Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > TIKA CAMAJ: Supermodelja që duket se jeton në bikini...
Ekskluzive
TIKA CAMAJ: Supermodelja që duket se jeton në bikini...
Është e vështirë të mos frymëzohesh dhe të ngazëllehesh me verën, duke shikuar elegancën dhe pamjen atraktive të modeleve në bikini. Tika Camaj, një yll i udhëtimit dhe i stilit, duke evokuar fotografitë e saj të realizuara ekskluzivisht në destinacione ekzotike, me influencën e saj gjenetike, duket se jeton në bikini. Modele me fytyrë të bukur dhe trup të mirë, jo vetëm që ka pamje të pabesueshme, porse ajo tërheq qindra-mijëra mbështetës, falë trupit të përsosur, ndaj ka arritur sukses dhe veçohet në industrinë e modës.

Bisedoi Blerina Gashi

Tika, dukeni tejet elegante në gardërobën tuaj. Çfarë ndjenje është të jesh e veshur përherë minimalisht?
Gjithmonë kam dashur të jem e kënaqur me trupin tim, prandaj deri më tash kam ushtruar pa përtesë. Përherë kam dashur dhe dua të jem aktive. Veshja nuk ka shumë rëndësi, por e rëndësishme është të jesh e lumtur me punën që bën.
Sa është e lehtë të keni përherë pamje atraktive, pa kilogramë të shtuar?
Unë ushtroj shpesh, ndonjëherë 4-5 ditë në javë, por edhe mund të kalojë java pa shkuar në palestër. Kjo varet nga angazhimet dhe udhëtimet e mia. Natyrisht se çështja e kilogramëve të tepërt, jo rrallë, shndërrohet në problem për shumë vajza, të cilat duan të duken bukur, dhe nuk e arrijnë lehtë peshën që synojnë, por do të thosha se për mua kjo nuk është e pamundur. Unë po ia dal mjaft suksesshëm të kem përmasa ideale.

Ku jetoni tani?
Tash dy vjet jetoj në Kaliforni, në Los Anxhelos. Kam ardhur këtu për arsye të agjencisë së modës LA Models, me të cilët kam nënshkruar një kontratë. Porse këtu nuk më bie të qëndroj më shumë se dy javë, ngase përherë jam në udhëtime: nga Majami në Nju-Jork, nga Nju-Jorku kudo ku më ftojnë për të punuar. Po ashtu, këtu në Los Anxhelos, jeton edhe i dashuri im.

I dashuri juaj, me çka merret ai?
Ai është një biznesmen, punon gjithashtu programe televizive, po ashtu është edhe menaxheri im... Quhet David Silvermen, është amerikan, me prindër kombinim mes Spanjës dhe Kubës.
Keni planifikuar të martoheni së shpejti?
Jo, jo, nuk ekziston një plan i tillë. E kemi diskutuar, por për ne para së gjithash është puna, zhvillimi i karrierës, martesa nuk e di nëse do të ndodhë ose më saktësisht kur do të ndodhë. Unë dua të jem e lumtur. Unë kam qenë e martuar dhe e kam provuar këtë ndjesi, tani në jetën time puna zë vendin primar...

Puna juaj kryesisht zhvillohet në Amerikë?
Po, në Amerikë, shumicën e kohës jam këtu. Jam modele e bikinive, por punoj edhe në fusha të tjera. Në fakt, duket sikur unë i takoj vetëm fushës së ndërresave, mbase pse unë vazhdimisht postoj foto të tilla.
Për të qenë një modele e suksesshme, a ekzistojnë rregulla të cilave duhet t’u përmbaheni në mënyrë rigoroze?
Për shembull, përveç se duhet të keni një trup të mirë, çdoherë duhet ta përballoni stresin. Në fakt, është punë 24-orëshe, përherë duhet të jeni në humor të mirë, të keni diçka unike. Ndërkaq, personaliteti çmohet dhe është me shumë rëndësi për një modele të suksesshme. Personalisht më pëlqen të ha shumë dhe mendoj se mua më nevojitet balanca mes ushtrimeve, ushqimit dhe të qenit e gëzuar.
Shumë modele, posaçërisht Misset, për të arritur pamjen e përkryer, u nënshtrohen shumë operacioneve plastike. Ju, a keni ndërhyrje të tilla?
Operacione plastike? Hundën e kam bërë. Kam pasur një devijim brenda, prandaj ndërhyrja ishte e pashmangshme. Ndërsa buzët nganjëherë duken më të mëdha, nganjëherë më të vogla.
Ju fotografoheni edhe nudo. Së fundmi, në portale është shfaqur fotoja juaj e cila i bëri njerëzit kureshtarë: Tika lakuriq? A është e lehtë të realizohen foto të tilla?
Ajo foto është qesharake. Unë kam pasur të veshur bikinitë e poshtme, por në photoshop i kanë larguar. Edhe mami më tha, kush është kjo vajzë e zhveshur aty? I thashë – unë, nuk më njeh. Ç’është kjo foto, më pyeti, pastaj e qetësova dhe i thashë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Fotografja ime, Mégane Claire, më njoftoi paraprakisht lidhur me ndërhyrje që do të bënte në këtë foto. Ajo është një fotografe shumë e mirë, bashkëpunojmë shumë shpesh. Mendoj se edhe po të ndodhte një foto e tillë, nuk do të ishte ndonjë tragjedi.
Familjarë në Mal të Zi, kur i shohin fotot me gardërobë minimale, çfarë ju thonë?
Po sigurisht që flasin. Por, unë nuk i dëgjoj. Unë qyshkur jam bërë modele, diskutimeve për pamjen time në foto nuk u kushtoj rëndësi. Nëse hulumtoni në google foto të modeleve të njohura si Cindy Crawford apo Naomi Campbell, ju do të gjeni foto të tilla të zhveshura. Për mua është e rëndësishme që Mami im më kupton. Prandaj, çështjet e tilla tanimë nuk më bëjnë përshtypje.

A jeni e kënaqur me punën që po e bëni?
Po, jam e kënaqur, unë jam përherë shumë e kënaqur, jam person i lumtur. Tani jam duke punuar edhe në biznesin tim, të cilin e kemi hapur bashkë me të dashurin, quhet ‘Follow Me Network - FMN’. Është kanal në internet, i cili përfshin udhëtimet, modën, teknologjinë. Shkojmë, vizitojmë vende të ndryshme në botë, bëjmë reportazhe të shkurtra. Unë jam imazhi kryesor i këtyre incizimeve, por kemi edhe persona të tjerë. 
Çka do të veçonit si suksesin tuaj më të madh në gjithë karrierën tuaj në botën e modës?
Jam gëzuar jashtëzakonisht shumë, kur kam marrë pjesë për herë të parë në javën e modës në Nju-Jork. Kjo ka ndodhur në fillim të karrierës sime, ishte viti 2008-2009. Isha shumë, shumë e lumtur, ngase, kur kam qenë vajzë e vogël në Malësi, bile, një ditë edhe kushërini im, i cili tani jeton në Nju-Jork, më pyeti: - ‘të kujtohet kur ke qenë e vogël, dhe me libër në kokë, endeshe nëpër Malësi dhe thoshe – ‘unë do të bëhem modele, do të marr pjesë në Nju Jork – në Fashion Week’. ‘Ne’, më tha ai - ‘të shikonim ty dhe thoshim, kjo kurrë nuk do të ndodhë’. Prandaj, kur kam marrë pjesë për herë të parë në javën e modës në Nju-Jork, kam qenë shumë e lumtur. M’u mbushën sytë me lot dhe thash me vete, ëndrra ime u realizua. Prandaj, çdoherë, edhe kur ndodhem në mesin e modeleve më të bukura, edhe kur arrij sukses, kurrë nuk harroj prej nga kam ardhur. Unë kam lindur në Mal të Zi dhe kam jetuar atje deri në moshën 14 vjeçe. Tani nuk shkoj shpesh atje, në fakt që nga viti 2008 nuk e kam vizituar vendlindjen time.
Cila është ana e errët e profesionit të modeles, që nuk ju pëlqen aspak?
Ka raste, për shembull, kur duhet të punoj kur është shumë ftohtë, e duhet punuar jashtë, apo kur është shumë nxehtë, dhe gjithashtu është vështirë të punohet në ambient të hapur. Por, në përgjithësi, puna që bëj më jep shumë kënaqësi. Udhëtimet i kam shumë për qejf, madje shpeshherë nuk arrij t’i zbraz valixhet nga një udhëtim në tjetrin.
Ku inspiroheni për punë?
Kam shumë idhuj, porse çdoherë që bëj diçka, përherë mundohem ta bëj më të mirën. Duhet ta duash veten dhe të bëhesh e zonja për veten tënde.
T’i kthehemi sërish vendlindjes suaj. Mendoni se në Mal të Zi gratë janë të emancipuara?
Bukuria është me shumë rëndësi. Madje vajzat shqiptare janë shumë të bukura, por besoj se janë edhe të emancipuara. Në fakt, tani kanë ndryshuar rrethanat, i shoh se shkojnë në shkollë, porse konsideroj se është një vend i cili i mban disa tradita, shumë tradicionale. Mendoj se kjo është diçka e bukur, por jo për mua. Unë jam moderne.
Këtu në Ballkan shqiptarët merren shumë me politikë. Si është atje?
Personalisht nuk më pëlqen të flas për politikën. Madje thuajse asnjëherë nuk inkuadrohem në biseda politike. Bile nuk i njoh as politikanët shqiptarë aq. Nuk e di pse, por nuk i njoh as politikanët kosovarë... Nëse ndodh diçka e mirë ose ndonjë tragjedi tek ju, familjarët më informojnë lidhur me ngjarjen. Personalisht, revistat i lexoj në telefon, ndërsa kohën e lirë kryesisht e kaloj duke i trajtuar flokët, duke rregulluar gardërobën. Po ashtu, ditët e pushimit zakonisht i kaloj në Evropë ose në vende të tjera. Çdoherë vizitoj vende të ndryshme.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version