkruar disa libra për kuzhinë, keni fituar çmime, keni realizuar seri televizive për ushqime e shumë programe për kuzhinë, ndërsa tani drejtoni një shkollë kuzhine në Oksford - çfarë mund të presim në të ardhmen?
Dua që vërtet të njihem me traditat dhe kulturën e kuzhinës në atdheun tim të ri, Puglia. Dua të thelloj njohuritë e mia dhe të kuptoj kuzhinën e pasur të kësaj thembre të Italisë. Ndoshta një libër, ndoshta jo. Të shohim.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.