Ti je ketu: Ballina > Opinione > 25 vjet të revistës
25 vjet të revistës

Kjo është Ditëlindja e 25-të e Revistës. Ky edicion, pra, është festim i një ikone, një shoqeje të besuar të gruas dhe të familjes. Për kaq vjet revista u ndodh pranë lexuesve të saj të sinqertë, pranë familjeve në periudha të ndryshme, në momentet më domethënëse të historisë sonë.

Sanije Gashi

Në botën e medieve periodike, revista shqiptare TEUTA ishte një avokate e të drejtave të grave, e cila u ndodh pranë familjeve, edukoi, ngriti e vetëdijesoi gratë, si një libër i mirë. Gjatë këtyre 25 vjetëve, revista u rrit dhe u shndërrua në një ikonë, me lidhje të veçantë emocionale mes brezave e familjeve jo vetëm kosovare. Ky edicion special, prandaj, feston rrugën e kaluar prej kaq vitesh, të cilën e lamë pas, duke mos e humbur pamjen e sotme, për të mëtuar edhe të ardhmen.
Edicioni i parë i revistës TEUTA është publikuar në maj të vitit 1994, në 36 faqe dhe në teknikën bardhezi. Sot, ndërkaq, del në dyfishin e faqeve dhe në kolor, me faqosje lakmuese! Revista shpejt u shndërrua në një hit dhe u bë e njohur ndër lexues.
Kosova në ato vite okupimi (kur filloi së botuari revista), ka përjetuar kohë të vështira, kur një përqindje e popullatës ishte e papunë, kështu që, duke rendur pas ekzistencës, shumë të rinj e familje shqiptare morën botën në sy.
Me rastin e nisjes së botimit të revistës në Prishtinë, presidenti Rugova e priti stafin e redaksisë, në shenjë përkrahjeje të punës së filluar. - ‘Mediet, u shpreh me atë rast, janë tepër të rëndësishme, krijojnë opinionin, ngrenë vetëdijen, edukojnë. Ju uroj, prandaj, punë të mbarë!
Veçse kini kujdes, se punoni në rrethana jo të zakonshme’, - ishte porosia e tij.
Pavarësisht nga kjo e kaluar, revista ka shkëlqyer si yll në errësirë nate. Ishte shumë pozitive dhe i solli familjes, lexuesve, një optimizëm. Kur lufta më 1999 mbaroi, dhe njerëzit u gjendën të dërrmuar, revista u doli krah me numra specialë, me qëllim rehabilitimi shpirtëror të familjes, të kthimit të fëmijëve të traumatizuar në jetë normale…, por edhe me suplemente, duke mundësuar një rehati familjare. Fundi i luftës ishte fillimi i epokës së re për gratë. Gjatë edicioneve ndër vite, revista shënoi vlerësime nga personalitete të shquara. Që me daljen e numrit të parë, njëra nga intelektualet me kulturë, Nermin Vlora, do të shkruante: “Kur për herë të parë botohet një revistë për gruan shqiptare, ajo paraqet një ngjarje me rëndësi të madhe. Kjo dëshmon jo vetëm emancipimin e gruas, e cila, pas zaptimit të Ilirisë nga Romakët e deri në ditët tona, ishte e shtypur dhe e robëruar’.
Në vitin 2019, gruaja shqiptare është shumë më ndryshe nga ajo e viteve të hershme. Gjatë zhvillimit, evoluimit, edhe përmbajtja e revistës gjithashtu ka ndryshuar. Ne gjithnjë mëtojmë të dimë, të mësojmë për çështjet që prekin jetën e gruas, jetën në familjet tona.
Edukimi, ngritja, emancipimi, vetëdijesimi i gruas janë barometri më i mirë për matjen e zhvillimit, përparimit dhe begatimit të një shoqërie.
Do të dëshiroja të theksoja se puna për revistën TEUTA ka qenë, vërtet, një privilegj. Është nderim i veçantë, por që asnjëherë nuk ka qenë lehtë. Për 25 vjet kam pasur kënaqësinë të punoj me staf të talentuar, pasionant dhe profesionist, të përkushtuar, të cilët kanë ndihmuar në realizimin e temave për ta pozicionuar revistën jo vetëm në stendat e revistave, por edhe në zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve. Veç anëtarëve të brendshëm të redaksisë, një kontribut të mahnitshëm dhanë edhe korrespondentët e rregullt nga shtetet e ndryshme, të cilët me shkrimet e tyre, për kaq vite pasuruan përmbajtjen e revistës. Është e njerëzishme që me këtë rast të theksohet Redaksia fillestare, që sajohej nga bashkëpunëtorët e hershëm: Burbuqe Rushiti, Ibrahim Kadriu, Sakibe Qena, Nerimane Kamberi, Sulejman Dërmaku, Besim Rexhaj, Blerina Gashi si dhe nga korrespondentët nga gjithë bota, që ishte diçka jo e zakontë jo vetëm ndër ne: Kozeta Mamaqi (Tiranë), Nermin Vlora (Romë), Adelina Balashi (Athinë), Luz Thaqi (Nju-Jork), Gani Bytyçi (Gjenevë), Zyrifa Kqiku e Valbona Luta (Londër), Antigona Qena (Oslo),
Qibrie Hoxha (Stokholm), Avni Çitaku (Ankara), Ibrahim Berjashi (Ulqin), të cilët i falënderoj çiltërisht nga zemra.
Ndërsa redaksinë e tashme me punën e tyre e nderojnë profesionistët: Albana Beqiri, Faik Hoti, Fadil Berisha, Ibrahim Kadriu, Antigona Uka, Blerina Gashi, Afërdita Uka, Sulejman Dërmaku, Ridvan Slivova, Blinera Gashi.
Dhe, më e rëndësishmja, i falënderoj lexuesit e rregullt, besnikë, të TEUTËS për përkrahjen, miqësinë dhe shoqërimin gjatë këtyre 25 vjetëve të botimit të revistës. Ngaqë, ata janë arsyeja e ekzistimit tonë!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version