Koncertet klasike janë të shumta dhe të njohura në botë, ndonëse, asnjëri prej tyre nuk pasqyrohet në medie aq sa koncerti tradicional i kryeqytetit austriak. Padyshim, edhe këtë vit, madhështia e ditës së parë të janarit dhe fillimvitit 2023 ishte performanca artistike e interpretuesve profesionist të Orkestrës së Filharmonisë së Vjenës, të cilët pushtuan shikuesit e televizionit në mbarë botën. 16 kamera të televizionit austriak ndoqën çdo lëvizje në sallën operistike “Golden Hall” të dekoruar nga 30.000 lule, ndërkaq, sinjalin e transmetimit direkt nga Vjena, përmes Unionit Evropian e transmetuan 90 televizione shtetërore anembanë botës.
Në mesin e artistëve të shquar të orkestrës elitare, me një elegancë të jashtëzakonshme u veçua kosovari simpatik, violinisti i interpretimeve mbresëlënëse, Shkëlzen Doli, artisti i sofistikuar, absolutisht legjendar, personalitet me klas dhe tejet frymëzues, për breza të tërë vendor dhe ndërkombëtar, shqiptari i parë në botë, i nderuar me titullin ‘Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë’ nga presidenti i Austrisë Dr.Alexander Van der Bellen, rrugëtimi i të cilit në evenimentin më të madh të muzikës klasike, si pjesë e Orkestrës Filharmonike të Vjenës filloi në vitin 1995.
Filharmonia e Vjenës u themelua në vitin 1842 dhe është një nga orkestrat klasike më të respektuara në mbarë globin.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.