Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

 

Shkruan Sanije Gashi

Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës iu shtua edhe një emër: Edi Shukriu hyri në panteonin e elitës intelektuale (dhjetor 2020) dhe është akademikja e parë kosovare e rregullt. Është shembull frymëzues i gruas në shkencë. Të plotësojmë me të dhënat se - studimet për arkeologji i kreu në Universitetin e Beogradit, ku dhe magjistroi, ndërsa titullin Doktor i Shkencave të Historisë e mori në Universitetin e Prishtinës, ku punoi për shumë vjet si profesore ordinare në Fakultetin Filozofik. Konsiderohet ndër gratë e suksesshme kosovare. Me karrierë si shkrimtare, poete, ligjëruese, arkeologe, jeta e saj profesionale konsiderohet tejet e pasur. Edi, tani e pensionuar, jeton në Prishtinë me të bijën Erleta dhe të mbesën Nia.

Shkrimi për arkeologen Edi, më kthen shumë vjet pas, atëherë kur ishte studente e arkeologjisë, si dhe një foto e saj e botuar në ballinë të revistës që po e redaktoja, më zgjuan emocione: me fshesë në dorë gjatë gërmimeve arkeologjike. Kuptoj se këto gërmime ishin bërë në Romajë të Hasit, në vendin e quajtur ‘Sakra’, dhe janë zhvilluar në vitet 1970-1973. Këtu fillon edhe zhvillimi i karrierës së saj në profesionin e përzgjedhur.
Botimet e saj janë të shumta, publikoi mbi 15 vepra profesionale, 7 libra poetikë, 4 drama romane, 2 dokumentarë, mbi 60 artikuj shkencorë e shumë punime të tjera. Është autore e librave shkencorë ‘Dardania paraurbane’(1996); Kosova antike (2004); Gra të shquara shqiptare, së fundi ka botuar këtë libër cilësor edhe në gjuhën angleze etj.
Edi Shukriu, lindi në Prizren (1950). Fillimisht ka botuar vepra letrare. Letërsia i ka ndihmuar në shumë pikëpamje, sidomos poezia, porse duke mos e lënë anash as shkencën. Vërtet, nuk ka gjë më me vlerë për një shoqëri sesa gruaja e arsimuar dhe e pavarur.
Lidhur me profesionin e saj jetësor, shprehet: - Profesioni im si arkeologe dhe si femër ka ndihmuar mjaft që të thyhen paragjykimet mbi shqiptarët, sidomos në kohën kur kam qenë pjesë e diplomacisë së Kosovës.Edi, menjëherë pas luftës ka pasur disa funksione me rëndësi, si bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës, politikane, veprimtare, deri te të qenit deputete… Veç të tjerash, ishte edhe nënkryetare e qendrës PEN. Pasioni për poezinë kishte filluar shumë herët, që me botimin e librit të parë, që do të jetë udhëtimi i parë në botën e ndjenjave… Meqë, siç u tha, fillimisht ka botuar veprat letrare, shkrimin e nisa pikërisht në këtë fushë. Në raft gjeta disa botime poetike të shkrimtares, të cilat i shfletova me kënaqësi, duke ‘ecur’ kështu lehtë-lehtë nëpër jetën e saj, që me botimin e parë të vëllimit poetik ‘Sonte zemra ime feston’ në vitin 1972. Lidhur me këtë botim, poetja shpjegon:

Largimi nga paragjykimet gjinore

- Vëllimi poetik “Sonte zemra ime feston” lindi si nevojë e largimit të paragjykimeve gjinore, me të cilat ballafaqohej dhe ende ballafaqohet shoqëria jonë. Mendoj se egoja, superegoja e id-i i individit duhet të jenë në marrëdhënie të ndërsjellë edhe me shoqërinë, nëse duam të mos ketë konflikte. Vjershat dhe veprat e tjera të krijimeve të mia janë po aq rrjedhojë e vrojtimeve të introperspektivës së vetes e të shoqërisë. Në to gjithherë mbisundon kjo e dyta, pasi nuk ndiej dhe mendoj se mund të ketë qetësi individuale nëse një pjesë e konsiderueshme e popullatës është e verbër, larg nivelit intelektual, pa dallime gjinore, përplot paragjykime e relikte anakronike patriarkale. Andaj them se vëllimi “Sonte zemra ime feston” dhe vjersha e parë po me këtë titull flet për domosdoshmërinë e zgjimit të shoqërisë. Këtë mëtim e kam përcjellë në krijimet pasuese, si në “Gjakim” e në “Syri i natës”, ku ballafaqohem me Lekë Dukagjinin e Lekë-t e rinj “intelektualë”. Në “Nënqielli” i Prizrenit e me të dhe ai kombëtar, kundërshtoj përvetësimet e trashëgimisë nga regjimi serb dhe fshehjen e gjurmëve e të frymës iliro - shqiptare e të tjera.
- Sot, çka po më shqetëson më shumë? Shtrembërimi i historisë! Kur po e hap facebook-un, plasa, po më vjen të reagoj, por po them – hajde, moj, kush u përgjigjet pastaj!

Okarina e Shaqir Hotit

Prof. Edi punoi për shumë vjet si ligjëruese ordinare në Universitet, në Fakultetin Filozofik. Vitet ikin, porse kujtimet mbeten, i thuhet. Ndaj, pyetja se - a po i mungon sot puna me studentët? - është e pashmangshme. Lidhur me këtë profesoresha përgjigjet, po jo pa nostalgji, edhe për arritjet e tjera:

- Më gëzojnë përparësitë që ka sjellë puna shumëvjeçare me studentët dhe njohja e trashëgimisë kulturore si vlerë, po edhe si mjet me të cilin është manipuluar dhe manipulohet ende nga politika armiqësore dhe joshkencëtarët. Po ende kemi shumë që nuk shikojnë tej vizionit arkeologjik, duke përvetësuar dhe duke vrapuar pas titujve. Instrumentisti Shaqir Hoti, kultivues i okarinës, më ka dëgjuar që nga koha kur e kam pasur në fqinjësi dhe e bëri okarinën. Kur ma dhuroi kopjen e parë, e nxita të më interpretonte - e kam një incizim të mrekullueshëm! Ndërkohë i nxisja disa kompozitorë që ta kompozonin një vepër me tinguj që lidhen me lashtësinë dhe Shaqiri të interpretonte me okarinë. Edhe për këtë ndarja e tij nga jeta më shqetësoi shumë, se nuk di kush mund ta zëvendësojë!

Themeluese e Departamentit të Antropologjisë

Profesoresha Edi vazhdon me kënaqësi për arritjet në profesionin e saj: Gëzohem që më në fund arrita ta themeloja Departamentin e Antropologjisë, ani që meritat po i marrin të tjerët, madje disa që i kam nxitur vetë e janë bërë Dr-a. Po kryesore po ecën mirë. Kemi edhe disa studentë të mrekullueshëm për master jashtë - uroj të mos lazdrohen dhe të mos u shkaktojnë pengesa pseudoshkencëtarët tanë. Për të tjerat, flas ndonjë herë tjetër.

Veçse, njeriu në jetë ndodh shpesh të ketë edhe zhgënjime, çaste pakënaqësie, dëshpërimi, i thuhet - ndërsa arkeologia, me një rast, do të shprehet çiltërisht:
- Natyrisht që në jetë ekzistojnë edhe çaste të dëshpërimit, por parimi im jetësor ka qenë që edhe në errësirën më të madhe, ta kërkoj një xixë, e ai ndriçimi i vogël të më udhëheqë. Të më tregojë se, megjithatë, ka dritë diku dhe që duhet të shkohet pas asaj drite. Zaten, të gjitha rrjedhat në Kosovë, janë në një aspekt pak dëshpëruese. Nëse kihet parasysh çka kemi mundur të arrijmë dhe çka kemi pasur në dorën tonë, gjysma e tyre do të mund të realizoheshin, sikur të mos ekzistonin lakmitë…

Vajza e qytetit të zambakëve

Të shkruash për rrugën jetësore të Edi Shukriut, patjetër duhet të kthehesh në fëmijërinë dhe në rininë e saj, në shtëpinë e prindërve, prej nga mori udhët e suksesshme të jetës. E lindur në qendër të Prizrenit, te Bajrakli Xhamia, lagje ku i mbetën përjetimet e kujtimet më të pastra fëmijërore, domosdo do të kujtojë prindërit - Margarita e Muhamet Shukriun, dy shtylla të qëndrueshme që e kanë ndihmuar që edhe vetë të bëhet shtyllë, si edhe të vëllanë - Gemin, kirurg… Dashurinë për trashëgimi, njohjen e së kaluarës si dhe për letërsi, i fitova nga prindërit, shpjegon. Nxitja për studimin e arkeologjisë ishte pasuria e Kosovës me trashëgimi kulturore.

T’i kthehemi pak më shumë ‘butësisë’ së jetës, viteve të hershme të kaluara në qytetin rrëzë Kalasë, ku veçoj kënaqshëm dy vargje marrë nga vëllimi me poezi ‘Syri i natës’:

“Vishu mir’ e bon dyzen
ajde t’shkojna n’Perzeren!”,

këngë që edhe sot këndohet këndshëm, vargje të cilat ia kujtojnë poetes disa nga lagjet që ringjallin emocione: Shatërvanin me qepa uji që kurrë nuk shteron dhe që ia shton bukurinë qytetit të lashtë, shtruar me kalldrëm, Lumëbardhin, që e përshkon qytetin prajshëm, Marashin, përposh Kalasë, ku arkeologia po ngjitej çdo mëngjes, qysh në orën 5, tek po bënte hulumtime arkeologjike (1969)… Edhe shumë mbresa të tjera mbeten kujtime të pashlyera, që sajojnë romancat rinore të prizrenasve të rinj…

- A shkon shpesh në Prizren? - i thuhet, ndërsa Edi përgjigjet:
- Oooo, s’kam qenë ka dy-tre vjet, prej koronavirusit e këtej, hiç-hiç!
- Të merr malli të shkosh? - i them.
- Pse, ty a nuk të merr malli? - ma kthen. Vendi i lindjes njeriut i mbetet ndër kujtimet më të veçanta, të cilave u rikthehet përmallshëm.
Derisa zhvillohet një bisedë telefonike, dëgjohet zëri i ëmbël i së mbesës, Nia, i cili zë e mbush shtëpinë ngrohtësi…
- A po kënaqesh me mbesën, qenka rritur, sa shpejt kalojnë vitet!
- Po përpiqem që Nia ta ketë sa më të lehtë fëmijërinë, aq sa po lejojnë rrethanat. Nia, shpjegon hulumtuesja, është emër i rrallë: është hyjnesha e parë e njohur me emër në botë!
Veçse, për sa u përket kujtimeve, shpjegon, nuk po është punë e lehtë, as memoaret nuk po arrij t’i sistemoj. Rastësisht sot e pashë që më kishe botuar në ‘Kosovare’ një tregim, që kisha harruar se e kisha shkruar!
Shkrimtarja ka pasur edhe tregime e poezi të tjera të botuara në revistë!

Në këtë rrjedhë jete u palosën profesioni e poetizimi… Vazhdon të jetojë me çastet e kaluara në përjetimet jetësore me Erletën (nga martesa me Ukshin Hotin) dhe vogëlushen e saj...
Zaten, Edi njihet si një nga studiueset më të mira në fushën e arkeologjisë e të historisë antike. Rezultatet e kërkimeve të gjata në terren, flasin për këto arritje shkencore të arkeologes.

Prishtinë, prill 2021
 

Intervista marr nga libri: "Zonjat intelektuale që lanë gjurmë në kulturën shqiptare" të autores Sanije Gashi

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 5048 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version