Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Kur vjeshta jetësore të dhuron aromën rinore
Kur vjeshta jetësore të dhuron aromën rinore
Një fjalë e mençur thotë: të plakesh fillon atëherë kur më nuk gjen arsye të buzëqeshësh, prandaj falë fatit, që ishte zemërgjerë, duhet gjetur buzëqeshja e humbur...

Antigona Qena Kaçaniku

Fillova të punoja nga mosha 16 vjeçe në Radio Prishtinë, pastaj vazhdova në TV të Prishtinës, si folëse, moderatore, gazetare e autore e emisioneve kulturore. Me ndërprerjen e punës së Televizionit të Prishtinës, mbajta lidhjen me redaksinë tonë në Televizionin Shqiptar, si korrespondente nga Norvegjia, ku me tim burrë e djemtë tanë, i kaluam 17 vjet të mërgimit, me punë ndër më të ndryshmet, por edhe me një radio-program në gjuhën shqipe. Me t’u kthyer në Prishtinë, rifillova rrugëtimin profesional, me po të njëjtin vullnet, pavarësisht nga rrethanat e ndryshuara, duke u kapur për fijet e këputura të së kaluarës, për ta kthyer në të sotmen madhështinë e vlerën, duke iu kundërvënë erërave, që përherë zmbrapsën hapat e shkelur të krijuesve tanë në këtë hapësirë. E gjithë kësaj i shtoj se i këndova këngët e shpirtit, e hoqa pluhurin e harresës, ndava miqësinë e sinqertë në valët radiofonike dhe i ngjita copat e thyera në memorien e kohës. Ky shteg i kaluar, ishte sa i rëndë po aq edhe i bukur, krejtësisht i posaçëm, e bindur se meriton të pensionohesh, t’i përkushtohesh vetvetes, që në vrazhdësi të përditshmërisë së lënduar kosovare, fjala pensionim fiton krejtësisht një konotacion tjetër, ngase është shumë i pavlerësuar dhe disi i përçmuar, gjersa ishte dashur të jetë, si në gjithë botën, fazë e re e jetës, e plotësuar me përvojë, mençuri, mësime e përjetime, kohë kur më në fund e di se çka do dhe çka ende mund të të plotësojë e të të pasurojë dhe për çka, vendi yt, të cilit ia dhurove mundin e aftësinë punuese, ta kthen me shpërblim të merituar.

...Asgjë nuk e gjunjëzon shpirtin më shumë se varfëria
Megjithatë, nuk duhet helmuar vetja me zhgënjime, përkundrazi, duhet gjetur shtigje të reja, për t’i zaptuar e për t`i përjetuar, secili në mënyrë të veten, varësisht nga dëshira e mundësia.
Kështu, për mua, si në një mozaik i paplotësuar, ekziston edhe një copëz që dua ta gjejë vendin e vet, e kjo është dëshira e natyrës sime aventuriere, që më shtyn të udhëtoj e të hulumtoj, së pari, gjerë e gjatë, këtë Evropën e vjetër, e pastaj horizontet e reja, të rrugëtimeve befasuese. E bukura e kësaj, që në këtë kohë të mundësisë së qasjes në internet, me forma të ndryshme, këtë udhëpërshkrim mund ta shpalos e ta ndaj me publikun, si bashkudhëtarin e këtij shtegtimi. Por, edhe më e bukura qëndron në faktin se, do ta kem me vete atë, që në çdo cep të botës, më bën të ndihem se jam në vatrën e shtëpisë.
Dhe ja, pra, kur jam para pensionimit, nga gushti i këtij viti, kur, krahas punës shumëvjeçare, palosen edhe përjetimet nga ditët e rinisë, të dashurisë, të shqetësimeve e të shpresave martesore, çastet magjepsëse të të qenit prind, përshtatjes së hapave në rrymimet e përbashkëta, sa të shkujdesur aq edhe të bukur. E gjitha, si një roman me kaptina mbresëlënëse, të shkrira me shpejtësi marramendëse, duke kuptuar se je e privilegjuar, ndryshe nga shumë të tjerë, që nuk pritën ta gëzonin kohën e pensionimit. Prandaj, nuk duhet zymtuar kjo arritje, ngase vërtet është koha që të lumturohet çdo sekondë e tiktakut jetësor. Koha që t’i gëzosh të gjitha gjërat, për të cilat nuk kishe mundësi, sa ishe e punësuar, t’i lexosh librat e palexuar, të pikturosh ndjenjat e fshehura, të frymosh me ritmin e melodive të dashura, t`i vizitosh vendet e papara, t’i përtëritësh shoqëritë e harruara, të arnosh kujtimet e plasaritura...

Koha që të shijosh pjekurinë e pasurinë shpirtërore, si parakusht i lirisë së plotë personale
Megjithatë, më duket nga pak surreale, të kthehem prapa e të shikoj veten kur isha vajzë e re, që me llastim i qasej jetës, ngase ende në damarët e mi pulson mu ajo vajzë tekanjoze, që vraponte e ngazëllyer e këmbëzbathur nëpër barin e njomë rinor, shpresoj se ajo do të vazhdojë vrapin, sado të ngadalësuar, për sa të frymëzohet nga dashuria e njeriut të zemrës, kësaj zemre të ndarë në dysh, nga çasti i lindjes së fëmijëve, për lumturinë e të cilëve përherë frymon.
Prandaj, vazhdoj të besoj se jam ende po ajo vajzë, që ndiente drithërima nga një shikim, e përvetësuar për jetë nga një fjali, që ende i gëzohet përkëdheljes dhe lufton guximshëm me shuplakat e jetës, sado që sot, ajo vajzë e shikon veten në pasqyrë, e habitur se si kaloi aq shpejt i gjithë ky rrugëtim, duke provuar t’i vërë vulë kujtese çdo rrudhe që paloset butësisht në fytyrë e ta kthejë në buzët e fishkura atë njomësi të mbetur diku larg, gjatë çalimeve nëpër shtigje.
Sigurisht se nuk bën të lejojmë që në valët e jetës, mu tash, kur fillon të qetësohet lundrimi, t’i zgjojmë dallgët e mëdha, me frymëzim e kurajë për caqe të reja, t’i lumturojmë ditët e vjeshtës jetësore, kur çdo gjethe e vyshkur kujton e falënderon për aromën rinore.
Duke uruar edhe të tjerët, që arritën të mbushin kupën plot, sado e hidhur nganjëherë në pastë qenë, është mrekulli që s`mund të përsëritet. Le ta gëzojmë me shëndet, e ta shijojmë së bashku me ata, që janë arsye e zgjimeve tona mëngjesore.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version