NË KOSOVË KA GRA QË ENDE BËJNË JETË ‘KONSERVATORE’
Para se të vija këtu, nuk kisha ndonjë opinion për Kosovën, ngase më parë unë kurrë nuk kam qenë në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, madje as si turiste.
Sa i përket çështjes së emancipimit, mendoj se në Kosovë ka gra, të cilat ende bëjnë jetë shumë “konservatore”, në familje patriarkale, pa të drejta emancipuese, të cilat janë të garantuara me kushtetutën moderne të Kosovës, duke përfshirë trashëgiminë dhe të drejtat pronësore. Këto gra bëjnë një jetë jo shumë ndryshe nga jeta e shumë grave gjermane në zonat rurale rreth pesëdhjetë vjet më parë. Gjermania, në përgjithësi, nuk ishte me të vërtetë një pararendëse e emancipimit të grave. Për një kohë të gjatë jeta e grave u karakterizua nga “tri K”- Kinder (fëmijë), Küche (kuzhina), Kirche (kisha), aliteracion i cili ishte i njohur në vitet 1970 – në fakt, jo shumë kohë më parë.
Pra, sipas pikëpamjes sime, emancipimi përfshin një aspekt më të gjerë, siç është çështja e zhvillimit shoqëror, ekonomik, si dhe arsimin. A ka ndonjë dallim në mes grave të dy vendeve tona? Unë jam e sigurt se ka. Por, më i rëndësishëm është kualifikimi: Për shembull, më të lehtë e kam të shoqërohem me një japonez, i cili ka një familje të njëjtë në pikëpamje arsimore ose me të kaluar profesionale shumë pak të ndryshme, sesa të lidhem dhe të shpenzoj kohë me një shok gjerman, i cili ka një nivel tjetër. Prandaj, unë e kam të vështirë të flas në përgjithësi për "gratë e Kosovës": Përveç Nënës Tereze, e cila është një simbol për njerëzimin dhe bujarinë e grave shqiptare, e cila ka frymëzuar miliona gra në mbarë botën, ka gra që përfaqësojnë sot forcën e grave kosovare në botë, që nga këngëtarja Rita Ora, deri te xhudistja e medaljes së artë, Majlinda Kelmendi. Dhe, të mos harrojmë, Kosova ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, që kishte një president - grua.
E IMPRESIONUAR ME ORGANIZATAT E GRAVE
Puna e presidentit finlandez, Martti Ahtisari, ka kontribuuar në shumë mënyra, aspekte për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe Finlanda e ka mbështetur gjatë Kosovën. Para se të vija në Kosovë, unë e dija, për shembull, se legjislacioni i Kosovës është i krijuar rishtazi dhe është modern, por sfidë mbetet aplikimi dhe praktikimi i tij në jetën e përditshme. Unë kam qenë shumë e impresionuar gjatë takimit me rrjetin e organizatave të grave në Kosovë. Shpesh kam admiruar sipërmarrjen dhe aktivitetet e grave kosovare në shoqëri dhe në jetën e biznesit. Megjithatë, po përmend, për shembull, një dallim midis dy shteteve tona, në Finlandë 66% e grave punojnë jashtë shtëpisë dhe 92.000 gra janë sipërmarrëse, ndërsa në Kosovë aktualisht numri i grave të cilat punojnë është më i ulët.
GRATË PARAQESIN BAZËN E SHOQËRISË
Ne, njerëzit e Turqisë, dimë shumë për Kosovën dhe shoqërinë kosovare, dhe gjithashtu kemi shumë ndjenja të mira dhe të sinqerta rreth popullit të Kosovës, me të cilët kemi rrënjë të thella, lidhje që burojnë nga historia dhe kultura jonë e përbashkët.
Miqësia jonë është e fortë dhe aleanca jonë vazhdon në të gjitha fushat. Kontaktet mes njerëzve të Turqisë dhe të Kosovës po lulëzojnë çdo ditë. Kjo në të vërtetë është fuqia e marrë-dhënieve tona. Ambasada jonë, ushtarët turq të KFOR-it, TIKA dhe Qendra kulturore turke Junus Emre, si dhe komunat dhe shkollat simotra në Turqi, të gjithë janë të angazhuar për të kontribuuar në këtë marrëdhënie shumë të vlefshme me Kosovën. Dhe, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat, në veçanti në përpjekjet e Kosovës drejt një të ardhmeje të begatë.
Si një anëtare grua e kombit turk, i cili ka ngritur gra heroina të panumërta në historinë tonë, unë besoj se komunitetet e forta mund të formohen me kontributin e fortë të grave. Dhe, këtu në Kosovë, ju jeni shumë të bekuar në këtë pikë. Ju duhet të jeni krenarë që Kosova ka gra shumë të forta dhe të përkushtuara, të cilat kanë rol aktiv në fusha të ndryshme të jetës, qoftë në politikë, në shoqërinë civile, në art apo në sport. Ne jemi shumë të kënaqur që po shohim një prani të fortë të grave në komunitetin kosovar. Me këtë pjesëmarrje aktive të gruas në shoqëri, unë besoj se ju do të jeni në gjendje për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën.
Unë jam shumë e kënaqur që ambasada jonë dhe përfaqësues të institucioneve turke në Kosovë janë në marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunojnë me miket tona - gratë kosovare.
Përveç që bashkëpunojmë shumë shpesh me përfaqësueset e organizatave të grave, ne jemi të lumtur që këto projekte po i realizojmë së bashku, me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të tyre. Ne dëshirojmë të zhvillojmë më tej këtë bashkëpunim të mirë dhe, edhe më tutje të jemi solidarë për gratë/miket tona kosovare.
Meqë në këtë muaj është Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, dua të theksoj se kjo nuk është dita e vetme për gruan, që ta kujtojmë atë një herë në vit, por kjo ditë është një kujtesë shumë e rëndësishme për forcimin e vetëdijes sociale në çdo segment të shoqërisë, në veçanti për krijimin e barazisë së mundësive për gratë, duke e mbrojtur atë që kanë arritur në vite dhe për gjetjen e zgjidhjeve për problemet e tyre. Përderisa gratë paraqesin bazën e shoqërive tona, unë besoj fuqimisht se, duke zgjidhur problemet e grave, në të vërtetë kjo do të na mundësoj lehtësimin e procesit të zgjidhjes së problemeve të përgjithshme në shoqëri.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.