Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Jeta është e bukur në vitet e arta
Jeta është e bukur në vitet e arta
Zonjat e viteve të arta, të cilat veçohen jo vetëm për karrierë të suksesshme, por edhe për pamje të bukur, na zbulojnë se si ato e ruajnë freskinë dhe cilat janë prioritetet e tyre në bukuri…

Stili & Bukuria

Blinera Gashi


Konsiderohet se mosha sjell përvojën, sigurinë dhe paqen e mendjes, por, nëse duam t’i besojmë një sondazhi të kryer në Shtetet e Bashkuara, i realizuar në mesin e 1200 zonjave të viteve të arta, përshtypja është e kundërt. Vetëm nëntë për qind e të anketuarave thonë se e pëlqenin pamjen e tyre në pasqyrë, ndërsa të tjerat e pranuan se do të preferonin ta thyenin atë. Ato kryesisht i shqetësonte perimetri i barkut, celuliti në kofshë, pastaj rrudhat, lëkura e tepërt mbi qepalla, dhëmbët me cilësi të dobët dhe flokët gri e të rrallë.

Për shkak të faktit se pamja e tyre nuk i përshtatet standardit të sotëm të bukurisë, gratë rreth të gjashtëdhjetave janë shpesh të pasigurta, të palumtura dhe të demoralizuara. Megjithatë, nga një vështrim në pasqyrë gratë do të jenë të kënaqura, nëse përshtaten me ndryshimet e jetës që ndodhin në fytyrë dhe në trupin e tyre, siç dëshmojnë disa nga zonjat tona të viteve të arta, të cilat, për shkak të pamjes së kultivuar, tejet atraktive, dhe suksesit afatgjatë – në karrierën e tyre, mund të jenë udhëzuese dhe frymëzuese për të gjitha gratë.

 

Nuk del asnjëherë pa buzëkuq

Dr.Ganimete Deda, e konsideron kompliment që në moshën e Viteve të Arta të flasë për sekretin e freskisë së tenit të saj, prandaj thotë: 
- `Mirëmbajtja e tenit tim nuk është fare e komplikuar dhe fillon me një higjienë korrekte. E vetmja gjë të cilës i kushtoj kujdes të veçantë është përmbajtja e kremrave, të cilat i përdor. Ato në parim duhet të jenë me sa më pak përmbajte të dëmshme, si parabenet dhe kimikatet e tjera. Një kohë të gjatë përdor kremin e ditës dhe të natës DECLINE, me përmbajtje krejtësisht bimore. Është krem hidratues dhe më përshtatet shumë. Përveç këtij brendi, më pëlqejnë edhe kremrat VICHY, të cilat gjithashtu i përdor kohë pas kohe. Nuk jam shumë e rregullt në përdorimin e kremrave rreth syve. Ndërkaq, për sa u përket maskave, në momentin që vendos t’i vë ato në fytyrë, atëherë zgjidhja ime janë maskat me alga deti dhe ato me minerale të detit të vdekur. Si e vogël dhe gjatë studimeve, unë kam pasur flokë më të gjatë, ndërsa pas diplomimit, për shkak të natyrës së punës sime, unë i kam mbajtur flokët të prerë shumë shkurtë me vite të tëra. Tani përsëri, ka vite që krihem sipas këshillës së Nitës, vajzës sime, e cila e bëri zgjedhjen sipas një fotoje të kohës së rinisë sime. Unë vazhdimisht jam konsideruar bionde, por me fillimin e ngjyrosjes së flokëve ndryshoi edhe nuanca e tyre, ata tani janë më të verdhë se më parë`, thotë doktoresha moderne, pjesë e pandashme e së cilës është grimi i përditshëm, i cili ndryshon sipas okazionit, ndërkaq nga shtëpia nuk del asnjëherë pa buzëkuq. 

 

Aktiviteti fizik e mban të freskët dhe vitale

Ndërkaq, doktoresha shtatlartë, me trupin elegant, Jasmina Tolaj, zbulon se për pamjen e lëkurës nuk ka ndonjë sekret.
- `Si çdo femër, kujdesem për lëkurën time aq sa duhet dhe si duhet, natyrisht duke pas parasysh moshën time. Me rëndësi është që unë shumë kujdesem për ushqimin, e kjo do të thotë shumë për gjithë organizmin, sidomos për lëkurën. Duhani është një shprehi shumë e keqe, që ndikon shumë në lëkurën tonë, ndaj them se jam me fat që nuk jam duhanpirëse. Po ashtu, përdorimi i kremrave anti-age, të cilat i përdor, janë një preventivë e mirë kundër plakjes. Me rëndësi është që lëkura të marrë ushqyeshmërinë e domosdoshme duke përdorur kremra të cilat janë të nevojshme për tipin e lëkurës dhe moshën. E sa u përket atyre, unë përdor linjë e kremrave Lancome, dedikuar për ditë, natë dhe rreth syve. Ndërkaq, sa i përket aktivitetit fizik, konsideroj se kjo është ajo që më mban të freskët dhe vitale. Unë qysh prej fëmijërisë merrem me gjimnastikë dhe vazhdoj të merrem pa e ndalur. Kjo do të thotë - si ndihesh brenda lëkurës, e reflekton nga jashtë. Lëkura shkëlqen dhe nuk plaket shpejt, kur je e lumtur dhe plot dashuri. Unë edhe gjenetikisht kam trashëguar një shëndet të mirë dhe mplakje të ngadalësuar nga nana, e cila në moshën mbi 80 vjeçe, dukej shumë bukur dhe vitale. Sa i përket stilit, femra çdoherë duhet të ketë kujdes në veshje dhe grim sipas moshës së caktuar. Asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të jemi të njëjta në veshje, si në moshën studentore dhe më vonë. Po ashtu, as ngjyrat e gardërobës nuk duhet të jenë të njëjta, ato në këtë periudhë të jetës janë më diskrete dhe më elegante. Mundohem çdoherë të dukem bukur dhe tërheqëse pa marrë parasysh moshën. Por, duhet të jemi ekstremisht të kujdesshme që çdo gjë të jetë me masë dhe bukur`. Zonja sharmante, Jasmina Tolaj, dëshmon se grimi i saj i preferuar nuk ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve: - `Çdoherë kam preferuar dhe preferoj grim të lehtë si në moshën e re dhe tash`. `Grimi i tepruar nuk më pëlqen fare`, thotë doktoresha energjike, me stil të sofistikuar.

 

Përdorimi i kremrave anti-age­

Këngëtarja e njohur Eli Fara, e cila shquhet për pamjen e saj rinore dhe tejet atraktive, mendon se sekreti i tenit të freskët qëndron në gjenetikën e njeriut, e më pas ndikojnë edhe faktorët e tjerë, siç janë mënyra e të ushqyerit dhe të jetuarit që në fëmijëri, si dhe kujdesi i jashtëm, mirëmbajtja e lëkurës, duke filluar në kohën e duhur. Ajo konsideron se përdorimi i kremrave anti-age, është preventivë e mirë kundër plakjes së lëkurës dhe padyshim ato kanë efektin esencial. Eli gjithashtu zbulon mbrojtjen të cilën i bën fytyrës së saj nga rrezet e diellit. - `Më pëlqen rrezitja në diell, por jo e fytyrës, gjithmonë fytyrën e kam mbuluar komplet, gjithashtu nuk preferoj të marr rreze të diellit nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Përherë mbrohem nga dielli me kapela dhe syze, si dhe i përdor kremrat me faktor mbrojtës. Prandaj, të gjitha mikeshat e mia lidhur me mirëmbajtjen e lëkurës i këshilloj që të kujdesen ndaj saj, duke filluar që nga pastrimi i fytyrës, përdorimi i produkteve të duhura sipas tipit të lëkurës, trajtime, masazhe, aplikim maskash për të ushqyer lëkurën. Maskat duhet të përdoren një herë në javë, personalisht nuk jam sistematike, por sa herë kujtohem, e praktikoj, ndërkaq maska ime e preferuar është Black Tea e linjës Fresh. Unë personalisht preferoj të ndryshoj linjën e kremrave për çdo vit, sepse lëkura mësohet me të njëjtin produkt dhe nuk reagon më, prandaj përdor linja të ndryshme, duke filluar nga më të shtrenjtat, siç mund të jenë ‘La prairie’, deri tek ato farmaceutiket, që kanë çmime edhe të favorshme ndonjëherë, këto të fundit janë më efikase. 
Sa i përket mirëmbajtjes së flokut, lyej vetëm rrënjën e tyre, rrallë gjatësinë, në parukerinë më të afërt me banesën ku jetoj, ndërkaq preferoj markën Loreal.
Ndërkaq, për sa u përket qendrave estetike, i vizitoj shumë rrallë, në fakt më pëlqen të kujdesem vetë për lëkurën time, për sa i përket fytyrës. Gjithashtu, më pëlqejnë trajtimet e trupit, sauna, balta të nxehta, të ftohta, masazhe që ndihmojnë për të pasur një trup të tonifikuar.
Prandaj, losioni që aplikoj për trupin tim është kremi hidratues nga kompania Victoria Secret.` 

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 13189 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version