Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Anemia shërohet me DURIM
Edukim shëndetësor
Anemia shërohet me DURIM
Simptomat e pagjakësisë – marramendja, turbullimi, lodhja konstante, zbehja, rraskapitja dhe përqendrimi i dobët, mund të largohen me ilaçe përkatëse dhe me konsumim të ushqimeve të pasura me hekur. Terapia mund të zgjasë edhe disa muaj, porse duhet qenë këmbëngulës, sepse nëse nuk e përfillni, sëmundja shkakton komplikime serioze.

Anemia paraqet zvogëlimin e numrit të rruazave të kuqe në gjak, përqendrimin e hemoglobinës ose edhe të masës së eritrociteve në gjak, për ç’arsye reduktohet dërgimi i oksigjenit në tru, në zemër, në muskuj dhe në organet e tjera.

Rreth 10 për qind të popullatës në planetin tonë vuajnë nga anemia, në masë të madhe gratë, vegjetarianët dhe fëmijët e vegjël. Anemia mund të shkaktohet si pasojë e gjakderdhjes së tepërt, mungesës së thartirës folike ose vitaminës B12, për shkak të çrregullimeve në pjekjen e eritrociteve si dhe për shkak të rritjes së shpejtuar të rruazave të kuqe të gjakut. Megjithatë, shkaktari më i shpeshtë i pagjakësisë është mungesa e hekurit që shpie në krijimin e anemisë sideropenike.

Kush i takon grupit të rrezikut
Edhe pse anemia me mungesë të hekurit mund të shfaqet në cilëndo periudhë jetësore, pak më shpesh ndeshet te bebet dhe te fëmijët e vegjël, sidomos nëse janë të lindur para kohe ose me peshë të ulët, sikurse edhe te fëmijët që nuk janë mbajtur në gji.Grupin e dytë të të rrezikuarve e përbëjnë fëmijët në periudhën e zhvillimit të përshpejtuar, sepse organizmit të tyre i nevojitet sasi më e madhe e hekurit. Nëse në këtë moshë të rritjes fëmija nuk ha ushqim të llojllojshëm, atëherë rritet rreziku nga shfaqja e anemisë. Pagjakësia sideropenike mund të jetë pasojë e gjakderdhjes së madhe menstruale, për ç’arsye gratë kanë probleme me numrin e pamjaftueshëm të eritrociteve. Në grupin e rrezikut bien edhe vegjetarianët, sepse organizmi nuk është në gjendje të absorbojë hekur të mjaftueshëm nga drithërat dhe perimet.

Komplikimet
Anemia e butë, e shkaktuar nga mungesa e hekurit, rëndom nuk shkakton komplikime, mirëpo, nëse nuk shërohet mund të nxisë probleme serioze shëndetësore.
Meqë te pacientët anemikë zemra duhet të pompojë në mënyrë që të mund të kompensojë mungesën e oksigjenit në gjak, janë të mundshme problemet në formë të përshpejtimit të të rrahurave ose të punës së çrregullt të muskujve të zemrës. Komplikimet më të shpeshta janë zhvillimi i angjina pektorisit (dhimbje në gjoks, të shkaktuara nga depërtimi i zvogëluar i gjakut dhe i oksigjenit nëpërmjet muskulit të zemrës).
* Anemia gjatë shtatzënësisë mund të shkaktojë lindjen e parakohshme ose të shkaktojë peshën e vogël të bebes.
* Mungesa e madhe e hekurit te fëmijët shpesh shkakton pasoja serioze në formë të vonesës në zhvillim. Praktika ka treguar se te këta fëmijë - të folurit zhvillohet më ngadalë, ndërsa shkathtësitë motorike (siç është ecja) piqen më vonë, pastaj shpesh kanë probleme me përqendrimin dhe me infeksionet.

Shërimi
Qëllimi i shërimit të anemisë është rritja e nivelit të hekurit në organizëm si dhe kontrollimi i faktorëve të cilët e kanë shkaktuar sëmundjen. Në të shumtën e rasteve problemi zgjidhet me përdorimin e suplementeve të hekurit dhe me përdorimin e ushqimit të pasur me këtë element. Tabletat e hekurit pihen çdo ditë aq sa e përcakton mjeku, ndërsa për t’u përshpejtuar absorbimi i hekurit rekomandohet përdorimi i vitaminës C, qoftë në formë të suplementit ose të lëngut të portokallit, boronicës së kuqe ose të dredhëzës. Edhe pse shumica e të sëmurëve ndihen më mirë pas disa ditësh nga fillimi i terapisë, suplementet duhet të konsumohen 6 muaj deri në 1 vit, sepse organizmit i duhet kaq kohë që përsëri të plotësojë sasinë e mjaftueshme të hekurit.

Kujdes me suplementet
Edhe kur ekzistojnë simptomat e qarta të anemisë, suplementet e hekurit nuk bën të merren pa konsultim me mjekun! Shfrytëzimi i pakontrolluar i këtij minerali mund të shkaktojë helmim.

Masat e kujdesit
Edhe pse mishi bie në burimin më të mirë të hekurit, nuk duhet tepruar me konsumimin e ushqimit të tillë, sepse kjo mund ta shkaktojë dezekuilibrimin e fosforit dhe të hekurit në organizëm dhe ta rrënojë absorbimin normal.

Pijet mirëbërëse
* Merren nga 20 g thana, manaferra dhe kaça, u qitet gjysmë litri ujë i ftohtë, mbulohet dhe lihet gjatë natës që të thartohet. Të nesërmen zihet për 2 minuta dhe, kur të ftohet, kullohet dhe pihet nga një gotë, tri herë në ditë para buke.
* Përzihet sasia e njëjtë e gjetheve të hithrës dhe të mështeknës dhe dy lugë të kësaj përzierjeje përvëlohen me një filxhan e gjysmë ujë të vluar. Lihet të qëndrojë për një orë, kullohet dhe i shtohet gjysmë filxhani lëng rrepani të kuq. Përdoret tri herë në ditë 20 minuta para bukës. Ky lëng merret 8 javë.
* Rrepani i kuq qërohet hollë, rendohet imët, i shtohet lëng limoni dhe mjaltë. Kur të qëndrojë pak, kullohet dhe pihet me ngërçe gjatë ditës. Te rastet e rënda të sëmundjes, gjatë ditës pihen rreth 500 ml lëng. Kur të hetohet përmirësimi, kjo pije zvogëlohet në 250 ml.

Çfarë duhet të hamë?
Anemia relativisht rrallë shfaqet te njerëzit të cilët ushqehen shëndetshëm. Mirëpo, nëse ekziston debalanca në ushqim ose humbja e gjakut te rastet e hemorroideve të pashëruara ose te gjakderdhjet në traktin digjestiv, është e domosdoshme që të merren ushqime që janë të pasura me hekur.
*  Në ushqimin e përditshëm duhen përdorur mëlçitë, mishi i kuq, peshku, të verdhat e vezëve, pemët e thara, prodhimet e sojës. Rekomandohet përdorimi i qepës së kuqe dhe të bardhë, bizeleve, pemëve nga familja e arrave, fara, perime të gjelbra si dhe majdanoz, hithra, koriandër dhe gjethe të lulequmështit.
* Ushqimet e pasura me vitaminën C përshpejtojnë absorbimin e hekurit dhe do të ishte e dëshirueshme që gjatë shujtës të pihet një gotë lëng i freskët portokalli të shtrydhur ose të merret nga një tabletë e vitaminës C.
* Duhet kufizuar konsumimi i spinaqit sepse ky zvogëlon absorbimin e hekurit.
* Bakri ndihmon absorbimin e hekurit, ndërsa artikuj të pasur me këtë mineral janë djathi, të verdhët e vesë, frutat e detit, mushkëritë, drithërat integrale, perimet ngjyrë të gjelbër të errët, kajsitë, qershitë dhe fiku i tharë.
* Çaji, kafeja, kakaoja dhe vera e pengojnë shfrytëzimin e hekurit nga ushqimi.
* Nëse përdorimi i hekurit përmes ushqimit nuk mjafton, atëherë kalohet te preparatet e hekurit, përdorimin e të cilit e përshkruan mjeku.
 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version