Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Tradhtia ndaj mikut besnik
Përjetimet e mia
Tradhtia ndaj mikut besnik

Shkruan Antigona Qena Kaçaniku


Unë jam rritë pa shtazë shtëpiake, isha fëmijë i vetëm i prindërve të mi dhe ishte kohë kur shtazët shtëpiake mbaheshin vetëm nëpër shtëpi me oborr. Kur i linda djemtë tanë, ata i donin shumë shtazët, nuk kishte ditë e që nuk na sjellnin nga rruga ndonjë mace të posalindur, apo qen me këmbë të vrarë, duhej vet të bëheshe veterinar, ngase nuk kishte të tillë, ashtu siç ka tash. Ishte viti 1998, në Oslo, ku ishim të mërguar, Fidani e posaçërisht Jetoni, na kërkuan një qenush, duke më thënë se e dinin sigurt që nuk do t`ua bleja, po ja që po e shprehnin dëshirën...Natyrisht që e morëm, e përzgjodhëm një Beagle, dhe e emërtuam Bukri. Vitet e para, sado të vështira për ne, që nuk kishim përvojë me qen, ishin jashtëzakonisht të bukura, ishim të pandarë me mikun tonë të ri, të dashur, të mençur e besnik.

Vitet kalonin, djemtë u rritën, studimet ua morën gjithë kohën, ne prindërit kujdeseshim për Bukrin dhe në kohën kur vendosëm të kthehemi në Kosovë, përderisa djemtë përfundonin studimet dhe gjetën punë, duke u pavarësuar, me veti e morëm Bukrin. Ishte viti 2007, kur nga një jetë krejtësisht ndryshe nga ajo në Oslo, po edhe nga pleqëria, Bukri u sëmur keq, na u desh ta vëmë në gjumë, me zemrat tona të vrara, ta lëmë të fluturojë lartë mbi ylberin, në një parajsë të bukur qenësh. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, kur shihej se hapi po i ngadalësohej, njerëzit me përvojë më thoshin se do të pikëllohemi shumë kur ta humbim, por sinqerisht, nuk kisha idenë se do të jetë pikëllim aq i thellë, për një qenie që nuk fliste e kuptoheshim aq mirë, për sytë e tij të bukur, që shprehnin qartë gëzimin apo pikëllimin, për atë dashuri të sinqertë, me aq emocione të forta. Nuk më hiqej nga mendja çdo ndodhi e bukur apo e hidhur e jetuar me te, dhe rastësisht lexova diku, se kjo dhembje për qenin e humbur nuk kalon, përderisa nuk e merr një tjetër. Sado e bindur se askush nuk mund ta zë vendin e Bukrit, e morëm një Goldën, Arin tonë. Natyrisht që Bukrin nuk e harruam, ka vend të posaçëm në zemrat tona, por Ari i cili tash sapo i mbushi 13 dhe Badi, Maltezen i vogël që në këtë verë i mbush 2 vjet, janë shoqëruesit e përditshmërisë sonë, që me aq shumë dashuri mbushin zemrat tona mallëngjyese.

Për gjithë këto vite, në Kosovën tonë të pasluftës, gjithnjë shpresoja se një kryetar i kryeqytetit, do të ketë vizion e aftësi ta zgjidh çështjen e qenëve të rrugës, aq shumë vuajtje sheh për çdo ditë nëpër rrugët e Prishtinës, posaçërisht në dimër e në ditët e ftohta, me borë e shi, shpirtra të vegjël që kërkojnë aq pak, e japin aq shumë dashuri, që vazhdimisht shtohen në qytet, të lënë pa mëshirë nga njerëzit, që duhej të ishin të njerëzishëm. Të shohësh një qen të madh të Sharrit, të lënë në rrugë, qen për të cilin ishte dashur të jetë krenar çdo shqiptarë, i cili posedon një racë të tillë, por jo, është i dëbuar, i uritur i përlyer, me gëzofin që tmerrit i ngjan. Të shohësh qentë e hedhur në rrugë, ngase janë të vjetër e pronari nuk i do më. Të shohësh qentë e vegjël, aq të pikëlluar, me sy të përlotur plot mallë, të hedhur në rrugë, ngase më nuk i shkojnë për qejfi pronarit e fëmijëve të tij, duke mos e kuptuar se njeriu mundet në çdo çast të vendos të mos e do më, gjersa qeni këtë aftësi nuk e ka të duan për gjithë jetën, me të njëjtën forcë e besnikëri.

Ky trajtim i qenëve është turp i këtij mjedisi. Prishtina nuk mund të jetë e bukur me qentë e rrugës, pa gjelbërim e pa pastërti, nuk mund të përmirësohet situata me premtime boshe, me vjet të tëra, që kalojnë në agoni për qentë e njerëzit. Nuk mund ta zgjidhin këtë situatë as vullnetarët e organizatat, që pa përtesë duan t’i ndihmojnë qentë e rrugës, as disa qytetarë që vazhdimisht provojnë t’i ushqejnë e përkëdhelin, së paku për një çast, jo kjo nuk ndihmon. Me këtë numër kaq të madh qenësh në rrugë, nëse menjëherë sot, edhe pse është shumë vonë që të zgjidhet çështja edhe me seriozitetin më të madh.

Nga ajo çka kam parë nëpër botën e civilizuar, nuk është e vërtetë se lypset kohë, lypset dëshirë, vullnet, aksion, punë dhe përkushtim, i cili tek ne mungon, me vite e vite, nga njeri kryetar tek tjetri.
Me siguri se fjalë, arsyetime e plane jo funksionale do të ketë edhe në vazhdim, por ja që e mora një grimë shprese të rrejshme nga sytë e dhembshur të një qenusheje, sapo të shpëtuar nga rruga, e cila thuajse më tha: "thuaj edhe ti një fjalë, bëhu zëri ynë, ne nuk e kemi forcën e fjalës".
Por druhem që këtu nuk vlen as forca e fjalës, as ajo e zemrës, as ajo njerëzore.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
279

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version