Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Christian Dior, themelues i modës franceze
Christian Dior, themelues i modës franceze

Kreatori i famshëm francez, Kristian Dior, i lindur para 118 vjetësh, është themelues i mbretërisë së modës, e cila edhe sot menaxhon suksesshëm.

"Askush nuk do të mund të harrojë varrimin e tij në Saint Honore d`Eylau, më 27 tetor 1957. I gjithë ekipi i tij, manekinet më të bukura dhe shoqëria e lartë parisiene, ishin me lot për humbjen e njeriut, i cili e kishte ndërtuar modën e lartë parisiene. Ishte jo vetëm couturier i madh, porse edhe dekorator i shkëlqyer, njeri i ndjeshëm, bujar, besnik dhe me shumë humor. Na lidhte edhe dashuria ndaj lulelotëve (lule shëngjergji), prandaj dhe më kishte goditur kur mbi trupin e tij pashë buqeta me këso lulesh" - kishte shkruar pas varrimit të tij fisnikja franceze, Liliane de Rotschild, kliente dhe shoqe e madhe e Diorit.
Në fakt, Diori e kishte lëvizur nga pika zero modën e lartë në vitet e urisë, pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa shtëpia e tij edhe sot është simbol i shik-ut dhe stilit francez,prandaj nuk është e çuditshme që shënimi i përvjetorit të njëqindtë të tij ishte ngjarje e shënuar nga Ministria e Kulturës Franceze. Përveç kësaj, Diori i pari ia kishte dhënë kuptimin sistemit të dhënies së licencës përpunimit dhe distribuimit të prodhimeve me nënshkrimin e tij, që nga kravatat e çorapet, deri te parfumet dhe makijazhi. Nuk kishte arritur të hapte zinxhirin e dyqaneve të luleve, filluar me dyqanin e tij të njohur Madam Debadan. Mirëpo, trashëgimtarët e tij më 1967 e lancojnë linjën Bay Dior, dedikuar fëmijëve, ndërsa për kumbar do ta ketë aktoren e njohur Grejs Kelli.

Se sa ishte emër i madh Diori, shihet edhe sipas porosisë së klientëve vetëm dy vjet pas themelimit të shtëpisë personale të modës, kur vetëm në selinë parisiene, pas paraqitjes së koleksionit të ri, për një javë kishte marrë 1200 mesazhe për fustanet e tij. Sot, nuk shesin kaq shumë fustane të gjithë anëtarët e sindikatës së modës së lartë franceze së bashku. Vetëm për prodhimin e çorapeve dhe të dorëzave, Diori kishte punësuar 900 njerëz, ndërsa më 1954, selia e tij në Paris i përfshinte pesë godina me 28 atelie. Te Diori, si rrobaqepës, e ka filluar karrierën edhe Pjer Kardeni (Pierre Cardin) i njohur, në vitin 1947. Kurse më vonë si disenjator është dëshmuar edhe Iv Sent Lorenti (Yves Saint Laurent), të cilin Diori me zëshëm po e lavdëronte, duke besuar se tek ai e kishte gjetur trashëgimtarin e denjë. Diori më 1957 ishte edhe disenjatori i parë i modës, fotografia e të cilit ishte botuar në ballinë të javores amerikane Time, me ç`gjë pas madje dyzet vjetësh do të mund të lavdërohej Gjorgjio Armani (Giorgio Armani).

Ekspozita e organizuar me rastin e përvjetorit të lindjes së tij (1905), nuk ishte mbajtur në Paris, seli e mbretërisë të tij, veçse në vendlindjen e tij, në Granvilleu, vendverim në Normandi. Në atë vend të vogël në brigjet e Atlantikut, në vilën Les Rhumbs, shtëpia ku kishte lindur kreatori, zbulohet bota e cila e kishte formësuar Diorin. Ngjyrat e shtëpisë së lindjes, kopshti i kultivuar, brigjet e hirta të Atlantikut, valët e të cilit e spërkasin bregun ngjyrë gruri, ishin ato që disenjatori i kishte shprehur në secilin koleksion të tij. Në vilën në të cilën kishte lindur (1905), çdo vit që nga 1997, nga qershori deri në shtator, organizohen ekspozita të krijimtarisë së tij.

Të pasurit dhe të famshmit dëshironin të visheshin te Diori, i cili në mënyrë të përkryer e organizoi shtëpinë e tij të modës. Kreacioneve të tij u jepte emra poetikë, si Mjellma e zezë, Rose Rose, Salsburg, Pastorale etj., pas të cilave vraponin dukesha e Uindsorit, balerina Fonteyn, aktoret Marlen Ditrih dhe Rita Hejvort, princesha britanike Margaret. Disa modele kanë marrë emrat sipas preokupimeve të tjera të Diorit, si Talisman, Jonxha me katër gjethe, Horoskopi, Ylli i lumtur etj. Ndërkohë, shoku i tij i fëmijërisë, Serge, i propozon që, krahas koleksionit të parë, ta lanconte edhe parfumin. Kreacionin aromatik të prodhuar nga trëndafilat dhe jaseminët, e emërton si Misd Dior, me të cilin e parfumosin ambientin e shtëpisë së modës para se të mbahej revyja e modës. Në ambalazh të parfumit ishte mjellma e bardhë me fjongo të zezë dhe me një rend perla. Diori shumë shpejt e themelon edhe fabrikën e parfumeve Christian Dior Parfums, që arrin sukses pas suksesi edhe pas vdekjes së themeluesit.

Kreatori i famshëm vdes nga sulmi në zemër në natën e 24 tetorit 1957, në një dhomë hoteli. Vdekja e Diorit i kishte shokuar të gjithë ata që e kishin njohur. Pushteti i qytetit, për shkak të numrit të madh të luleve që kishin arritur nga të gjitha anët e botës në Avenue Montaigne, kishin lejuar që buqetat me lule të vendoseshin te Porta Triumfale. Pas lamtumirës parisiene, në arkivolin e mbuluar me lule shëngjergji, Diorin e kishin përcjellë për në shtëpinë e përjetshme vetëm miqtë më të afërt dhe anëtarët e familjes. Pas vdekjes së kreatorit, perandorinë e modës e kishte marrë Iv Sent Lorenti, porse në vitin 1960 e zëvendëson Mark Bohani, i cili e mban deri më 1989, kur rolin e tij e merr Gianfranco Ferre. Pas shtatë vjetësh Ferrean e zëvendëson britaniku John Galliano, i cili e mban edhe sot.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version