Thoni lamtumirë cigares - jepni shans shëndetit!
I cilësuar si "armë e shkatërrimit në masë", duhani dhe përdorimi i tij është sot shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme në mbarë botën. Në nivel global, duhani vret rreth 7 milionë njerëz çdo vit, ose nga një person në çdo 6.5 sekonda. Prej këtyre 7 milionë viktimave, të ndërlidhura me pirjen e duhanit, 900 000 prej tyre nuk janë duhanxhinj, por që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit. Është vlerësuar gjithashtu, se për çdo cigare të pirë, një person i merr jetës së tij rreth 12 minuta.
Shkruan Faik Hoti
Po matej disa herë ta kalonte rrugën, por nuk ishte e sigurt nga veturat që kalonin pranë saj. E mora për dore dhe e kalova në anën tjetër të rrugës. Dhe, meqë rrugë e saj për në shtëpi, kishte disa qindra metra të përbashkëta me rrugën time për në punë, fillova t`i bëja pyetje. Si e ke emrin? - e pyes. Alba - m`u përgjigj vogëlushja rreth 5-6 vjeçe, e cila, për befasinë time, në dorë po mbante një pako me cigare, të cilën kishte dalë ta blinte për, siç supozova unë, babanë e saj. Bukuroshe, ti nuk duhet të blesh cigare dhe herën tjetër, i thuaj babit që ai vetë të dalë për to, - u mundova ta këshilloja unë. Nuk i kam për babin, por për mamin, - ma ktheu ajo. Pse nuk ka dalë t`i blejë vetë ajo? - e pyeta unë. Nuk mundet, sepse është bërë operacion, - ma ktheu ajo, duke më shokuar disi me këtë përgjigje, që realisht s’e prisja.
Edhe e (sapo) operuar edhe duhanpirëse - mendove me vete! Për më tepër, rrezikon edhe fëmijën, duke e shtyrë të dalë t`i blejë cigare, në një lagje të kryeqytetit, ku qarkullimi i njerëzve dhe veturave është shumë i madh.
U përshëndeta me Albën e vogël, duke e imagjinuar atë me keqardhje në mesin e atyre fëmijëve, të cilët pa të drejtë i ekspozohen çdo ditë tymit të duhanit nga prindërit në ambiente familjare, e që, sipas statistikave, del të jenë 43.8 për qind (Hulumtimi gjithëpërfshirës lidhur me pirjen e duhanit te të rinjtë në Kosovë, 2016).
Për më keq se kaq, një hulumtim tjetër: Përdorimi i duhanit dhe substancave psikoaktive te shtatzënat në Kosovë, i kryer nga Zyra e OBSH-së në Kosovë, më 2011, ka treguar se fëmijë edhe më të vegjël se Alba, siç janë të porsalindurit, i ekspozohen në shkallën prej 54% tymit të duhanit në ambiente familjare, nga njëri apo të dy prindërit. Hulumtimi ka gjetur, gjithashtu, se 21.9% e shtatzënave në Kosovë e pinë duhanin, duke i ekspozuar foshnjat e tyre para lindjes dhe në fëmijërinë e hershme rreziqeve të drejtpërdrejta që çojnë në lindje të parakohshme; të lindur të vdekur; të sapolindur në nënpeshë dhe në Sindromën e vdekjes së befasishme të foshnjës. Kjo, sa për mungesë serioze të njohurive për rreziqet e shumta shëndetësore, që lidhen me duhanin, po aq edhe nga kryeneçësia për të mos hequr dorë nga një shprehi, që nis si kureshtje ose pasion në moshat e reja, për t`u formësuar pastaj në një varshmëri të fortë, që për shumëkënd pastaj, ka një fund fatal.
Duhani vret gjysmën e përdoruesve të vet!
I cilësuar si "armë e shkatërrimit në masë", duhani dhe përdorimi i tij është sot shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme në mbarë botën. Në nivel global, duhani vret rreth 7 milionë njerëz çdo vit në botë, ose nga një person në çdo 6.5 sekonda. Prej këtyre 7 milionë viktimave, të ndërlidhura me pirjen e duhanit, 900 000 prej tyre janë joduhanxhinj, por që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit. Nëse qeveritë e vendeve të ndryshme të botës nuk ndërmarrin masa më efektive për kontrollin e duhanit dhe nëse vetë shoqëritë nuk ndërgjegjësohen për pasojat negative të pirjes së duhanit, pritet që deri në vitin 2030 duhani të vrasë rreth 8 milionë njerëz brenda një viti në botë, ndërsa deri në 1 miliard njerëz mund të vdesin nga përdorimi i duhanit në shekullin XXI. Është vlerësuar gjithashtu, se për çdo cigare të pirë, një person i merr jetës së tij rreth 12 minuta.
Por, duhanin dhe pasojat e tij kaq dramatike i bën fakti se gjatë djegies së tij lirohen rreth 4000 substanca kimike, prej të cilave rreth 60 kanë aftësinë për të shkaktuar kancerin. Nga përbërësit kryesorë të tij: Nikotina dhe monoksidi i karbonit janë përgjegjësit kryesorë për varësinë nga duhani dhe dëmtimet e sistemit kardiovsakular, kurse katranet, që janë substanca me përbërje benzopireni dhe të kobaltit radioaktiv, janë ndër shkaktarët kryesorë të kancerit të mushkërive. Në fakt, në përbërjen e duhanit ka substanca kimike që njihen si kancerogjenë të drejtpërdrejtë dhe kancerogjenë të mundshëm, të cilët prekin pothuajse të gjitha sistemet e organizmit, duke ndihmuar shkatërrimin e qelizave të shëndosha, përfshirë: Sistemin mushkëror; sistemin kardiovaskular; sistemin nervor; sistemin tretës; sistemin urogjenital; sistemin lokomotor dhe sistemet e tjera. Në veçanti, pirja e duhanit ka një ndikim negativ në sistemin mushkëror dhe në sistemin kardiovaskular.
Pirja e duhanit llogaritet se është shkaktar i më shumë se 85% të të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive, ndërsa rreziku i zhvillimit të kancerit të mushkërive varet nga numri dhe lloji i cigareve të pira dhe nga numri i viteve të konsumimit. Një duhanxhi ka një rrezik për 20-30 herë më të lartë të preket nga kanceri i mushkërive sesa një joduhanxhi. Pirja pasive e duhanit e rrit për 20-50% rrezikun. Vdekjet nga sëmundjet obstruktive të mushkërive, ndërkaq, te duhanxhinjtë janë më të shpeshta për 12-13 herë në raport me joduhanxhinjtë. Kurse te sëmundjet koronare të zemrës rreziku është për 2-4 herë më i madh te ata që pinë duhan, krahasuar me personat që nuk e konsumojnë duhanin.
Sëmundje kardiovaskulare, kancer dhe shumë sëmundje të tjera
Sipas dëshmive shkencore, të bazuara në evidencë, sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Në këtë mes, përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij, kontribuon në rreth 12% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Përdorimi i duhanit është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, pas presionit të lartë të gjakut.
Edhe në Kosovë, sipas IKSHP-së, sëmundjet kardiovaskulare janë ato që shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në vit, të pasuara nga sëmundjet malinje, dy kategori këto sëmundjesh të lidhura ngushtë me konsumimin e duhanit.
Ajo që bie në sy për nga dimensioni dramatik i pasojave të pirjes së duhanit në nivel global është se përafërsisht 80%, ose më shumë se 1 miliard duhanxhinj në mbarë botën, jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa epidemia e pirjes së duhanit po stabilizohet në vendet me prevalencë të lartë të kësaj dukurie.
Kjo ka bërë që qeveri të vendeve të ndryshme të ndërmarrim masa për të zvogëluar përdorimin e duhanit dhe për të mbrojtur njerëzit nga ekspozimi i tij, të cilat mbështeten kryesisht në masat që i parasheh Konventa Kornizë e OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (WHO - FCTC), të cilën deri tash e kanë nënshkruar 176 shtete që përfaqësojnë mbi 90% të popullatës botërore.
Kosova nuk është ende pjesë e OBSH-së, por më 4 prill 2013 ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, i cili ka hyrë në fuqi më 22 maj 2013, që mbështetet në FCTC dhe i cili ka për qëllim të mbrojë shëndetin publik, gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit. Ky ligj ndalon 100% pirjen e duhanit në hapësirat publike; hapësirat e punës; mjetet e transportit publik; në disa hapësira të hapura, ku zhvillohen aktivitete rekreative; ndalon ekspozimin e duhanit në pikat e shitjes, ndërveprimin Qeveri-Industri e duhanit si dhe reklamimin e sponsorizimin e duhanit dhe produkteve të tij.
Përveç nevojës që ligji i ri të qartësojë disa paqartësi, që i kishte ligji paraprak, Kosova kishte edhe disa faktorë të tjerë negativë që e bënin të domosdoshëm një Ligj (më rigoroz) për Kontrollin e Duhanit, siç ishin: Konsumimi i lartë: 2687 cigare në vit për kokë banori për një të rritur (pas Serbisë, 2861; Bullgarisë 2822; Greqisë 2795); Varfëria e lartë: 40% varfëri absolute, 18% varfëri ekstreme; Papunësia më e lartë në Evropë (mbi 40 për qind, në përgjithësi dhe 73 për qind në mesin e të rinjve); Vdekshmëria ende e lartë e foshnjave: (11.9 promilë); Jetëgjatësia, vjet më e shkurtër se Rajoni dhe 10 vjet se vendet e BE-së (70 Kosova /80 BE); Sëmundjet jongjitëse në rritje: kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti dhe qasja e kufizuar në disa shërbime të kujdesit shëndetësor, sidomos për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe atyre malinje.
Ligji ka dhënë rezultate, por rënia e pirjes së duhanit ende e pamjaftueshme
Raporti i ri i OBSh-së lidhur me përdorimin e duhanit tregon për një rënie të ndjeshme që nga viti 2000 i përdorimit të këtij produkti, por reduktimi është i pamjaftueshëm për të përmbushur objektivat e miratuara globalisht për mbrojtjen e njerëzve nga vdekjet dhe vuajtjet nga sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet jongjitëse (NCDs).
Hulumtimet e kryera në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, tregojnë për një rënie të konsumimit të tij, sidomos në mesin e fëmijëve shkollarë, por që shkalla e përdoruesve të duhanit te të rriturit ende mbetet e lartë. Ndërkohë, meshkujt ende mbesin përdorues më të mëdhenj të duhanit në Kosovë, pavarësisht se shkalla e përdorimit të duhanit është e lartë edhe te femrat në Kosovë dhe diferencat midis gjinive po zvogëlohen.
Kështu, sipas hulumtimit STEPs, 28.4% e të hulumtuarve në Kosovë ishin duhanxhinj (37.4% meshkuj dhe 19.7% femra) më 2012. Kurse, sipas hulumtimit MICS: Anketa e treguesve të shumëfishtë (2013-2014), e kryer te moshat 15-49 vjeç nga UNICEF-i dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, konsumimi i duhanit në Kosovë te meshkujt ishte 34.3%, kurse te femrat 19.3%, ose mesatarja 26.8% për të dy gjinitë së bashku.
Ajo që, me gjithë vështirësitë në zbatim dhe krijimin e hapësirave të liruara plotësisht nga pirja e duhanit, si sukses i drejtpërdrejtë mund t`i atribuohet Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, është ulja e pirjes së duhanit në mesin e fëmijëve shkollarë (mosha 13-15 vjeç), sepse midis "Hulumtimit gjithëpërfshirës së pirjes së duhanit te të rinjtë në Kosovë - GYTS 1, të kryer më 2005 nga IKSHP, në bashkëpunim me OBSH-në dhe Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve CDC (SHBA) dhe GYTS 2 të kryer më 2016, ka dallime të mëdha, që flasin për reduktim të pirjes së duhanit te kjo grupmoshë.
Sipas GYTS 1, më 2005, ekspozimi në ambiente të mbyllura ishte 84%, kurse më 2016 kjo ka rënë në 43%; prevalenca e duhanjve në mesin e të rinjve më 2005 ishte 6.7%, kurse më 2016 ka rënë në 4.4%, derisa prevalenca e përdoruesve aktualë nga 10.4% ka rënë në 8.8%. Inkurajues është fakti se njohuritë në mesin e fëmijëve shkollarë lidhur me efektet negative të pirjes së duhanit është se përkrahja për ligjin në mesin e të rinjve është rritur në 94%, përderisa hulumtimi tregon se dallimi sipas gjinisë është zbutur, pasi që ka një tendencë të rritjes së pirjes së duhanit në mesin e femrave, sepse, sipas GYTS, më 2005, dallimi prej 15.5%, sa ishte asokohe, më 2016 ka rënë në 10.7%.
Duke qenë se zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit sfidohet dhe bëhet më i vështirë edhe nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të industrisë së duhanit (prodhuesit, importuesit dhe distributorët e duhanit, bashkë me front-grupet, që u shërbejnë si paravan), e cila për qëllime komerciale, lufton që çdo duhanxhi të vdekur ta zëvendësojë me një duhanxhi të ri, Qeveritë e kanë fuqinë në duart e tyre për të mbrojtur qytetarët e tyre nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit dhe ekspozimi; nga invaliditeti dhe vuajtjet e panevojshme si dhe nga vdekjet e parandalueshme, përmes masave të ndryshme, që, ndër të tjera, përveç fushatave ndërgjegjësusese, përfshijnë edhe rritjen e akcizës dhe reduktimin e importit.
Të gjitha këto janë pjesë e pakos së masave dhe kritereve për reduktimin e kërkesës, e përfshirë në FCTC dhe e njohur si MPOWER (Monitoring - monitorimi i përdorimit të duhanit; Protecting - mbrojtja; Offring - ofrimi i ndihmës për lënie të duhanit; Warning-paralajmërimet për rreziqet nga duhani; Enforcing - fuqizimi i ndalimit të reklamave, promovimit dhe sponsorizimit dhe Raising - rritja e taksave të duhanit).
Kosova ka filluar me zbatimin e disa prej këtyre masave, duke nisur me mbrojtjen përmes ligjit; ndalimin e reklamave, minitorimin e politikave të duhanit, paralajmërimet përmes pakove me fotografive dekurajuese, që pritet të fillojnë nga viti tjetër dhe rritjen e taksave për duhan.
Në janar 2012, 1 kg cigare në Kosovë taksohej me 27 euro, derisa më 2016 kjo është ngritur në 41 euro. Importi, ndërkaq, nga rreth 3200 tonë, sa ishte më 2012, në vitet vijuese ka pësuar rënie për rreth 100 tonë cigare në vit.
Për një vend me popullatë të re, këta janë hapa të vegjël, por të cilët duhen fuqizuar. Me përkrahje politike dhe rritje të performancës së institucioneve që e zbatojnë ligjin për Kontrollin e Duhanit, duke vënë gjithmonë përpara interesave komerciale, interesin për një popullatë të shëndoshë dhe produktive. Një shtet i shëndetshëm, është në fakt një shtet i pasur. Përvoja dhe formula për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit nuk është askund unike. Por, vendet e ndryshme kanë mësuar nga përvoja e njëra-tjetrës, nga përvojat e mira dhe të këqija.
Fëmijët e Irlandës dhe të vendeve skandinave, për shembull, pas disa vjetësh do të rriten në një vend të liruar krejtësisht nga duhani. Në Kosovë, ndërkaq, fakt tepër shqetësues mbetet tymosja pasive, sepse 82% të atyre, që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95% të atyre që tash tymosin duhan në mesin e fëmijëve shkollarë, janë të ekspozuar në thithje pasive të duhanit.
7.1% e fëmijëve tymosin edhe vetë duhan aktualisht, ndërsa mosha më e shpeshtë e fillimit të pirjes së cigareve është mosha 12-13 vjeç. Çdo i dyti fëmijë (47.8%) i ekspozohet tymit të duhanit në shtëpinë e tij. Në mesin e tyre edhe Alba nga Prishtina. Vajza, që, duke shkuar për t`i blerë cigare nënës së vet, rrezikon që nesër të bëhet edhe vetë një përdoruese e duhanit, për fajin e prindërve të saj dhe, gjithashtu, shitësve, që nuk guxojnë t`u shesin fëmijëve cigare. Por, ata që do të donin që sa më shumë Alba dhe shoqe të saj t`i kenë brenda rrethit të klientelës së tyre, fatkeqësisht, duket që gjithmonë janë një hap para të tjerëve, pavarësisht nga vuajtjet që i shkaktojnë njerëzimit.
"Ne nuk e pimë këtë qelbësirë (duhanin). Ne veç e shesim. Duhani është për të rinj, të varfër, zezakë dhe budallenj", kishte deklaruar udhëheqësi i kompanisë R J Reynolds gjatë dëgjimit në Kongresin e SHBA-ve, derisa po i përgjigjej pyetjes, pse punëtorët administrativë të kësaj kompanie duhanin nuk e pinë vet duhanin!
Një argument ky i mjaftueshëm, bashkë me faktin që duhani vret çdo të dytin konsumues të tij, për t`i thënë duhanit: Përgjithmonë - Lamtumirë!
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.