Ëndërroni flokë të bujshëm, të shndritshëm dhe të gjatë, porse çdo mëngjes krehri i mbushur me qime, ju dëshpëron. Mos bëni panik, ekziston zgjidhja kundër rënies së flokëve.
Flokët janë simbol i femërsisë dhe armë e fuqishme e ngashënjimit, që tregon se sa i kushtoni rëndësi trupit tuaj, dhe me të drejtë quhet edhe barometër i shëndetit. Floku, në fakt, është i ndjeshëm sikurse lëkura, struktura dhe vitaliteti i tij ndryshon varësisht nga ndryshimet në trup dhe nën ndikimet e jashtme. Ajri i mbushur me substanca të dëmshme, uji përplot gurëzi, stresi, mungesa e mineraleve dhe vitaminave, ndryshimet në tajitjen e hormoneve, por edhe qarkullimi i dobët, ushqimi jo i shëndoshë ose lodhja dhe mosmirëmbajtja e rregullt, të gjitha këto shprehen në vitalitetin dhe në pamjen e flokëve. Përveç që humbin plotësinë, thahen dhe çahen në maja, papritur mund të bien më shumë se rëndom.
Çka do floku?
Që të mbetet i bujshëm dhe me shkëlqim, është e nevojshme që t’i lajmë më shumë se një apo dy herë në javë. Çfarëdo që të ndërmerrni, do të pengojnë rënien e tyre.
- Floku duhet ushqyer, e këtë mund ta bëjmë vetëm së brendshmi. I nevojiten vitaminat (B5, B8) mineralet (hekuri, zinku) si dhe proteinat.
- Njësoj, sikur që kujdeseni për hidratimin e lëkurës, duhet të kujdesemi edhe për hidratimin e flokëve. Thatësinë e tyre mund ta pengoni nëse shfrytëzoni shamponë të butë (që vlen edhe për flokë të yndyrshëm), por edhe me rastin e shpëlarjes, duke u kujdesur që të mos mbeten flluska të shamponit dhe të mjeteve për mirëmbajtje.
- Nëse keni përjetuar kënaqësinë e trupit e të fytyrës pas masazhit, atëherë do ta kuptoni më lehtë çfarë do të thotë masazhi për flokë. Secilën herë, kur rrënjëve të flokëve u bëni masazh me maja të gishtërinjve, do të cytni qarkullimin sipërfaqësor – depërtimin e substancave të ushqyeshme në rrënjë të flokëve.
- Flokët mjafton të lahen një herë me shampon, kështu do të largohet e gjithë papastërtia nga flokët dhe nga lëkura e kokëve.
- Qoftë floku i thatë apo i yndyrshëm, pa marrë parasysh bie ose jo, floku i do shamponët e butë, që nuk e dëmtojnë.
Me anë të masazhit e përmirësoni qarkullimin edhe ushqimin e rrënjëve të flokut.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Lexuar 3587 herë.