Lena Kryeziu, aktore
Edhe pse nuk merrem me çështje politike, madje mundohem t`u qëndroj sa më larg, për shijen time besoj se Blerim Shala është njëri nga politikanët tanë më të kompletuar. Një personalitet me virtyte të larta dhe me një karakter të fortë, i matur në secilën deklaratë, gjithashtu një admirues dhe njohës i mirë i artit në përgjithësi.
Mimoza Shkodra, këngëtare
Mendoj se biznesmeni Behxhet Pacolli është politikani më i kompletuar. Edhe pse unë jam shumë larg me politikën, z. Pacolli më jep një përshtypje të një njeriu të sinqertë, serioz, ambicioz dhe besoj që me të Kosova do të kishte ecur përpara.
Besiana Mehmedi, profesoreshë
Meqenëse shqiptarët janë të pandarë për mua dhe lidhja ime është e madhe me Kosovë ku kam lindur e kam kryer një pjesë të shkollimit, me Maqedoninë nga kam origjinën dhe ku punoj në Universitetin e Tetovës dhe me Tiranën, ku kam kryer studimet, do të përzgjedh tre politikanë të preferuar. Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, simbol i luftës dhe i paqes, njeri i cili reflektoi guxim dhe priu gjeneratën e re në periudhë lufte, ndryshoi statusin shqiptar që sot reflekton maturi, durim, pozitivitet. Njeri që do arsimin e kulturën. Besoj në kombëtarizmin e tij dhe qëllimet e pastra dhe misionare. Nga Kosova do të veçoja kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti. Profesionist i fushës së tij, profesor i dalluar, politikan që spikat me natyralitetin e tij, i zhveshur nga pompoziteti ballkanik. Politikan i ri, energjik, ideator dhe mjaft evropian, i cili pa dyshim i duhet Kosovës dhe është imazhi pozitiv i shtetit tonë të ri. Në Tiranë nga koha e studimeve e deri sot pëlqej Edi Ramën, i cili është shumë artist dhe në politikëbërje. I veçantë në të folur, veprim, veshje. Jashtëzakonisht modern dhe kontradiktor, por i suksesshëm, i cili për Shqipërinë ka hapur shumë shtigje të reja.