Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Depërtimi në shpirtin e njeriut
Fadil Berisha
Depërtimi në shpirtin e njeriut
Fadil Berisha nuk është më thjesht dhe vetëm në kërkim të së bukurës. Prej vitesh arrin ta dallojë të bukurën menjëherë, atje ku të tjerët ose nuk arrijnë ta shohin, ose kalojnë pranë saj pa e vërejtur. Është një lloj rutine, që e ka arritur falë intuitës profesionale, syrit artistik dhe përvojës së madhe. Përtej një pamjeje të bukur, të cilën objektivi i aparatit të tij e fikson në përjetësi, ai, si një mjeshtër i vërtetë i fotografisë, arrin shumë e shumë më thellë: deri te brendia e bukur, pse jo edhe te shpirti i njeriut.

Shkruan Albana Beqiri

Po, po… ai di si të fotografojë edhe shpirtin… sepse ai beson në bukurinë e shpirtit njerëzor. Beson se ka fytyra të bukura, të krijuara nga Zoti, por domosdoshmërisht ka edhe shpirtra të bukur. Prandaj edhe i përzgjedh me aq kujdes objektet e veta të fotografimit. Sepse ai gjithmonë sheh përtej një pamjeje të bukur fizike. Prej një fytyre të bukur, vizualisht arrin të transme-tojë edhe më të bukurën e brendisë së njeriut. Kjo e bën atë të jetë një fotograf aq shumë i kërkuar. Jo vetëm prej të famshmëve, por sidomos prej atyre që aspirojnë të bëhen të tillë. Sepse, jo më kot thuhet se, nëse të fotografon Fadil Berisha, suksesi është i garantuar… Emra të njohur të bukurisë dhe modelimit shqiptar, që tashmë kanë arritur suksesin nëpër botë, përjetësisht i janë mirënjohës pikërisht Fadil Berishës, i cili i pari i ka piketuar, përzgjedhur e fotografuar, duke i futur edhe në botën e suksesit.
Fadil Berisha është fotograf me famë botërore, ka një karrierë të ndritshme, të ngritur në Nju-Jork e megjithatë asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me rrënjët e veta. Kosova dhe Shqipëria për të janë një: janë atdheu që frymon në ëndrrat e tij. Atdheu i lirë (Shqipëria, që nga ’91, kur rrëzoi komunizmin dhe Kosova, që në ’99, kur u çlirua nga Serbia), atdheu i bukur, të cilin ai e ka popullarizuar jo vetëm përmes fotografive të veta të mrekullueshme, por edhe përmes veprimtarisë së tij promovuese, asaj të një lloj ambasadori, që Shqipëria natyrale ka në botë. Detyrë që ai ia ka ngarkuar vetes dhe e kryen me përkushtim të plotë, ndoshta i vetëdijshëm se kontributi i tij është aq i nevojshëm.


Fadil Berisha, me urtësinë që e karakterizon, me atdhedashurinë që i frymon në dejtë e tij, nuk resht kurrë së dashuri atdheun, edhe atëherë kur ai gjëllin në zgrip… Sepse Fadil Berisha, para së gjithash, di të fotografojë shpirtin e bukur. Në këtë rast, shpirtin e bukur të Atdheut… Si një mjeshtër i madh i fotografisë dhe si një shqiptar po aq i madh, edhe atëherë kur duket se shpresa është vrarë në atdheun e tij, Fadil Berisha di të nuhasë e të gjejë më të bukurën dhe më të mirën e atdheut. Vrapon të gjejë të tjerë të famshëm me gjak shqiptari e t’i shndërrojë në promovues të identitetit shqiptar në botë, vrapon po ashtu të kërkojë talente premtuese në atdhe e t’u krijojë mundësi suksesi në botën e madhe, përtej vendit të tyre… dhe kështu jeta e tij është një fluturim i përhershëm mes Nju-Jorkut, vendit ku jeton e vepron, vendeve të tjera, ku pa pushim e shpie puna, dhe Kosovës e Shqipërisë, ku natyrshëm e shpien zemra dhe atdhedashuria.
Pesë dekada larg atdheut, nuk kanë mundur t’ia ftohin dashurinë për atdheun, as t’ia zbehin patriotizmin që ati i tij ia ka përçuar si një gjë të çmuar. Fadil Berisha, ky njujorkez fin e i rafinuar edhe për vetë njujorkezët, në të vërtetë është një shqiptar i madh. Zemra i rreh shqip, i frymon kuq e zi. 
I lindur në Gurrakoc (ish-Gjurakovc) të Burmit (ish-Istogut), Fadil Berisha rrjedh nga një familje tropojane, e arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Emigroi në Amerikë në moshë fare të re dhe shumë shpejt u dashurua me fotografinë. Zgjodhi të bëhej fotograf, edhe pse i ati i tij nuk e përkrahu dhe nuk u pajtua me rrugën që zgjodhi i biri, pasi, sipas tij, fotografia nuk ishte profesion… Në mos jo profesion, së paku jo aq i denjë sa do kishte dashur ai për të birin. Por puna dhe sukseset e Fadilit natyrisht që ia ndërruan mendjen të atit, i cili në fund të jetës së tij krenohej me punën dhe sukseset e djalit të tij, që tashmë ishte bërë një nga fotografët më të famshëm në botë.
Prej familjes Fadil Berisha, ky fotograf me famë botërore, trashëgoi modestinë, respektin për njerëzit dhe dashurinë për vendin, tipare këto që e bëjnë atë një shqiptar tipik. Të gjithë ata që e njohin nga afër apo që kanë pasur fatin të punojnë me të, flasin me respekt për thjeshtësinë që e karakterizon. Fama ia hapi dyert e suksesit, por nuk ia mbylli dyert e shpirtit. Përkundrazi, ai ka mbetur një njeri modest, me zemër të hapur e të madhe. Është e habitshme se si ia ka arritur të mbajë një ekuilibër mes famës dhe familjes, mes jetës së pasarelave e të suksesit dhe familjes, të cilën ia ka dalë me sukses ta mbajë larg fokusit të publicitetit. Jeta e punës së tij është ajo tipike e një njujorkezi të suksesshëm, të rrethuar nga njerëz të famshëm, ndërsa jeta familjare është më diskrete dhe më tradicionale. Nëna e tij ende jeton me familjen e tij. Fadil Berisha, i cili është i martuar me kosovaren Florije, ka dy fëmijë: Violetën dhe Blerimin, të cilët tashmë kanë ndërtuar jetët dhe karrierat e tyre. Qindra të rinj e të reja shqiptare, moshatarë me fëmijët e tij, e kanë prekur nga afër dashamirësinë dhe ndihmën e Fadil Berishës. Ai asnjëherë nuk ka përtuar të ndihmojë artistët e rinj shqiptarë, qoftë duke u bërë një set fotografish, qoftë duke u krijuar mundësi të shumta për të çarë në skenat ndërkombëtare. Dhe, të gjithë, pa përjashtim, të rinj apo të famshëm në fushat e tyre, flasin me dashuri e respekt për Fadil Berishën, mikun e ditëve të mira dhe të këqija, për Fadil Berishën, mikun e vërtetë, me zemër të madhe, përplot dashuri për vendin dhe për njerëzit e tij.
Në fillet e karrierës së tij, Fadil Berisha filloi të fotografonte koleksionet e reja të stilistëve, që më pas bëheshin pjesë e vitrinave të butikëve. Pas këtyre punëve të para, karriera i pati ngritje dhe Fadil Berisha, ky fotograf, atëherë i ri, filloi të angazhohej si fotograf në agjencitë e njohura, si Avon, Bloomingdale`s, Macy`s, Nordstrom`s e të tjera. Që prej vitit 2007, për disa vjet, Fadil Berisha kishte eskluzivitetin e fotografive për Rolex. Ai po ashtu është fotografi zyrtar për Miss Universe dhe Miss USA. Fotografitë e tij të mrekullueshme kanë pushtuar kopertinat e revistave më në zë dhe më me influencë në botë. 
Fadil Berisha ka punuar me njerëz të famshëm, si: Tyra Banks, Donald Trump, Russell Simmons, Bill Clinton, Roger Federer, Halle Berry, Snoop Dogg, Fergie, Patti LaBelle, Harry Belafonte, Jennifer Beals, Beverly Johnson, Robert Evans, Kim Kardashian etj.
Para aparatit të tij kanë pozuar edhe personalitete të njohura shqiptare, si njerëz të kulturës, politikës, diplomacisë, këngëtare, modele apo edhe misse të shumta. Ndër shqiptarët e famshëm, të cilët ai i ka fotografuar, janë: Inva Mula, Eliza Dushku, Emina Çunmulaj etj., etj.
Puna me këto personalitete, në fund të fundit, është edhe lidhja më e drejtpërdrejtë që ai ka me atdheun e tij. Kjo lidhje vjen si një nevojë e brendshme, e cila e bën të ndihet në plotni me veten, me karrierën dhe me jetën që ka zgjedhur.
Nuk lë rast pa ardhur në Kosovë apo në Shqipëri, ashtu sikurse nuk lë rast pa menduar se si të ngrejë lart imazhin e vendit të tij. Ka ndërmarrë një sërë nismash për të promovuar bukurinë shqiptare nëpër botë: të rinjtë e të rejat, por edhe turizmin dhe vendet e mrekullueshme turistike. 
Ky është Fadil Berisha, njeriu që famën nuk e përdor për vetveten, por për të tjerët: fotografi profesionist, që e do të bukurën, e nuhat atë, e gjen ku të jetë e ku të mos jetë, që e kthen në art, e që brenda kësaj bukurie gërmon thellë e më thellë për të gjetur bukurinë e brendshme. Dhe, pasi i bën të gjitha këto, mbetet modest i papërmirësueshëm, i paprekur nga mania virusale e famës, i gatshëm që të ndihmojë ende të tjerët…
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version