Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Bontoni në vendin e punës
Bontoni në vendin e punës

Bontoni në vendin e punës

Marrëdhëniet me kolegët në punë janë të ndryshme, me disa jeni gati miq, me të tjerë ‘vetëm’ bashkëpunëtorë, ndërsa çdo ditë takoheni edhe me klientë.

Abc-ja e përshëndetjes
Në fillim të orarit të punës vlen rregulla: ai i cili i pari e vëren kolegun tjetër, i pari përshëndet. Përshëndetja me prekje duarsh, sipas rregullës, bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, për shembull, pas pushimit vjetor ose mjekësor, ose për mungesë të gjatë në vendin e punës. Me këtë rast vlen rregulla e rangut. Domethënë, shefi i pari jua zgjat dorën, e jo ju, sado që të gëzoheni që po e shihni. Nëse jeni shef i partnerëve të punës ose i klientëve, atëherë ju i pari e zgjatni dorën. Ndërsa, nëse është fjala për grup njerëzish, ia zgjatni dorën sipas rangut, atij që është më i larti. Gratë, në këtë rast, ndryshe nga përshëndetja e bontonit “të zakonshëm”, nuk kanë kurrfarë privilegji të veçantë.
Është me shumë rëndësi që me atë që përshëndeteni të realizoni edhe kontaktin me sy (shikim). Kolegu, shefi ose partneri afarist - duhen shikuar në sy. Është gabim trashanik që dikujt t’ia shtrini dorën, ndërsa shikimin e ktheni nga tjetri! Për sa i përket prezantimit, edhe me këtë rast vlen rregulla e rangut: ai që është në funksion më të lartë, ai duhet të prezantohet i pari. Me rastin e njohjes, shprehjet si “më vjen mirë“, “gëzohem” dhe të ngjashme, tashmë nuk po shfrytëzohen aq. Më mirë është të thuhen disa fjalë si për shembull: “Është mirë që mundët të vinit”.

A e bëjnë rrobat njeriun?­
Rezultatet e një studimi hulumtues tregojnë se përshtypja që njeriu lë, madje 55 për qind, varet nga të folurit e trupit dhe të rrobave, 38 për qind nga zëri dhe intonacioni dhe vetëm 7 për qind nga ­përmbajtja e asaj çfarë është thënë. Çfarë është të folurit e drejtë të trupit? Nuk ka këtu farë mençurie të madhe: mbahuni drejt, gjatë bisedës qëndroni me fytyrë të kthyer nga bashkëbiseduesi, mbani kontaktin me sy (shikim), buzëqeshni. Rrobat duhet t’i përgjigjen situatës në të cilën ndodheni. Nëse jeni në drekë zyrtare, vishet kostumi i përshtatshëm. Në përditshmërinë zyrtare visheni në përputhje me rregullat dhe zakonet e profesionit ose të filialit në të cilin punoni. Avokatët zakonisht vishen ndryshe nga bankierët, nga juristët ose nga edukatorët. Në rastet kur nuk jeni plotësisht të sigurt çfarë do të vishni, këshillohet të përmbaheni e jo të visheni çoroditshëm. Zaten, duhet të ndiqni stilin personal në të cilin mund të jeni të sigurt.

 

T’u drejtoheni me “ti” apo me “ju”
Shumë njerëz i mundon kjo – si t’u drejtohen kolegëve, a duhet dhe kur mund t’u drejtoheni me “ju” ose kur të kaloni në “ti”. Nëse dikush, sipas gjykimit tuaj, herët ju propozon kalimin në “ti”, para së gjithash falënderojeni për besimin, mirëpo, nëse dëshironi t’i shmangeni këtij propozimi, atëherë njerëzishëm thoni se, megjithatë, duhet të pritni pak derisa të njiheni mirë. Mes partnerëve afaristë dhe klientëve, është me rëndësi të përdoret formula neutrale. Domethënë, thuhet: “Kolegia ime, zonja Shpresa, do t’jua sjellë materialin, e jo: “Shpresa do t’jua sjellë materialin”.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version