Edhe në periudhën e tretë të jetës mund të jetohet kënaqshëm, të merret frymë me plot mushkëritë, të dashurohet, të vrapohet… I dëgjojmë të flasin disa të moshuar se – edhe pleqëria është e bukur, sepse vetë jeta është e bukur! Nëse di ta shohësh bukurinë që gjendet gjithkund rreth vetes, nëse mund t’u gëzohesh cikërrimave, siç u gëzohet fëmija i vogël, edhe pleqërinë nuk do ta ndiesh si ngarkesë. Secili duhet të ketë qëllimin dhe dëshirën e tij, sepse vetëm në këtë mënyrë njeriu mund të jetë i kënaqur dhe të ndihet i plotë. Ja se ç’thotë Drita, 75 vjeçe: – Unë i gëzohem çdo dite të re. Dy-tri herë në javë eci në Gërmi, shoqërohem dhe dal, ndërsa qetësinë e gjej në meditim, në lutje dhe në lexim. Në moshë të pleqërisë nuk duhet të dorëzohen dhe të dembelohen njerëzit, sidomos gratë. Prandaj, këshilla ime është - Lëvizni, dilni nga shtëpia, shkoni në natyrë dhe përmbajuni devizës “në trup të shëndoshë, shpirti i shëndoshë”. Në këtë moshë duhet më shumë të shoqërohemi, të dalim nga shtëpitë dhe t’i kalojmë ditët pensioniste me përmbajtje shumë më me kualitet.