Shkruan Zyrifa Kqiku
Tung, Rita, si jeni? Si ishte dita juaj sot?
Më duhet të them se ishte një ditë me shumë punë. Jam çdoherë në vende/shtete të ndryshme, gjë që nuk është përherë argëtuese, porse tanimë unë jam mësuar me këtë gjë, kjo është puna ime dhe njëkohësisht pasioni im.
Duke pasur parasysh faktin se përherë jeni në qendër të vëmendjes dhe nën vëzhgimin e kamerave kudo që shfaqeni, jeni adaptuar me këtë mënyrë të të jetuarit?
Unë jam ende duke iu përshtatur jetës sime, përderisa dita ime asnjëherë nuk është e njëjtë. Ngandonjëherë nuk më pëlqen të kem prapa paparacët që më ndjekin, por unë mundohem të jem e kujdesshme sa më shumë që mundem, ndonëse ata mund të jenë të bezdisshëm, gjithashtu.
Si ndiheni tani që jeni bërë një ndër këngëtaret më të famshme në botë, personalitet pafundësisht i admiruar nga të gjithë?
Jam e lumtur që mund të jem zëri i shumë të rinjëve këtu dhe në Kosovë. Jam krenare për arritjet e mia dhe është me rëndësi që puna e rënd gjithmonë të shpaguhet.
Kosovarët janë shumë krenarë me ju, veçanërisht qyteti i Prishtinës, ku ylli shndritës është lindur, dhe po triumfon kudo që po paraqitet në botë… A ju emocionon ky fakt?
Po, unë jam aq krenare me rrënjët e mia, dhe gjithmonë përmend Kosovën, sepse unë besoj që identiteti tregon se kush në të vërtetë jemi ne, dhe do të duhej të na ndihmonte që ta gjejmë veten kudo që jemi.
Ju mungon vendlindja juaj, shkoni shpesh atje? Mund të na thoni në cilën lagje të Prishtinës e kishit shtëpinë, në të cilën keni jetuar para se të shpërnguleshit në Londër, dhe nëse vazhdoni ta keni pronën e njëjtë?
Origjina e prindërve të mi është nga Peja, por ata kanë jetuar në Prishtinë derisa u zhvendosën në Londër. Unë si bebe kam jetuar në lagjen Dardania, aty ku gjyshja ime vazhdon të jetojë. Prindërit e mi udhëtojnë në Kosovë sa herë që kanë mundësi, megjithatë për shkak të orarit tim të ngjeshur, unë nuk jam në gjendje të udhëtoj aq sa do të dëshiroja.
Cilën këngë e dini në gjuhën shqipe, të cilën ju e këndoni sa herë jeni në humor?
Këngën? Ou, mmm... Mua më pëlqen të vallëzoj shotën… me shami, hahahah.
Çfarë ju porosit vazhdimisht nëna juaj, cili është mesazhi i saj? Po babai?
Nëna përherë më thotë – Rita, të lutem mos rri vonë… fli më shumë dhe mos pi cigare dhe alkool. Ajo është frymëzimi im. Ndërkaq, babai është forca dhe mbështetja ime.
Rita, jeta juaj ka ndryshuar tërësisht qëkur prindërit tuaj u zhvendosën në Britani të Madhe. Edhe pse ju jeni fëmijë i dy prindërve intelektualë, në disa intervista ju keni folur për jetën e pakëndshme pas largimit nga Kosova, të jetuarit në një apartament të vogël të shtetit. Sot ju jeni bërë një këngëtare e famshme, a ju duket si një ëndërr afirmimi botëror?
Po, prindërit e mi u zhvendosën në Britani të Madhe për një jetë më të mirë. Ata e filluan jetën e tyre nga e para, punuan shumë dhe u bënë profesionistë dhe njerëz të suksesshëm. Nëna ime është duke punuar mjeke – psikiatër në Londër, ndërkaq babai është biznesmen.
Në cilën pjesë të Londrës jetoni tani? Kemi dëgjuar se keni blerë një shtëpi të re? A është kjo për prindërit tuaj apo për veten, e keni zgjedhur ju këtë shtëpi? Kush kujdeset për mobilimin e saj?
Po, unë jetoj në Londër, në zonën Notting Hill Gate, jo shumë larg nga prindërit e mi. Është e vërtetë se unë e kam blerë një shtëpi familjare për familjarët e mi, në të cilën do të jetoj po ashtu edhe unë, sapo ajo të jetë e përfunduar. Si familje, ne të gjithë themi mendimin tonë sa i përket stilit të mobilimit të shtëpisë, edhe pse të gjithë kemi shijen e njëjtë.
Ju jeni këngëtare e këngëve në gjuhën angleze, megjithatë kur do të ketë albumi juaj një këngë në gjuhën shqipe?
Do të ishte kënaqësi ta kem një këngë në gjuhën shqipe apo jo? Po, një ditë unë do ta kem një këngë në gjuhën shqipe, pse jo.
A është ëndërr juaja ose pjesë e projekteve në të ardhmen organizimi i një koncerti në Prishtinë?
Koncertin, unë do të kisha dashur ta performoj në Kosovë. Kam pasur një kohë të mrekullueshme derisa po xhiroja videoklipin e këngës ‘Shine Your Light’, kështu që unë patjetër dua të kem një koncert atje, së shpejti.
Përveç muzikës, ju jeni bërë dhe një modele e suksesshme, gjithashtu. Ju jeni aktualisht fytyrë e re e markës britanike kozmetike Rimmel, kompanisë së veshjeve Mark&Spencer, Adidas dhe brendit të veshjeve të Maddonës, po ashtu. Si po gjendeni në këtë përvojë të re dhe si është bashkëpunimi me këto marka prestigjioze?
Muzika është pasioni im, njëjtë sikurse edhe moda. Besoj se të dyja bashkë shkojnë natyrshëm, ndaj angazhimi në muzikë dhe në modë në të njëjtën kohë duket si një punë. Unë kurrë nuk lodhem duke u veshur, jam rritur me prindër të cilët janë një çift që duken jashtëzakonisht bukur dhe modernë, ndërkaq unë vetëm po i ndjek hapat e tyre.
Kur jemi tek Madona, ju patët deklaruar se dëshironi të keni frymëzimin e saj për punë. Çfarë ju ka impresionuar më së shumti te Madonna?
Unë isha e vogël kur nëna ime dëgjonte Madonën. Ajo ishte frymëzimi im me muzikën e saj, buzëkuqin e zjarrtë dhe aksesorët e shumtë që mbante.
Ju, në fakt, jeni shndërruar në një ikonë të modës. Kush është përgjegjës për gardërobën tuaj për raste të veçanta, a keni një disenjator personal, apo ju punoni me shumë prej tyre?
Në SHBA unë kam stilistin tim, në Britani të Madhe, po ashtu. Unë bashkë me stilistin dakordohemi çka duhet të vesh në evente të veçanta. Ata e dinë stilin tim dhe çka pëlqej unë.
A mund të themi se ju jeni një nga të famshmit me të ardhurat më të larta në botë?
Të ardhurat? Jo, unë nuk jam e famshmja më e paguar, kjo është ekzagjeruar në medie. Ju nuk duhet të besoni çfarë shkruhet. Unë punoj shumë dhe mund të them se edhe paratë i fitoj me shumë mund.
Në jetën tuaj është një person i rëndësishëm, dhe jeni thuajse të pandara. Ju jeni vazhdimisht në shoqëri të motrës suaj, Elena, e cila është menaxheri juaj personal. A do të thotë se ju nuk do të ishit kaq e suksesshme pa përkrahjen e saj?
Po, Elena është person tejet i veçantë, ajo është çdo gjë për mua. Gjatë gjithë jetës sime unë kam jetuar me të në të njëjtën dhomë, nuk e mbaj mend veten time të vetme, kështu puna me të është realizim i ëndrrës. Ajo është forca ime shtytëse për përkrahje morale edhe si menaxhere.
Çka mund të thoni për anëtarët e tjerë të familjes, nënën, babanë, vëllanë, gjyshen, i kontaktoni çdo ditë?
Përpiqem të flas me familjen time të paktën çdo të dytën ditë. Nëse kontaktoj me nënën, e lus që t’u thotë “të dua”- babait dhe vëllait nga ana ime. Ose, kur flas me babanë, ai e bën të njëjtën gjë, përderisa koha ime vërtet është tejet e kufizuar. Nëse unë jam e ftohur ose ndihem e sëmurë, atëherë jam në telefon me ta për çdo ditë, hahaha.
Le të flasim pak edhe për ushqimin. Dini të gatuani, ose, cili është gatimi juaj i preferuar? Ndërkaq, për sa i përket kuzhinës kosovare, çka preferoni?
Mmmmm ushqimi... E adhuroj ushqimin kosovar, ushqimin pikant, piten me spinaq dhe sallatën tarator, ummmm. Ndërkaq, vetë, kur kam kohë, përgatis makarona, ngase është më lehtë dhe më shpejt.
Rita, pas luftës në Kosovë, shumë familje jetojnë në varfëri ekstreme, pa shtëpi dhe pa ushqim. Pajtoheni të merrni pjesë në një event humanitar dedikuar kësaj pjese të shoqërisë?
Bamirësia është diçka që unë e mbështes në mënyrë të veçantë për personat në nevojë. Kohën e fundit, bashkë me Band Aid, ne bëmë këngën për njerëzit e prekur nga sëmundja e tmerrshme ebola. Unë jam e interesuar për të ndihmuar të rinjtë në Kosovë, dhe planifikoj të bëj një ngjarje bamirësie në të ardhmen e afërt.
Ju dukeni gjithmonë e qeshur, a do të thotë kjo se jeni një person tejet pozitiv? Çka ju nxjerr komplet nga takti?
Unë jam person pozitiv dhe e dua energjinë pozitive. Unë nuk mund t’i duroj tensionet apo diskutimet të cilat më nxjerrin nga takti, siç thoni ju.
Çfarë synoni të arrini në jetë, ku mendoni të ndaleni?
Dua që njerëzit të më kujtojnë si një person i cili ka sjellë ndryshime në jetën e tyre nëpërmjet muzikës ose modës. Unë kam filluar si aktore e re të luaj në film. Gjyshi im, Besim Sahatçiu, besonte se unë mund të isha një aktore e mirë filmi, kështu që kjo mbetet për t’u parë.
Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni mësuar së fundi?
Familja dhe shëndeti, janë gjëja më e rëndësishme e jetës sime.
Mund të na thoni mesazhin tuaj për njerëzit e Kosovës?
Mesazhin ia dedikoj të rinjëve të Kosovës. Asnjëherë të mos frikësohen, të jenë vetja dhe të bëhen çfarë duan ata. Do të jetë e vështirë, por kjo është ndjenja e ëmbël e suksesit.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.