Shkruan Luz Thaqi, Nju-Jork
Vitin e kaluar në programin shqip të RTV-së të Nju-Jorkut, “Albanian Culture”, do ta ndjek një reportazh, i cili më bëri përshtypje. Në njërën nga sallat e Spitalit Universitar të Fakultetit të Mjekësisë “Albert Ajnshtajn” të Nju-Jorkut, mbahej një ligjëratë nga Dr. Sulejman Çelaj në gjuhën shqipe, e ndjekur me shumë interesim dhe e stërmbushur me mërgimtarë. E paorganizuar ndonjë herë më parë në komunitetin shqiptar diç e kësaj natyre, e aq më tepër lidhur me zemrën, kujdesin, detektimet e problemeve me kohë dhe trajtimin shërues në kontekst arritjeve më bashkëkohore në të sotmen, bënë që takimi të ishte shumë frytdhënës dhe impresionues. Ligjërata ishte diçka tjetër nga ajo çfarë kishte parë diaspora në takimet me njerëz nga atdheu, nga intelektualët e ndryshëm, nga organizimet politike… Ishte një relaksim i vërtetë dhe krenari me njeriun tonë në Nju-Jork, dhe sukseset profesionale të tij të arritura për një kohë relativisht të shkurtër.
Muaj më vonë, interesimi për ngritjen profesionale të Dr. Çelajt, i cili tanimë për komunitetin shqiptaro-amerikan kishte marrë zë dhe për të cilin me admirim flitej, vetëm sa shtohej, dhe vendosa që një ditë të jem pacient i tij i rëndomtë, pasi që me të nuk njihesha. Në Klinikën e tij Private në rrugën “Artur Avenue” të Bronksit, tanimë pas paralajmërimit me telefon dhe caktimit të takimit, nuk munda t’u besoja syve: mbi 100 pacientë të ulur, duke pritur radhën për vizitë te Dr. Çelaj. Duke llogaritur se vizitat ishin deri në orën 5 të pasdites, mendoja në vete se është e mundur që të pres 4-5 orë dhe kur të më vijë radha mua, atëherë doktori do të jetë i preokupuar me kohën dhe vizita as nuk do të ndodhë. Duke medituar në këtë llogaritje, vërej se në sallë, në mesin e pacientëve të ndryshëm, gjenden edhe nja 2-3 shqiptarë. Dhe, pas ca orësh të rënda pritjeje, infermierja do të më thërrasë për të m’i bërë ekzaminimet paraprake për të hyrë te Dr. Çelaj.
I afërt, sikurse të njiheshim edhe më parë, i them se e kuptoj kohën dhe se jam dakord që në mënyrë të përshpejtuar ta kryejmë vizitën, pasi që ora 5 e pasdites tanimë kishte kaluar, ndërsa doktori ma kthen: - Jo, jo, unë nuk ngutem dhe kam kohë sa të doni, unë kur e pranoj pacientin, atëherë të gjitha oraret e tjera bien ose për mua nuk vazhdojnë. Pra, vetëm urdhëroni, - do të thotë doktori shqiptar në klinikën e tij private në Nju-Jork!
Në muajin nëntor (2011) do ta takoj përsëri Dr. Çelajn në Lehman College, në “Festivalin 21 të Këngëve e Valleve Shqiptare”, së bashku me bashkëshorten e tij, Lulen (juriste e diplomuar) dhe me vajzën Adean dhe djalin Arlindin. - Dua që fëmijët që nga vegjëlia të mësojnë këngët dhe vallet shqipe, që ta njohin kulturën tonë, që të mishërohen me të dhe mundohemi të bëjmë çmos që t’ua përcjellim fëmijëve tanë ruajtjen e identitetit tonë, do të thotë Dr. Çelaj, për të cekur se me fëmijët në shtëpi flasim vetëm shqip dhe se gati çdo vit vijmë në Kosovë. Dhe, këtu u morëm vesh që përfundimisht të lëmë një takim për të biseduar më gjerë për storien e Dr. Çelajt, një sukses që imponon.
Trajtimi i sinqertë sjell besimin
Dr. Sulejman Çelaj është i lindur dhe i rritur në Gjakovë, ndërsa tani mbi një dekadë jeton në Nju-Jork, kurse prindërit janë – nëna gjakovare dhe babai me prejardhje nga Vuthajt. Me shumë modesti, Sulejmani shpjegon rrugëtimin e tij jo edhe aq të lehtë deri në kryeqytetin e botës, në Nju-Jork.
- Konkurrenca ishte shumë e madhe për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, andaj vendosa që t’ia mësyja Rumanisë, kështu që në vitin 1995 diplomova në Fakultetin Mjekësisë në ‘Universitate din Crajova’ në qytetin Crajova. Kisha lexuar më parë për koloninë shqiptare në Rumani dhe kam takuar mjaft shqiptarë atje, të cilët jetojnë dhe kanë ruajtur identitetin kombëtar. Në ndërhyrjen time se - sigurisht i është dashur që gjuhën rumune ta fillonte nga e para, Dr. Çelaj do të shtojë: - Jo, nga e para, por nga zeroja. Atje kam shkuar me vëllanë tim, Arbenin, i cili e ka kryer stomatologjinë dhe tani jeton dhe punon në Kaliforni të SHBA-ve, ndërsa vëllai i vogël, Vetoni, është para përfundimit të studimeve në Pensilvania dhe mëton të bëhet avokat korporatash, si dhe vëllai tjetër, Hastriti, që po kështu punon këtu, ka kryer radiologjinë shumë kohë më parë në Beograd.
- Pas përfundimit të studimeve në vitin 1996, erdhëm në Amerikë dhe përsëri ia filluam nga zeroja, së pari nga gjuha e pastaj nga vazhdimi i studimeve, për të marrë licencën e mjekësisë, - vazhdon udhërrëfimin profesional e jetësor Dr. Çelaj. Fillimisht kam nisur të punoj në Kolegjin e Mjekësisë ”Albert Ajnshtajn” në hulumtimet shkencore dhe së bashku me ekipin tonë kemi publikuar pesë punime shkencore dhe ato në gazetat më prestigjioze të mjekësisë bashkëkohore. Studimet e mia shkencore i vazhdoj edhe sot, por jam i fokusuar në sëmundjet koronare. Më pastaj kam filluar specializimet në Mjekësinë Interne në Spitalin “Monte Fjore”, që është pjesë e Fakultetit të Mjekësisë “Albert Ajnshtajn”, të cilat i kam ndjekur për 3 vjet dhe e kam përfunduar me sukses, pra specializimin në Interno. Pas kësaj kam pasur dëshirë që të shkoj më tutje dhe kam aplikuar për subspecializim në Kardiologji, prapë në “Monte Fjore”, dhe pas tre vjetësh të tjerë kam subspecializuar në Kardilogji. Më pastaj kam vazhduar edhe një vit ta quaj sub-sub specializim në Kardiologji Invazive, të cilën e kam përfunduar. Pra, përfundimisht do të dalin 7 vjet specializim. Jam në "US Board Certified" (ose në provim shtetëror) në Mjekësinë Interne, Kardiologji të përgjithshme, Kardiologji Invazive dhe në Kardiologji Nukleare. Tani jam i punësuar po në spitalin Montefiore si Kardiolog Invaziv, jam Drejtor i Departamentit të Kardiologjisë invazive në spitalin “St Barnabas” në Bronx, New York. Po kështu, jam asistent profesor në fakultetin e mjekësisë “Albert Ajnshtajn”. Jam anëtar i Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë (Fellow of American College of Cardiology), dhe Fellow of The Society for Cardiovascular Angiography and Interventions. Kam publikuar në revistën “Circulation”, “JACC” etj. posterë dhe abstraktë, prezantime në ACC meetings (takimet më të mëdha në botë për kardiologji).
U ndihmoj njerëzve të mi…
Lidhur me Klinikën Private, Dr. Çelaj shpjegon: - Klinikën e kam zgjedhur në “Artur Avenue” ne Bronx, për arsye që të jem shumë afër komunitetit shqiptar, sepse kam mjaft pacientë shqiptarë, edhe pse të gjithë pacientët i trajtoj njësoj, me gjithë zemër, megjithatë pacientët shqiptarë i trajtoj më me zemër dhe me shpirt. Mund të them se shqiptarët si pacientë në raport me mua, ndihen shumë të lirshëm, bisedojmë shqip, i dëgjoj dhe i trajtoj me shumë kujdes dhe mund të them se kanë fituar një besim shumë të madhe në mua. Madje, ca kolegë amerikanë befasohen kur u tregoj se me një rast, duke i shpjeguar një pacienti shqiptar për mundësitë e komplikimeve gjatë procedurave të domosdoshme që ka edhe rreziqe, e njëra ndër to është edhe mundësia e vdekjes, një pacient, mërgimtar shqiptar, do të më thotë: - “Doktor, edhe nëse vdes në duar tuaja, nuk kam dert…” Pra, një besim i tillë mua më rrit nderin dhe më bën që të bëj maksimalen e së mundshmes për t’u ndihmuar njerëzve tanë. Dhe, kolegët, megjithatë, nuk e kuptojnë afërsinë që ne e kemi mes vete si popull. Unë kam me qindra pacientë shqiptarë, të cilët me ekzaminimet e tyre dhe trajtimet e sinqerta, më freskojnë, ndërsa ata sigurisht e ndiejnë veten më të relaksuar kur në Nju-Jork kanë mjekun nga atdheu, me të cilin flasin shqip, e më me rendësi të cilit i besojnë.
Në vazhdim, i pyetur për ndihmat që ua ka dhënë edhe pacientëve në nevoja të mëdha të ardhur nga atdheu për hospitalizim dhe shërim, gjë që kisha dëgjuar nga të tjerët, mirëpo, doktori nuk ka dëshirë të flas shumë për këtë, sepse thotë se ua ka borxh njerëzve dhe atdheut të bëjë të tërën që mund ta bëjë për ta. Pastaj, në insistimin tonë, do të shtojë: - Po, intervenimet në zemër janë punë e përditshme imja. Jam i gatshëm që të ndihmoj për çdo gjë që ka nevojë, edhe për operacione në zemër, me stenda, me intervenime...
Këtë e kamë bërë edhe gjatë këtij vikendi për një shqiptar të Kosovës, që ka pasur nevojë për intervenim. E kemi hospitalizuar dhe kemi ndërmarrë krejt çfarë ishte e nevojshme për trajtim. Pra, unë mundohem t’u ndihmoj njerëzve të mi, t’u çel rrugë për ndihmë dhe trajtim të duhur në këtë vend. Dhe, më besoni, e ndiej veten të lumtur kur ndihmat e mia ua shpëtojnë njerëzve tanë jetën. Dhe për këtë dedikim nuk kursej asgjë, as kohën dhe as punën time të rregullt!
Zoti Çelaj është edhe bashkëkryetar i Shoqatës së Mjekëve Shqiptaro-Amerikanë, të themeluar vite më parë (2008) mu me iniciativën e doktorit. Pra, kjo është një shoqatë e cila mbledh të gjithë mjekët shqiptarë që kanë licencat e mjekëve në SHBA, stomatologët, por edhe studentët që studiojnë mjekësinë në këtë vend. Ne përkushtohemi që së pari t’u ndihmojmë mjekëve të rinj që të gjejnë rrugën për ushtrimin e profesionit të mjekut në këtë vend, pastaj të bashkëpunojmë me shoqatat e njëjta në Kosovë e Shqipëri, të shkëmbejmë njohuritë, përvojat, sjellim mjekë nga atdheu për specializime të ndryshme në këtë vend, por edhe nga këtu dërgojmë mjekë në atdhe. Për shembull, ne kemi sjellë nga Kosova mjek në “Monte Fjore” për observime profesinale. Tani kemi një mjek nga Gostivari, i cili ka ardhur po ashtu në kuadër të bashkëpunimit tonë.
Ne bashkëpunojmë edhe me komunitetin për t’i lidhur mjekët tanë me pacientët që kanë nevojë. Prapë, kthehemi te ligjëratat e mbajtura në vitin e kaluar me shqiptaro-amerikanët për zemrën dhe nga ideja që të organizohet një gjë e tillë. - Po, shqiptarët edhe në atdhe, por edhe këtu kanë problem me zemër. Dinamika e jetës, stresi, duhani e shumë faktorë të tjerë bëjnë që sëmundjet e zemrës të jenë një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjes. Fatbardhësisht, sot edhe sëmundjet e zemrës trajtohen dhe shërohen me sukses, nëse me kohë njerëzit janë të informuar, të marrin terapi. Shqiptarët janë pak të informuar dhe rëndom kur bëhet vonë kërkojnë ndihmë. Andaj, më lindi ideja që të bëja një takim të tillë në të cilin, për habinë time, salla nuk do t’i zinte të interesuarit. Madje, nuk pati vend as për prindërit e mi që të merrnin pjesë në këtë ligjëratë. Pra, zemra nuk është tabu temë, ajo duhet të diskutohet, njerëzit të njoftohen me simptomat e sëmundjes dhe të ndërmarrin çdo gjë për ta ruajtur atë dhe vitalitetin e saj.
- Këso ligjëratash do të bëjmë si shoqatë në disa qytete këtu në SHBA, e jemi të gatshëm që në bashkëpunim me fakultet e mjekësisë një gjë të njëjtë ta bëjmë edhe në Kosove, në Shqipëri e në Maqedoni. Ne duhet të bashkëpunojmë në rrafshin profesional edhe me mjekët në atdhe. Sot, e ashtuquajtura telemjekësi mundëson një gjë të tillë. Kamë pasur raste kur më kanë thirrur nga Kosova për përvojën time se çfarë duhet bërë, për shembull, me ndonjë pacient. Më kanë konsultuar ose përmes telefonit ose e-mailit. Unë ua kamë dërguar sugjerimet e mia dhe kemi pasur sukses. Këmbimi i përvojave dhe vlerësimet me diagnozat ekipore, janë domosdoshmëri e suksesit edhe sot, prandaj unë shumë preferoj qasje të tilla.
Duhet të krenohemi me arritjet tona
- Unë vazhdimisht jetoj me vuajtjet, problemet dhe arritjet e popullit tim, thotë Dr. Çelaj. Jam i rrethuar me shqiptarë. Personeli në vazhdimësi më thotë se - sot të ka kërkuar një shqiptar, do vetëm të vizitohet nga ju. Këta pacientë janë shqiptarë…e kështu në vazhdimësi që më bën të ndihem shumë mirë. Në vitin 2007, në Kongresin më të madh të Kardiologëve Amerikanë, në të cilin kam marrë pjesë dhe kam pasur një prezantim, kisha bërë posterin tim me flamurin shqiptar, që pati zgjuar kureshtjen e shumë kolegëve si nga Japonia, Evropa etj. Mandej, unë u shpjegoja se kush jam, nga vij, ku ishim dhe ku do të shkojmë!
Pra, realisht, vazhdon doktori: Unë jam shumë i lidhur me njerëzit dhe atdheun tim. Unë dhe familja ime jetojmë, flasim dhe frymojmë shqip. Çdo vit vijmë në Gjakovë, ku e kemi shtëpinë dhe të afërmit tanë. Dhe, të them të vërtetën, më mban ndjenja në jetë se do të kthehemi në Kosovë. Madje, sikur ta dija se nuk do të kthehem përsëri në Kosovë, nuk e di se si do të vazhdoja të jetoja. E dua Kosovën dhe jam shumë i impresionuar me ecjen e saj. Ne duhet të jemi realistë, para pak vjetësh jemi bërë shtetet, por ndryshe nga shtetet e tjera jemi bërë shtet në një kohë tjetër, në kohën e internetit, gjë që shtetet e formuara 100 vjet më parë këtë nismë si tonën nuk e kanë pasur. Andaj, dhe ecja jonë do të jetë edhe më e shpejtë. Ndërskamcat në këtë proces unë i quaj të pritura, për shembull, si ka ecur Amerika pas pavarësisë, problemet nuk janë zgjidhur me pavarësinë, por kanë vazhduar edhe dekada më vonë. Ose, çfarë standardi ka pasur Franca pas pavarësisë, kur është bërë republikë, ose Spanja pas fashizmit, Belgjika... Këto vende për shembull kanë pasur standardet më të ulëta sesa ne sot, por kanë pasur edhe pretendime territoriale nga të tjerët dhe nga brenda. Edhe atyre u kanë mbetur pjesë të popujve të tyre jashtë. Pra, te ne nuk po ndodh asgjë e re dhe e posaçme. Kosova po shkon me hapa normalë drejt progresit. Pa dyshim se duhet luftuar krimi, korrupsioni e dukuritë retrograde të shoqërisë sonë, po edhe duhet investuar më shumë në arsimimin e gjeneratave të reja, të cilat do të jenë garuese me botën. Duhet shfrytëzuar përvojat e Norvegjisë në investimet në arsimim që nga ai parashkollor deri në nivelin akademik. Ne duhet dhe jemi të aftë të jemi të barabartë me botën Perëndimore.
Por, çfarë mendon për qasjet tona politike në këtë ecje, Dr. Çelaj thotë se jemi në suazat e normales në jetën tonë politike në Kosovë. Ne jemi dëshmitarë në shumë parlamente me tradita qindravjeçare, deputetët madje janë rrahur mes vete, ndërsa kundërshtimet politike te ne janë normale. Ne jemi një shtet i vogël, i porsaformuar, por që mund t’i japim leksion botës. Kemi përjetuar njërën ndër golgotat më të mëdha në historinë bashkëkohore të popujve të shtypur, dhe nuk jemi dorëzuar, kemi dhënë emra që nderojnë racën njerëzore (Nëna Tereze), kemi historinë e ndritshme dhe të ardhmen e ndritshme. Pra, ecjet tona janë mahnitëse.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.