Secili prej nesh ka idenë e tij të mikut ideal, të bashkëbiseduesit, partnerit në punë ose në dashuri… Qëndrimet lidhur me këtë i formojmë që nga fëmijëria e hershme, rreth moshës pesë vjeçe.
Pikë qendrore e qëndrimit tonë janë njerëzit të cilët i shohim më së shpeshti. Ndonjëherë ky është reflektim personal në pasqyrë ose ndonjë nga farefisi. Le t’ju kujtohet çfarë keni qenë si fëmijë: sa me kujdes e keni vështruar fizionominë personale, si i keni imituar prindërit, çfarë grimasash keni bërë kur ju ka pëlqyer ose jo diçka. Gradualisht, çdo gjë që ju ka pëlqyer, disi ju është regjistruar në tru, ndërsa më vonë atë formë kryesore vetëm e keni korrigjuar dhe e keni plotësuar. Në periudhën e rritjes, botën rreth jush e keni vlerësuar sipas shkallës së pëlqyeshmërisë, por gjithherë në relacion me vetveten. Me disa keni gjetur më shumë pika të përbashkëta, ai person ka qenë më i afërt për ju. Është punë e mërzitshme ajo që nuk e kuptojmë, ose që nuk durojmë, ajo që është lag nga botëkuptimi ynë…
Njeriut, tek i cili identifikojmë disa nga veçori tonat, automatikisht i besojmë më shumë, ai menjëherë na duket “i njohur” dhe shumë më lehtë miqësohemi. Ngandonjëherë “njohja” zhvillohet në saje të pamjes së jashtme, e cila është sinjal se edhe përbrenda është i ngjashëm.
Teoria e dyshit është e zbatueshme te të gjitha format e komunikimit, jo vetëm në planin e dashurisë. Përfundimi duhet bërë vetë: nëse dikush nuk na përngjet fare neve, më mirë është as të mos e nisim ‘tregimin’ e dashurisë me të. Nëse rastësisht jeni biondinë subtile, ndërsa jeni në lidhje me mashkull të vërtetë, zeshkan, të gjatë dhe të fuqishëm, pyeteni, ku është këtu ngjashmëria? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Më shumë se pamja dhe qëndrimi, për ne flasin mimika, gjestikulimi, mënyra e ecjes, shprehjet të cilat i përdorim. E gjithë kjo na jep vulën personale, prandaj edhe në këtë mënyrë mund të gjejmë shpirtin tonë binjak. Dikush fërkon hundën, dikush e mbështjell blerin e flokut, dikush i mbyll sytë, ecën duke u shalakatur ose duke kërcyer, shfrytëzon pozën e caktuar për të shprehur ndjenjat…
Shkolla e mimikës
Le të imagjinojmë se e keni njohur mashkullin e ëndrrave tuaja. Si do t’ia tërhiqni më së miri vëmendjen? Merreni me mend se jeni reflektimi i tij në pasqyrë. Gjatë komunikimit provoni t’i pranoni gjestet e tij dhe shprehjen e fytyrës, të koordinoni ritmin e frymëmarrjes me të tijën. Natyrisht, të gjitha këto duhet t’i bëni pa rënë në sy. Nëse i përmbaheni kësaj recete, në afat prej dy orësh do t’ju thotë shumë më shumë për veten, sesa do ta bënte në rrethana të tjera për dy muaj. Është e mundshme edhe se do të fillojë t’ju besojë.
Sidoqoftë, për të do të mësoni shumë gjëra të dobishme falë kënaqësisë që ka ndier në bisedë me ju dhe që me siguri dëshiron të shiheni përsëri. Ju këshillojmë që këtë teknikë ta praktikoni me rastin e çdo njohjeje, krahas vërejtjes që nënkupton: mashkulli duhet t’ju pëlqejë!
Pse partnerët bashkëshortorë i ngjajnë njëri-tjetrit?
Le t’ju kujtohet se sa partnerë bashkëshortorë në moshë i njihni në rrethin tuaj, të cilët me kalimin e viteve kanë filluar t’i përngjajnë njëri-tjetrit? Nuk ka këtu kurrfarë misteri: ata, kohë të gjatë kalojnë së basku dhe shumëçka e bëjnë në duet, kështu që njësoj flasin, lëvizin, gjestikulojnë, marrin frymë…
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.